TIRANË- Mes kaosit, 7 anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar morën këtë të enjte votëbesimin e Kuvendit.Berisha, i rrethuar nga ligjvënësit e tjerë demokratë, zaptoi foltoren në momentin që nisi votimi për ndryshimet në qeveri, ndërsa socialistët shoqëronin çdo votim me duartrokitje.
Për Albana Koçiun zv.kryeministre, Toni Gogun Ministër të Drejtësisë, Besfort Lamallarin të Brendshëm, Erjona Ismailin Ministre Shteti për Parlamentin, Ferit Hoxhën kryediplomatin e ri, Ermal Nufi te Mbrojtja si dhe për Enea Karakaçin, që zëvendëson Belinda Ballukun te Infrastruktura dhe Energjia, votës së socialistëve iu bashkuan edhe kartonët jeshilë të deputetëve të Partisë Social-Demokratike.
Hoxha, Karakaçi dhe Nufi, që vijnë rishtazi në qeveri, votëbesimin e ndoqën nga lozhat e Kuvendit. Para se të konfirmonte krerët e rinj në dikastere, Kuvendi votoi edhe shkarkimet e tashmë ish ministrave, me dekretin për Belinda Ballukun që më shumë se të tjerët mori shumicë të cilësuar, 85 vota pro shkarkimit.
Për votimin e ndryshimeve të propozuara prej tij, në seancë nuk mori pjesë kryeministri Edi Rama. Mungoi edhe vetë Balluku, që me shkarkimin nga 2 detyrat në qeveri, tashmë do të duhet të zërë një karrige mes deputetëve socialistë.
Debate pati edhe për kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut. Opozita kërkoi të futet në rend dite raporti i saj pro heqjes së imunitetit të Ballukut. Gazment Bardhi tha se mazhoranca po zgjat shqyrtimin dhe ka mbetur vetëm një javë që kërkesa të konsiderohet e rrëzuar. Ndërsa kreu i grupit të PS, Taulant Balla iu përgjigj se janë brenda afatit 2 javor për të hartuar raportin e tyre, të cilin do ta sjellin në Kuvend seancën e 12 marsit bashkë me raportin e opozitës.
Ministrat e rinj do të betohen te Presidenti të premten në orën 10:00, në një ceremoni që do të mbahet në Pallatin e Brigadave. Më pas gjatë seancës së sotme, në Kuvend pati një përplasje të fortë mes Taulant Ballës dhe Gazment Bardhit, e cila u shoqërua me fyerje të rënda nga ana e kreut të Grupit të PD-së. Shkak i sherrit ishte një deklaratë e Ballës kundrejt Albana Vokshit, ku tha 'për ty Albana kam numrin 0900'. Kjo bëri që deputetët demokratë të bllokonin foltoren dhe të niste përplasja. Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se ka pasur edhe një përplasje fizike mes Balliut dhe Ballës.
Lajmi në përditësim...
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se po shkel Kushtetutën për të mbrojtur ministrat dhe zyrtarët e saj, duke iu referuar vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese që sipas tij, rrëzoi me votim unanim 8 me 0 qëndrimin se pezullimi i ministrave lidhet me imunitetin e tyre.
Bardhi theksoi se vendimi i Kushtetueses i ka dhënë përgjigje edhe çështjes së imunitetit të deputetes Belinda Balluku, duke sqaruar se Kuvendi duhet vetëm të verifikojë nëse ka motivim politik në kërkesat e drejtësisë.
Në këto kushte, ai i kërkoi mazhorancës të tërheqë propozimin për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, që e cilësoi antikushtetues, dhe t’i hapë rrugë kërkesës së prokurorisë.
“Sa kohë në sallë nuk është as propozuesi i këtij projektligji dhe as ministri i Arsimit, unë do e shfrytëzojë këtë kohë për t’ju ribërë edhe njëherë thirrje për të kërkuar ndjesë zoti kryetar i Kuvendit, për shkeljen e Kushtetutës. Sot po ju sjell një rast të dytë, duke nënvijëzuar edhe distancimin e plotë të opozitës në Parlament, nga qëndrimi që Kuvendi mbajti në mënyrë antikushtetuese në padinë që kryeministri depozitoi si zyrë avokatie e Ballukut në Kushtetuese.
Qëndrimi i Kuvendit, i padiskutuar në asnjë organ të Kuvendit, unë nuk e di kush e ma miratuar këtë qëndrim të Kuvendit, ka mbajtur një qëndrim që është rrëzuar njëzëri 8 me 0 nga Gjykata Kushtetuese. Dhe qëndrimi juaj zoti kryetar se pezullimi i ministrave është pjesë e imunitetit kushtetues të ministrit, nëse nuk e keni marrë vesh është rrëzuar si qëndrim antikushtetues. Kjo është shkelja e dytë që ne ju evidentojmë sot. Ju zoti Peleshi duhet të gjeni kurajon të kërkoni ndjesë.
Nxirreni Ulsiun nga biblioteka, sepse i ka dhënë përgjigje çështjes së dytë që ka të bëjë me heqjen e imunitetit të Ballukut. I ka dhënë përgjigje në mënyrë shteruese. Ka përcaktuar që imuniteti nuk është privilegj ndaj deputetit të veçantë, prandaj nuk është privilegj i Ballukut. Ulsiu ka lexuar kot, po lodhet por nuk ka gjetur një argument për atë qëndrim pa qëndrim”, tha Bardhi.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari Niko Peleshi i është përgjigjur Bardhit duke theksuar se Kuvendi ishte thirrur si palë në çështjen gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese dhe se ai nuk kishte asnjë lidhje me procesin.
Madje Peleshi shkoi më tej kur tha se ekspertët teknikë të Kuvendit as nuk ishin konsultuar me të, për të marrë mendim se çfarë qëndrimi të mbanin në Kushtetuese.
“Kur Kuvendi thirret si palë në një çështje në gjykatë, nuk ftohet seanca, por institucioni. Seanca nuk jep mendime, merr vendime. Ne, Kuvendi u ftua në atë çështje si një palë për të dhënë mendimin teknik ligjor. Madje as me mua nuk kanë pasur ekspertët teknikë të Kuvendit ndonjë konsultë, se çfarë qëndrimi duhej mbajtur. Unë nuk do ia lejoja vetes që t’i jepja një orientim politik sesi përfaqësohet teknikisht Kuvendi. Ndërsa të konsultohet seanca për qëndrimin që duhet të mbajë në një çështje, unë këtë nuk e kam dëgjuar ndonjësherë”, tha Peleshi.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, duke iu drejtuar në Kuvend ministres së Arsimit Mirela Kumbaro dhe Evis Kushit, është shprehur se mazhoranca i ka vjedhur projektligjin për trajtimin e barabartë të mësuesve.
Zhupa tha se mazhoranca pasi vodhi projektligjin e përgatitur prej saj dhe PD-së, e ndryshoi atë, dhe e la ‘gjysmak’.
“Më përmendi 200 herë se është edhe ndjenja e fajit të një projektligji të vjedhur dhe të përçunduar. Se ta kishte vjedhur tamam dhe ta kishte bërë tamam, do e kisha votuar edhe unë. Se këta e vodhën, e përçunduan dhe tani thonë hajde votojeni ju gjysmë përgjysmë për mësuesit”, tha mes të tjerash Zhupa.
Ndërkohë të njëjtat akuza u ngritën në Kuvend edhe nga deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e cila tha se projektligji i paraqitur nga Zhupa, ishte e trajtuar mjaft qartë që të mos kishte diskriminim për mësuesit. Por sipas Xhixhos, mazhoranca e mori këtë projektligj dhe e ndryshoi në mënyrën më të keqe të mundshme.
“Personalisht iu drejtova ministres me një pyetje konkrete për këtë çështje, por nuk ka ardhur në seancë. E para duhet të kërkoni falje, sepse keni ulur pagat e mësuesve nga 2 mijë lekë deri në 6 mijë lekë të reja. Është për të ardhur turp që ministrja nuk denjon as të dëgjojë debatin. Zonja ministre t’u drejtova në Komision dhe të thashë që po paguan 11 mijë mësues më pak. Thatë ‘jo, përkundrazi, u kemi rritur pagën’. Edhe me këtë projektligj që ju keni ardhur, e keni gjysmak. Në projektligjin e Zhupës dhe opozitës ishte e trajtuar mjaftë qartë që të mos kishte diskriminim për mësuesit. Edhe vjen e thua do i japim dhuratë mësuesve për 8 marsin”, tha mes të tjerash Xhixho.
Deputetja socialiste Evis Kushi ka propozuar një shtesë në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, e cila sipas saj synon t’i japë fund shqetësimit për trajtimin financiar të mbi 11 mijë mësuesve, të punësuar në sistemin arsimor, që janë diplomuar përpara hyrjes në fuqi të sistemit të Bolonjës.
Një vendim qeverie i 26 qershorit 2024, që i bëri një rishikim kategorive të pagave edhe për edukatorët dhe mësuesit në arsimin parauniversitar, ulte ndjeshëm pagën për këtë kategori arsimtarësh.
Deputetja Kushi në ndryshimin ligjor propozon që njohja e diplomave para ‘Bolonjas’ të jetë e vlefshme me ato të marra 3+2, vetëm për efekt page.
Në fjalën e tij në parlament, Erion Braçe evidentoi mungesën e ministrave dhe deputetëve gjatë diskutimit për projektligjin për arsimin. Madje, theksoi edhe mungesën e vetë ministres së Arsimit, Mirela Kumbaros.
“Natyrisht që ky parlament ka probleme të mëdha me arsimin, i gjithi me thënë të drejtën se të diskutohet për një çështje kaq të rëndësishme që salla të jetë bosh në shumicën dërrmuese apo gjithë kohës, reflekton. Të mungojë edhe ministrja e Arsimit pastaj, është problem akoma dhe më i madh. Ky problem që kemi ne me arsimin mbërrin edhe në parlament”, tha Braçe.
Ndërsa në Kuvend po vijon të flitet për projektligjin për arsimin parauniversitar, deputetët e ministrat ‘kanë firuar’ njëri pas tjetrit.
Salla është pothuajse e boshatisur, ku 12 deputetët që kanë mbetur, po marrin fjalën në foltore.
Ministri i Financave, Petrit Malaj është ‘qëndrestari’ i fundit i kolegëve të tij, ndërsa zv/kryetarja e parlamentit, Spahiu, po drejton seancën.
Gjatë seancës parlamentare, ministrja Kumbaro kërkoi mbështetjen e Kuvendit për trajtimin financiar të të gjithë mësuesve të punësuar në sistemin arsimor përpara vitit 2017.
“Një nga ndryshimet kryesore, lidhet me standardizimin dhe harmonizimin e normave ligjore për trajtimin financiar të personelit mësimdhënës që janë punësuar përpara datës 01 mars 2017 më kohë të plotë dhe pa afat dhe që zotërojnë diploma që referuar ligjit “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, diplomat e tyre nuk ekuivalentohen me 8 semestra, për shkak të kohëzgjatjes së programeve të studimit. Janë 6,761 punonjës mësimorë që do të përfitojnë nga kjo nismë, lidhur me trajtimin e barabartë të kësaj kategorie në raport me personelin mësimdhënës”, tha Kumbaro.
Kumbaro kërkoi gjithashtu mbështetjen për një shtrirje më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse të programit “Pas shkolle” . Ajo njoftoi se nga viti tjetër, pjesë e olimpiadave kombëtare, do të jetë edhe olimpiada e gjuhëve të huaja.
Me rikthimin në Kuvend, Flamur Noka nuk ndali së bëri zhurmuesin dhe shënjestruari deputetët e tjerë. Gjatë seancës, shënjestra e tij e radhës ishte deputeti i PS për Vlorën, Ardit Bido.
“Mbaj mend kur ma sillnin në zyrën time kur isha në pushtet, herë ma sillte Shpëtim Idrizi si çam, e herë ma sillte Vangjel Dule si grek, herë ma sillnin si lab”, tha Noka.
Kur mori fjalën, përgjigjja e Bidos e nxori Nokën huq me përpjekjet e tij. Deputeti tha se s’e ka takuar kurrë Vangjel Dulen, ndërsa sa për Nokën, tha se e ka takuar vetëm një herë në zyrën e tij, vite më parë, kur ka shkuar si gazetar. Bido më tej i kujtoi Nokës edhe se si kuksianët e tij u bën me prona në Sarandë.
“U çua edhe gënjeu. Kam qenë një herë te z. Noka për ta marrë në intervistë, kur isha gazetar. S’kam qenë asnjëherë me politikanë në zyrën e zotit Noka, kurrën e kurrës. Për këtë madje i prish punë Dules duke e përmendur sot, se nuk më prishë punë mua. Dulen nuk e njoh personalisht, kam qenë shpesh në përballje me të. Noka është epitomia se si nuk duhet të jetë politika shqiptare. Ka qenë në vitet kur ka qenë PD në pushtet, ku të gjithë duhej të shkonin në zyrën e tij dhe të bëheshin drejtorë. Befas dilte prej këtij procesi me ndonjë apartament shtesë në Sarandë. Kuksianët e tij dilnin pronarë në Sarandë. Kjo tregon si ka funksionuar PD, ndërsa sot është thjeshtë një kalkë e shëmtuar e doktorit që është origjinal dhe politika nuk mund të bëhet me kalqe”, tha Bido.”, u përgjigj deputeti.
Deputeti socialist i referohet kohës kur Noka ishte drejtor i Bordit të Entit Kombëtar të Banesave (viti 2008), ku duke përdorur funksionin publik dyshohet se u dha katër banesa nga fondi i të pastrehëve në qytetin e Sarandës familjarëve të tij, dy vëllzërve që jetonin në Belgjikë, gruas së vëllait dhe motrës që jeton në Kamëz. Çështje e cila po hetohet nga SPAK pas hetimeve pasurore që kanë nisur ndaj Nokës.
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla komentoi jashtë Kuvendit draftin e PS për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Balla tha se shpreson që t’i miratojnë me konsensusin e opozitës.
“Ndryshimet janë menduar prej shumë kohësh, të ndara në disa elementë, apo disa qëllime të mira, që kanë të bëjnë me përmirësimin e punës së Kuvendit të Shqipërisë, qoftë sa i përket mbarëvajtjes dhe kohës efikase të diskutimeve në seancat plenare, që kanë të bëjnë me përmirësimin dhe rritjen e efikasitetit, të kontrollit parlamentar, me qëllimin e një përqasje me Parlamente të tjera europiane. Gjithmonë ka qenë dëshira ime dhe e kolegëve të PS, që t’i përqasim me procedurat e Bundestagut gjerman. Propozimet merren në mënyrë të njëanshme, por shpresojmë që miratimin ta kemi me konsensus. Ulja bëhet pasi ke një dokument për të diskutuar, shpresoj që ftesës së Peleshit do t’ i përgjigjet edhe pala tjetër për tu ulur”, tha Balla.
Ndërkohë, i pyetur nga Report Tv për raportimin e titullarëve të institucioneve te komisioni 'Xhafaj', Balla tha se asnjë komisionet përgjegjëse nuk preken dhe përgjegjësia e tyre do të vazhdojë njësoj siç ka qenë.
“Gjithçka ndodh në komisionet përgjegjëse do të vazhdojë njësoj pa u prekur. Ndërkohë, sa i përket rezolutës, nëse ka rezolutë, apo rekomandime për shqyrtimin në seancë, do diskutohen edhe të komisioni i Nismave Qytetare. Asnjë prej kompetencave të komisioneve përgjegjëse nuk preket, do të vazhdojë siç ka qenë”, tha Balla.
Por, në fakt sipas draftit të PS, titullarët e institucioneve nuk thirren më në komisionet përgjegjëse, por do të paraqitet në atë të Mbikëqyrjes Institucionale, i cili drejtohet nga socialisti Fatmir Xhafaj. Ndërsa në komisionet përgjegjëse do të dorëzohen raportet e institucioneve të pavarura.
Një votë e kundër e Jozefina Topallit dhe Sali Berishës për shkarkimin e Elisa Spiropalit nga posti i ministres së Jashtme ngjalli pikëpyetje dhe mister në Kuvend. Në momentin e votëbesimit të ndryshimeve në qeveri, Sali Berisha dhe deputetët e opozitës kishin zaptuar foltoren, por në sistemin e Kuvendit u shfaq që kreu i PD dhe deputetja Topalli votuan kundër shkarkimit të Spiropalit.
Ky moment duket se ka përplasur mendimet e Berishës dhe deputetes së tij. Kjo e fundit reagoi e para për situatën e krijuar duke sqaruar se ky moment ka qenë një lapsus teknik dhe se në asnjë moment nuk përfaqëson vullnetin e saj politik. Vetë Topalli në reagimin për mediat thotë se në momentin e kaosit kur opozitës nuk po i jepej fjala, ka shtypur gabimisht dy butonat në sistem për të marrë fjalën, por ky moment ka rezultuar me votimin për shkarkimin e Spiropalit. Deputetja thotë se ajo ka shtypur edhe butonin për Sali Berishën, pasi ai në atë moment ishte në Foltore.
“Në momentin e kaosit në Parlament, kur opozitës nuk po i jepej fjala, kam shtypur gabimisht dy butonat në sistem për të marrë fjalën. Kjo ka përkuar rastësisht me momentin e votimit për shkarkimin e një ministri. Bëhet fjalë për një lapsus teknik dhe jo për shprehje të vullnetit tim politik. Sqaroj gjithashtu se në atë moment z. Berisha ishte në foltore dhe nuk ka votuar”, thuhet në reagimin e Topallit.
Normalisht me këtë qëndrim të Topallit ‘misteri’ do të duhej të ishte sqaruar aty por Sali Berisha nuk heq dorë nga tradita dhe edhe këtë herë, armiqtë i gjeti në krahun tjetër, duke gënjyer haptazi dhe pa asnjë fakt. Berisha ia faturoi fajin kreut të Kuvendit Niko Peleshi.
Kur gazetarët e përballen me faktin se Topalli e kishte pranuar gabimin dhe ‘konspiracioni i madh i Peleshit” binte, Berisha bëri atë që bën gjithmonë, u justifikua. Kreu i PD tha se as Topalli nuk ka votuar, por në fakt vetë deputetja e PD pranoi se i shtypi 2 butonët në përpjekje për të marrë fjalën në sallë.
Berisha: Absolutisht nuk kam votuar fare, mashtrim i paskrupullt. Se çfarë ka bërë sistemi nuk di gjë, kam qenë në foltore.
Gazetarët: Ke mandatuar Topallin?
Berisha: Kategorisht jo, as ajo s’ka votuar. Ajo nuk e ka shtypur. S’ka qenë Topalli aty. Është mekanizëm i Peleshit që është një person...
Gazetarët: Topalli e ka pranuar këtë gabim.
Berisha: Unë kam qenë në platformë, s’kam votuar kurrë. Kam qenë duke kërkuaR fjalën. Ne vazhduam në foltore sepse ai nuk më lejonte fjalën. Sa i përket Spiropalit, unë ia dhashë përgjigjen.
Deputeti i PS zhvilloi një sesion pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro lidhur me rikonstruksionin e shkollës “Emin Duraku”. Braçe solli shqetësimin e prindërve për vonesat në rihapjen e shkollës, për ndryshimin e rutinës së fëmijëve që zhvillojë mësimin pasdite në shkollën “Edith Durham”.
“Pyetjet që kam paraqitur lidhen me një shqetësim qytetar. Lidhet me ndërtimin e shkollës ‘11 janari’ në njësinë nr 5. Administrimi i kohës së ndërtimit të një shkolle bëhet thjeshtë dhe duke i bërë parapritë proceseve. Në marsin e kaluar, kryeministri ishte në kantier. Puna kishte nisur në dhjetor 2024 dhe në mars përtej afatin kontraktual, u vendos një afat i qartë, që në shtator shkolla të ishte përfunduar. Shkolla ka përfunduar në tetor. Tani jemi në mars dhe prindërit kanë një shqetësim që nga dhjetori 2024 dhe deri tani ju është ndryshuar jeta. Prindërit duhet të rregullojnë oraret e tyre për të dërguar e marrë fëmijët nga shkolla. Nëse institucionet do të menaxhonin, bashkia e para, patjetër që gjendja do të ishte më e mirë. Tani që flasim, të 1700 prindër që janë vënë në vështirësi me aktivitetin e tyre të përditshëm që duhet të shoqërojnë fëmijët në shkollë shkolla ka mbaruar në tetor. Për fat të keq vetëm këto dy sit ka filluar kompletimi i shkollës me bazën materiale. Kur do të hapet shkolla 11 janari?”, tha Braçe.
Ministrja Kumbaro iu përgjigj se shkolla do të jetë funksionale shtatorin e ardhshëm dhe se nuk mjafton vetëm përfundimi i godinës, por janë disa procedura të tjera procedurale lidhur me mobilimin, që çojnë në finalizimin e shkollës.
“Ndërtimi i godinës së re ka përfunduar. Është një gjë tjetër përfundimi që shohim me sy dhe ai procedural, kolaudimi dhe me radhë. Duhet kryer dhe mobilimi që ka dh ajo procedurë prokurorimi. Po përmbyllet si poçes, madje mund të konfirmoj se nj pjesë e mobiljeve ka hyrë në ndërtesë. Ka 33 klasa mësimore, 13 për arsimin fillor dhe 20 për ciklin 9-vjeçar. Godina po pajiset me 10 laboratorë, krahas tyre dhe me sallë multimediale, bibliotekë, një palestër me standarde të larta. Gjatë kësaj periudhe po mësojnë në shkollën ‘Edith Durham’ që ndodhen 160 m larg kësaj shkolle duke mos u larguar nga zona. Do të jetë një erë e mirë në shtator të vitit të ardhshëm që të gjithë nxënësit do të jetë në shkollën Emin Duraku”, tha Kumbaro.
Duke përdorur argumentin se bazuar në rregulloren e Kuvendit, çdo deputet ka të drejtë të propozojë ndryshime në rregullore, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, tha se ndryshimet në rregullore janë propozime që duhen përmirësuar. Ai tha se s’bëhet fjalë për procedura të përshpejtuara.
“Unë nuk i marr leje askujt nga krahu i majtë i kësaj salle, por natyrisht është një proces që është njoftuar nga ana jonë në komunikime publike që do të ndërmarrim disa nisma. Është me tepër rëndësi që të sqarohet në kohën e duhur se nismat janë propozime që duhen përmirësuar. Do të përmirësohen në një proces që do të marrë javët e veta të përcaktuara. Është e rëndësishme të kuptojmë që në këtë fazë që gjendet Shqipëria dhe roli i udhëheqjes që ka Kuvendi në procesin e anëtarësimin në BE, ne duhet të përshtatemi me punën tonë parlamentare, jo me procedura të përshpejtuara. Nuk e kemi përdorur procedurën e përshpejtuar në asnjë prej ligjeve të miratuara deri më tani, tha Balla.
Gazment Bardhi tha se ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, nuk janë propozime, por “një provokim i ulët ndaj opozitës”.
Ai iu referua edhe fjalëve të kryeparlamentarit Peleshi për diskutimin e tyre duke thënë se me opozitën s’ka asur asnjë diskutim. Më tej, i tha Peleshit se duhet të kërkonte falje pasi po shkelet Kushtetuta, diçka që opozita e ka thënë edhe më herët.
“Nëse ke ndonjë rast konkret se me kë i keni diskutuar, thojani opinionit publik sepse ju s’keni diskutuar asnjë ndryshim me opozitën. Kur miratuat ndryshimet para 4 muajsh, sapo ishit ulur në karrigen e Kuvendit, ju thamë ndaluni se po shkelni opozitën. Sot ishte dita të kërkonit ndjesë, ju me vendosmëri të bindur për të shkelur dokumentin themeltar të shtetit, vijoni sipas porosisë të së njëjtës anë. Sot, në vend që të thuash kemi diskutuar me ju, duhet të ngriheni në këmbë, të kërkoni ndjesë që me vetëdije e ndërgjegje keni shkelur Kushtetutën për të injoruar e dhunuar opozitën”, tha Bardhi.
Lidhur me ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi tha se në ditët në vijim do të ftojë grupet parlamentare për konsultim. Ai tha se nuk ka asnjë procedurë të përshpejtuar.
“Kemi disa propozime nga grupi parlamentar i PS. Jeni të mirëpritur të gjithë deputetët, madje në mënyrë gjysmë-formale në kuptimin jo brenda strukturës, por në zyrën time, do të ftoj këto ditë kryetarët e grupeve parlamentare për konsultime. Janë propozime, mos i gjykoni, ashtu i kanë menduar. Jeni të mirëpritur që të diskutojmë që të dalë më e mira”, tha Peleshi.
Sapo mori fjalën, deputeti i PS për qarkun e Vlorës, Ardit Bido, i tërhoqi vëmendjen kryeparlamentarit Niko Peleshi duke i thënë se i ka dhënë imunitet Berishës për të përdorur fjalor fyes.
“Në kushte normale, do të isha shumë i ashpër me ju personalisht, qoftë në cilësinë tuaj institucionale si kryetar i Kuvendit, por edhe në cilësinë personale tuaj personale si rrezatues i qytetarisë korçare që lejoni në këtë Kuvend të përdoren fyerje nga kryetari i opozitës”, tha Bido.
Pasi Bido përfundoi vërejtjet e tij, Niko Peleshi e falënderoi, por tha se së pari, rregulloren duhet ta respektojë ai, si dhe i dha si arsye mungesën e eksperiencës për moskuptimin e sjelljes së tij.
“Shumë faleminderit për vërejtjet tuaja, por nëse dëshironi respektimin e rregullores për kolegët e tjerë, duhet ta respektoni vetë, fjala juaj s’ishte fare proceduriale, e para. E dyta, nëse s’e kuptoni dot sjelljen time në raport me të gjithë kolegët, mazhorancë apo opozitë, mbase e keni nga mungesa e eksperiencës”, tha Peleshi.
Në Kuvendin e Shqipërisë është votuar për shkarkimet dhe emërimet e reja në kabinetin e qeverisë. Në momentin e votimit, Partia Demokratike kishte bllokuar foltoren duke shkaktuar kaos në sallë dhe duke mos marrë pjesë në votim. Votat pro me PS i bashkuan dhe 3 deputetët e Partisë Socialdemokrate, ndërsa kundër votuan deputetët e partive të vogla opozitare.
Shkarkimi i ministrave
Belinda Balluku 85 vota
Elisa Spiropali 83 vota
Pirro Vengu 81 vota
Albana Koçiu 83 vota
Besfort Lamallari 83 vota
Toni Gogu 82 vota
Emërimet
Albana Koçiu zv/kryeministre 83 vota pro 3 kundër
Ferit Hoxha ministër i Jashtëm 83 pro 4 kundër
Besfort Lamallari ministër i Brendshëm 83 vota pro 4 kundër
Ermal Nufi ministër i Mbrojtjes 83 vota pro 6 kundër
Toni Gogu ministër i Drejtësisë 83 vota pro 5 kundër
Enea Karakaçi ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë 83 vota pro 6 kundër
Eriona Ismaili ministre e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin 82 vota pro 4 kundër
Sapo kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, kërkoi ndryshimin e rendit të ditës për votimin e dekreteve për emërimin e ministrave të rinj, Berisha dhe deputetët e PD bllokuan foltoren.
“Në frymën e Kushtetutës se shqyrtimi i dekreteve hyn menjëherë në seancë, më lejoni që në emër të grupit parlamentar të PS, t'i falënderoj anëtarët e Këshillit të Ministrave që largohen nga qeveria për punën e tyre. U uroj suksese kolegëve që hyjnë ose ndryshojnë pozicionet në qeveri. Suksese, punë të mbarë për Shqipërinë 2030!”, tha Balla.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i tha Elisa Spiropalit se je një viktimë e Belinda Ballukut. Berisha i tha Spiropalit se u gëzove për largimin e Ballukut se mendoje se do të merrje vendin e saj, por harrove që Albana Koçiu ishte kloun i Ballukut.
“Je viktima më e parëndësishme e Lubisë dhe më e merituara në një kohë kur sytë e shqiptarëve drejtoheshin drejt asaj sikur të ishte korbë e zezë, ti na vije si nuse e veshur me të bardha. Po pse ca kujton ti se hante bar Lubia? E ke nga vetja jote. Jo që nuk e mbroje, përkundrazi gëzoje se tani do bëheshe ti zv.kryeministre. Nuk ta priste mendja se ishte kjo tjetra kloni i lubisë. Ke problem të madh në shkenca. Për Berishën, Rama të lartësonte njësoj si këtë klonin e Lubisë. More përpjetë, iku Lubia, unë do jem Lubia juaj u thoshte. Të dhanë atë që meritove”, tha Berisha.
Ndërkohë Spiropali iu përgjigj: Replika ishte me Këlliçin, jo me deputetin Berisha që nuk lë radhë për t’iu marrë fjalë deputetëve të tij, unë tani replikën e kam me Berishën. Nuk e dija, por shkakton emocion që do kthehem të bëj replika me Berishën. Të gjitha e kanë nga vetja Sali, ti nga vetja, unë nga vetja. Për veten vetëm mbajmë përgjegjësi mbi këtë dhe. Ta bëjmë analizën, të shohim, ku jemi e ku ishim e të shohim edhe për të ardhmen. Ti nuk lëviz do më një gur, jo të lëvizesh me njerëz nga qeveria, vetja është ajo që na sjell ku jemi, vetëm për veten mbajmë përgjegjësi.
Opozita shigjetoi në Kuvend, Elisa Spiropalin për largimin e saj nga detyra si Ministre e Punëve të Jashtme. Mes tyre ishte edhe deputeti Belind Këlliçi, i cili i përmendi largimin e saj, si ndër të paktat anglishtfolëse në grupin e PS. Me ironi, Spiropali tha se asnjë gjuhë s’e flet më mirë sesa shqipen, ndërsa sa për largimin, s’ia kurseu ironinë.
“Unë nuk flas vetëm anglisht, flas edhe gjuhë tjetër të huaj, pr më mirë se shqipen s’flas asnjë gjuhë. Flas shqip, flas troç, kam folur gjithmonë si duhet për dhe me Shqipërinë. Çdo detyrë këtu në Kuvendin e Shqipërisë është nder i madh. Jam e qartë, jam e qetë, e vetmja keq për të cilën më vjen keq është që largimin e paralajmëroi Sali Berisha dhe jo ndonjë tjetër. Vetëm për këtë jam e habitur, që i doli fjala, për asgjë tjetër”, tha Spiropali.
Deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri e cilësoi përjashtimin e Agron Shehajt me 20 ditë nga Kuvendi sulm ndaj opozitës dhe parlamentarizmit. Kapri tha se mazhoranca po bën prokurori politike.
“Përjashtoi për 20 ditë sepse tregoi për dhunën ndaj banorëve të Rrjollit. Ju nuk ndodheshit të sallë. Gjeni një moment kur është cenuar parlamentarizmi. Gjeni një moment që fyeu, që shkeli rregulloren, për përdorni lloj lloj komisionesh për të bërë prokurori politike. Mungojnë 50 mijë vota sot në votëbesimin e qeverisë. E përjashtoni nga Kuvendi se tregon dhunën e policisë së shtetit, si mund të përjashtohen deputetët kështu? Ju kemi kërkuar seancë dëgjimi me banorët e Rrjollit de pranë keni refuzuar”, tha Kapri.
Gazment Bardhi dhe Taulant Balla u përfshinë në një debat për imunitetin e Belinda Ballukut. PD kërkoi të votohet sot për heqjen ose jo të imunitetit, ndërsa kreu i grupit të PS Taulant Balla i tha opozitës se janë brenda afatit 2 javor për të përgatitur raportin e tyre, i cili pritet të hidhet në votim në seancën e 12 marsit. Ndërsa Balla fliste, Bardhi e quajti “ushtar të bandave“.
“Sa lidhje kam unë me besimin, i vetmi që s’ke asnjë lodhje je ti, as me besimin as me vlera të tjera morale dhe familjare. Mungesa e vlerave morale dhe familjare janë të rëndësishme për tu konsideruar për çdo person. Qëndrimi ynë ka qenë i qartë përmbledhjen e Këshillit të Mandateve, e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë, në përfundim të mbledhjes kemi komunikuar se si e sqaron rregullorja e kuvendit këtë akt procedural. Në këshillin e Mandateve ka pasur 2 mendime dhe 2 qëndrime. Këshilli Brenda 2 javëve harton raport. Jemi brenda kohës, ky grup parlamentar nuk i merr vendimet kryetari i grupit, apo kryetari i kuvendit, apo kryetari i komisionit të ligjeve, por vendimet merren kolegjiale. Në datë 23 shkurt, kam komunikuar publikisht se sapo të depozitohet nga të 5 deputetët rekomandimi nga ana jonë, do të respektohet afati 2 javor. Afati 2 javor është para datës së përfundimit të shqyrtimit, që është 17 marsi. Sapo të jetë gati, në seancën më të parë, që është 12 marsi, do jenë gati 2 raportet”, tha Balla.
Në çelje të punimeve të Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkoi që në rendin e ditës të përfshihet shyqrtimi i kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut. Bardhi tha se mazhoranca po zgjat shqyrtimin dhe ka mbetur vetëm një javë që kërkesa të konsiderohet e rrëzuar.
Ai tha se Kuvendi ka detyrimin t’i kthejë përgjigje SPAK ndërkohë që ka 3 muaj që pengohen hetimet.
“Siç jeni në dijeni, më 23 shkurt Këshilli i Mandatit ka përfunduar shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë që kërkon autorizim nga Kuvendi për arrestimin e Ballukut në përputhje me afatet e përcaktuara nga rregullorja e Kuvendit, 5 anëtarët e këshillit që e kishin të qartë përgjegjësinë dhe detyrën e tyre, kanë dorëzuar raportin. Jeni të detyruar ta përfshini raportin si pjesë të seancës më të parë të Kuvendit pas dorëzimit. Raporti është dorëzuar të hënën dhe seanca më e parë është seanca e sotme. Në rendin e ditës që sapo lexuat, s’është përfshirë shqyrtimi i kësaj kërkese dhe një javë ka mbetur që kërkesa të konsiderohet e rrëzuar për shkak të mosmarrjes në shqyrtim sepse e keni çuar në limitet 3-mujore, në kundërshtim flagrant. E zvarritët këtë procedurë përmes mosmbledhjes së këshillit për gati 2 muaj duke penguar funksionin normal në përputhje me rregulloren dhe Kushtetutën. Tani po zvarrisni përfshirjen e kësaj çështjeje në rendin e ditës. Nëse do të thoni Ulsiu vazhdon të jetë në bibliotekë dhe s’e ka përfunduar raportin, ky është problemi i Ulsiut. Ulsiu të dalë nga biblioteka, të dorëzojë raportin sepse çështja është shumë e thjeshtë, s’ka nevojë për lexim të thelluar. Çështja është kushtetuese, ligjore dhe ky Kuvend ka detyrimin t’i kthejë përgjigje SPAK. Ka 3 muaj që po pengohen hetimet sepse prokuroria pret përgjigje nga Kuvendi. Ktheni përgjigje!”, tha Bardhi.
Katër ministrat e rinj të qeverisë ndodhen në Kuvend kur pritet të marrin votëbesimin e deputetëve (duhen 71 vota) për tu betuar më pas përpara presidentit të Repubikës për marrjen e detyrës. Votëbesimin do e marrin dhe ministrat e tjerë, të cilët kanë ndryshuar dikaster.
Enea Karakaçi- ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës
Ferit Hoxha- ministër i Jashtëm
Ermal Nufi- ministër i Mbrojtjes
Eriona Ismaili- ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin
Seanca e sotme parlamentare nis me 1 minutë heshtje për heroin Adem Jasharin dhe familjen e tij në Prekaz. Kjo minutë heshtje u mbajt me kërkesë nga Partia Socialiste. Në 5 mars 1998 Serbia nisi sulmet ndaj familjes Jashari në Prekaz.
Sakaq, Partia Demokratike ka kërkuar mbajtjen e 1 minutë heshtje për ish-deputetin Tomor Dosti, i cili është ndarë nga jeta ditën e djeshme.

Deputeti i partisë Mundësia është përjashtuar me 20 ditë punimet e Kuvendit. Ky vendim u mor sot në mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën me kërkesë të mazhorancës.
PS argumentoi kërkesën për përjashtimin Shehaj duke thënë se në seancën e kaluar, deputeti bllokoi foltoren dhe refuzoi të dilte nga salla pas masës për përjashtim duke penguar punimet e seancës.
Shehaj ngriti zërin për banorët e Rrjollit dhe protestat e tyre që po zhvillojnë prej 1 muaji kundër ndërtimit të resortit luksoz të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj, pretenduar në tokat e tyre. Shehaj akuzoi qeverinë se po favorizonte oligarkun dhe po u vidhte qytetarëve të Rrjollit pronën.
Komente










