TIRANË- Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë bojkotuan për herë të tretë seancën plenare, edhe pse ata kanë dalë kundër Berishës për këtë vendim, i cili kthimin në Kuvend e ka kushtëzuar me kërkesën që mazhoranca të pranojë debatin e të shqyrtojë kërkesat e protestuesve në parlament. Edhe në këtë seancë, socialistët debatin politik e zhvilluan me opozitën e re, dy deputetët e “Lëvizjes Bashkë” e “Partisë Mundësia” të cilët e akuzuan kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij se kanë heshtur ndaj deklaratave të ministres Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës.
“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës. Kosova e ka shpallur non grata. Ky që merret me armiqtë e popullit si ka mundësi që nuk mban qëndrim për një deklaratë të ministres serbe?”, tha Redi Muçi.
“Ashtu si Rama, edhe Enver Hoxha heshte për Kosovën. Kryeministri i Kosovës, Haradinaj ka thënë publikisht se Rama më ka kërkuar të pranojmë ndarjen e Kosovës. Ballkani i hapur ishte projekti i Enver Hoxhës. Ku e gjen guximin ish-ministrja serbe që edhe pas 25 vitesh të fyejë rëndë shqiptarët Kosovës, sepse e di që ka një aleat në Tiranë që hesht”, tha Erald Kapri.
“Reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme. Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, të një kadeti të ri në Kuvend. Nuk tallemi me çështjet kombëtare, s’jemi karagjozë si puna jote! Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë nga ministri i Jashtëm, në nivel politik, kam reaguar përpara teje, ti ishe në gjumë”, tha Taulant Balla.
Në rend dite ishte një interpelancë me ministrin e financave e kërkuar nga Jorida Tabaku, e cila nuk është e pranishme.
Lajm në përditësim...

Ndërsa prezantoi në Kuvend projektligjin për dëftesat tregtare për bujqësinë, ministri Andis Salla tha se ky mekanizëm financiar i shërben zhvillimit të bujqësisë dhe sjell përfitime për të gjitha palët. S pikë kyçe, theksoi marrëdhëniet më të sigurta mes fermerëve dhe furnizuesve pasi mbulohet i gjithë cikli ekonomik i prodhimit bujqësor.
“I pari është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm. Ndërsa, instrumenti i dytë është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar. Në këtë rast, produkti që është prodhuar dhe depozituar në magazinë mund të përdoret si kolateral për financim. Në këtë mënyrë, ligji mbulon të gjithë ciklin ekonomik të prodhimit bujqësor, nga mbjellja deri te shitja e produktit. Një risi tjetër e rëndësishme është se i gjithë ky mekanizëm do të funksionojë në mënyrë elektronike, nëpërmjet portalit e-Albania. Dëftesat do të regjistrohen në një regjistër elektronik të posaçëm dhe do të lidhen me regjistrin e barrëve siguruese. Përfituesi i parë është fermeri shqiptar gjithashtu furnizuesit e inputeve, grumbulluesit, përpunuesit dhe eksportuesit, të cilët do të zhvillojnë marrëdhënie kontraktore më të sigurta dhe më të strukturuara me fermerët, duke ulur pasiguritë dhe duke rritur bashkëpunimin përgjatë gjithë zinxhirit agro-ushqimor. Përfitojnë institucionet financiare, pasi krijohet një instrument i qartë dhe i mbështetur në ligj, që u jep më shumë garanci në financimin e sektorit bujqësor. Përfiton e gjithë ekonomia shqiptare”, tha Salla.
Erion Braçe pati disa rezerva lidhur me projektligjin. Ai renditi si problem imponimin e çmimeve të grumbulluesit kundrejt fermerit dhe nevojën për ndarjen e qartë të hallkave. Për deputetin, projektligji duhet të ketë synim të qartë mbrojtjen e fermerëve, rregullimin e sistemit fiskal dhe rregullimin e tregut.
“Duhet ta nisim nga sistemi fiskal që kemi për prodhimin dhe produktet bujqësore, nëse s’e bëjmë, ka dështuar që tani. E dyta gjë që duhet bërë, është ndarja e zotëruesit të inputeve bujqësore nga grumbulluesi, eksportuesi e financuesi. Në rastin kur janë bashkë dhe në krahun tjetër janë edhe prodhues, çmimi që do i imponojnë bujkut është gjithnjë e më i ulët se nuk është çmendur të blejë me çmim të lartë. Shprehja që përdoret sot nga këta është: Do ta lësh shalqirin me kaq lekë? Jo. Epo ik p*rdhu se nuk ta marr, më falni për shprehjen! Kjo është marrëdhënia tregtare sot atje në fusha! Bëjmë mirë ta ligjërojmë dhe legjitimojmë, mbrojmë bujkun dhe prodhimin e tij. Asnjë dëftesë tregtare nuk do ta mbrojë bujkun nëse nuk rregullojmë tregun, nuk rregullojmë sistemin fiskal dhe mbrojmë bujqit! Raste suksesi ka, por raste që ka nevojë të trajtohen për t’u zhbërë sepse janë pjesë e abuzimit me bujkun, janë aty dhe duhen zhbërë sa më parë që bujqit të marrin frymë”, tha Braçe.
Deputetët socialistë votuan kundër rezolutës së gjenocidit serb në Kosovë, ia ktheu Redi Muçi Ardit Bidos që i tha se “partizat e vogla” munguan kur flitej për gjenocidin grek në Çamëri. Deputeti kërkoi sërish qëndrim të qeverisë lidhur me deklaratën e ministres serbe Paunoviq, teksa më pas ironizoi Bidon duke i thënë se “i kishte munguar.”
“Është fakt që në tetor të vitit të shkuar ngritët kartonin e kuq kur u votua rezoluta e gjenocidit serb në Kosovë. Për një deklaratë shoviniste për spastrim etnik ju mjaftoheni me përgjigjen e mefshtë të ministrit tonë të Jashtëm dhe nuk mbani qëndrim. Kosova e ka shpallur non grata. Shoku Bido, na ke munguar! Shumë gabim që e le vetëm Taulant Ballën se s’kishte kush ta mbronte! Unë s’merrem me salcat e sufllaqeve të Bidos. Braçe, po ke gjë për të thënë thuaje në mikrofon”, tha Muçi.

Deputeti socialist Ardit Bido u përfshi në një përplase në Kuvend me dy deputetët opozitarë Erald Kapri dhe Redi Muçi. Këta dy të fundit e akuzuan mazhorancën se po heshtin ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës, madje kryeministrin Rama e krahasuan me diktatorin Enver Hoxha. Por Bido, iu kujtoi opozitarëve se Rama i ka kërkuar presidentit Aleksandër Vuçiç në mes të Beogradit që Republika e pavarur e Kosovës të njihet si realitet. Bido e quajti partinë e Muçit, lëvizje antikombëtare, duke iu kujtuar dy partive të vogla se kur PS e PD dënonin gjenocidin serb në Çamëri, partizat e vogla zgjodhën të mungojnë.
Ardit Bido: Më vjen keq që në këtë sallë të nderuar të kuvendit ne dëgjojmë popullzimin që në fakt na vjen nga thirrjet revolucionare që kanë prodhuar vetëm gjak në histori. Popullzimi ekstrem që tenton të zhbëjë edhe historinë. Enver Hoxha kur shkoi në Beograd nuk foli për Kosovën. Diskutoi atë që ishte plani i kohës për Jugosllavinë e madhe që do përfshinte Bullgarinë dhe Shqipërinë. Sot Shqipëria, një republikë e pavarur ka kërkuar përmes Ramës në Beograd që Kosova një republikë e pavarur të njihet si realitet. Populizmi përkundrejt fateve. Dëgjuam përfaqësuesit e një lëvizje që për mua është në kufijtë e antikombëtares, të na fliste për Kosovën duke reaguar me orë të tëra vonesë, pasi kishin reaguar jo vetëm ministria e jashtme por edhe shumica e grupit parlamentar. Por kur vjen momenti për ta kthyer në fakt ata mungojnë. Spastrimi etnik është i papranueshëm në çdo rast, kur vjen fjala për spastrimin etnik në Çamëri që ky shtet e njeh si ditë gjenocidi. Partizat e vogla munguan, ku ishin përfaqësues me shumicë të PS dhe opozitës zyrtare. Ato zgjodhën që në ditën që dënohej gjenocidi dhe spastrimi etnik, të fshihen si struci e të zhduken. Partizat e popullzimit kanë zgjedhur vetëm fjalën kur iu intereson dhe me veprime për kanë treguar se janë thjeshtë antishqiptarë.
Erald Kapri: Deklarimet janë në kufijtë e pabesueshmes. Deputeti ka fyer protestën duke thënë që rinia po udhëhiqet nga njerëz të Belerit. Nuk e pashë të reagojë kur doli me deputetët e PS në Strasburg, i nxjerrë me krenari edhe nga kryeministri. Madje socialistët votonin edhe amendamente te propozuara nga Beleri. Dhe na quajnë këta ne antikombëtar. Votojnë me Belerin në Strasburg dhe akuzojnë shqiptarët se sillen vërdallë nga Beleri. Kurrë s’kam parë nga Ruçi apo nga Balla, që të dalë të thotë që PS do të dalë dhe të shtypë. Nuk e di se si një deputet që pretendon të jetë në radhët e të rinjve të flasë me gjuhë dhune. Mbani gjuhën se e dimë se çfarë trashëgimie të dhunshme keni.
Taulant Balla iu përgjigj deklaratave të Erald Kaprit se PS ka votuar në Strasburg amendamentet e propozuara nga Fredi Beleri. Balla e quajti deputetin “gënjeshtar profesionist” pasi të gjitha amendamentet e propozuar prej tij janë votuar kundër nga përfaqësuesit socialistë.
Më tej, i tha Kaprit se ka marrë “modelin më të keq” të politikës, Agron Shehajn, të cilit tashmë po i zbardhet e gjithë skema e parave, duke iu referuar pronës 251 m2 që u shit për 15 milionë euro.
“Deputeti parafolës, një gënjeshtar profesionist, sapo keqinformoi me dashje opinionin publik lidhur me procesin e votimit për rekomandimet e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit. 7 anëtarët e këtij komiteti, përfaqësues të PS kanë votuar për të gjitha amendamentet e propozuara nga Beleri kundër. Të gjitha kundër! Gënjeshtar! Grupi parlamentar i PD ka votuar për një pjesë të amendamenteve pro. Sa i përket votimit në fund të dokumentit integral, unë isha dakordësuar me bashkëkryetarin. Unë s’mund ta ndaloja dot një anëtar të PE të votonte pro. Ti ke marrë për model modelin më të keq. Nuk ka model më të keq në politikë sesa të vish këtu dhe të bësh suflerin e Gones. Ti, bashkë me atë personin tjetër që nuk është këtu sepse e nise karrierën politike me pagesë nga paratë e Gones, tani paguhesh me paratë e shqiptarëve si asistent i Gones, ky është ndryshimi. Edhe ti, ndërsa po zbardhet gjithë skema e parave të Agron Shehajt, rast unik në botë që brenda 4 vitesh pesëfishon vlerën e një prone. Do të vijë Gonia këtu, ia kam bërë gati dosjen. Nga paratë e vilës së Gones je paguar ti deri në shtator 2025”, tha Balla.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi ngriti në Kuvend çështjen e deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës. Muçi pyeti cila është arsyeja që ministrja nuk është shpallur non grata nga Shqipëria, ashtu siç veproi Kosova.
“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës dhe mbështetjes që i dha zv/kryeministri serb? Kosova e ka shpallur non grata ministren. Ky që merret me armiqtë e popullit si ka mundësi që nuk mban qëndirm për një deklaratë të ministres serbe? Ndoshta sepse bashkë me mikun e tij, Vuçiç, i ka zënë i njëjti hall: fakti që rinia i përçmon”, tha Muçi.
Përgjigjja i erdhi nga Taulant Balla që i tha se reagimi ka qenë i menjëhershëm në të gjitha nivelet e nevojshme. Shefi i grupit parlamentar të PS nënvizoi se qeveria “nuk tallet me çështjet kombëtare.”
“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por indinjuese dhe të rëndë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme. Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, të një kadeti të ri në Kuvend. Nuk tallemi me çështjet kombëtare, s’jemi karagjozë si puna jote! Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë nga ministri i Jashtëm, në nivel politik, kam reaguar përpara teje, ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë bashkë me ata që ke në kafazin tënd politik. Ky akt është dënuar nga autoritetet politike përfaqësuese. Sa i përket Edi Ramës, ti dhe shokët e tu duhet të lani gojën mirë se është i vetmi kryeministër që nga 1912 që ka ngritur çështjen e Kosovës”, ia ktheu Balla.
Deputeti Erald Kapri ka ngritur në Kuvend çështjen e deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës. Pasi Taulant Balla ta se reagimi i maxhorancës ka qenë i menjëhershëm ndja këtyre deklaratave, deputeti Kapri e krahasoi Edi Ramën me diktatorin Enver Hoxha, duke thënë se ka heshtur për Kosovëm.
“Rama s’ka qenë kryeministri i vetëm në Beograd. Ka qenë edhe Enver hoxha. Ashtu si Rama, edhe Enver Hoxha, hapi kufijtë me ish-Jugosllavinë, bënë Ballkan të hapur, bënë edhe njësi monedhe. Ashtu si Rama, edhe Hoxha heshte për Kosovën pavarësisht se çfarë ndodhte atje. Kryeministri i Kosovës Haradinaj ka thënë publikisht se Rama më ka kërkuar të pranojmë ndarjen e Kosovës. Sa për përrallat e çështjes kombëtarë ka fakte. Ballkani i hapur ishte projekti i Enver Hoxhës. Ku e gjen guximin ish-ministrja serbe që edhe pas 25 citesh të fyejë rëndë shqiptarët Kosovës, sepse e di që ka një aleat në Tiranë që hesht. Doni të na mbushni mendjen edhe më përralla kombëtare. Ky kuvend po mblidhet në kushte rrethimi, a thua se jemi në gjendje lufte. U ka ngelur të nxirrni vetëm ushtrinë, si ka mundësi të mohoni atë që po ndodh në bulevard. Atje është legjitimiteti. Ky kuvend e ka humbur tërësisht. Rama deklaroi në kos që është ligji më i mirë që kemi pasur dhe s’kemi ndërmend ta heqim, nuk kemi një krye antikombëtare, që flirton me Vuçiç, por ka dalë edhe kundër integrimit të Shqipërisë”, tha Kapri.
Partia Socialiste ka propozuar që të kalojë një projekt ligj me procedurë të përshpejtuar, ku në thelb qëndron pezullimi i të gjitha punimeve në bregdet gjatë sezonit të verës.
“Kemi propozuar që në pr.ligjin për turizmin, të pezullohen punimet e ndërtimit gjatë kohës së sezonit turistik, duke garantuar cilësi më të lartë të ofertës turistike në vendin tonë. Pjesa tjetër ka të bëjë me regjistrin elektronik të turistëve. Të ketë një sistem të regjistrimit të personave që akomodohen në atë strukturë hoteliere. Përfshirë këtu edhe një rast që e kam bërë publik bashkë me deputetë të Kavajës, lidhur me pamundësinë por edhe paaftësinë, rasti i bashkisë së Kavajës është më uniku, ku një bashki pjesën e administrimit të mbetjeve e ka lënë jashtë kontrolli, ndërkohë që strukturat akomoduese duhet të kenë një vend të caktuar të tyre për administrimin e mbetjeve. Nuk mund të shkojë hoteli ti hedhë mbetjet në koshin e plehrave të lagjes”, tha Taulant Balla.

Konferenca e Kryetarëve, foto arkiv
Konferenca e Kryetarëve ka kaluar në seancë vetëm votat e Partisë Socialiste për shtyrjen e reformës zgjedhore deri në nëntor, pasi PD e PL vijojnë bojkotin.
Kërkesa, e nënshkruar nga të dy bashkëkryetarët e Komisionit, socialisti Damian Gjiknuri dhe demokrati Oerd Bylykbashi, argumenton se shtyrja e afatit të punës së Komisionit ka për qëllim që t’u japë palëve politike më shumë mundësi për të dakordësuar zgjidhje politike, që t’i paraprijnë procesit të hartimit teknik të dispozitave të Kodit Zgjedhor.
Ndërsa pritet që pas pak të zhvillohet seanca plenare e ditës, Kuvendi është rrethuar nga një kordon sigurie.
Rreth tij janë vendosur barriera metalike dhe forca policie. Këto masa kanë vijuar që prej 2 korrikut kur para Kuvendit u mblodhën protestuesit duke qëlluar deputetët me vezë dhe duke penguar daljen e tyre.
Komente