Kryeministri Edi Rama, në konferencën për shtyp në Bruksel, tha se "sprapsjet dhe grushtat e marra në stomak" nga BE e kanë bërë Shqipërinë më të fortë dhe më të përgjegjshme. Ai theksoi se tashmë hapja e të gjithë grupkapitujve është një realitet përkundër mbi një vit më parë që dukej si ëndërr. 

“Vetëm pak kohë më parë dukej e pamundur dhe ishim në pikën ku po mësoheshim me sprapsjet dhe grushtat në stomak, por unë besoj se ai rrugëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm për të gjithë atë natyrë të jashtëzakonshme të procesit dhe më të pjekur. Ja ku jemi sot këtu, me atë që ishte vetëm ëndërr pak më tepër se një vit më parë, është transformuar tashmë në një plan pune, një realitet me të cilin do punojmë në jetën e përditshme.  Pa fjalë formale, dua të falenderoj me zemër Marien dhe Marta. Marien për transformimin e fjalëve të presidencës daneze në vepra për zgjerimin duke mbështetur dhe inkurajuar për të ecur përpara dhe Marta që është kampione e procesit të anëtrarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanin Perëndimor. Me zjarr dhe vullnet të fortë, që na bën të gjithë të ndihemi plot energji dhe në borxh nëse nuk realizojmë në kohën e duhur. Jam i frymëzuar nga këto muaj dhe nga mbështetja e fortë që procesi i zgjerimit dhe i ribashkimit të Evropës po merr.", u shpreh Rama. 

Kreu i qeverisë theksoi se do të vijojnë plotësimin e detyrave nga BE me të njëjtin ritëm dhe intensitet. Rama kujtoi se në Bruksel nuk përfaqësojnë asnjë parti politike, por një komb të tërë. 

"Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, disiplinë dhe punë të madhe për të dhënë rezultare që ky proces që po ndërtojmë gur pas guri të mos ndalet. Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë dhe madje me ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu parti politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE dhe anëtarësimin në BE më shumë sesa 90% e qytetarëve tanë. Jam i sigurt që ata shumë pak që janë në këtë përqindje të vogël që mbetet, thjesht nuk do të ketë qenë ditë e  mirë kur është bërë sondazhi se vështirë të mendojë ndonjë shqiptar që mendon se anëtarësimi në BE nuk është ideja më e mirë dhe horizonti drejt të cilit duhet të synojmë për fëmijët tanë.", shtoi ai.  

Në fund, bëri edhe një batutë teksa tha se buzëqeshjet në Bruksel mund të zhduken sa hap e mbyll sytë, ndaj është e nevojshme që të punohet me përulësi dhe përgjegjshmëri. 

"Dua të shtoj se qoftë, ajo mënyra e fortë dhe e butë me të cilën jemi përballur na ka mësuar: kurrë mos merr asnjë gjë të mirëqenë në Bruksel. Kur të buzëqeshin shijoje por mos e mer të mirëqenë. Mund t’ju zhduket nga fytyra sa hap e mbyll sytë. Kështu vazhdo, puno fort dhe përgjigju me përulësi dhe rezultate. Këto dy gjëra janë ato gjëra që këta vlerësojnë më shumë.  E kam thënë me mentorin tonë, KE dhe të urtët nga ana tjetër, shtetet anëtare jemi në duar të mira nëse nuk harrojmë se është puna e duarve tona që ka rëndësi jo për ta por për ne. Për popullin shqiptar dhe brezin e ardhshëm”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Hapja e grupkapitullit të fundit festohet me tortë në Bruksel! Kos: Vendi i Shqipërisë, në BE! Rama: Përfaqësojmë kombin, ecim para me të njëjtin ritëm