Sot lamtumira për aktorin e
mirënjohur, Roland Trebicka

TIRANE - I është dhënë sot lamtumira "Artistit të Merituar" Roland Trebicka, i cili u nda nga jeta pasditen e djeshme në moshën 66-vjeçar. Aktori i mirënjohur nuk mundi t’i bënte më ballë sëmundjes së rëndë të kancerit, me të cilën luftonte guximshëm prej dy vitësh. "Mjeshtri i Madh" do të sjellë gjithmonë buzëqeshjen tek publiku shqiptar me rolin e tij të mirënjohur të Jovan Bregut, në komedinë shqiptare të teatrit “Pallati 176”.

Aktori u nda nga jeta pasditen e djeshme në apartamentin e tij në Tiranë pranë të afërmve të tij. Sëmundja e kancerit në mushkëri filloi të jepte shenjat e para të saj në vitin 2011, kohë kur aktori merrej me dramën “Një tablo absurde”. Trebicka u kurua fillimisht në një klinikë në Francë, por dëshira për të punuar dhe për t’u përballur me publikun shqiptar, e rikthyen atë sërish në skenën e teatrit.

Aktori, ishte larguar vetë nga spitali në Francë ku po merrte kurim, nga ku deklaroi për mediat se e kishte më të lehtë ta përballonte sëmundjen në Shqipëri. Duke mos u larguar nga skena e teatrit, Trebicka luajti për herë të fundit në veprën “Ëndrra e Ismail Qemalit” të vënë në skenë në vitin e fundit, nga Spiro Duni.

Gjatë periudhës së kurimit në Francë, për të u kujdes vajza e tij e cila ndodhej me banim në Paris, ndërsa dy muaj pas shtrimit të Trebickës në spital, qeveria shqiptare miratoi një fond për të financuar kurimin e aktorit.

Miq të afërm, aktorë dhe zyrtarë të lartë të shtetit e politikës i bënë homazhe në Teatrin Kombëtar nga ora 11:00-13:00.

roland trebicka


TOPALLI: TEATRI KA NJE MJESHTER ME PAK

Kryetarja Jozefina Topalli shprehu ngushëllimet e sinqerta bashkëshortes, fëmijëve dhe familjarëve të aktorit të shquar Trebicka për humbjen e njeriut të tyre të dashur. “Të gjithë ne, arti shqiptar, ekrani, humbëm një kolos të komedisë shqiptare. “Me ikjen e Rolandit ne ndahemi nga njeriu që, me inteligjencë të pakrahasueshme dhe shpirt fisnik, na dhuroi hare, gëzim e lumturi me talentin e vlerat e Tij artistike të paçmueshme. Teatri Kombëtar ka sot një Mjeshtër të Madh të papërsëritshëm më pak” shprehet Kryetarja e Kuvendit në mesazhin e saj të ngushëllimit.

AMBASADA SHBA: DO KUJTOHET SI AKTOR I MADH
Edhe Ambasada Amerikane i shprehu ngushëllimet familjes Trebicka për humbjen e të dashurit të tyre. "Zoti Trebicka do të kujtohet gjithnjë si një nga aktorët më të mëdhenj të Teatrit Shqiptar. U prehtë në paqe!"

BERISHA: ROLANDI FITOI PAVDEKESINË

Duke shprehur ngushëllimet kryeministri Berisha tha “Rolandi do mbetet një nga artistët më të dashur , më të çmuar dhe më të fuqishëm në mjeshtërinë e tij .Më bukur se ai askush nuk u shkri me personazhin e tij. Ai jeton dhe do të jetojë në këto personazhe artistike. Ka fituar pavdekësinë që meriton”

berisha te roland trebicka
(Berisha gjate homazheve te aktorit Roland Trebicka)

BUMCI: DO KUJTOHET SE DHUROI BUZEQESHJE

"Roland Trebicka gjithë jetën e tij u dhuroi buzëqeshje qytetarëve të këtij vendi, ky është një bekim dhe trashëgimi e jashtëzakonshëm", tha sot Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi.
“Do mungojë sharmi i tij teatrit, një njeri me talent, dhe vullnet të madh. Rolandi pati rolin e tij të fundit dhe u ngrit në këmbë falë vullnetit të çeliktë dhe na bëri të besojmë se e kishte mundur vdekjen. A ka fat më të madh sesa mjafton t'i përmendësh emrin dhe e kujton me buzëqeshje. Një njeri që i ka falur qytetarëve, popullit të tij të qeshura e buzëqeshje. Ky është një bekim i rrallë, siç ka thënë Nënë Tereza "Shenjtëria qëndron edhe në një buzëqeshje ", përfundoi Bumçi.

NISHANI MESAZH NGUSHELLIMI: FJALET JANE TE VESHTIRA, LA PAS VLERA

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi drejtuar familjarëve, shprehu sot hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të artistit dhe aktorit të shquar.
“Sikur aktori Roland Trebicka të ishte njeri i zakonshëm fjalët e ngushëllimit për ndarjen e tij nga jeta do të ishin më të lehta për t'u zgjedhur e për t'u shprehur. Është rrugëtimi i mundimshëm drejt artit, është jeta dhe vetë personaliteti i artistit të shquar që na bën të mendohemi shumë e të zgjedhim fjalën më të ngrohtë e të denjë për të shprehur dhimbjen dhe respektin e merituar që ia kemi borxh, sepse ajo çka la pas me artin e tij është një shërbim i madh që i bën vendit. Jam i sigurt se familja e tij; bashkëshortja, fëmijët, të afërmit e ndjejnë shumë dhimbjen, por po aq jam i bindur se kjo dhimbje përkthehet në respekt dhe mirënjohje të madhe nga çdo shqiptar që ka pasur dhe do të ketë fatin të ndjekë Rolandin në rolet e tij të mrekullueshme. Jeta e tij e shkurtër është pragu i fillimit të një pavdekësie, të cilin ai e ka merituar dhe ne jemi krenarë për kontributin e tij ndaj artit dhe kulturës shqiptare” thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Presidentit Nishani.


Luftar Paja: Para 20 ditësh Trebicka më tha se ia hodha vdekjes

“Siç e shihni sot, jo vetëm skena shqiptare po qan, por po qan dhe moti. Trebicka është një nga yjet që u shkëput para kohe nga skena shqiptare. Sëmundja e pamëshirshme e mori dhe nuk e la që të soste misionet e tij. Me Rolandin në 10-vjeteshin e fundit në Tetarin Kombëtar kam patur pjesë në dhjetë vepra artistike, siç janë “8 persona plus”, “Inspektori” i Gogolit, “Ëndërr për një karrige”, etj. Para 20 ditësh e takova dhe pimë nga një kafe tek “Aleanca” ngjitur me Teatrin Kombëtar dhe kur e pashë aq mirë, sepse ai edhe kujdesej shumë për estetikën jashtme dhe m’u duk aq i qetë, u gëzova së brendshmi. I thashë: More Landi ia dole mbanë. E hodhe, më duket. Dukesh shumë mirë me shëndet. Ai më thotë: Edhe unë kështu them. Më duket se ia hodha vërtetë”. Por Rolandi nuk ia hodhi dot vdekjes. Të dy ishim gabuar”


KUJTIMET E AKTOREVE PER ROLAND TREBICKEN

Kolegë të tij, të shndërruar në miq jo vetëm të skenës, shprehën dje gjatë prononcimeve në TVA1 REPORT ngushëllimet për të afërmit duke nënvizuar se është një humbje e madhe e teatrit shqiptar, dhe përmendën cilësitë e Trebickës jo vetëm si aktor por edhe si njeri me guxim të jashtëzakonshëm.

BUJAR ASQERIU: TREBICKA U KA SHTUAR JETEN NJEREZVE
“Po të kujtosh të gjitha rolet e tij, kupton se ka shkaktuar lumenj gazi, me të gjitha rolet, pa përjashtim. Me një fjalë, ai u ka shtuar jetën shqiptarëve. Shumë veta e kulmojnë rolin artistik me atë të Jovan Bregut, por unë do të thosha se ai ishte një aktor shumëdimensional. Ishte një nga më sugjestionuesit, jo vetëm për publikun, por edhe për kolegët me të cilët luante në skenë. Ishte i beftë në skenë dhe nganjëherë nuk mund të mbaje dot të qeshurën gjatë rolit me të, ishte një talent i papërsëritshëm. Tek roli i fundit, “Ëndrra e Ismail Qemalit” kisha një skenë skenë bashkë me të. Sëmundja e tij ishte agravuar në mënyrë të tejskajshme dhe ai ishte i bindur se skena do t’ia shtonte jetën. Bënte humor para se të hynim në skenë. Ismail Qemali kishte një monolog që thoshte se “unë po përpiqem për Shqipërinë, por ka dhe njerëz të tillë që më sulmojnë mua dhe nuk ia duan të mirën Shqipërisë. Dhe ai me humor më thoshte mua: “E ka fjalën për ne të dy”, se në fakt ne ishim personazhe negativë”.

ILIR BEZHANI: AKTOR I MREKULLUESHEM

Ilir Bezhani, i njohur për të gjithë publikun shqiptar si Sandër Mafishja, në prononcim për televizionin A1 REPORT,  vlerësoi kontributin e Trebickës në artin shqiptar. “Ka qenë një aktor i mrekullueshëm, njeri që kishte një aftësi të jashtëzakonshme për tu lidhur me publikun”, u shpreh aktori Bezhani.

ALFRED BUALOTI: TREBICKA U RIKTHYE PER PUBLIKUN SHQIPTAR
Aktori Alfred Bualoti në një prononcim për televizionin A1 REPORT! shprehu dje ngushëllimet për të afërmit e Mjeshtrit të Madh të ndarë nga jeta, ndërsa njëherësh vlerësoi dëshirën e Trebickës për të punuar e për të qenë pranë publikun shqiptar.

“Ishim të përgatitur, e dinin se çfarë kishte Rolandi, e kemi ndjekur në gjithë zhvillimin e sëmundjes së tij. Në shfaqjen e fundit ishim bashkë në skenë. Dhe pavarësisht se nuk reagonim në një formë tjetër apo jo, e dinin rrezikun e sëmundjes.  Ishte gjithmonë në ritmin e tij, në dëshirën për të punuar, për të krijuar. Edhe pse ishte i sëmurë u rikthye për t’u përballur me spektatorin qe e donte aq shumë”, tha Bualoti.

Zoti Bualoti, si nisi bashkëpunimi juaj me Roland Trebickën?
-Kemi pasur disa bashkëpunime me Landin dhe ndoshta ai më kulmori ka qenë “Pallati 176”, ku unë kam qenë bashkë me Anton Cesarin në rolin e regjisorit, shumë vite përpara, 1985. Ka qenë një bashkëpunim I mrekullueshëm, rezultati shihet edhe në ditët e sotme. Unë ndihem krenar për Jovan Bregun dhe që pata fatin ta realizoja me Trebickën. Kësaj komedie i dha shumë vlerë roli i tij. Me Rolandin ne vazhduam edhe bashkëpunime të tjera dhe unë për çudi e pata atë një koleg te “Ëndrra e Ismail Qemalit”, ku ai aty e mbylli jetën e tij dhe karierrën e tij.

Pse e zgjodhe Trebickën për komedinë “Pallati 176”?
-Të them të drejtën Rolandi nuk kishte bërë role të mëdha deri atëherë, kishte bërë role të vogla, dhe unë vura re se rolet e tij ishin shumë të spikatura, binin në sy sikur edhe një mutaror të thjeshtë të luante. Gjithmonë Rolandi binte në sy në mes të tjerëve. Atëherë ne vendosëm që të kishte rolin kryesor Jovan Bregu. Rolandi jo vetëm që punoj me shumë devotshmëri, me shumë profesionalizëm, por edhe e zbërtheu filozofikisht rolin, se është shumë kompleks ai rol. Vetë Rolandi u dha shumë pas hulumtimit të personazhit, tek fiziku, deri edhe tek veshja. Mbeti një etalon ky rol. Ishte për të si uji më i kthjellët që ka dhënë. Suksesin e patëm që në një provë të përgjithshme në tavolinë dhe atje u thanë fjalë të jashtëzakonshme që kjo shfaqje mund të bëj namim dhe ne provuam sesi vërtetë fati i saj qe fama.

Cili është kujtim juaj i fundit me Rolandin?
-E kam të freskët ende këtë kujtim, sepse luajta në shfaqjen e fundit me të. Rolandit i buronte humori dhe buzëqeshja nga zemra. Ai edhe kur shkoi në fund fare me shëndetin, nuk e jepte veten. Ai edhe vërejtjet i jepte me humor. Nuk mund ta kuptonim shoqërinë me të pa dashurinë, pa gazin e pa batutat e tij. Kujtoj në Vlorë së fundi në dhjetor, që unë i kapa një peshk atij dhe e ftova se Rolandi e hante peshkun në mënyrë të jashtëzakonshme. E kishte një nga gjërat më të preferuar në ushqim, nuk linte asnjë fije në pjatë. Dhe unë e zura peshkun atje për të. U ndje aq mirë prej kësaj sa piu për herë të parë edhe një gotë raki që e kishte të ndaluar rreptësishtë. Tha do ta pi dhe pastaj u shkri nga kënaqësia dhe nuk reshti nga humori, sa mbaroi kjo drekë.


SPIRO DUNI: I TRONDITUR, TREBICKA LOKOMOTIVE E KOMEDISE SHQIPTARE NE TEATER

Në një bisedë telefonike në studion e televizionit A1 REPORT!, regjisori Spiro Duni, i tronditur nga ky lajm foli për shpirtin luftarak të aktorit të mirënjohur shqiptar, duke e cilësuar si një lokomotivë në komedinë shqiptare në teatër.

“Jam shumë i tronditur, nuk e prisja që ai njeri të ikte nga kurajo e madhe që kishte si njeri”, u shpreh Duni.

RAMA: TREBICKA, NJERI I PASHOQ
Ndërsa një ngushëllim për ndarjen nga jeta të aktorit Roland Trebicka ka ardhur edhe nga lideri i opozitës Edi Rama, i cili ndër të tjera, e kujton me fjalët: “Njeri i pashoq”

Nëpërmjet rrjetit social Twitter, Rama shkruan: Çfare lajmi i keq, vdekja e Roland Trebickës! Komik i pashoq, njeri i mrekullueshëm! I lehtë dheu, ngushëllime familjes e miqve të të ndjerit!

BUMCI: DITE ZIE PER KULTUREN SHQIPTARE
Ditë zie për kulturën shqiptare. Kështu e nis ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, ngushëllim për ndarjen nga jeta të aktorit Trebicka. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, ministri shkruante dje:
“Shenjtëria qëndron dhe në një buzëqeshje ka thënë Nënë Tereza. Roland Trebicka ka dhuruar një jetë të tërë buzëqeshje për të gjithë. Kur ndërron jetë një aktor, nuk vdes vetëm ai si njeri duket sikur shuhen dhe personazhet e tij, por në fakt ndodh e kundërta. Pikërisht këto personazhe e sjellin midis nesh, e ringjallin me magjinë e artit. Këtë mund të themi përballë aktorit të përmasave të Roland Trebickës i cili u ka dhuruar hare dhe buzëqeshje të gjithë shqiptarëve, për më shumë se 40 vjet”.

homazhet

JETA DHE KARRIERA E ROLAND TREBICKES

Roland Trebicka lindi në Korçë në vitin 1947. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar.

Prirja e tij e jashtëzakonshme për humor spontan, i siguroi një pozitë të “privilegjuar” në kohën e shërbimit ushtarak: shërbeu si aktor në Estradën profesioniste te SHQUP (Shtepia Qendrore e Ushtrise Popullore) ose shkurt " Estrada e Ushtarit". Vitet në këtë trupë profesioniste ku debutuan edhe aktore te tjere te cilet me vone do te beheshin te famshem ne fushen e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koco Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari ( Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera etj, ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm, që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Ai u be anëtar i kompanisë së Teatrit Kombëtar më 1971 dhe punoi aty deri më 1999. Pas një përvoje tri vjeçare me kompaninë “Publimedia”, u kthye në Teatrin Kombëtar, ku punon edhe sot.

Kritika dhe kolegët e kanë vlerësuar vazhdimisht me nota maksimale për sensin e jashtëzakonshëm të humorit, brenda dhe jashtë skene, në rol dhe jashtë rolit. Është mjeshtër i farsës dhe i groteskut, që e bazon lojën e tij në një fantazi të shfrenuar dhe improvizime të paparashikueshme, jo vetëm për shikuesit, por edhe për partnerët. Nga ana tjetër është kampion i përkushtimit dhe disiplinës në punë. Këto cilësi të tij e kanë bërë një nga aktorët më të kërkuar nga regjisorët.

Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë Pallati 176. Mjeshtria e tij në këtë rol ndikoi fort që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë. Edhe sot, me 500 shfaqje në shtatë vjet, me dhjetra transmetime TV dhe dhjetra mijë kopje videokasetash të shitura, "Jovan Bregu" është figura më popullore e skenës shqiptare, batutat e të cilit prej kohësh janë bërë pjesë e folklorit dhe zhargonit të sotëm.

Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”).... tek “Një burrë me trandafil”. Në vitin 2002, për rolin e Rojës tek “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kantidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden Ëndërr për një karrige (Vaska) dhe Koncert në vitin 1936 (Nasi).
Është nderuar me titullin Artist i merituar.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet me Greqinë, Hasani: E rëndësishme të mos jetë përpjekje mikrofoni por punë tavoline, duhet kujdes

Marrëdhëniet me Greqinë, Hasani: E rëndësishme të mos jetë përpjekje mikrofoni por punë tavoline, duhet kujdes