98 deputetë i hapin rrugën shkarkimit të Metës, miratohet Komisioni Hetimor! Balla: Koha t'ia heqim këtë turp vendit! Murrizi: Një hajdut më pak, i dha shtetësi kriminelëve e dekorata xhelatëve

I hapet rruga për herë të dytë shkarkimit të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Raporti i 'Ligjeve' për ngritjen e Komisionit Hetimor që do të shqyrtojë kërkesën e 49 deputetëve të mazhorancës është miratuar me votën pro të 98 deputetëve. Kuvendi miratoi me 97 vota pro gjithashtu edhe përbërjen e Komisionit Hetimor, me kryetar Alket Hysenin, nënkryetar Myslim Murrizin, sekretare Klotilda Bushka dhe 6 anëtarë të tjerë. 

Seanca e sotme u shoqërua me fjalime shumë të forta për çështjen e shkarkimit të Presidentit Meta. Për kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kjo nismë është një detyrim moral dhe kushtetues për mazhorancën. Balla tha se me këtë nismë synohet t'i hiqet turp i madh Shqipërisë me këtë President. Duke nënvizuar se kurrë institucioni i Presidentit nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale së Meta, Balla kishte edhe një thirrje që shkon edhe për Lulzim Bashën. "Tashmë PD ka në këtë sallë deputetët që garuan në listat e saj më 25 prill. Do ishte në nderin e tyre të na bashkoheshin në këtë nismë", tha Balla. 

Ndërkohë që deputeti Myslim Murrizi sheh shumë arsye që Ilir Meta të hetohet realisht por jo këto që thotë mazhoranca. Sipas tij shtetësitë dhe dekoratat pa fund janë arsye serioze pasi i është dhënë shtetësi edhe kriminelëve por edhe janë dekoruar xhelatë të komunizmit. 'Një hajdut më pak, shpresoj ta keni seriozisht', tha Murrizi. 

Ditën e djeshme Komisioni i Ligjeve miratoi me 14 vota pro dhe 1 kundër, vetëm të deputetit Adriatik Alimadhit, raportin që u miratua sot në seancë plenare, ku argumentohet se kërkesa për shkarkimin e Metës është legjitime e bazuar në prova dhe i rekomandon seancës plenare ngritjen e Komisionit Hetimor. Komisioni i Ligjeve mbështeti dhe gjeti të bazuar kërkesën e 49 deputetëve, të cilët kërkojnë shkarkimin e Metës, pasi sipas tyre ka shkelur rëndë Kushtetutën me angazhimin e hapur në fushatë në krah të opozitës dhe kundër mazhorancës. Në raportin për ngritjen e komisionit hetimor, thuhet se Ilir Meta, me deklaratat dhe mesazhet e tij ka cenuar rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu në raportin për Parlamentin thuhet se Ilir Meta, para dhe gjatë zgjedhjeve, ka nxitur dhunë, urrejtje, ndasi si dhe vetëgjyqësi. Sipas raportit, Meta ka shkelur edhe formulën e betimi si President. Kur mori detyrën, Meta u betua me dorën mbi Kushtetutë se do t’u qëndrojë besnik parmeve kushtetuese, por sipas raportit, sjelljet dhe në mesazhet e tij publike janë në kundërshtim me parimin e unitetit të popullit dhe të papajtueshme me Kushtetutën.

Afati i punës së Komisionit Hetimor pritet që të jetë një muaj, përgjatë të cilit do të shqyrtohen të gjitha argumentet e ngritura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit. Vendimi i shkarkimit të Presidentit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Parlamentit.

Përbërja e Komisionit Hetimor: 

Kryetar: Alket Hyseni; Nënkryetar Myslym Murrizi; Sekretar: Klotilda Bushka; Anëtarët Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka, Arlind Çarçani; Zëvendësues: Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia dhe Eugen Bojaxhi. 

Kush votoi kundër dhe kush abstenoi për Komisionit hetimor:

Kundër: Elda Hoti, Artur Roshi, Lefter Maliqi, Kujtim Gjuzi, Fatjona Dhimitri, Adriatik Alimadhi; Abstenim: Ralf Gjoni

Si nisën procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta? Për herë të dytë brenda dy viteve, Partia Socialiste nis procedurat për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit, pasi Meta i shpalli luftë SHBA dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Kujtojmë se Ilir Meta kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen por nuk e bëri një gjë të tillë pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se do të kthehet në LSI në 2022, kur dhe i përfundon mandati i Presidentit. Nisur nga kjo, mazhoranca e njoftoi menjëherë nismën e saj për ta shkarkuar. Ishte vetë numri dy i PS-së, Taulant Balla i cili i pari konfirmoi një fakt të tillë, duke thënë se “do i bëjnë gati letrat e pensionit”. Ndërkohë që më i ashpër ishte Kryeministri Rama i cili tha se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi  i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendi. Kuvendi diskuton sot disa akte të rëndësishme normative për çështjen e vaksinave, dekrete të Presidentit Meta etj.

Votime të tjera, rrëzohen 12 dekretet e Metës

Të gjitha të votuara me mbi 90 vota, Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar në seancën e sotme 12 dekrete të Presidentit të Republikës. Dekretet kishin të bënin me me ligjet e kthyera nga kreu i Shtetit duke nisur nga ligji për punonjësit e policisë së shtetit, ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, ai për organizimin e pushtetit gjyqësor, atë për kodin penal. Gjithashtu, Parlamenti ka rrëzuar dekretin për gjykatat administrative, për funksionimin e Prokurorisë, atë të Kodit të Procedurës Penale dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi miratoi ditën e sot edhe disa akte normative që lidhen me sigurimin e vaksinave anti-COVID. Aktet bnormative janë votuar me mbi 96 vota pro, ku Kuvendi i jep të drejtë ministrisë së Shëndetësisë të diskutojë dhe miratojë marrjen e vaksinave Pfizer, Sputnik V dhe apo Sinovac për të vaksinuar qytetarët shqiptarë. 

( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë i aktivitetit të seancës plenare

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:32
Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës, kush votoi kundër dhe kush abstenoi

Kuvendi miratoi sot me 98 vota pro ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Metës.

Ndërkohë mësohet se janë gjashtë deputetë të opozitës parlamentare ata që kanë votuar kundër ngritjes së këtij Komisioni. Më konkretisht, votuan kundër: Elda Hoti, Artur Roshi, Lefter Maliqi, Kujtim Gjuzi, Fatjona Dhimitri dhe Adriatik Alimadhi. Abstenim ishte vetëm një votë nga Ralf Gjoni.

Ora 12:54
Myslim Murrizi: Ka arsye për tu hetuar realisht Ilir Meta, i dha shtetësi kriminelëve dhe dekorata xhelatëve

Deputeti Myslim Murrizi sheh shumë arsye që Ilir Meta të hetohet realisht por jo këto që thotë mazhoranca. Sipas tij shtetësitë dhe dekoratat pa fund janë arsye serioze pasi i është dhënë shtetësi edhe kriminelëve por edhe janë dekoruar xhelatë të komunizmit.

"Kjo është lojë politiko mediatike për të hallakatur mendjet e shqiptarëve. Shumë vepra penale paska kryer Meta. Përveç Presidentit të Parë Sali Berisha gjithmonë ka pasur përplasja mazhorancë-President. Dashuria është e hershme. Kur kryetari juaj sot u bë ministër kulture, Meta ishte zv. kryeministër dhe më pas më një trekëmbësh Majkos e nxori këtë të ura dhe u bë Kryeministër.  

A duhet hetuar realisht Ilir Meta? Cfarë kam vënë re që ju keni heshtur? 700 shtetësi dhe dekorata pa fund. Ka dekoruar xhelatë të ish-sigurimit të shtetit dhe asnjë fjalë s'keni thënë. Se për ccfarë duhej dhënë shtetësia për kriminelë vetëm ai mund ta dijë,.

Do të jem në këtë komision për të parë se deri ku shkon serioziteti i asaj që artikuluat këtu Balla, por edhe për të parë se çfarë ka bërë realisht ky president gjatë 30 ditëve. Shpresoj të jetë një ogur i mirë. Dhe nëse Kuvendi dhe gjykata do të vendosë, mua si Myslim them se do të na bëjë mirë një hajdut më pak. Burgu i Reçit do të jetë mikpritës për 30 vetë që bëjnë sikur i duan shqiptarët. Ishalla e keni seriozisht dhe nëse kjo kokërr tespie shkëputet, do këtë nga grupi jot si tespie për të shkuar drejt Reçit", tha ai.

Ora 11:56
Ralf Gjoni: Është e qartë që Ilir Meta ka dalë nga binarët e Presidentit por çështja e shkarkimit është përplasje mes 'shokësh socialistë'

 

Pas një momenti tensioni me nënkryetaren e Kuvendit, deputeti Ralf Gjoni mori fjalën në seancë plenare dhe e cilësoi thjesht si një konflikt mes dy shokësh socialistë ccështjen e shkarkimit të Metës nga mazhoranca.

"Nuk mund të rri pa i thënë 2 fjalë meqë e njoh shumë mirë marrëdhënien mes Ramës dhe Metës. Kjo nuk është një çështje shtetërore të nderuar kolegë por çështje mjekësore. Kjo është çështje andropauze. Ju lutem ngrini një grup mjekësor për të ekzaminuar shëndetin mendor të këtyre të dyve. Është e qartë që Ilir Meta ka dalë nga binarët e Presidentit. Por le të mbyllet Parlamenti në shtator, dhe ai i shtatorit të ngrejë komisione hetimore dhe ai të shkarkojë Presidentin dhe të zgjedhë të riun", tha Gjoni.

Teksa në fund bëri edhe një propozim që të shikohet edhe mundësia e bërjes monarki të Shqipërisë, Gjoni tha se 'ne nuk i kemi më asnjë sekondë borxh këtyre individëve që po i çajnë...(s'po e them) shqiptarëve;.

Ora 11:17
Shkarkimi i Metës, Taulant Balla: Koha t'ia heqim këtë turp Shqipërisë sonë! Edhe Basha e PD duhet të jenë me këtë nismë

 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla,  e cilësoi si detyrim moral dhe kushtetues për mazhorancën nismën për shkarkimin e Presidentit Meta.

Në fjalën e tij në Kuvend, Balla tha se me këtë nismë synohet t'i hiqet turp i madh Shqipërisë me këtë Presidenti.

"Po si i drejtohet Presidenti popullit ndërkohë që përfaqëson unitetin e kombit: t'i mprehin sopatat, sfurqet, t'i kenë gati për të dielën...! 'Të kemi frikë nga Amerika se ka raketa, ka edhe Rusia, ka edhe ky koreano-veriori. Kurrë institucioni i Presidentit nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale së ky. Kemi pasur president që i ka shpallur luftë popullit apo president që ka shkaktuar debat për mustaqet por kurrë si ky.

Ne nuk po shkarkojmë Ilir Metën se duam të vendosim një përfaqësuesin tonë. Procedura për shkarkimin e Ilir Metës është një detyrim sa moral, që edhe Kushtetutës. T'ia heqim menjëherë turpin në derë Shqipërisë për t'ia lënë turpin Ilir Metës.

Përplasja e tij me SHBA-të, makthi i tij se do ta vrasin me raketa, janë të mjaftueshme që komandanti i Forcave tona të Armatosura me urgjencë. Mosmarrja e kësaj nisme nga ana jonë do të ishte minimalisht moskallëzim krimi. Ky është një shërbim që ne po i bëjmë dinjitetit institucional të Shqipërisë sonë. Këtë turp Shqipëria jonë kurrsesi nuk e meriton.

Thirrja jonë shkon edhe për Lulzim Bashën. Tashmë PD ka në këtë sallë deputetët që garuan në listat e saj më 25 prill. Do ishte në nderin e tyre të na bashkoheshin në këtë nismë.

Meta para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore ka shkelur rëndë Kushtetutën. Ai nuk ka përfaqësuar unitetin e kombit por përkundrazi ka bërë thirrje për përplasje, thirrje që ccuan deri në konflikte me armë", tha ndër të tjera Balla.

 

Ora 11:10
Vasilika Hysi: Opozita betohej se do zhbënte Reformën në Drejtësi, ne duam sistem gjyqësor profesional! Të rrëzojmë dekretet e presidentit

 

Nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi, në fjalën e saj në parlament, deklaroi se duhen rrëzuar dekretet e Metës për paketën e ligjeve të Reformës në Drejtësi.

Ndërkaq Hysi thekson se opozita betohej se do zhbënte reformën por këtu shtoi se qytetarët kanë nevojë për një sistem gjyqësor profesional.

“Kryetari i Kuvendit është shumë korrekt dhe ndjek procedurën. Opozita nuk ka votuar shumë ligje që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Opozita betohej se do zhbënte reformën në drejtësi, atë reformë që e kanë kërkuar që të gjithë. Presidenti ka kthyer në bllok ligjet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Çdo projekt-ligj është konsultuar me grupet që shfaqin interes.

Kthimi i rishqyrtimeve të ligjeve, është i paargumentuar ligjërisht. Ne donim që të zhdukim çdo ndikim të politiikës mbi drejtësinë. Shumica parlamentare ka meritë që mbështet reformën në drejtësi, kemi mbështetur të gjitha strukturat për të përmbushur këtë reformë dhe që monitorojnë reformën. Unë besoj se parlamenti i ri do të mbështesë reformën në drejtësi, kaq të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Duam që të kemi drejtësi profesionale dhe eficente.  Të rrëzojmë dekretet e presidentit, që janë të paligjshme”, deklaroi Hysi.

Ora 11:07
Dekretet për paketën e ligjeve të Reformës në Drejtësi, Gjonaj: Synojnë akumulimin e problematikave, argumentet e Metës subjektive dhe jo profesionale

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka kërkuar që të rrëzohen dekretet e presidentit Ilir Meta për paketën e ligjeve të Reformës në Drejtësi. Sipas saj argumentet e presidentit janë subjektive dhe jo profesionale.

“Për më shumë se 7 muaj filluam të punonin derisa ndryshimet e ligjeve të sistemit në drejtësi u miratuan. Kushdo që ishte kundër të heshtë. Ndryshimet e 23 marsit is jell qytetarëve shkurtm të zgjidhjes me vite për çështjen që kanë. Ne skemi pretenduar se gjithçka zgjidhet me një të rënë të lapsit sepse është një proces i tërë. Prej fillimit të kësaj legjislature e lidhëm me reformën në drjetësi seps ePs e kishte mission reofrmimin e sistemit.Kjo paketë ka respektuar çdo nen e parim të reformës në dretjësi.

 Presidenti dualist, nuk paraqet asnjë argument mbi përmbajtjen e këtyre ndryshimeve. Argumentet e presidentit subjective jo profesionale. Ju ftoj të jemi bashkë për më të mirën në vijimin e zbatimit të reformës dhe të rrëzojmë dekretet e presidentit për ti hapur rrugë vijimit të zbatimit të reformës në drejtësi”, tha ajo.

 

Ora 10:53
Halit Valteri për Metën: Të jetë urgjent subjekt i drejtësisë! Të ishte dënuar që kur lëpinte gishtat kur numëronte paratë në videon me Priftin

 

Deputeti Halit Valteri ka qenë shumë i ashpër me Presidentin Meta në fjalën e mbajtur sot në Kuvend. Valteri është shprehur se Meta duhet të bëhet urgjent subjekt i drejtësisë.

"Ai duhet menjëherë të jetë subjekt i drejtësisë shqiptare për krimet e shumta që ka kryer. E pakuptueshme se si karriera e këtij njeriu është ngritur deri te President i Republikës. Shkarkimi i tij është një akt i lartë por më i vogli që mund të bënim.  T'i japim vendit atë që i takon. Boll më me kalkulimi politike. Ai duhet të ishtë dënuar që kur lëpinte gishtat kur numëronte lekët në videon e Dritan Priftit. Ky është turp të thirret presidenti i Republikës, ku duhet të thirret Presidenti i rakisë ose Presidenti i qofteve", tha Valteri.

Ora 10:27
'Kemi dalë nga zona e rriskut' Manastirliu nxjerr shifrat: Mbi 746 mijë vaksina COVID kanë mbërritur në vend! Vaksinimi në të njëjtin ritëm si mesatarja e vendeve të BE

 

Minsitrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar se vaksinimi masiv anti COVID, po jep shumë efekt në vend. Manastriliu tha se vendi ynë ka dalë nga zona e kuqe, nga zona e rrizikut për COVID -19.

'Mbi 746 mijë vaksina kanë mbërritur deri më sot në vendin tonë më shumë se 572 mijë tashmë janë kryer. Nga të cila 136 mijë qytetarë janë vaksinuar më dy doza. Sasia e vaksinave e të kontraktuara është mbi 2 mln e 390 mijë vaksina të cilat po vijojnë të vijnë sipas kalendarit të lëvrimit. Kemi mbërritur në vaksinimin e grupsmoshës mbi 60 vjeç. Mbi 400 mijë të moshura janë vaksinuar. Janë vaksinuar mbi 5000 punonjë të fabrikave material përpunuese. Mbi 3500 punonjës të opretaorëve turistik dhe ka filluar vaksinimi me dozën e dytë të 12 mijë punonjësve të policisë.

Shqipëria sot radhitet ndër vendet me ritëm shumë të mirë të vaksinimit. Jemi në të njëjtin ritëm si mesatarja e vendeve të BE. Vaksinimi vijon me intensitet të lartë, në të gjithë vendin. Vendi ynë ka dalë nga zona e kuqe, nga zona e rriskut për covid-19. Kemi incidencë të ulët. Kemi rënie të pozitivitetit dhe dje kemi shënuar një rënie të shtrimeve në spital. Tashmë mund të shohim edhe efektet e para të vaksinimit. Jemi të vendosur që të intensifikojmë vaksinimin masiv.'- tha Manstirliu.

Ora 10:14
Hyseni kryetar dhe Murrizi nënkryetar, Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës, propozohen emrat për deputetët pjesëmarrës

Janë mësuar emrat që do t'i propozohen seancës plenare sot për anëtarë të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Kryetar

Alket Hyseni

Nenkryetar

Myslym Murrizi

Sekretar

Klotilda Bushka

Anetarë

Vasilika Hysi

Elena Xhina

Spartak Braho

Halil Jakimi

Nikolin Staka

Arlind carcani

Zevendesues

Ermonela Felaj

Xhemal Qefalia

Eugen Bojaxhi

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim