Qeveria i 'merr dekoratat' presidentit! Zhupa: Po e bëni për qoka! Rama: Vetëm këtu dekorohen të vdekurit! Ja projektligjet që u miratuan në Kuvend

TIRANË- Me debate të ashpra është zhvilluar edhe seanca në Kuvend edhe ditën e sotme mes maxhoranxës dhe opozitës. Shpërndarja e 5 miliardë lekëve shtesë në buxhetit të vitit 2022 u bë shkak për replika mes ministres së Financave Delina Ibrahimaj dhe deputetes Jorida Tabaku.

Ministrja paraqiti në Kuvend aktin normativ, ku tha se këto 5 miliardë lekë do të fokusohen tek blegtorët rindërtimin dhe sporti. Ibrahimaj theksoi se vendi ynë ka nivelin më të ulët të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit, ndërsa tha se kanë mbështetur familjet në nevojë duke iu subvencionuar çmimin e energjisë apo përmes politikave të tjera si rritja e pagës minimale, indeksimi i pensioneve, etj.

Por deputetja e opozitës, Tabaku tha se politikat e injektuara nga qeveria nuk kanë dhënë asnjë efekt, por inflacioni ‘socialist’ ka goditur familjet shqiptare, ndërsa po përballen me çmime të larta të hidrokarbureve apo produkteve të shportës. Shpifje nga opozita e vulës, i cilësoi Ibrahimaj pretendimet e Tabakut, e ndërsa kjo e fundit i tha se ka ardhur nga rruga dhe është bërë ministre.

Në debate u përfshi edhe deputeti Gazment Bardhi, i cili e akuzoi ministren si shërbëtore të oligarkëve, ndërsa i kërkoi të tregojë se e kujt është shtëpia që jeton. Por këto akuza, ministrja i cilësoi shpifje duke sqaruar se banesa ku ajo jeton është në pronësi të babit të bashkëshortit.

Si gjithmonë, një zë kritik pati edhe nga brenda radhëve të socialistëve. Deputeti Erion Braçe shprehu edhe njëherë rezervat për mbështetjen e qeverisë kundrejt bujqësisë.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se buxheti 2022 do futet në historinë e Shqipërisë si buxheti i vjedhjes. Berisha akuzoi qeverinë se për 9 muaj ka vjedhur 122 mld lekë. Berisha komentoi edhe mungesën e kabinetit qeveritar gjatë fjalës së tij, teksa i cilësoi si hajdute Berisha tha se ato kanë ikur se kanë frikë të rrinë dhe të dëgjojnë vjedhjet.

Edhe deputeti demokrat Dash Sula tha se mazhoranca e ka lënë në harresë fshatin, pasi ka dhënë vetëm 28 mln euro për bujqësinë për vitin 2023. Ai akuzoi qeverinë se fondet i çon tek rindërtimi pasi aty është ‘gropa e zezë’ për t’iu dhënë para klientëve të tyre. Por Ibrahimaj tha se këtë vit janë mbështetur me fondet e qeverisë 47 mijë fermerë. Një denoncim erdhi nga Sula, i cili tha se administrata e Peqinit ka katër muaj që nuk merr pagat.

Debate ka pasur edhe për projektligjin për dekoratat, ku opozita tha se po i hiqen kompetencat presidentit që PS do i përdor si qoka për vota, e ndërsa kryeministri Edi Rama nuk i kurseu ironitë për Ilir Metën, i cili tha se dekoronte vetëm të vdekurit. 

Megjithatë, përtej debateve, me votat e socialistëve, Kuvendi i dha dritën jeshile pr.ligjeve për vreshtarinë, për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Me 79 vota pro u miratua edhe marrëveshja për rrugën Qafë Plloçë si edhe Projektligji për policinë bashkiake. Gjithashtu, qeveria i “mori” presidentit edhe dekoratat, pasi projektligji që ia heq këtë kompetencë kreut të shtetit u miratua me 75 vota pro.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:23
Me 75 vota pro, Qeveria i merr dekoratat presidentit! Ja projektligjet që u miratuan në seancën maratonë të Kuvendit

1671745928_Screenshot9.jpg

Pas një seance maraton, Kuvendi kalon projektligjin për dekoradat, policinë bashkiake, marrëveshjen për rrugën Qafë Plloçë si edhe disa projektligje të tjera.

Projektligjet e miratuara
Me 76 vota pro kalon projektligji për vreshtarinë
Me 79 vota pro votohet projektligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor
Me 79 vota pro miratohet marrëveshja për rrugën Qafë Pllocë
Me 76 vota pro, 4 kundër miratohet Projektligji për policinë bashkiake
Rrëzohet amendamenti i propozuar nga Ferdinand Xhafera për policinë bashkiake me 76 kundër
Akti normativ për buxhetin e vitit 2022, miratohet me 75 vota pro
Me 75 vota pro miratohet projektligji për dekoratat

Ora 17:37
Pr/ligji për dekoratat, Rama: Rrugë për t’u rifutur në sistemin evropian! Ish presidenti dekoroi edhe të vdekurit, s’duhen dhënë më tituj ‘postmortum’

 

Kryeministri Edi Rama e sheh si një proces mjaft të rëndëishmë për t’u rifutur në shinat e sistemit evropian shpërndarjen e dekoratave. Rama shprehet se në kohën kur ishte Ilir Meta president, u dhanë dekorata edhe për të vdekurit. Kreu i qeverisë u shpreh se sado të nderuar këto figura janë, ky proces është “shterpë” dhe se nuk duhen dhënë më tituj ‘postmortum’.

“Sot, ne bëjmë një ligj i cili e rifut vendin tonë në sistemin e rrugës evropiane. E ndan nga komunizmi, jugosllav, kinez e lindor. Të gjitha vendet në rajon, në Evropë, në Perëndim e në lindje kanë të njëjtin sistem dhe të njëjtat rregulla. Presidenti i mëparshëm i republikës arriti të dekorojë Ismail Qemalin.

Dmth, një grup njerëzish sado të nderuar por totalisht për tu harruar vendosin të japin dekoratat postmortum.

Çfarë është një dekorim?

Është një moment kur njerëzit dallohen nga të tjerët, të gjallët dallojnë njerz mes të gjallëve. Nuk ekziston një moment kur të gjallët dallojnë dhe dekorojnë të vdekurit.

Dhe ndërkohë, prodhohen medalje dhe u jepen stërmbesave. Është diçka që nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh askund. Dekorimi pas vdekjes është tipik allashqiptar, i allademokracisë. Një hamletologji e paimagjinueshme. Tangërllëk provincial. Një ushtar të rënë në luftë në atë moment, në kohën që jetojmë së bashku, patjetër. Një njeri që vetmohohet për të tjerët në një akt heroizmi, patjetër. Dmth çohet njeri në mëngjes e thotë “Dua të bëhem Vojo Kushi” dhe i dekoron. Duke menduar se një ditë, do bëhet si Vojo Kushi.

Shqipëria është në botë tjetër për pjesën e dekorimeve. UI dhanë 500 dekorata, komplet pa sens. Shqipëria është vend qesharak në këtë fushë. Jemi 70 vjet me vonesë, por e bëjmë këtë gjë vetëm sot. Shpresoj që të votohet nga të gjithë.- tha Rama. 

Ora 17:27
Rama flet për ligjin për dekoratat: Ky projekt shkul komunizmin, kjo e bazuar në prova dhe fakte

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend foli në lidhje me projektligjin për dekoratat. Kreu i qeverisë u shpreh se ky ligj do të krijojë një ndarje përgjithmonë me komunizmin.

'Ky është një projekt, i cili ka një vonesë më shumë sesa 75 vjeçare dhe dikur unë mendoja që shumë gjëra janë të vetëkuptueshme, por për hir të vërtetës, gjërat e vetëkuptueshme, me kalimin e kohës janë bërë gjithmonë e më të pakuptueshme dhe mirëkuptimi tek gjërat e vetëkuptueshme është bërë gjithmonë e më i pamundur për shkak se kemi hyrë në një epokë absurdi si tregon edhe ky parlament çdo të enjte ku ballafaqimi bëhet gjithmonë e më absurd e gjithmonë e më pak me sensin e minimumin etik njerëzor. 

Del përpara çdo të enjte dikush, thotë çfarë t’i teket për ty dhe pastaj thotë “Këto janë bindjet e mia, nuk je gjykatës që unë të të jap prova”. Ee natyrisht, edhe për projektligjin e dekoratave nuk kishte sesi të ishte i vetëkuptueshëm një mirëkuptim, ndërkohë që po e nis nga fakti që ky projekt është një projekt, të cilin dekomunistizuesit e zellshëm të këtij parlamenti duhet ta kishin përqafuar me zellin më të madh sepse është një ndarje, më në fund, me komunizmin. Por, jo vetëm që nuk e përqafojnë me zell, por e kundërshtojnë me zell. Ky projekt, shkul praktikisht, komunizmin pas kaq shumë vitesh nga fusha e Urdhrave dhe Medaljeve të shtetit dhe kjo është e bazuar në fakte, në prova, jo në opinione. 

40 vjet e kusur ne patëm Flamurin e Kuq të Punës, Heroin e Punës Socialiste, Mjeshtrin e Shquar në Profesion, Naftëtarin e Zgjedhur, Minatorin e Zgjedhur, Lavdia e Nënës, Shërbimi i mirë i Popullit e të  tjera dhe të tjera. Këto vazhduan, por thjesht me disa agjustime dhe një ligj, më në fund, u bë në 2013 përpara sesa të ndryshonim qeveritë dhe kaloi nga Mjeshtër i Shquar tek Mjeshtër i Madh, një sistem ku sot ne jemi i vetmi - dhe unë këtë e them me kompetencë sepse për këtë projekt është punuar shumë gjatë- jemi i vetmi vend në Europë, se bota është e madhe nuk marr përsipër të flas për botën, jemi i vetmi vend në Europë që kemi edhe një dekoratë të flamurit kombëtar, që është pasardhëse e Urdhrit komunist të flamurit, frymëzim jugosllav dhe një titull “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” por se cili është ky Urdhër, bazuar në mënyrën sesi urdhrat ndërtohen dhe funksionojnë dhe si mund ta marrë tjetri titullin “Kalorës”, kjo është e pa adresuar asgjëkund.

Faktikisht, merr një titull “Kalorës” dhe nuk ke asnjë kalë dhe asnjë grup kalorësish që të shoqërojnë. Kemi dekoratën “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu” por kemi dhe një titull “Kalorësi i Urdhrit të Skëndërbeut” dhe prapë është një urdhër që nuk ekziston, dy flamuj, dy Skëndërbej, por asnjë urdhër. Pastaj më e bukura është që i kemi grabitur Nënë Terezës urdhrin se ka një urdhër të Nënë Terezës, “Urdhri i Motrave të Nënë Terezës”. Ne e kemi marrë dhe e kemi futur për vite të tëra në ligj “Urdhrin e Nënë Terezës” dhe po të shikoni se kush e ka marrë “Urdhrin e Nënë Terezës” janë njerëz të cilët motra nuk janë, vëllezër mund të jenë. Pastaj, u bë dhe një karikaturë tjetër që u hoq Urdhri në 2013 dhe u bë Medalja. 

Tani, ne mendojmë që vetëm një moment ka pasur shteti shqiptar kur ka qenë serioz dhe ka qenë i integruar në gjithë bashkësinë e shteteve. Ky ka qenë momenti kur mbreti Zog mori ekspertizën e nevojshme dhe modelin e nevojshëm nga jashtë, nuk shpiku asgjë dhe ndërtoi një system, i cili është as më shumë e as më pak por një sistem i integruar në gjithë konstelacionin e sistemeve të urdhrave dhe medaljeve që nuk janë 35, por janë 2. Është sistemi kontinental që bazohet tek Franca dhe modeli anglo-sankson që bazohet nga Britania e Madhe. Madje, dhe Japonia funksionon me njërin prej këtyre dy sistemeve. 

Më e bukura është që mbreti Zog, statuti themeltar i 1928 heq titujt e fisnikërisë dhe i fut Shqipëria me Presidentin e Republikës. Në Monarki nuk kishim tituj fisnikërie, në Republikë kemi tituj fisnikërie, por nuk kemi fisnikë, kuptohet. Monarki mbase kishim fisnikë, por nuk kishim tituj fisnikërie.  Spektakli është i tillë, që kur ishte 13 vjeç, në 1925, shteti shqiptar ishte serioz në këtë fushë. 110 vjet sot është njësoj si ai non-grata që vjen vërdallë dhe është të qeshësh e të qash në fushën e urdhrave dhe medaljeve. 

Dëgjova që ishte bërë dhe një debat i madh për fjalën “komandarë” edhe më pëlqeu ta sjell këtu sepse është një fjalë e cila lakohet në të gjitha gjuhët dhe është ekzaktësisht fjala që përdori edhe grupi që ngriti mbreti Zog për sistemin e urdhrave dhe medaljeve në Shqipëri, Komandarë dhe është një model dominant. Dikush propozon të bëhet “Komandant”. Komandati nuk mund të rrijë nën oficerin. Ky quhet humor kaps nga lagja jonë dhe për këto raste përdoret vaj ulliri.

Ndërkohë që, kur vihet tek qasjet, duhet të kemi parasysh që qasja kontinentale franceze ka dy-tre urdhra të ndarë në 5 shkallë, ndërkohë që ajo anglo-sanksone ka një trashëgimi më të largët mesjetare dhe ne nuk kemi shumë lidhje me të dhe siç monarkia në atë kohë e mori atë sistem, edhe ne mendojmë që tek ai sistem duhet referuar sepse atë sistem kanë sot, që të kuptohemi që të mos krijohet ideja që ne po marrim dhe po sjellim kohën e Zogut këtu; atë sistem kanë sot e gjithë ditën Italia, që është republikë presidenciale, Greqia që është një republikë presidenciale, Franca e thashë, nuk diskutohet dhe këtje po të vazhdoni po të vazhdoni me Hungarinë, me Poloninë e me gjithë këto vendet e tjera, ngjituni lart tek Suedia, tek Norvegjia, tek Finlanda të njëjtën gjë do të gjeni dhe përsa i përket asaj lojës së fjalëve “flamuri, shqiponja”, se ne qenkemi betuar para flamurit dhe duhet të kemi urdhrin e flamurit dhe nuk jemi betuar para shqiponjës.'- u shpreh Rama.

Ora 16:02
Pr. ligji për dekoratat, ironizon Zhupa: Jepini edhe një ministres së kulturës për antishqiptarizëm! Nëpër monumente futet ujë nga çatia

 

Deputetja demokrate teksa po fliste për pr ligjin për dekoratat, theksoi se ministrja e kulturës, Elva Margariti nuk ishte në sallë. E teksa po ironizonte për shfrytëzimit të një kompetence të presidentit nga qeveria, Zhupa kërkoi që të dekorohej edhe ministrja për antishqiptarizëm. Ky deduksion i Zhupës u bë për “urën e Zogut” dhe për kishën e Onufrit.

“Mund t’i jepni edhe ministres së kulturës një dekoratë, për antishqiptarizëm. Se zonja zhduket kur flitet për urën e zogut. Për kishën e Onfurit, Shën Nikolla dhe është monumet kulture dhe futet uji nga çatia. Nuk preokupohet askush. Kështu që keni plot arsye për t’i përdorur dekoratat politikisht. Shfrytëzojeni për të “thithur” votën.

Ta kthejë ligjin Presidenti, se nëse nuk e kthen nënkupton se është ushtar edhe ato 10% ja kanë dhënë shumë.”- tha Zhupa.

Ora 15:56
Pr. Ligji për dekoratat, Zhupa: Taktika me qoka e qeverisë për t’i marrë kompetencat presidentit! Ka vetëm 10 % tagër vendimmarrje, edhe atë duan t’ia marrin  

 

Deputetja demokrate, Ina Zhupa ka reaguar lidhur me projektligjin për projektligjin për dekoratat në Republikën e Shqipërisë duke akuzuar mazhorancën për shfrytëzimin e kompetencave të presidentit.

Zhupa është shprehur se kryeministri dhe qeveria e tij janë duke shtuar projektligje të kësaj natyre për të “shfuqizuar” kompetencat e Presidentit. Sipas saj, i gjithë ky proces është një taktikë në mënyrë që individët që dekorohen të jenë të përzgjedhurit “socialist”. E thënë ndryshe, Zhupa është shprehur se edhe me anë të këtij procesi qeveria dëshiron të vjelë PR (njerëz që reklamojnë dhe mbështesin në këmbim të fitimit).

“Ky është një ligj për t’i marrë kompetencat presidentit edhe për dekoratat. Dhe këtë ju e mbuloni se z. Meta kur ishte president dhe dha shumë dekorata dhe kjo gjë mund të kthehej në votë për të. Si çdo gjë tjetër që keni bërë, edhe dekoratat do i merrni.

Projektligji u jep mundësi që këtë kontroll rigoroz i jep mundësinë kryeministrit të kontrollojë 9 anëtarët, nga këta 8 janë të kontrolluar nga Rama. Mjafton të përmendim Akademinë e Shkencave, ai që është i politizuar. Nga ai që shiti partinë për të bërë koalicion nga ju.
 keni vendosur limite mbi limite për nr e dekoratave dhe sasinë. Doni t’i bëni edhe ato me plan 5-vjeçar. Si me qenë planet e kohës së komunizmit. Ju vendosni ca akte heroike do ndodhin atë vit etj.

Jo vetëm kaq, po presidentit i keni vendosur vetëm 10% tagër për vendimmarrje. Pra si ta ktheni një president, një pushtet që duhet të jetë garant në të gjitha palët e ktheni në kukull.

Ju e tregoni merakun që keni për titujt edhe duke i shpikur. Keni filluar jepni nëpër bashki, njeriu i vitit, i bashkisë etj. Pse i bëni? Se i shfrytëzoni politikisht. Dhe kështu do blini PR (njerëz që reklamojnë dhe mbështesin në këmbim të fitimit).”- tha Zhupa.

Ora 13:52
Çollaku: Veriu është 'pushtuar' nga serbët, pse Shqipëria hesht, asnjë fjalë në Kuvend për situatën në Kosovë

 

Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku ka sjellë në vëmendje në Kuvend situatën në Kosovë. Çollaku tha se veriu i Kosovës është pushtuar nga bandat serbe të cilat nuk largojnë as barrikadat, por Shqipëria hesht duke mos futur asnjë pikë të rendit të ditës për situatën në Kosovë.  

“Temë kryesore i çdo ambienti diplomatik në Ballkan. Vetëm në Parlamentin shqiptar nuk flitet, po kthehet në një tabu këtu të flitet për Kosovën. Ne e kemi mbështetur pa asnjë lloj rezerve projektrezolutën tuaj. Një komandant i UCK është dënuar me 26 vite burg. Ishte shumë i vonuar se veprim diplomatik i Shqipërisë. Është projekti i Bosnjës që po përpiqet të realizohet në Kosovë dhe nuk flitet. Synon ta copëtojë territorin e Kosovës ose të formojë shtet. Veriu është i pushtuar nga bandat serbe të Vuçiç, thuhet nga mediat edhe trupa paramilitare ruse nga Wagner. Si mundet parlamenti të mos diskutojë kur zien gjithë Ballkani. Jo të shahemi, fyhemi e të kërcënohemi, Vuçiç ka thënë nuk tërheqim barrikadat derisa të shpallë Kosova asocacionin. Vucic pohoi që është dorë e tyre ajo që ndodhi në Kosovë. Për këto gjëra a mund të flasim për njëri tjetrin”, tha Çollaku.

Ora 12:39
Blerja e dronëve ‘Bayraktar’, Berisha në Kuvend: Sa lek u blenë, pse qeveria e mban sekret

 

Ish-kryeminsitri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend është ndalur edhe tek blerja e dronëve ‘Bayraktar’. Berisha kërkoi nga qeveria që të tregojë sa lekë janë blerë dronët.

“Sa i bletë dronet. Nuk e thua çmimin sepse vjedhje. Sepse në të gjithë botën, ca do që të blihet ka çmim dhe u tregohet popullit, këto gjithçka vendoset si shpella. Sa kushtuan Majko ato 6 drone? Majko: Se di. S’ke si ta dish, sekret sepse është vjedhje. I kishin përdor për të rritur pagat e ushtarëve, ti paguajmë ushtarët, policët pastaj të shkojmë te satelitët”, tha Berisha.

Ora 12:36
Buxheti 2022, Berisha: Keni grabitur 122 mld për 9 muaj, këto hajdutet ministre pse ikin nga Kuvendi, kanë frikë të rrinë

 

Buxheti i vjedhjes e ka cilësuar ish-kryeministri Sali Berisha buxhetin e shtetit për vitin 2022. Berisha tha se për 9 muaj, kjo qeveri ka vjedhur 122 mld lekë. Sipas tij, kjo qeveri ka vjedhur 30% më shume se të gjitha rrogat që merren në Shqipëri.

Berisha komentoi edhe mungesën e kabinetit qeveritar gjatë fjalës së tij, teksa i cilësoi si hajdute Berisha tha se ato kanë ikur se kanë frikë të rrinë dhe të dëgjojnë vjedhjet.

“Sot diskutohet këtu për buxhetin e vitit 2022. Çfarë ishte ky buxhet sipas të dhënave strik zyrtare KLSH. Buxheti i vjedhjes së 122 mld lekëve nga këta që nxijnë prapa shpinës sime dhe vartësit e tyre. Nuk është shifër që del nga institucioni zyrtar i KLSH. Keni vjedhur 122 mld lekë, keni vjedhur 30% më shume se të gjitha rrogat që merren në Shqipëri, keni vjedhur më shumë se të gjitha pensionet dhe kjo në vetëm 9 muajt e parë të vitit 2022. Keni vjedhur më shumë se të gjitha pensionet në Shqipëri të mara së bashku. Keni vjedhur se nga 20 tendera sekretë që janë zhvilluar në tre vite, keni zhvilluar 280 tendera sekrete për të vjedhur. 30% e tenderave i keni dhënë atyre që keni dasht pa garë. Keni vjedhur se 61% sipas KLSH ia keni dhënë atyre që kanë sjellë ofertën më të lartë me çmim maksimal”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe tek inceneratorët duke thënë se vazhdojnë t’i japin ende lekë kompanisë së cilës i janë arrestuar dhjetëra persona. Berisha tha se kjo është një aferë pas së cilës fshihet Edi Rama dhe sipas tij SPAK nuk ka guxim ta sekuestrojë se pas Incneratorit të Tiranës fshihet Rama.

“Ku janë këto hajdutet që ikin nga mbrapa, pse kanë frikë të rrinë. Do ua plas të gjitha këtu në parlament. Kush shet energjinë me 40 euro dhe e rishet me 150 euro. Kush e bën këtë. Më të bardha janë karriget me to, se pa to që vjedhin në këtë mënyrë. Keni vjedhur sepse në një rast unik në botë, një kompania që ia janë arrestuar dhjetëra hajdutë vazhdon të marrë çdo ditë 300 mijë euro, vetëm se është kompania e Edi Ramës. Kurrë s’mund të ndodhte dhe SKAP-i partisë nuk guxon ta bllokojë, ta konfiskojë, nuk guxon të ndërpresë vjedhjen e Ramës dhe klanit të tij. Buxheti i vjedhjeve më të mëdha qeveritare. Buxheti i shpërdorimeve dhe abuzimeve më të mëdha. Nëse shqiptarët festojnë në këtë gjendje sepse ju vidhni vidhni vidhni me xhepa, valixhe me çdo mjet dhe nuk ngopeni. Si ka mundësi një sipërmarrje me 20 të arrestuar merr 1 mln euro në javë. Ka mundësi se është sipërmarrja e kryeministrit se nuk mund të ndodhë kurrë”, tha Berisha.

Ora 11:50
Balla: Mbështesim shtresat në nevojë, s’ka vend në rajon që subvencionon çmimin e energjisë! Sula: Po Bashkia Peqin pse ka 4 muaj pa rroga?

 

Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla mori fjalën në Kuvend dhe u shpreh se në Shqipëri mbështeten shtresat në nevojë si në asnjë vend të rajonit. Balla përmendi subvencionin me çmimin e energjisë dhe reformën e UKT. Ndërsa deputeti demokrat Dashnor Sula mori fjalën për të ngritur pyetjen përse Bashkia Peqin nuk merr rrogat prej 4 muajsh.

Balla: Nuk e pranoj dot që këto fjalimet populistet që në fshatrat e Shqipërisë nuk ka energji elektrike. Duhet të jemi korrekt me ato që komunikojmë me publikun dhe e vërteta e energjisë elektrike është që në fshatrat që përmende, deri në vitin 2013 nuk ishte zëvendësuar një tel transmetues, një shtyllë dhe nëse doni të bëjmë një llogari se sa është investuar në rrjetet e shpërndarjes së energjisë elektrike, bëjmë krahasime. Nuk ka një rajon një që krahason vendim ndër më të vështirët për këtë qeveri e të vijojë të subvencionojë 75-80% të energjisë elektrike për familjet. Meqë i hytë këtij diskutimi, më thuaj cili nga vendet e rajonit subvencionon në këtë mënyrë. 500 milionë dollar në 2021 dhe 2022 janë vënë në dispozicion të kësaj politike. Më gjej një shumë të ngjashme në rajon.

Për ujin e pijshëm, e dimë si trajtoheshin UKT deri në 2013 dhe vazhdoi derisa u ndërmor reforma që më në fund po shkohet atje ku duhet, historia që kishte drejtora që zot na ruaj, vinte një kryetar bashkie i merrte, vinte tjetri i shfaroste. 4 vitet e fundit reforma e UKT është model. Po garantojmë investime. Rezultatet e kësaj reforme janë të thjeshta.

Sula: Ja japin për pushimet e verës dhe për Vit të Ri. Ministria e Financave i shpërndau një rrogë, se ishin 5 muaj pas, ato të Ujësjellësit janë fryrë me njerëz që janë në Itali e Gjermani, s’janë këtu dhe marrin rroga. Po ju them sërish që ne jemi të 2 deputetë terreni. Po të them së fundmi që dil te Bashkia e Elbasanit çdo mëngjes, po nuk pe çdo ditë ushqime që ia çojnë vëllezërve e motrave. Daja ime pësoi dje infarkt, ka 6 fëmijë dhe duhet të shkoj unë atje.

Ora 11:43
Dash Sula: Qeveria ka lënë në harresë bujqësinë, subvencionon rindërtimin se aty i ka klientët! Ibrahimaj: Kemi mbështetur 47 mijë fermerë

Deputeti Dash Sula ka folur në Kuvend për shtimin e të ardhurave buxhetore për vitin 2022 me 5 mld lekë. Sula tha se qeveria ka lënë bujqësinë në harresë, pasi kanë dhënë vetëm 28 mln euro për bujqësinë për vitin 2023. Ai akuzoi qeverinë se fondet i çon tek rindërtimi pasi aty është ‘gropa e zezë’ për t’iu dhënë para klientëve të tyre.

“Po miratojmë akt normativ për buxhetin e shtetit, a  ka logjikë të drejtë që 120 mln euro të shkojnë për rindërtimin. Janë para që do dalin nga 5 mln lekë familjeve të atyre që iu janë dëmtuar shtëpive të tërmetit, po i ndani për efekt elektoral. A  e dini ju zonja ministre se ca mund të bëjë fshati me 7 mln euro, jepni 28 mln euro për bujqësinë për vitin 2023, Kosova e ka 100 mln euro. Të punosh sot tokën në fshat, është 30 milje lekë dynymi për të punuar. A e dini që duhet të kesh 100 dele. Ku ka mundësi kullota që të ketë në zonë. Me 99 dele nuk merre subvencion. Është metoda për të subvencionuar disa. A e dini që dolët këtu dhe kolegu i PS bëri një analizë të hollësishme dhe nuk kundërshtoni dot. Tha jemi e vetmja qeveri që jemi të kënaqur se po rrisim të ardhurat në arkat e shtetit. I vetmi shtet që paguajmë 20% TVSH për produktet e shportës. Në një kohë që e ka 6% Bosnja, 7% Kroacia. Të rindërtimi është gropa e zezë, aty janë përfituesit, miqtë, fshatarëve s’keni ca ti merrni. A ka logjike, 120 mln euro për fondin e rindërtimit? Pas tre viteve, jepni ende para për tërmetin. Paratë që jepni për tërmetin është për qëllime elektorale. Vetëm 28 mln euro për bujqësinë, Maqedonia e Veriut jep 150 mln euro.
Ureja ruse, 100 mijë lekë. Dapi për ullirin 100 mijë lekë. A i del fshatarit të gjitha këto shpenzime? Ju i jepni sa për të lagur buzën. A e dini se duhet të kesh katër dynym e sipër për të marrë subvencione? Ata nuk marrin dot më naftë. Në blegtori duhet të kesh minimumi 10 krerë lopë dhe se kanë mundësi që të kenë të gjithë nga kaq lopë, pasi nuk marrin dot subvencione. Ju keni zgjedhur një numër të caktuar se aty nuk do kenë mundësi ata se nuk i subvencioni dot. A e dini se për të pasur duhet të kesh 50 koshere bletësh se me 49 nuk merr dot subvencion. Fshatarët paguajnë dhe taksë varrezash, po i rripini. Kur të vemë atje poshtë, krimbi do ju hajë të parët juve, se jeni të dhjamosur. Dil njëherë nëpër fshatra ministre dhe shiko nga 600 shtëpi, iu ndizen dritat vetëm 5 shtëpive. Nëse ndizen më tepër se 20 drita në fshatra, skam më njerëz, e shpopulluar fshatin,. Pse ikin? Se nuk janë mirë, nuk ja dalin dot. Kjo është e vërteta ju flisni sikur jetoni në hënë. Perandori më i fuqishëm në këtë tokë është krimi ai do na hajë të gjithëve. Do jua hajë më shpejt juve se jeni më të dhjamosur nga paraja dhe korrupsioni”, tha Dash Sula.

Përgjigja i erdhi nga ministrja Delina Ibrahimaj e cila i tha se me fondet për bujqësinë janë mbështetur 47 mijë femreë.

“Buxheti për bujqësinë, janë mbështetur 47 mijë fermerët, fondet për kompensimin e naftës, me aktin normativ që duhet të diskutohet ne mbështesim dhe 1 mijë blegtorë të tjerë, duke e çuar në 5700 numrin e blegtorëve. Gjatë këtij viti ne kemi mbështetur 674 mijë pensionistë duke ua rritur pensionet me 9.5%. Paga minimale është rritur dy herë, njëherë duke shkuar në nivelin 34 mijë lekë. 280 mijë përfitues nga kjo masë, që marrin 3500 lekë më shumë se ca merrnin vitin e kaluar. I kemi kompensuar të gjitha familjet shqiptare për çmimin e energjisë elektrike, i ka kushtuar buxhetit 28 miliardë lekë. Mbështesim 99% të biznesit shqiptar duke i subvencionuar çmimin e energjisë elektrike”, tha Ibrahimaj.

Ora 11:35
Dash Sula: Ka ministre që nuk i dihet adresa, shtëpinë e kanë në një vend, por flenë diku tjetër

 

Deputeti Dash Sula është ndalur sërish në akuzat e hedhura nga demokrati Gazment Bardhi që e pyeti ministren Delina Ibrahimaj se e kujt është shtëpia në të cilën jeton. Sula tha se ka nga ata anëtarë qeverie që nuk iu dihet adresa, pasi nuk jetojnë në adresat e bëra publike.

“Po zonja ministre këtu i jetojmë ne bashkë me kolegët e opozitës dhe kemi adresa shumë të sakta. Po këtu ka anëtare qeverie apo njerëz të tjerë që nuk iu dihet adresa, e kanë adresën e janë në vend tjetër, për të fjetur flenë në vend tjetër. Ka ndonjë ministresh që mund të ketë shpinë komshie me mua. Mos u shqetëso nuk thash gjë për ty”, tha Sula.

Ora 11:05
Përplasja në Kuvend/ Spiropali: Ibrahimaj u përbalt, Tabaku-Bardhi të dënohen! Deputetët demokratë: Nuk na intimidon dot! Ministrja: Ja ku banoj

 

Pas fjalës së ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, pati një debat të ashpër mes deputetëve demokratë Jorida Tabaku dhe Gazmend Bardhi dhe ministreve Ibrahimaj dhe Elisa Sporopali. Kjo e fundit dënoi përbaltjen e opozitës ndaj ministres së Financave.

Elisa Spiropali: Zonja Tabaku për fat të keq shkoi shumë larg dhe ministrja që është këtu, Ministria e Financave nuk ka ardhur nga rruga, ka ardhur nga studimet e saj me nderimet më të larta, nga një diktatorë po aty, ka ardhur nga Banka e Shqipërisë dhe Tatimet me integritetin më të lartë të mundshëm dhe është këtu. Dhe të mos guxojë askush të thotë gjëra që s’kanë asnjë lidhje me të vërteten por me përbaltjen.  Mungesa e të vërtetave, të fakteve dhe racionalitetit në gjykim nuk ju jep të drejtën që të pengoni këtu ministrat të shprehen. Boll më me akuza të tilla. Nëse kjo nuk është e dënueshme nga rregullorja nuk e di se çfarë është.

Gazmend Bardhi: Askush në këtë sallë nuk ka të drejtën të flasë këtu për deputetët dhe t’i drejtohet ‘kj9o përfaqësuesja e opozitës së vulës’. Zonja Spiropali ju jeni e fundit që mund të flisni për kujdes për termat këtu. Dhe ju lutem tërhiqni ato ‘mos guxoni’ e kështu. Nuk intimidohemi ne. Fakti që ministrja e Financave ta kalon fjalën ty për të të treguar ty se ku fle.

Delina Ibrahimaj: Unë jetoj në Rrugën Rexhep Jella’ ku kam jetuar që prej vitit 2009. Shtëpia është në pronësi të z. Rexhep Ibrahimaj, që është bnë pronësi të babait të bashkëshortit tim. Ajo është shtëpia ku unë kam shumë vite që jetoj. Ju dini të shpifni dhe vetëm të nxirrni vrer. Faleminderit!

Tabaku: Unë besoj që ajo që bëri Ministrja e Financave sot është e turpshme. Për mua kjo politika e shpifjes, e urrejtjes nuk shkon. U them kolegëve të Partisë Demokratike që nëse është dikush i kënaqur për të gjitha debatet brenda nesh janë pikërisht ata përballë.

Ora 11:04
Bardhi akuza ministres Ibrahimaj: Shërbëtore e oligarkëve, trego e kujt është shtëpia që jeton

 

Deputeti demokrat ka ngritur akuza ndaj ministres së Financave, Delina Ibrahimaj duke e cilësuar si shërbëtore të oligarkëve.

"E kujt është shtëpia që jeton ti? Ku ishe më parë. E kujt është shtëpia që jeton zotërote. Shërbëtore e oligarkëve", tha Bardhi. 

Ora 11:03
Tabaku-Ibrahimaj: Të të vijë turp që ke ardhur nga rruga e je bërë ministre! Askush nga mazhoranca nuk e ka paaftësinë dhe korrupsionin tënd

 

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar me tone të ashpra ndaj ministres së Financave, Delina Ibrahimaj.

“Kam 12 vite dhe nuk ulem dot në nivelin politik të mjerueshëm të ministres. Të të vijë turp që ke ardh nga rruga dhe je bërë ministre. Sot të ardhurat në buxhetin e shtetin kanë ardhur 5-0% nga faktorë të brendshëm. 300 milionë euro janë marrë nga xhepat e shqiptarëve prej paaftësisë së ministres së ulur aty. Ministrja nuk sheh familjen se e ka mendjen te lista e koncesioneve. Miraton këtu VKM e akte normative, sot është aq e paaftë të flasë për qytetarët sa se kupton që rritja e çmimeve janë në dëm të qytetarëve. Ka 12 muaj ka ndejtur për asgjë dhe sjell një akt normative që do ta zbatoj 10 ditët e fundit. Arrogance reflektohet por nuk është arsye për të treguar se ka fuqinë e një mikrofoni. Ka shumë kolegë që flasin nga mazhoranca por askush nuk ka paaftësinë e korrupsionin tënd”, tha Tabaku.

Ora 10:59
Tabaku: Inflacioni ‘socialist’ ka goditur familjet shqiptare! Ibrahimaj: Opozita e vulës na shpik tema të rinj, rritja e çmimeve u shkaktua nga rritja e çmimeve

 

Deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se inflacioni ka goditur familjet shqiptare. Ajo e quajti inflacioni socialist që ka goditur shtresat e mesme, me rritjen e çmimit të naftës, rritjen e çmimeve të produkteve të shportës.  

“Nuk janë familjet, qytetarët, kriza që sot është ulur këmbëkryq në tryezat e qytetarëve. EUROSTA na ka renditur në vendin me të ulët për fuqinë vlerës, të fundit për ët ardhura për frymë, të partë për nivelet e PPP. I kam kërkuar qeverisë të ketë parasysh dy çështje, rritjen e çmimeve dhe menaxhimin e një borxhi të fshehur që sot po bëhet evident dhe po formalizohet me pagesat për ndërtimin që janë rritur këtë vit. Shqiptarët kanë paguar deri në nëntor 1.2 mld lekë më shumë për produkte që vijnë nga jashtë dhe si përqindje kanë rënë 6.4% më pak. Shporta e ushqimeve po rritet deri në 29% disa produkte. Ky është realiteti shqiptar jashtë shifrave të këtij buxheti, realiteti që përballet me rritjen e çmimeve.

Qeveria nuk ka shpenzuar 40 të të ardhurave, e paaftë të menaxhojë një bushet dhe punon vetëm një muaj në fund të vitit, mbledh të ardhura vetëm 1 muaj në fundvit. Inflacioni socialist të prekë të gjithë shtresat e qytetarëve që ndihen të pambrojtur, shtresat e mesme. Kjo shtresë sot nëpërkëmbet më shumë e që po largohen masivisht nga Shqipëria, rritja e kësteve të kredisë nuk merret parasysh nga asnjë nga politikat. Këstet e kredisë janë rritur dhe familjet shqiptare po përjetojnë një realitet të ri,. Në asnjë vend tjetër sa këtu në Shqipëri”, tha Tabaku.

Përgjigja i erdhi nga ministrja e cila tha se opozita e vulës ka ardhur në Kuvend dhe shpik terma të rinj si ‘inflacioni socialist’, ndërsa tha se rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e luftës së Putin.

“Opozita e vulës dhe të shpikë terminologji që as janë parë dhe as janë dëgjuar as në Shqipëri askund. Të shpikë inflacioni socialist kjo nuk është parë dhe nuk është dëgjuar. u desh q të ngrihet zëri i opozitës dhe të flasë për inflacionin, që nëpër botë e quajnë të putin, të përmendet si inflacioni socialist. Në cilën botë jetoni ju, cilin realitet i servirin shqiptarëve. Inflacioni është i Putin, nuk është i socialistëve. Inflacioni si Shqipërisë është inflacion që është ndikuar nga politikat e kësaj qeverie. Kemi bërë dy rishikime buxheti dhe kanë qenë në qëllim mbështetjen e shtresave në nevojë. Shifrat tregojnë që kemi rritje të konsumit gjatë 6 mujorit të parë, do vazhdojmë të kemi rritje edhe gjatë fundit të vitit. Jeni mësuar të bëni shpifje dhe me rritjen dhe me nismat e qeverisë. Ju jeni zi dhe shihni vetën terr dhe zi”, tha Ibrahimaj.

Ora 10:49
Ibrahimaj: Kemi inflacionin më të ulët në rajon, 5 mld lekë shtesë për buxhetin e vitit 2022

1671700616_Screenshot1.jpg

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka prezantuar sot në Kuvend aktin normativ për shtimin e të ardhurave buxhetore për vitin 2022 me 5 mld lekë. Ibrahimaj tah se fokusi do të jetë blegtorët, rindërtimi dhe sporti.

Ibrahimaj u ndal edhe tek inflacioni duke thënë se në vendin tonë është në nivelin më të ulët krahasuar me rajonin.

“Inflacioni është rreth gjysma e inflacionit të vendeve të rajonit. Falë politikave që kemi ndjekur të mos ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike. Duke sjellë një inflacion më të ulëtin të vendeve të rajonit, ndjeshëm ët të ulët se mesatarja e BE. Konsolidimi fiskal vijon të jetë objektivi themelor. Politika fiskale do të vijojë të synojë një trajektore rënëse të borxhit publik. Ndryshimet kryesore të buxhetit janë në rritje neto të të ardhurave me 5 mld lekë. Lidhen me performancë pozitiv e të ekonomisë shqiptare gjatë këtij vitit, efekt në rritjen e të ardhurave kanë pasur çmimet, aktiviteti ekonomik i shtuar ka ndikuar në rritjen e punësimit. Nga ana e shpenzimeve, ndryshimi konsiston në rritjen me 30.2 mld lekë të shpenzimeve të përgjithshme”, tha Ibrahimaj.

Ora 10:48
Braçe kërkon më shumë mbështetje për fermerët: Kur flitet për mirëqenien në bujqësi është për të vënë duart në kokë

 

Deputeti i PS, Erion Braçe ka konsideruar të panevojshëm shumën e buxhetit të caktuar për bujqit dhe fermerët. Ai tha se ndihma e dhënë ndaj tyre nuk ishte e mjaftueshme në krahasim me atë që ata bëjnë për të prodhuar ushqim për gjithë vendin.

"Kjo është padrejtësi. 508 mijë hektarë është sipërfaqja si e kultivuar gjatë vitit 2021. 3.7 miliardë lekë japim ne në total, më pak sesa gjysma e një thesi me pleh. Çfarë na kanë bërtë këta njerëz? Na kanë bërë deputetë, na kanë dhënë një jetë shumë herë më të mirë se ajo e tyrja. Ata atje janë njerëz pa jetë, jeta e tyre është puna. Një vajzë vetëm 15 vjeç që çohet në 3 të mëngjesit hyn në një stallë, mjel lopën, mbledh qumështin dhe e dorëzon. E ushqen më pas lopën, bën punë të tjera në funksion të lopës etj me rradhë. Vetëm pas kësaj bie të flejë, bëhet 35 vjeç, bëhet 60 vjeç dhe nuk ka pasur jetë. Ata punojnë ne ushqehemi. Ne nuk e duam jetën e tyre, as për vete as për fëmijët tanë. Po të na pyesësh nuk e duam këtë, por vetëm ushqimin që ata prodhojnë. Pse e nënvlersojmë? Pse e kthejmë në ferr punën e këtyre djemve dhe vajzave që punojnë në bujqësi. Ndaj ikin se nuk kanë njerëz këtu që t’i lehtësojnë, t’i duan. Dëgjova dje të prezantohej projektligji për vreshtarinë dhe është gjë e mirë, por kur flitet këtu për mirëqenien në bujqësi është për të vënë duart në kokë. Bujqësia janë këta njerëz që prodhojnë ushqim për këtë vend dhe që meritojnë të trajtohen më mirë për atë që bëjnë"-tha deputeti socialist.

Braçe tha se kishte kërkuar për fermerët vetëm 1/150 e shumës prej 152 miliardë lekësh që do të përdoret nga buxheti i shtetit këtë muaj, por as ajo nuk është caktuar, Më tej ai shtoi se po keqmenaxhoheshin paratë e përcaktuara për t'u shpenzuar. 

“Këtë muaj duhet të harxhojmë 152 miliardë lekë. Kur diskutuam buxhetin e vitit që shkoi në analizën e bërë, kërkova 1 miliardë lekë plus për mbështetjen e bujqve, një miliardë këtë vit dhe një miliardë për vitin e ardhshëm. Pra kërkova 1/30 për bujqit dhe blegtorët. Nga ato që do shpenzohen këtë muaj, kërkova 1/1500-tën. 30 mijë e kanë marrë deri tani naftën falas ndërsa 50 mijë të tjerë ende jo. Deri në nëntor janë shpenzuar 665.6 miliardë lekë ndërkohë që deri në nëntor kemi shpenzuar 512 miliardë lekë. Shifrat duket sikur janë çmendur. Kemi ardhur deri në nëntor me suficit 9.5 miliardë lekë.”- shtoi Braçe.

SI.E./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • UKU MOMLIT: 23/12/2022 06:43

    Deputetë,kuvendarë ju të gjithë dhe pa përjashtim jini lapërdharë. Këtë populli ka kohë që e ka marrë vesh,se jini deputetë të kryetarit te partisë që zgjidhèni me vota te manipuluara me kushtetuten e salihut+edvinit te vitit 2008. Mbrapa diellit vafshi sa me pare.

    Përgjigju
  • TMERRI: 22/12/2022 14:08

    O çfar katastrofe kryehajdutja e partis wc pd bën rolin e drejtësis balona tabake Jorida e bija e hajdutit që nga brek grisur i Enver Hoxhës na u bë miljoner me euro. Në kohën e largqoftit lyl dylit që flinte gjum në bashki e balona tabake ishte zëvëndëse e tij e kjo bashk me të jatin nuk lan gjë pa vjedhur. E tani kjo flliqësir del e luan rolin e pastërtis. Hapu dhe e meri kto lloi monstrash që po qelbin Shqiprin e mbaruar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Eduard Zaloshnja: Gjykata kushtetuese vs. realiteti elektoral

Eduard Zaloshnja: Gjykata kushtetuese vs. realiteti elektoral