Në seancën plenare të ditës në Kuvend, të thirrur në orën 10:00, do të zgjidhen 5 anëtarët mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Nga 5 anëtarët, 3 emra vijnë si përzgjedhje e PS-së, ndërsa 2 emra të tjerë si përzgjedhje e kryeministrit Edi Rama në bazë të aplikimeve që kanë shkuar në qeveri.

3 emrat që vijnë si përzgjedhje e PS mes kandidatëve, të cilat i paraqitën në Kuvend, janë:

1.  Ish-deputeti demokrat, Selami Xhepa

2.  Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj

3.  Matilda Shehu

Dy kandidatët e propozuar nga kryeministri Rama përmes aplikimeve që shkuan në qeveri janë:

1.   Ish-ministri Ervin Mete

2.  Jonida Prifti, teksa mbetet për të bërë edhe një propozim.

Puna e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë është e bllokuar pasi gjashtë anëtarëve u ka mbaruar mandati, për pasojë këshilli nuk mund të marrë asnjë vendim derisa të plotësohet bordi me anëtarët e rinj.

Seanca nis me një interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, të kërkuar nga Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

Në diskutim pritet të jenë edhe 6 projektligje të paraqitura nga opozita, ndërsa në fund do të miratohet edhe ligji i ndryshuar për funksionimin e AKSHI-t.

Njëkohësisht pritet të ketë debate për ndryshimet ligjore në nenin 242 në Kodin e Procedurës Penale. Nisma e kryeministrit Rama synon që gjykatat të mos pezullojnë më nga detyra ministrat dhe postet e tjera kushtetuese.

Me ndryshimet ligjore në kodin e procedurës penale që në parlament kërkojnë 84 vota, gjykata nuk mund të ushtrojë ndaj Presidentit, kryeministrit, Zv/kryeministrit, ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit dhe Kreut të KLSH, vetëm masën e pezullimit nga detyra.

Për masa të tjera si marrja e pasaportës apo detyrim paraqitje SPAK nuk ka nevojë për asnjë autorizim nga parlamenti. Ndërsa për arrestin, qoftë me burg apo në shtëpi, do të duhet si gjithnjë autorizimi i Kuvendit.

Miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore nuk ka fuqi prapavepruese dhe nuk çliron nga masa e pezullimit Belinda Ballukun, për të cilën socialistët më 23 shkurt mbledhin Këshillin e Mandateve për arrestimin, ndërsa është thënë prej tyre se kjo nismë erdhi nga nevoja për plotësimin e një boshllëku ligjor.

Më poshtë gjendet axhenda e plotë e Kuvendit për seancën plenare:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 19.2.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1.       Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 12.2.2026.

2.       Njoftime.

3.       Interpelancë me Ministrin e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

4.       Projektligji "Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë".

5.       Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018, "Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë"".

6.       Projektligji "Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012, "Për akcizat në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar".

7.       Projektligji "Për një shtesë në ligjin nr. 80/2015, "Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë"".

8.       Projektligji "Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, "Për tatimin e vlerës së shtuar në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar".

9.       Projektligji "Për statusin e minatorit".

10.   Projektligji "Për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratorike për ndotësit ushqimorë".

11.   Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 43/2023, "Për qeverisjen elektronike"".

12.   Projektvendimi "Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë".

13.   Projektvendimi "Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë".

14.   Projektvendimi "Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë".

15.   Projektvendimi "Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë".

16.   Projektvendimi "Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë".

17.   Projektvendimi "Për miratimin e planit vjetor 2026, "Për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022-2026".

18.   Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.