Kuvend/ Votohen ministrat e rinj, Ibrahimaj dhe Mete! Opozita: Presidenti emëroi kreu e AMF-së ministër, do ta çojmë në Kushtetuese

Në Kuvend i është dhënë drita jeshile dy ndryshimeve të fundit të kabinetit qeveritar, miratimit si ministër i Ekonomisë dhe Financave të Ervin Metes dhe kalimit të Delina Ibrahimajt ministre e Shtetit për sipërmarrjen.

Ministrja Delina Ibrahimaj u shkarkua me 105 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa u emërua si ministre me 73 vota. Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete u votua me 74 vota pro. Mete dhe Ibrahimaj do të betohen këtë të enjte para Presidentit të Republikës për të marrë zyrtarisht detyrën.

Opozita votoi kundër tyre, ndërsa Gazment Bardhi tha se dekreti i Presidentit është antikushtetues, pasi ka dekretuar Metën ministër, në një kohë kur ishte ende në detyre të kreut të AMF/. Nga ana tjetër deputetja Ina Zhupa tha se dekretin e presidentit do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:19
Felaj i drejtohet Berishës: Gjuetar i shpifur! Mos u merr me familjen time, trego çfarë bënë fëmijët e tu sa ishe kryeministër

 

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felaj ka debatuar me Sali Berishën në Kuvend duke i kërkuar që të mos merret më me familjarët e të tjerëve.

Ajo iu drejtua Berishës duke thënë që duhet të tregojë se si janë shkolluar dhe çfarë bënë fëmijët e tij në kohën që ai ishte kryeministër.

“Berisha mos u merr me familjarët. Jeni bërë gjuetari më i shpifur i këtij vendi. Ulu dhe mos u merr me familjarët me njerëz që kanë punën e ture jetën e tyre. Ulu dhe shiko fëmijët e tu dhe si e mbaruan shkollën dhe çfarë bënë sa ishte ti kryeministër. Për atë jepu llogari popullit shqiptar dhe jo për gjë tjetër”, tha Felaj. 

Ora 16:05
Erion Braçe: Çështja e inceneratorëve është hetuar mirë, s'ka vend për drejtësi popullore

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe nga Kuvendi ka deklaruar se çështja e inceneratorëve sipas tij është hetuar mirë.

“Çështja e inceneratorëve është çështja më e mirëhetuar në Shqipëri, qoftë në nivel parlamentar apo penal dhe që si ka lënë fare vend drejtësisë popullore. Unë i besoj drejtësisë së re”, tha Braçe mes të tjerash.

Ora 15:24
Berisha: Duhet rezolutë ku të dënohen qëndrimet e dyshimta të Ramës në lidhje me Rusinë

1694698065_999999.JPG

Kryetari i PD, Sali Berisha sot nga Kuvendi u shpreh se qëndrimet e kryeministrit Edi Rama sipas tij janë të dyshimta për lidhje me Rusinë.

"Për çdo shqiptar është e qartë se Edi Rama fillimisht nuk guxoi të vendosë bllokimin e turistëve rus në Shqipëri, dhe këtu erdhën me qindra dhe mijëra vrasës të fëmijëve, grave, burrave ukrainas për t’u bronzuar në plazhet tona dhe për t’u rikthyer si kasapë në fushëbetejat e vendit që luftonte për liri. Edi Rama duhet të ishte këtu sot, sepse ndoqi deri në korrik të këtij viti projektet e serbomadhisë dhe rusomadhisë, sepse është i vetmi kryeministër në Europë që vrapoi nga samit në tjetër për të justifikuar dhe mbrojtur mosrespektimin e sanksioneve nga Beogradi, qendrimin e Serbisë si një prapavijë direkte e Rusisë, ç’ka përbënte një rrezik të madh. Edi Rama promovoi me të gjithë verbërinë e tij politike projektin e serbomadhisë të Ballkanit të Hapur, në këtë kontekst duhet një rezolutë që krahas përcaktimit, qendrimeve të qarta të Shqipërisë ndaj agresionit barbar rus, kundër një vendi të pavarur dhe një populli të pavarur, të lirë", tha Berisha.

Ora 13:57
FOTO/ Bardhi e Basha ulen krah njëri-tjetrit

Ndonëse dikur kanë qenë të kolegë të besuar të njëri-tjetrit, sot Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi janë në një betejë politike, që siç thonë i ka ndarë perspektiva për drejtimin e Partisë Demokratike.  Por sot, dy demokratët janë parë në karrigen e Kuvendit krah njëri-tjetrit.

Ora 13:19
Bardhi përplaset me Agalliun në Kuvend: Luli ta ka mësuar kushtetutën

 

Deputetët e demokratë vijojnë që të përplasen mes vetes me njëri tjetrin. Deputeti Gazment Bardhi është përplasur me deputetin Arbi Agalliun.

‘Ta ka mësuar Luli kushtetutën’- i tha Bardhi, duke ironizuar kolegun e tij.

Ora 11:32
Berisha fyen Spiropalin me gjuhë seksiste në Kuvend: Vuan nga zilia falike që u ndodh vajzave! Ministrja: Je monument i gjallë i turpit

 

Ish-Kryeministri Sali Berisha edhe një herë ka tejkaluar limitet etike në Kuvend duke fyer koleget deputete. Berisha me gjuhë seksiste i tha Spiropalit se ajo vuan nga ajo që Frojdi e ka quajtur ‘zilia faliche te vajzat’ ose siç njihet ndryshe ‘zilia e penisit’.

'Do i them dy fjalë kësaj Elizës. Ke përdorur një term jo shumë të fisshëm.  Po unë nuk do merrem më këtë, ti kërkon të biesh në vulgaritet, por unë nuk bie. Unë jam mjek dhe Zigmund Frojd ka gjetur se zhvillimi i njerëzve kalon në pesë faza. Faza e tretë është stadi falik. Shumica e kalojnë si një stad të pranuar. Disa mbeten aty dhe disa kanë kompleksin e Edipit. Ky kompleksi i stadit të tretë u ndodh edhe vajzave. Problemi është se Frojdi e quan këtë, zilia falike te vajzat.'- tha Berisha.

Nga ana e saj Spiropali ka reaguar duke e quajtur Berishën si të katandisur keq e më keq dhe që tashmë merret me qira nga më të pasurit në vend.

‘Doktor kush të mori me qira sot. Je kthyer në një dyfaxhi me qira. Te hedhin edhe ndonjë kockë. Një gjysh që duhet të ishte i mbyllur në shtëpi me turp. Je i tkrurrur je i mpakur je i pamundur këto biseda do bësh se tjera nuk bën Ti paguhesh nga pasanikët më të mëdhenj të Shqipërisë. Je ai që vë gjoba. Ata që të përdorin në oborrin tënd edhe në gardhin përreth do të lenë ashtu siç je. Ti vazhdon sot të mbijetosh i mjerë. Më vjen keq për katandisjen tënde. Je monument i gjallë i turpit.’- tha Spiropali

Ora 11:15
FOTOLAJM/ Ministrat e rinj zënë karriget e të vjetërve dhe nisin bisedat! Basha para ata pas...! Foto nga çfarë ndodhi sot në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë votoi sot dhe dy ministrat e rinj duke i dhënë kështu formë të plotë kabinetit të ri qeveritar me të cilin do të qeveris kryeministri Edi Rama deri në zgjedhjet parlamentare të 2025.

Kuvendi votoi shkarkimin e ministres të Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe emërimin në vend të saj i Ervin Metes. Po ashtu, është dhe votoi emërimin në detyrë të Delina Ibrahimajt si ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Ministrja Delina Ibrahimaj u shkarkua me 105 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa u emërua si ministre me 73 vota. Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete u votua me 74 vota pro.

Basha i cili nuk mundi të ishte i pranishëm në seancën e kaluar ku u votuan 5 ministra këtë herë ishte i pranishëm në seancë. I shoqëruar nga deputetët e tij ka hyrë në Kuvend ku garantoi votën pro për rritjen e pagës së gjyqtarëve por votoi kundër emrave të rinj të qeverisë Rama.

Disa deputetë e kanë shfrytëzuar seancën për të bërë dhe përshëndetjet e ngrohta mes njëri tjetrit. 

Ora 11:03
Zhupa: Presidenti emëroi kreu e AMF-së ministër, do ta çojmë në Gjykatën Kushtetues

 

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese dekretimin e ministrit të Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete.

‘Ervin Mete është në funksion anti-kushtetues. Presidenti ta kuptojë kur duhet të heshtë dhe kur duhet të flasë. Presidenti i Republikës bëri ministër kreun e AMF,  Mandati i tij do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese.’- tha Zhupa.

Ora 10:56
Braçe: Nga 1 tetori pensionet do të indeksohen me 8.6%

Ish zëvendës kryeministri Erion Brace tha në parlament se prej 1 tetorit pensionet do të indeksiohen me 8.6% duke sjellë më shumë para në xhepat e pensionistëve.

Braçe tha se kjo rritje mbulon plotësisht normën e rritjen së inflacionit dhe se do të sjellë për 3 muajt në vijim 3.2 mln lekë plus.

“Që nga 1 tetori, e gjithë masa e pensionistëve në Shqipëri do të marrin një rritje të pensionit me 8.6 %. 8.6% që mbulon plotësisht normën e rritjes së inflacionit për pensionistët. Për pak ditë kjo do të jetë efektive dhe do të sjellë për 3 muajt në vijim në buxhetet e pensionistet 3.2 mln lekë plus, 32 mln dollarë. Kjo rritje për vitin e ardhshëm do të transferohet tek pensionistët 121 mln dollarë. Kjo është fatura e plotë”- tha Braçe.

 

Ora 10:47
‘Duhet një marrëveshje për pensionet me Greqinë’ Braçe ironi me Belerin: Do përfitojë edhe ai, ka bërë punë legale atje, por edhe në të zezë

 

Në seancën plenare të ditës së sotme po diskutohet ratifikimi i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Malin e Zi.

Deputeti socialist Erion Braçe në fjalën e tij në seancën plenare tha se është e nevojshme që të ketë marrëveshje për pensionet me Greqinë dhe me Italinë. Braçe tha se mendohet se janë rreth 500 mijë në Greqi që mendohet se do të përfitojnë.

Braçe bëri ironi edhe me Fredi Belerin ku tha se do të përfitojë edhe ai pasi ka bërë punë legale atje.

‘Na duhet një marrëveshje me Greqinë. Sa kohë kanë punuar ligjshëm dhe kanë paguar sigurime shoqërore atje. Mendohet se vetëm nga Greqia duhet të përfitojnë 500 mijë shqiptarë. Kemi një numër shumë të lartë punëtorësh në Greqi. Natyrisht është një çështje e drejtësisë sociale, dhe Greqia duhet ta garantoje për punëtorët shqiptarë siç e ka garantuar për punëtorët serbë. Unë mendoj se këta shqiptarë e meritojnë fort këtë marrëveshje. Edhe për Fredi Belerin sepse ka punuar në Greqi e po flas për punë të ligjshme jo ato të paligjshme që ka bërë në Greqi.

Edhe në Itali duhet një marrëveshje. I lutem Melonit të firmosë sa më shpejt janë gati 300 mijë shqiptarë do të përfitonin me njëherë nga një marrëveshje për sigurimet shoqërorë. Në 2013 gjetëm një skemë pensionesh të falimentuar. Marrëveshja me Italinë është negociuar por mundon firma.’- tha Braçe.

Ora 10:34
Bardhi: Presidenti shkeli Kushtetutën! Dekretoi Ervin Meten për Ministër, ende pa u shkarkuar nga AMF

 

Deputeti Gazment Bardhi pas votimit të ministrave në seancën plenare tha se deputetët e PS-së votuan një dekret antikushtetues të presidenti Bajram Begaj. Sipas Bardhit në kundërshtim me Kushtetutën, Begaj dekretoi ministër një zyrtar publik që nuk mund të emërohej sepse ushtronte një funksion tjetër publik.

“Në kundërshtim flagrant me nen 103, presidenti ka dekretuar ministër një zyrtar publik që nuk mund të emërohej sepse ushtronte një funksion tjetër publik. Shkarkimi i Mete është bërë në seancën e të hënës, pasi presidenti e kishte dekretuar si ministër. Ka sjellë një dekret në kundërshtim flagrant me Kushtetutën. Ka bërë dekretim pa kryer verifikim formal nga anëtari i Këshillit të Ministrave”, tha Bardhi.

Ora 10:20
Shkarkohet me 105 vota pro Delina Ibrahimaj! Emërohet ministër i Financave me 74 vota pro Ervin Mete

1694679689_kuvend.jpg

Delina Ibrahimaj është shkarkuar me 105 vota pro dhe asnjë kundër si dhe më pas është emëruar si ministre e Shtetit për Sipërmarrjen me 73 vota pro. Ministër i Ekonomisë dhe Financave është emëruar Ervin Mete me 74 vota.

Ora 10:15
Kuvend, largohet nga grupi parlamentar i Mediut deputetja Merita Bakiu, ja kush e zëvendëson

1694679689_kuvend.jpg

Në nisje të seancës, kryetarja e Kuvendit ka deklaruar se Merita Bakiu ka njoftuar largimin nga grupi Parlamentar Aleanca për Ndryshim, me kryetar Fatmir Mediun, ndërsa po këtij grupi i është bashkuar Petrit Doda.

Merita Bakiu do të duhet të presë 6 muaj për t'u bërë pjesë e një grupi tjetër parlamentar, me gjasë atij të PD që do të ketë njëkohësisht kryetar grupi Lulzim Bashën. Bakiu njihet si mbështetëse e tij, ndërsa është pjesë edhe e kryesisë së re të Lulzim Bashës.

Ora 10:07
Basha: PD dhe grupi ynë do votojë pro rritje së pagave të sistemit gjyqësor

 

Kryetar i Partisë Demokratike Lulzim Basha në fjalën e tij para nisjes së seancës plenare tha se do të votojnë pro rritjes së pagave të sistemit gjyqësor.

‘PD do të votojë pro rritje së rrogave të gjyqësorit si një nga hapat që të forcojmë pavarësinë e gjyqësorit. Vetë shoqata e gjyqtarëve do të sjellë propozime. Të sjellë propozime për rritjen pagave të gjithë sistemi gjyqësor. Çdo rritje për gjyqësorin, i shërben pavarësisë së gjyqësorit. S’do bëhemi pjesë e lojërave hidh gurin e fshih dorën.’- tha Basha.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Italia si moter: 14/09/2023 11:55

    O zot ku je per keta antishqiptar .sa do ta shani qeverine PS fiton bindshem .mos u lodhni kot nuk fitoni jeni kanceri i shqiperise .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024