Berisha rikthehet në Kuvend! PD: PS pengoi punën hetimore për inceneratorët! Basha-Ramës: Ke shpenzuar 150 mijë € naftë për udhëtim me charter! I përgjigjet Spiropali: Vërtetove që je kryetari me vulë

TIRANË- Udhëtimet me Charter dhe inceneratorët ishin tema e debatit mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në Kuvend. Lulzim Basha akuzoi kryeministrin se udhëtuar me charter luksoz që kërkon 150 mijë euro vetëm karburant, si dhe ka penguar punën hetimore për inceneratorët. Përgjigjen ia dha Elisa Spiropali, që ironikisht uroi Bashën si kryetari me vulë të PD-së.

 ‘Ku është kryeministri sot?’- tha Basha, i cili ngriti akuza kundrejt kreu të qeverisë.

‘E dimë që para dy ditësh shkoi dhe erdhi me charter privat diku dhe spati as deçencën të njoftonte shqiptarët se për çfarë po i harxhonte ato 120 apo 150 mijë euro karburant që kushton një fluturim me charterin privat. Ky që e nisi qeverisjen duke premtuar se do të udhëtonte vetëm me bileta ekonomi, tani niset për në Paris, për në Mynih, shkon e vjen me një charter luksoz, ku siç e thashë, vetëm karburanti kushton 120 mijë euro minimumi dhe kur vjen puna për t’u përballur me shqiptarët, me përfaqësuesit e shqiptarëve, nuk e dimë ku është. Me siguri do vij përgjigjja misterioze, është në takime të rëndësishme.’- tha Basha.

Nga charterat privat tek inceneratorët, Basha tha se mazhoranca ka penguar punën e komisioneve hetimore. Për këto akuza në mungesë të kryeministrit u përgjigj Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, e cila nuk kurseu as ironinë.

Në kundërpërgjigje deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha se të gjitha provat për aferën e inceneratorëve do i depozitoj në SPAK. Ndërkohë pas 4 muajsh mungesë Sali Berisha rikthehet në parlament bashkë me gjuhën e vjetër të akuzave.  Për të shmangur ballafaqimin me të, Lulzim Basha u largua sapo mbaroi fjalën në Kuvend.

Në mungesë të Bashës, debatin e zhvilloi me socialistët. Po ashtu Berisha foli edhe për përplasjen Rus-Ukrainë, ku i kërkoi qeverisë që të furnizojë me fishekë Ukrainën. Për këtë mori një përgjigje nga Balla, i cili tha se gjuha shkon ku dhemb dhëmbi, duke ju referuar tragjedisë së Gërdecit. Përplasja verbale përfshiu edhe deputetët mbështetës të tij.  Kthimit në parlament me akuza për partinë e tij, nga radhët e deputetëve të Bashës, iu përgjigj vetëm nëkryetarja demokrate Grida Duma. 

Aktet Normative dhe Projektligjet e miratuara sot në Kuvend

Akt Normativ nr. 35, datë 24.12.2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2019, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, të ndryshuar” 
Miratohet me 82 vota

Akt Normativ 36, datë 24.12.2021 “Për një shtesë në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”
Miratohet me 77  vota

Projekligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Europian, në lidhje me Programin Vjetor të Veprimit për Shqipërinë për vitin 2020 në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA II)”
Miratohet me 113 vota

Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Huamarrësi), përfaqësuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe (KFW) për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të Universiteteve Publike në Shqipëri”
Miratohet me 82 vota

Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”
Miratohet me 79 vota
Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues” të ndryshuar””
Miratohet me 80 vota
Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit” të ndryshuar””
Miratohet me 77 vota

Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 110/2018 “Për noterinë”
Miratohet me 73 vota

Projektligj “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”
Miratohet me  80 vota

Projektvendim “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 66/2021 “Për zgjedhjen e Byrosë dhe Sekretariateve të Kuvendit”
Miratohet me 106 vota

Projektvendim “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 71/2021 “Për caktimin e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit” të ndryshuar”
Miratohet me 104 vota

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:36
Balluku: Problematikë humbja e një pjese të energjisë për shkak të mënyrës së ndërtimit të banesave! Qytetarët të pajisen me lejen e eficencës para ndërtimit  

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se ka një rritje të kërkesës për energji me 80% për shkak të motit të ftohtë që ka përfshirë vendin, ku nga 14 mijë MËh konsumim në gjendje normale, tashmë konsumohet 24 mijë MËh në ditë. Një nga problematikat që ka vendi është edhe humbja e një pjese të energjisë  për shkak të mënyrës së ndërtimit të banesave, prandaj për këtë nëse dikush apo një kompani vendos të ndërtojë duhet të pajiset me lejen e eficenës para ndërtimit.

“Për të garantuar energji të pandërprerë, objektivat e punës sonë kanë qenë monitorimi i politikave në sektorët dhe monitorimi i planit për eficenën e energjisë. Në Shqipëri nëse dikush, një kompani vendos të ndërtojë duhet të pajiset me lejen e eficenës para ndërtimit me këtë leje. Një sërë projektesh të rëndësishme disa janë të mbështetur nga buxheti i shtetit. Kemi zgjedhur ndërtesa që janë në funksion. 14 mijë MËh, rritje me 80% me energji, 24 mijë MËh në ditë. Pavarësisht se kushtet janë të rënda, një valë polare që ka goditur, një pjesë e sasisë së energjisë është e humbur për shkak të ndërtimit të banesave. Që prej fundit të vitit 2028 kur qeveria nënshkroi paktin e universitetit. Nuk jemi marrë vetë me eficencën e energjisë, paktin e kemi realizuar në disa fusha si punësimi i nxënësve ekselentë, bashkëpunim me disa universitete në disa projekte. Në funksion të këtij pakti një numër i konsiderueshëm studentësh punojnë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë”, tha Balluku.

Ora 16:15
Korreshi: Studentët sot nuk kanë ngrohje në auditorë! Qeveria iu ofron vetëm 30 mijë lekë bursë, me 2 mijë lekë nuk ha dot as një sufllaqe në Tiranë

Deputeti demokrat, Saimir Korreshi ka ngritur sot në Kuvend problematikën e ngrohjes në universitete. Ai thotë se qeveria shqipatre nuk ka ofruar as ngrohje, e sot auditorët janë bosh.

"Sot studentët shqiptar ngordhin së ftohti, ne s’kemi biblioteka, ne s’kemi asgjë. Ju nuk paguani dot ata punonjësit, ata patronazhistët dhe keni kërkuar të merrni borxhe, por që të thoni që merrni borxh për serinë e 4 të telenovelës, dalë bëj njëherë të tretën. Pse sot janë auditorët bosh, sepse Shqipëria nuk ofron asgjë për studentët, si ka mundësi të shkojë një njeri si unë nga Lushnja në Itali dhe të marrë bursë falas. Shqipëria nuk ofron asgjë, një bursë 30 mijë lekë. Në Shqipëri nuk ha dot me dy mijë lekë një sufllaqe në tiranë. E kishte mirë kur thoshin jo që jemi 200 vjet mbrapa, por edhe 50 vjet anash. Në 2050 kur ju të arrini ti shlyeni të gjithë ata fëmijë do iu godasin pafund, këtu po nuk paste parti nuk fiton dot as punë. Këtu nxënësi më i mirë do bëhet sekretar i dikujt që ka blerë diplomë universiteti. Në shkollat e Lushnjës, kosto e rikonstruksionit kalon vlerën e ndërtimit. Shkollat e reja e kanë kaluara, hajde shikoni rezultonin, keni vënë ashensor 30 mijë euro, punon jo", tha Korreshi. 

Ora 15:35
Përplasja Veliaj-Duka, Shehi nga Kuvendi: Për një top flisni kështu ju, imagjinoni ç’bëni për zgjedhjet

Nga foltorja e Kuvendit, Kreu i LZHK, Dashamir Shehi ka komentuar përplasjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukën. Shehi iu referua gjuhës së përdorur nga Veliaj në audio-përgjimin, ku tha se nëse kjo gjuhë përdoret për topin e federatës, nuk imagjinohet se ç’bëhet për zgjedhjet.

“Është një sherr pafund, por i pajustifikuar dhe moral brenda. Nuk është puna a është burrë i mirë apo i keq ai te federata. Por nëse duhet hequr gjenden format dh mënyrat për të larguar një nga posti. Me atë gjuhë që përdor ai kryetari i bashkisë, është gjuha për ti dhënë krah dhunës, agresiviteti, injorancës. Ky është një turp i madh. Kaq rëndësi paska topi në Shqipëri që bëhet kaq zhurmë. Më lind me të drejtë dyshimi, kur për një federatë si kjo e Shqipërisë bëhet gjithë kjo hata imagjino ç’të bëni ju për zgjedhjet. Kjo më tremb mua. Do doja të reflektoni për këtë fenomen. Kjo sallë është përdorur me të gjitha fjalët e këqija për politikën e madhe. Çfarë do bëhet për zgjedhjet që janë pa asnjë muaji, apo për të tjerat”, deklaroi Shehi.

Ora 14:43
Sula dhe Korreshi shpalosin një banderole në Kuvend: Medalje ari për qeverinë e borxhit! Balla: Mbetje që ndot parlamentin

Dy deputetët e PD-së Saimir Korreshi dhe Dashnor Sula kanë shpalosur një banderolë në Kuvend ku kanë ironizuar qeverinë duke i dhënë një medalja ari dhe duke e cilësuar si ‘qeveria e borxhit’.

Pas shpalosjes së kësaj banderole, Balla ka kërkuar që të pastrohet vendi: Mbetje që ndot parlamentin!

Ora 13:41
Ministrja e Jashtme: Ratifikimi i Marrëveshjes së Financimit me Komisionin e BE, moment kulmor për Shqipërinë! Programi mbështetje në shumën e 105 milionë 421 mijë e 991€

Ministria e Jashtme Olta Xhaçka në fjalën e saj në Kuvend tha se ratifikimi i marrëveshjes së Financimit me Komisionin e BE është një moment moment kulmor për Shqipërinë. Ministrja Xhaçka theksoi se programi ofron mbështetje në shumën e 105 milionë 421 mijë e 991€, nga të cilat kontributi i BE 103 milionë €. Sipas Xhaçkës, IPA 2020 do të ofrojë kontribut në përballimin e pasojave të COVID-19 si dhe u jep akses bashkive për forcimin e kapaciteteve.

'Projektligji që po diskutojmë sot ka si qëllim ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me Programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2020, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit IPA II. Bëhet fjalë pra, për momentin kulmor të një procesi që ka nisur që në vitin 2018 kur filloi edhe procesi i programimit për programin në fjalë i cili përbëhet nga 7 veprime, që prekin sektorë prioritarë të zhvillimit të vendit, duke filluar sigurisht që nga demokracia e qeverisja, shteti i së drejtës dhe të drejtat themelore, konkurrueshmëria dhe inovacioni apo bujqësia dhe zhvillimi rural.

Programi ofron një mbështetje domethënëse për këta sektorë, në shumën e 105 milionë 421 mijë e 991 Eurove nga të cilat, kontributi maksimal i Bashkimit Europian arrin në 103 milionë Euro. Janë fonde, që vijnë në formën e granteve në mbështetje të një sërë prioritetesh të identifikuara në Dokumentin Strategjik Kombëtar 2014 – 2020. 

Është pra një mbështetje e rëndësishme  që na vjen nga Bashkimi Europian në një shumë të konsiderueshme dhe që besoj që ashtu si ka ndodhur edhe në të shkuarën me programe të mëparshme apo me programet ndërkufitare, do të luajnë një rol të rëndësishëm në avancimin e procesit të modernizimit dhe europianizimit të vendit.

Paketa IPA 2020 parashikon një numër veprimesh që japin një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim. Duke filluar që me mbështetjen për reformat e rëndësishme në funksion të rritjes së performacës së sektorit publik. Mbështetje për rritjen e pjesëmarrjes së institucioneve shqiptare në programet dhe agjencitë e BE duke dhënë një kontribut të posaçëm në arritjen e objektivave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), veçanërisht ato që lidhen me arsimin dhe trajnimin, bashkëpunimin në kërkim dhe zhvillimin teknologjik. Mbështetje për forcimin e kapaciteteve dhe llogaridhënies së administratës publike si pjesë e Instrumentit të Integrimit në BE, përmes ekspertizës në ndërtimin e institucioneve, zbatimin e reformave apo edhe për të gjithë hallkat që parashikon procesi i IPA-ve duke filluar nga programimi e deri tek monitorimi e vlerësimi.

Paketa jep një mbështetje veçanërisht të vyer në mbështetje të forcimit të shtetit të së drejtës qoftë përmes rritjes së kapaciteteve të organeve ligjzbatuese, hetuese apo të institucioneve të pavarura të drejtësisë, por edhe duke adresuar disa nga çështjet më të mprehta, siç janë ato që lidhen me të drejtat e pronësisë, ku do të mbështesë reformën në sektorin e tokës.

Por pa dashur të zbeh aspak rëndësinë e asnjë prej veprimeve të mësipërme, unë dua të nënvizoj tri elementë që në gjykimin tim e bëjnë këtë paketë, pra IPA 2020 veçanërisht të rëndësishme. Së pari, kjo paketë përmes ndihmës së konsiderueshme dhe të vazhduar që parashikon për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit jep një mbështetje shumë të rëndësishme për reformën në drejtësi. Një mbështetje që shkon përtej aspektit thjesht financiar, duke qenë edhe një shprehje e hapur e mbështetjes politike që BE i jep kësaj reforme kyç për modernizimin dhe europianizimin e Shqipërisë. Konkretisht, ky veprim i IPA2020 do t’i lejojë OMN të përmbushë mandatin e tij kushtetues për të monitoruar procesin e vetingut në përputhje me Aneksin e Kushtetutës së Shqipërisë të rishikuar të vitit 2016. 

Së dyti, kjo paketë jep një kontribut të rëndësishëm në përballimin e pasojave të krizës së shkaktuar nga COVID-19 duke ndihmuar në zbutjen e ndikimit të kësaj krize, duke reduktuar efektet makroekonomike dhe duke garantuar që bizneset vulnerabil dhe shtresat në nevojë të  përfitojnë nga  mbështetja ekonomike. Për këtë mbështetje që vjen në formën e mbështetjes buxhetore sektoriale, unë dua të shpreh edhe njëherë mirënjohjen tonë për Delegacionin e BE në Tiranë padyshim, për Komisionin Europian, por edhe për vendet anëtare që me shumë mirëkuptim dhe bujari e pranuan këtë devijim nga plani për të ndihmuar vendin tonë në një moment vërtet të paprecedentë e shumë të vështirë.

Pika e tretë, lidhet me fakti që për të dytin vit programues rradhazi Komisioni Evropian ka zbritur në nivelin e pushtetit vendor, pra në nivelin e bashkive duke ju dhënë atyre akses tek kjo paketë çka do të thotë jo vetëm më shumë projekte e më shumë punë për qytetarët, por edhe forcim të kapaciteteve dhe mundësi që paprecedenta për njësitë tona të qeverisjes vendore.

Për sa më sipër, do t’i ftoja kolegët që ta mbështesin me votën e tyre këtë marrëveshje që jep një mbështetje shumë të vyer e të nevojshme financiare, duke thelluar njëkohësisht bashkëpunimin e integrimin mes vendit tonë dhe BE.'- tha Xhaçka.

Ora 12:59
Grida Duma-Berishës: Çohet më i vjetri ndër ne dhe na thotë se s’po bëjmë opozitarizëm! Ai fliste, ju shkëlqenit sepse shikonit sesi ne mundim vetveten

Deputetja Grida Duma nga foltorja e Kuvendit hodhi akuza ndaj grupit të Rithemelimit, se disa të vërteta duhet ti kishte thënë me kohë dhe jo sot, sepse i duhen. Duma akuzoi Sali Berishën se po dëmton opozitën me deklaratat e tij, e sipas saj mazhorancës po i shkëlqenin sytë sesi ato mundnin vetveten. Duma po ashtu u ndal edhe tek procesi i integrimit në BE, ku tha se qeveria çdo vit ka hapur negociatat, mashtrim ky publik i bërë për çdo vit. 

‘Çohet këtu më i vjetri ndër nesh dhe jemi përpjekur ta nderojmë dhe thuhet gjithçka është e mundur për ta bërë ta pamundur opozitarizmin. Ai fliste, ju shkëlqenit sepse shikonit sesi ne mundim vetveten.Një pakicë e jona përpiqet të thotë disa të vërteta që duhet t’i kishte tëhë me kohë, ti thuash gjërat në kohën e duhur jo kur të duhen, por kur duhet. Pa opozitë të mirë edhe do të vazhdoni që të përçani. Keni mbetur fond i planeve tuaja. Të thuash të vërtetën është forcë. Çdo vit keni hapur shampanjën për të thënë u hapën negociatat. Nuk e mohoni dot mashtrimin tuaj publik. Në 103 mln euro pjesën më të madhe e zë plani kombëtar për integrim. Duhet t’ju heqim kapelen për reklamën që bëni. Keni vendosur Zef Mazin, megjithëse një figurë me integritet dhe profesionalitet,  ju i trajtoni i kapak pusete. Ku brenda është llumi dhe sipër vendosni një kapak. Kur e kam pyetur për grupin negociator pashë trishtimin që nuk e thoshte dot me fjalë. Qindra miliona euro nuk kanë asnjë impakt.’- tha Duma.

Ora 12:43
‘Furnizoni Ukrainën me fishekë’, Balla i përgjigjet Berishës: Gjuha shkon ku dhemb dhëmbi! Pozicioni i Shqipërisë krah NATO-s

Pasi Sali Berisha i kërkoi qeverisë që të ndihmojë Ukrainën me fishekë dhe municione, ka ardhur edhe përgjigja e Taulant Ballës. Nga Kuvendi, Balla tha se gjuha shkon ku dhëmb dhembi, duke ju referuar tragjedisë së Gërdecit në 2008, ku humbën jetën në një fabrikë të demontimit të armëve 26 persona. Balla tha se pozicioni i Shqipërisë në përplasjen Rusi-Ukrainë është i qartë dhe krah aleatëve të NATOS-s.

‘I vetmi deputet non grata nga SHBA duhet të mos ishte në këtë sallë. Sa i përket çështjes së fishekëve gjuha shkon ku dhemb dhëmbi, ne shqiptarët e dimë sesi u shitën fishekët që shkaktuan edhe tragjedinë e Gërdecit, pro falë drejtësisë së re uroj të gjendet pronarët e asaj fabrike vdekje në Gërdec. Qëndrimi i Shqipërisë është i koordinuar me SHBA-në. Prezenca e Shqipërisë në kuadër të NATO-s do të jetë gjithmonë si një aleat i besueshëm. Pozicioni i Shqipërisë është i qartë. ‘- tha Balla,

Ora 12:34
Në prag lufte me Rusinë, Berisha thirrje qeverisë: Shqipëria të ndihmojë Ukrainën me fishekë e municione

Në Kuvend, Sali Berisha ka ngritur zërin edhe për përplasjen Rusi-Ukrainë. Berisha tha se duhet të paktën që Shqipëria të ndihmojë Ukrainën me fishekë dhe municione.

'Bazuar në standarde të partisë shtet janë vendosur rregulla antikushtetuese që të më kushtëzojnë të drejtën e fjalës. Si më duket vetja sot, sikur jam në parlamentin e Taxhikistanit. Zonjë a egziston një kërcënim i madh nga një diktator paranojak si Vladimir Putin?! Çfarë është kjo narkoqeveri dhe narkoparlament që nuk thotë një fjalë të vetme sikur janë klan i Putinit për Ukrainën?! Jam këtu për t’i shprehur solidaritetin të plotë në emër të PD-së popullit ukrainas. Jam këtu për të ngritur zërin dhe për të ndihmuar Ukrainën që kërcënohet nga një barbari e Kremlinit. Shqipëria duhet të ndihmojë Ukrainën të paktën fishekë dhe municione. Por arganti i Beogradit jo më kot hesht. Ju deputetë duhet të ngrini zërin, se përfaqësoni PD-në dhe jo Lul Bravën. Nuk mundet këtu që të dominojë Beogadi me udhëzimet e tij. Ballkani i Hapur është hegjemoni serbe. Të vijnë ata të dy të japin llogari për këtë, edhe kur mungojnë mungojnë së bashku.’- tha Berisha.

Ora 11:56
Berisha akuza të forta Bashës dhe Ramës: Deri para dy ditësh Klodian Zoto dhe Stela Gugallja mbaheshin të fshehur në Lushnje nga 'kaçakët'

Sali Berisha ka hedhur akuza të forta kundrejt Lulzim Bashës lidhur me aferën e inceneratorëve. Në një kohë kur Stela Gugallja dhe Klodian Zoto janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, Sali Berisha thotë se deri para 2 ditësh janë fshehur në Lushnje, nga Basha dhe Rama në bashkëpunim.

"Zero hetim se është i zhytur si Edvin droga dhe Lulzim Brava. Janë bërë denoncime dhe Lulm Barava i implikuar në këtë aferë lejoi që të publikohen 2 herë deklarata nga PD, nuk ka aferë më flagrante dhe vjedhje të përbashkët, e kanë mbajtur të fshur në Lushnje kacakët Zoton dhe Gugalen, kjo aferë duhet të hetohet. Kushti i parë nga deputetë që nuk kanë asnjë lidhje me aferën, se këtu në dyja ajënt, Brava është me dy kënd, na thuaj pak udhëtimet e tij me Zoton, çfarë janë pengesat, pse nuk lejonte denoncimet dhjetëra denoncime nga aktivistë të PD-së, që të gjitha në ujdi me kreun e Meduzës, ku është ai Ahmetaj", tha Berisha.

Ora 11:40
Basha braktis Kuvendin, rikthehet Berisha: Kam munguar se isha në bisedë me mbarë demokratët e Shqipërisë

 

Sali Berisha është rikthyer në Kuvend pas më shumë se 4 muajsh jashtë tij, duke bërë 'Foltore' kundër Lulzim Bashës.

“Kam munguar 4 muaj sepse isha në bisedë me mbarë demokratët e Shqipërisë. Dhe në një fare mënyre ai ishte parlamenti më i madhërishëm në 30 vitet e fundit. Rikthehem në respekt të popullit. Por për ata që janë aty, nuk meriton që të qëndrosh as 4 minuta.”, tha Berisha.

Ndërkohë, Lulzim Basha është larguar nga seanca.  

Ora 11:33
Tabaku: Të dëgjoj Elisën që jep mend se ç'bëjnë demokratët, s'rrija dot pa folur! Me kokën ulur nuk rrimë ne

 

Teksa Elisa Spiropali risolli në Kuvend "hallet" brenda PD-së, përgjigjja i edhi nga nënkryetarja e Jorida Tabaku.

"Të dëgjoj Elizën që të jep mend se ç'të bëjnë demokratët nuk e di, nuk mund të rrija pa folur, po me kokën ulur nuk rrimë ne, si ju që keni 15 vjet një kryetar që nuk e votoni asnjëherë", tha Tabaku.  

Ora 11:21
Spiropali i përgjigjet Bashës: Kryetari me pullë që po mbetet tek pullë! Përsërit të njëjtin fjalim, por u ndryshon thjesht paragrafët

 

Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali i ka kthyer përgjigje kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, pas akuzave të këtij të fundit se po pengojnë punën e komisioneve hetimore.

"Urime, u vërtetua që është kryetari i PD, përmes një vërtetimi gjykate, urime, përsërit të njëjtat fjalime, por i ndryshon paragrafët, i kujtoj kryetarit me pullë që mbetet tek pullë, Basha të sqarojë pozicionin e tij brenda partisë në raport në shqiptarë dhe më pas që të kërkojë në Kuvend llogari, ne kemi kërkuar që të ngrihet komisioni hetimor, ju keni pasur punë të brendshme, zgjedhjet e 25 prillit nuk ishin një masakër zgjedhore, por ishin humbja juaj e radhës, sa më shpejt ta pranoi aq më shpejt do ndryshoni", tha Spiropali.

Ora 11:11
Basha akuza Ramës: Para dy ditësh ka shkuar në kryeqytet luksoze të botës me charter privat! Harxhoi 15 mijë euro karburant

Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit ka hedhur akuza kundrejt kryeministrit Edi Rama, se udhëton me charter provat. Basha tha se Rama dy ditë me parë ka shkruar drejt kryeqyteteve luksoze të botës me charter privat, ku vetëm karburant ka shpenzuar 150 mijë euro.

‘Zonja kryetare e Kuvendit, dua ta nis me një pyetje retorike sepse në fakt përgjigjja nuk ju takon ju. Si ka mundësi që në seancën e javës të ngarkuar me vendime të sjell nga vet qeveria, në një javë të mbushur me skandale dhe do të tronditin dhe madje do të rrëzonin qeveri normale në vende normale, këtu nuk ndodhet as 1/3 e kabinetit. Ku është kryeministri?
E dimë që para dy ditësh shkoi dhe erdhi me charter privat diku dhe spati as deçencën të njoftonte shqiptarët se për çfarë po i harxhonte ato 120 apo 150 mijë euro karburant që kushton një fluturim me charterin privat. Ky që e nisi qeverisjen duke premtuar se do të udhëtonte vetëm me bileta ekonomi, tani niset për në Paris, për në Mynih, shkon e vjen me një charter luksoz, ku siç e thashë, vetëm karburanti kushton 120 mijë euro minimumi dhe kur vjen puna për t’u përballur me shqiptarët, me përfaqësuesit e shqiptarëve, nuk e dimë ku është. Me siguri do vij përgjigjja misterioze, është në takime të rëndësishme. Çfarë takimesh?! Me cilin vend të Evropës, mos të them të botës, në 2022 mungon transparenca minimale për shpenzimet marramendëse qeveritare të një populli që është në varfërinë më të thellë. 
Në cilin vend të botës kryeministri ka çarter privat, shkon drejt qyteteve, kryeqyteteve luksoze të Evropës, ndërkohë që qeveria e tij, pa asnjë mandat dhe në kundërshtim me ligjin, shemb çatitë e banorëve të kryeqytetit, siç ndodhi me lagjen tek “5 Maji”, banorët e të cilit një pjesë prej të cilëve po protestojnë para Kuvendit, por pjesa dërrmuese e të cilëve janë në një gjendje lufte, sikur i ka bombarduar një armik. Por jo një armik i dukshëm, me artileri, tanke dhe aviacion ushtarak, por armiku i padukshëm, por po kaq i tmerrshëm i korrupsionit qeveritar. ’- u shpreh Basha.

Ora 11:01
Salianji në Kuvend: Vetëm lajme të zeza për Shqipërinë këto kohë, borxhi, krimet, ngrohja në shkolla! Dhe në fund një 'non grata' që na shfaqet si shpëtimtar

 

Deputeti demokrat Ervin Salianji, teksa mori fjalën sot në seancë plenare tha se për vendi vetëm lajme të zeza janë marrë këto ditë.

"Këto kohë ka pasur vetëm lajme të zeza për Shqipëri. Rekord niveli i borxhit publik në 30 vitet e fundit, rekord negativ dhe marrja e tatëpjetës në perceptimin e publikut për përhapjen e korrupsionit. TI e pozicionin Shqipërinë keq e më keq në këtë drejtim. Pamundësia për tu ngrohur dhe që fëmijët e këtij vendi të shkojnë në shkolla normalisht, aq sa detyron që për shkak edhe të kësaj të detyrohemi të mbyllim shkollat dhe të lëmë fëmijët në shtëpi. Nga ana tjetër kemi një betejë jo për qytetarët, e përfaqësuesit më të lartë të PS-së në Bashkinë e Tiranës i cili për interesa krejtësisht meskine dhe personale, duke nxitur ose jo (të presim hetimet) edhe shpërthime tritoli. Ashtu sicc po ndodh këtu, ndodh edhe në vende të tjera. Shqiptarët vriten në Ekuador, kjo për shkak se Shqipëria është kthyer në një qendër operacionale të drogave të forta. Shqiptarë gjithashtu vriten edhe në Belgjikë", tha ndër të tjera Salianji.

Deputeti i PD-së preku edhe çështjen e Berishës. Aio tha se një person i shpallur non grata dhe nuk vjen asnjë ditë në Kuvend ndërkohë që bën sikur bën opozitë.

 “Është nisur një betejë për një person që është shpallur non grata dhe nuk ka ardhur asnjë ditë në parlament. Këta që janë përgjegjësit e 30 viteve dhe tani na shfaqen si shpëtimtarë. Prandaj qytetarët shqiptarë janë të qartë për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara që nis këtu dhe përfundon në disa foltore të tjera”, u shpreh ai.

Ora 10:41
Gjekmarkaj: Unë jam katolik, por tek une mbizotëron kombi mbi fenë! Poshtëruese trajtimi që iu bë KMSH-së në vizitën e Erdogan

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj në fjalën e tij në Kuvend i është rikthyer vizitës së presidentit turk Recep Tajip Erdogan pak ditë më parë në vendin tonë. Gjekmarkaj vlerësoi Turqinë si aleate, por quajti poshtëruese faktin që asnjë anëtar i KMSH-së nuk ishte në inaugurimin e xhamisë së Ethem Beut.

‘Pasuria është mirëqenie, është dashuri, gëzim, rilindje! Pyesni qeverinë dhe do t’ju konfirmojë të njëjtën gjë. Erdogan vizitoi këtë sallë duke mbajtur këtë fjalim. Shqipëria sheh një vend mik dhe aleat tek Turqia. E gjej me vend të falenderoj Turqinë, por ne jemi një vend i pavarur dhe jo vasal. Unë jam katolik, por mua mbi të gjitha është kombi, gjuha dhe gjaku. U ndjeva i poshtëruar për trajtimin që ju bë KMSH. Ato u përjashtuan. Trysnia për të dëbuar njerëz është e patolerueshme. Organizatat terroriste janë të listuara në OKB. I shpreh solidaritetin gazetares turke.’- tha Gjekmarkaj.

Ora 10:21
Nxehet Luan Baçi: Më kanë ndryshuar vendin, s’më ul dot Basha mua në karrigen e fundit! Dikush me tha rri në korridor

Përplasja Berisha-Basha ka shkuar edhe në Kuvend. Deputeti demokrat Luan Baçi mbështetës i Sali Berishës, tha se i kanë ndërruar vendin ne Kuvend. Baçi tha se askush nuk mund t’ja ndërrojë vendin, pasi ai është zgjedhur aty nga demokratët.

‘Të hënën kaluar në seancë u paraqita në kuvend dhe tek vendi ku duhet të ulesha gjeta një tjetër. Basha mund t’u sjellë shkresë pas shkresë për të ndërruar vendet, dhe të dënoni një nxënës në vendin e fundit. Mendoj se ju duhet të konsultoheni. Është në detyrën tuaj që ne të marrim një informacion paraprak. Dikush me tha se emrin e ke në korridor dhe do të rritsh në korridor. Emrin dhe karrigen nuk ma ka caktuar as Basha, mua me përjashtojnë nga grupi parlamentar vetëm demokratët.’- tha Baçi.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Leci: 27/01/2022 17:34

    O AT dom Gjakmarkaj te dhemb palla fort ty per KMSHne!

    Përgjigju
  • TANGUL KASAP REXHEP BULE LEKA [ KEPI ]: 27/01/2022 12:24

    O Shqiptar shikoni si është katandisur partia pd. Po kjo gjë do të ndodhte ishte e pa shmangshme sepse kjo parti është parti anti Shqiptare parti hsjdutësh, kriminelësh, e parti k***h. Po shyqyr i të madhit Zot që kjo parti wc po shkon drejt asimilimit. Falmnderit i madhi Zot.

    Përgjigju
  • Fshati: 27/01/2022 12:09

    Ne cilin vend të botës kryeministri ka çarter privat. O fylle ne cilin vend te botes partia ka dyer te blinduara ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Meta në burg, ‘mobilizon’ partinë më 6 dhjetor në protestë para SPAK! Letër PL: Të ngrihemi kundër narkodrejtësisë

Meta në burg, ‘mobilizon’ partinë më 6 dhjetor në protestë para SPAK! Letër PL: Të ngrihemi kundër narkodrejtësisë