Kuvendi miraton me 99 vota paktin e 5 Qershorit, Rama: Për listat e hapura vendos Kuvendi, jo ndërkombëtarët, i kalojmë në 30 korrik (VIDEO)

TIRANE-Me 99 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenim, Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot marrëveshjen e 5 Qershorit, mes PS-PD-LSI-së dhe opozitës parlamentare. Marrëveshja donte vetëm 84 vota, por kaloi pritshmëritë duke marrë 99, pasi PS-ja firmosi marrëveshjen me opozitën parlamentare pak ditë më parë. Rudina Hajdari votoi pro marrëveshjes, pasi mori garancinë për hapjen e listave. Report Tv zbuloi 6 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nga opozita parlamentare që votuan kundër marrëveshjes së 5 Qershorit. Kundër marrëveshjes votuan kryetari i grupit Demokrat Myslym Murrizi, sikur kishte paralajmëruar më herë, Halit Valteri, Korab Lita, Halil Jakimi, Ylli Shehu dhe Adriatik Alimadhi. Fleta e votimit të Ralf Gjonit doli e pavlefshme, pasi i vendosi kryq. Kryeministri Edi Rama deklaroi se në datë 30 korrik do të votohen ndryshimet në kushtetutë për hapjen e listave dhe koalicionet. Ai tha se për këtë do të vendosin vetë shqiptarët, pra parlamenti se cfarë është e mirë për qytetarët shqiptarë dhe jo ndërkombëtarët, duke u dërguar një mesazh të qartë, se kjo është një cështje e brendshme.

Rendi i dites sot në Kuvend
Interpelancë urgjente me ministren për Arsimin, Rininë dhe Sportet kërkuar nga një grup deputetësh

Interpelancë me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme kërkuar nga deputeti Kostaq Papa.

Raporti i veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për 2019 miratohet me 87 vota pro

Raporti i veprimtarisë vjetore të Këshillit të Ministrave për gjendjen në shërbimin civil për vitin 2019 miratohet me 88 vota pro

Raporti i veprimtarisë vjetore të Institutit të Statistikave për vitin 2019 miratohet me 84 vota pro

Akti normativ nr. 27, datë 1.7.2020, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” miratohet me 85 vota pro 

Akti Normativ nr. 29, datë 15.7.2020 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar” miratohet me 90 vota pro

Projektligji “Kodi ajror” miratohet me 89 pro, 14 kundër, 4 abstenim

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9357, datë 17.03.2005 “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit” të ndryshuar” miratohet me 87 vota pro

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” të ndryshuar” miratohet me 86 vota pro

Projektligj "Për ratifikimin e marrëveshjes dypalëshe, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, për programin e zhvillimit rajonal në Shqipëri (faza 4, 2019-2023) miratohet me 108 vota pro

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë” miratohet me 105 vota pro

Dekret nr. 11.443, datë 02.03.2020, “Për kthimin e ligjit nr. 14/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”  miratohet me 91 vota pro (pranohet dekreti)

Dekret nr. 11.444, datë 02.03.2020, “Për kthimin e ligjit nr. 15/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” pranohet me 91 vota pro, humbet fuqinë

Dekret i Presidentit të Republikës me nr. 11.536, datë 8.7.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 74/2020 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar” rrëzohet me 88 vota kunder.

Dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.537, datë 9.7.2020 “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 73/2020 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 20, datë 20.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19” të ndryshuar” rrëzohet me 84 vota kundër

Pakti i 5 Qershorit miratohet me 99 vota pro dhe 6 kundër, 4 abstenim 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:05
Zbulohen 6 deputetët që votuan kundër paktit 5 Qershorit, Gjoni i vendos kryq

Report Tv zbulon 6 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nga opozita parlamentare që votuan kundër marrëveshjes së 5 Qershorit. Kundër marrëveshjes votuan kryetari i grupit Demokrat Myslym Murrizi, Halit Valteri, Korab Lita, Halil Jakimi, Ylli Shehu dhe Adriatik Alimadhi. Fleta e votimit të Ralf Gjonit doli e pavlefshme, pasi i vendosi kryq. Pakti u miratua me 99 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenim. Rudina Hajdari votoi pro marrëveshjes, pasi mori garancinë për hapjen e listave.

Ora 14:46
Rama largohet nga salla, Murrizi: Iku të shtypë butonin për Lulin...(të qeshura në Kuvend)

Edi Rama, referuar votimit të paktit të 5 Qershorit tha sot në Kuvend se butonin do ta shtypë për Lulzim Bashën. Pas tij fjalën e mori kryetari i grupit Demokrat Murrizi, i cili pas ironisë, tha se nuk e voton. "E vetmja deklaratë e sinqertë e juaja këtu është se sot keni shtypur butonin për Lulin.  Ku është? (Rama ikën nga salla) Ka shkuar të shtypë butonin më duket (të qeshura në sallë). 97 vota nga dy anët janë pro marrëveshjes së 5 qershorit. Unë kam votuar kundër se nuk ngatërroj kodin zgjedhor me 5 qershorin. Kodi zgjedhor duhet të kishte brenda rekomandimet e OSBE-së, sepse ju kanë etiketuar si hajdutë votash ju tre që bëtë marrëveshjen e 5 qershorit. 5 qershorin ta gëzoni dhe mirë do të ishte ta quani marrëveshjen e 1 qershorit, se ngjani me ata që kanë festën në 1 qershor. Besoj se diga do të çahet në 30 qershor nga votat e 94 deputetëve këtu për hapjen e listave.  Përshëndes deklaratën e Kim dje, që unë këtë sallë kam kërkuar që të realizohet, denoncimi i paragrafit të fundit të 5 qershorit tuaj. E nderuar zonjë dhe pazari i dakordësisë mes tre kapove është ajo që me të drejtë ngritët shqetësim. Ai paragraf që këtu mund të vijnë elementë që i kërkon SPAK-u" tha ai.

Ora 14:46
Kuvendi miraton paktin e 5 Qershorit, ja çfarë do të ndryshojë në zgjedhjet e 2021

Me 99 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenim, Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot marrëveshjen e 5 Qershorit, mes PS-PD-LSI-së dhe opozitës parlamentare. Marrëveshja donte vetën 84 vota, por PS-ja firmosi marrëveshjen me opozitën parlamentare pak ditë më parë për qenë gjithëpërfshirëse. Megjithatë kryetari i grupit demokrat Myslym Murrizi nuk e votoi marrëveshjen. 

Ja çfarë parashikon marrëveshja e 5 Qershorit
1. Identifikimi elektronik. Palët zotohen të mbështesin implementimin e identifikimit elektronik të 100% të votuesve në zgjedhjet e ardhshme, nëse është teknikisht i arritshëm. Kjo mundësi do të përcaktohet nga ekspertiza ndërkombëtare e mbështetur nga KQZ. Qeveria e Shqipërisë garanton fondet në kohë për zbatimin, aq sa është i mundshëm.

2.KQZ do të ketë një zv. komisioner që do të drejtojë përcaktimin e mundësisë për identifikimin biometrik të votuesve. Zv. komisioneri do të ketë përgjegjësi të përbashkët e të barabartë me kryetarin për zgjedhjen, monitorimin dhe zbatimin e identifikimit biometrik të votuesve. Zëvendësi do të monitorojë, mbikëqyrë rekrutimin e trajnimin e komisionerëve, i ndihmuar nga një ekspert ndërkombëtar. Një tjetër ekspert ndërkombëtar do të mbështesë KQZ në trajnimin për procedurën.

3.Struktura e KQZ do të përbëhet nga pesë anëtarët e rregullt, apeli nga pesë anëtarë, një zyrtar ekzekutiv dhe një zv. ekzekutiv. Anëtarët do të pranohen sipas raportit maxhorancë-minorancë në trupat e rregullt dhe ato të apelit. Komisioneri shtetëror do të zgjidhet me anë të konsultimeve.

4.Grupet e numërimit: Dy grupe zyrtarësh jo-politikë, një prej të cilëve numëron dhe tjetri asiston dhe ndërrojnë rolet me çdo kuti votimi. Anëtarët e tjerë do të jenë ose dy monitorues një nga pushteti e një nga opozita , ose një monitorues nga secila prej katër partive kryesore parlamentare nga zgjedhjet e 2017.

5.Qendrat e votimit: Dy anëtarë të komisionit me të drejta të kufizuara për monitorim dhe kontestim te drejte nga pushteti dhe opozita, dhe tre te emëruar me lotari nga KQZ, e cila do të veprojë si kryetare në marrjen e vendimeve. Dy të tjerë do të shërbejnë si asistente, pa të drejtë vote.

6.ZEZ do të jetë strukturë e njëjtë si qendra e votimit

7.Kolegji elektoral do të zgjidhet nga gjykatësit që kanë kaluar procesin e vetingut.

 8.Procesi i Apelit: Kolegji Elektoral që dëgjon apelimet mbetet i pandryshuar (degjon apelimet që nuk nisin në Gjykatën Kushtetuese)

9.Depolitizimi: Nuk do të ketë ndryshime në adminsitratën elektorale për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare e lokale) Punonjësit e sektorit publik mund të jenë pjesë e adminsitratës elektorale të zgjedhjeve duke nisur nga zgjedhjet e pritura. Reforma në vijim e adminsitratës në Shqipëri do të përforcojë fokusimin e saj në depolitizimin e shërbimit publik.

10. Masa shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë me mirëbesim për të arritur zgjhdhje të pranueshme dhe rekomandimet e ODIHR në lidhje me: blerjen e votës, presionin ndaj voruesve dhe adminsitratës, keqpërdorimin e adminsitratës, bashkëpunimin me grupet kriminale, lirinë apo fshehtësinë e votës  apo manipulimin e rezultateve

Ora 14:29
Aleanca PD-LSI, Rama: Basha po u jep demokratëve një gjellë të ringrohur

Edi Rama deklaroi se formula e re nuk i ndalon koalicionet, ndërsa kishte një mesazh për demokratët për aleancën PD-LSI. "Dakordësia e 5 qershorit sot votohet, dakordësia mes forcave parlamentare votohet në 30 korrik. Pretendojnë se këshilli politik nuk e paska mbaruar punën, u themi hajdeni diskutojmë, por kemi edhe këtë që duam ta diskutojmë me ju, se nuk ndryshojmë dot as ne dhe as ju, se ashtu është procedura dhe do të votohet në 30 korrik.

Po thonë se ndalohen koalicionet se mos i ndajmë me zor. Ne duam të rrinë bashkë ata, nuk është e mira për demokratët se do të duhet të votojnë për shpk-në e zgjedhur. Nëse do u japin demokratëve këtë gjellë të ringrohur pas viteve dhe që nuk e mbajnë mend me kënaqësi kjo është punë e tyre. Por formula e partive që futen në zgjedhje do të ndryshojë. Këtë që kemi ne sot, nuk e ka askush këtë formulë. Në këshillin politik donim të diskutonim këto gjëra, do të ndalohen koalicionet se kështu është puna, jo more jo, subjektet do të përcaktohen në Kodin Zgjedhor" tha Rama. 

Kryeministri kishte një përgjigje edhe për ata që deklarojnë se nuk mund të bëhen ndryshime një vit para zgjedhjeve. "Është e vërtetë që ka një kod të praktikave të mira, por është interpretuar ndryshe, por s'po hyj në detaje teknike. Flitet si praktikë e mirë që ndryshimet që lidhen me zgjedhjet të bëhen jo më vonë se një vit para zgjedhjeve. Por kjo e 5 qershorit cfarë është? E njëjta gjë. Si kjo na qenka e mirë dhe kjo e keqe. Dhe për më tepër, kjo bëhet në parlament, ajo bëhet në një mjedis jashtë parlamentit, kjo me deputetë ajo me grupime politike".

Ora 14:20
Rama: Nëse do të kishim kërkuar këtë gjë do të përjashtonim PD-në, sot e shtyp butonin për Lulin (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha se nga ndryshimet në reformën zgjedhore PS-ja nuk fiton asgjë. "Ne mund të merrnim bonuesin për partinë e parë në këmbim të dhënies përgjigje të kërkesave tuaja, nëse do të kishim synim përjashtonim ata që janë jashtë, pasi parti e parë dihet se kush del. Nuk e kërkuam se do të ishte fyerje e madhe në skenën politike dhe shfrytëzim i rrethanave të këtij parlamenti, të përkohshme. Me ligj dhe kushtetutë e kishim bërë. Ne donim për depolitizimin. Unë sot butonin do e shtyp për Lulzim Bashën jo për veten time, do e shtypim botonin për ata që mungojnë. Në këtë negociatë ne kemi bërë vetëm një gjë, ca të doni ju shkruani, por jo sikur thoshte Saliu, se ajo nuk është e vërtetë, asnjëherë nuk është bërë kështu. Pas pushimeve do të vijnë me energji që ka ndodhur dicka, ka ndryshuar baza, ose më saktë një pikë që na detyron që të reflektojmë në ligjin zgjedhor mekanizmat e zbatimit. Nëse ata do të duan të rrinë jashtë, ju siguroj se nuk do të përpiqemi ti sjellim brenda" tha Rama.

Ora 14:06
Rama mesash të qartë ndërkombëtarëve: Për listat vendosim vetë, i hapim në 30 korrik (VIDEO)

Edi Rama është shprehur i qartë dhe i prerë se për hapjen e listave nuk vendosin ndërkombëtarët, por vetë shqiptarët dhe parlamenti do i miratojë në datë 30 korrik, pasi e do shumica e popullit. "PS-ja nuk detyrohet nga askush, vec njerëzve që përfaqëson. Dëgjova që këshillin politik e paska krijuar një aleancë globale SHBA-BE-OSBE, nuk është e vërtetë. E ka krijuar vullneti ynë, i PS-së, që është shumicë. PD-ja që kërkon të qeverisë ende nuk di të flasë shqip. Kjo ka qenë një gjë që i kam kërkuar Bashën në 2017, jo më anglisht, është turp i botës, nuk na respektojnë miqtë dhe partnerët nëse u japim bujarisht detyra që janë tonat. Ne nuk jemi shërbëtorë të askujt, jemi të ndërgjegjëshëm se nuk jemi as SHBA, BE, as superfuqi bërthamore, por një vend i vogël, falë edhe miqve dhe partnerëve tanë. Por vjen puna do të hapim apo jo listat, këtë e vendosim ne, se pastaj do të ishte fundi. Këtë e vendosim ne. Dhe nuk kemi asnjë problem që ta diskutojmë dhe t'ua themi, sikur ua kemi thënë dhe besoj do të vazhdojmë ta themi kur të jetë e nevojshme, por nuk besoj se do të jetë e nevojshme për një kohë të gjatë. Ky kuvend do të hapë listat në 30 korrik, kjo është marrëveshja' tha Rama.

Ora 13:59
Gjuzi i nxjerr foton me Vuçiç, Rama tallet: Më vjen mirë që mustaqet i ka mbrojtur me maskë anti-gaz (VIDEO)

1595505888_Screenshot1.jpg
Gjatë fjalës në foltore, Kujtim Gjuzi i ka ndërhyrë nga vendi duke i nxjerrë një foto me presidentin e Serbisë Vuçiç, ndërsa Edi Rama e ka ironizuar."Naltmadhni të lutem, Naltmadhni, të lutem, ose kur më tregon, aaaa mirë maskën e paske anti-gaz. Kur nxjerr panorama mos më moho kënaqësinë të shoh mustaqet. Më vjen mirë që këtë herë mustaqet i ka mbrojtur me maskë" tha me ironi Rama.

Ora 13:56
Pakti i 5 Qershorit, Rama: PD s'ka qenë kurrë shumicë, PS-ja PO, s'ka probleme me koalicionet

Kryetari i PS-së, Edi Rama tha se partia që drejton nuk ka asnjë probleme me sistemin apo koalicionet, pasi është forca më e madhe në popull.  "Nuk ka njëherë në 30 vite që keni qenë shumicë në popull, përjashto momentin kur nuk ishte punë partish por ndryshim regjimi. Flas në zgjedhje normale që nga referendumi i 1994. Nëse keni ardhur në pushtet, ka ndodhur vetëm sepse është përçarë PS-ja. Ne e kemi kaluar atë fazë sot, prandaj jemi shumicë solide dhe nuk kemi asnjë problem as me sistemin, as me koalicionet, fare, sepse jemi shumicë në popull dhe nuk merret në tavolinë me ligje, me kode, me amendamete, por me votë. Sot duhet ta votoni të gjithë edhe Myslymi, 5 Qershorin, jo sepse mua më pëlqen, nuk më pëlqen, përkundrazi unë kam një problem të madh me 5 Qershorin, mosdepolitizimin e administratës zgjedhore, është fyese. Ky është lëshimi i madh i pamerituar për Lulzim Bashën, por i merituar për votuesit e tyre, për demokratët që nuk duan të më shikojnë me sy mua. Ne nuk dalim të dëmtuar në sensin partiak dhe e mirëkuptoj Murrizin kur thotë se është skandal, po është skandal që të mos depolitizohet administrata zgjedhore".

Ora 13:50
Pakti i 5 Qershorit, Rama: PS-ja bëri vetëvrasje politike, lërini përrallat me diktator (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama u shpreh se PS-ja në raport me PD-në ka lëshuar më shumë madje deri në vetëlëndim, jo vetëm tani, por ndër vite. "Të gjithë demokratëve që besojnë te Basha dhe PD-ja apo të tjerëve në ato rreshta, por që i janë bashkuar PD-së, u them sot se kjo është partia socialiste, këta jemi ne që nuk kemi asnjë lidhje me akuzat, përrallat dhe legjendat për diktatura. Në cdo stacion nuk ka qenë PD-ja, por PS-ja qoftë në opozitë apo pushtet, që ka qenë ana tolerante, lëshuese deri në vetëlëndim, se vetëm një forcë si e jona mund të vetëlëndohej sikur u vetëlëndua nga heqja e raundit të dytë. Po ta shikosh me logjikë të ftohtë është vetëvrasje politike, që një forcë shumice të heqë dorë nga raundi i dytë në një moment të caktuar. Mund ta kujtojë Murrizi kur PS-ja u tërhoq nga raundi i dytë, balotazhi, një çmenduri, por nëse e shikojmë ku po përpiqem të them këtë mesazh, e kundërta do të ishte e çuditshme, që PS-ja të thoshte; JO" tha ai.

Ora 13:43
Rama falenderon Hajdarin: Sot miratojmë paktin e 5 Qershorit, do votoj me mendje, jo zemër

Edi Rama tha sot se Kuvendi do të votojë me shumicë të gjerë marrëveshjen e 5 qershorit. "Do të them disa fjalë për votimin që kthen në ligj marrëveshjen e 5 qershorit, mes PS-së dhe PD-së dhe aleatëve të saj. Dua ta filloj me një falenderim për grupet e opozitës parlamentare, kryetarët e grupeve dhe zonjën Hajdari, posacërisht duke qenë se ka luajtur rolin e saj dhe i ka rezistuar edhe shpalljes si tradhtare nga ana juaj. Ka kontribuar bashkë me ju për nënshkrimin e marrëveshjes mes nesh dhe jush, që i hap rrugë një votimi sot me një shumicë më shumë sesa aritmetike. Natyrisht që do të ishte mirë që edhe Myslymi, zoti Murrizi, edhe të tjerë bashkë me të mos e firmosnin me rezervë marrëveshjen dhe ta votonin, duke dhënë një mesazh shumë të qartë për të gjithë shqiptarët pa dallim edhe për ata, që përfaqësuesit i kanë jashtë parlamentit se ne jemi të vetëdijshëm për realitetin politik. Unë nuk e votoj me zemër, por e votoj me mendje marrëveshjen e 5 qershorit" tha ai.

Ora 12:20
Një pjesë e deputetëve pa maska në sallën e Kuvendit (VIDEO)

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë në seancën e sotme nuk kanë qenë të kujdesshëm për të respektuar aktin normativ për mbajtjen e maskave. Pjesa më e madhe e tyre e kanë mbajtur maskën, por një pjesë e vogël kanë thyer aktin normativ.

Ora 11:41
Njëri ikën, tjetri vjen, grupi Demokrat fuqizohet me një deputet


Pak ditë më parë nga grupi Demokrat u largua deputetja Fatjona Dhimitri pasi doli kundër vendimit të grupit duke deklaruar se do të votonte paktin e 5 Qershorit. Ndërsa sot zyrtarisht me grupin Demokrat u bashkua Ligoraq Karamelo.

Ora 11:28
Deputeti opozitar: Të krijohet ministria për Trojet shqiptare! Ironia e Spiropalit: Diplomatët nuk janë gra që joshen me uiski (VIDEO)

Deputeti opozitar Kostaq Papa kërkoi një interpelancë me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme për shqiptarët në trojet etnike, por në mungesë të Edi Ramës, iu përgjigj ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali. Papa mes shumë kërkesave, propozoi krijimin e një ministre për trojet etnike.

"Kërkoj krijimin e komisionit parlamentar për 10 vite për trojet etnike, ose krijimi i një ministre për trojet etnike për 10 vite. Dhënia e pasaportës për shqiptarët në trojet etnike, por edhe Turqi, Qipro, Ukrainë. Platformë për mbrojtjen e vendbanimeve shqiptare. Kur serbët e Kosovës kanë status maksimal, për shqiptarët e Kosovës lindore dhe Medvegjës nuk u pyet fare. Shqiptarët në trojet etnike u tradhtuan nga Tirana.

U vuri edhe traun e Morinës dhe për mbështetje nuk bëhet fjalë. Në Mal të Zi, komunat me shqiptarë në kufi me Kosovën u shpopulluan. Medvegja është e rrezikuar nga heshtje e diplomacisë shqiptare. Nga koalicioni shqiptar nuk pritet gjë. Koalicioni në Kosovën lindore nuk ka substancë. Të hapen konsullatat shqiptare në Kumanovë, Ohër, në Tivar, Ulqin, Bujanoc, ose Medvegjë, që nuk është mbrojtur sa duhet" tha ai.

Por Spiropali tha se në Luginën e Preshvës bashkuam shqiptarët për herë të parë në një listë të vetme.

"Planet e qeverisë së Serbisë për zhvillim nuk shtrihen deri në zonat që jetojnë shqiptarët. Mos njohja e diplomave, por për fat të mirë është arritur që të bëhet njohja e diplomave të marra në Shqipërisë. Në mungesë të punës emigracioni shihet si zgjidhja më e lehtë duke shpopulluar zonën. Largimi i të rinjve është e dukshme, më shumë se 30% në vitet e fundit. Problem tjetër ka qenë mungesa e teksteve në gjuhën shqipe, që është zvarritur nga Serbia.

Tendenca është pozitive, por problemi është i mbaruar dhe nuk ka gjetur përgjigje përfundimtare. Shqipëria ka 100 mijë euro në vitin e fundit për hapjen e qendrës kulturore. Ajo që ka ndodhur me shqiptarët në Preshevë është shfaqje e përdorimit represiv. Bashkimi i faktorit shqiptar është një lajm i mirë".

Spiropali nuk kurseu edhe ironinë kundër deputetit opozitar. "Zoti Papa bisedimet diplomatike nuk janë ulje në tryeza baresh dhe përfaqësuesit përballë nuk janë gra që në përfytyrimin tuaj joshen me një uiski, por bisedime të vështira që kanë për bazë të drejtat që i garantojnë të drejtat dhe jo folklorizmat patriotikë". Në fund, Ruçi me ironi i tha Kostaq Papës "Koha mbaroi dorëzojini ato propozimet e vyera".

Ora 11:07
Zgjedhjet në universitete, deputetja paralajmëron Shahinin: Nëse do ketë vatra COVID-i do përfundoni në SPAK (VIDEO)

Deputetja Fatjona Dhimitri gjatë interpelancës në Kuvend pyeti ministren e Arsimit Besa Shahini nëse është konsultuar me Komitetin Teknik për masat anti-COVID për rrezikshmërinë e zgjedhjeve në universitete.

Deputetja opozitare u shpreh se nëse do të ketë vatra të reja infeksionesh nga zgjedhjet e 30 korrikut në universitete atëherë do të përfundojë në SPAK.

"Nëse do të ketë vatra COCVID nga votimet që do të bëhet, përfundimin e keni te SPAK-u. A jeni konsultuar me komitetin teknik për rrezikshmërinë e zgjedhjeve në universitete" tha Dhimitri.

Shahini tha se roli i ministrisë për zgjedhjet e autoriteteve dhe organeve drejtuese në universitete është minimal dhe se datën 30 korrik për zgjedhjet e kërkuan vetë universitetet.

 "Shteti ka për detyrë të sigurojë autonominë e universiteteve, rrjedhimisht të respektojë faktin që këto institucione do të zhvillojnë vetë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Roli gati ceremonial i caktimit të datës së zgjedhjeve i është deleguar Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë nga vetë IAL-të përmes rregulloreve të zgjedhjeve. Edhe caktimi i datës 30 korrik është kërkesë e vetë IAL-ve.

Në fund të qershorit, rektorët e universiteteve publike më shprehën pamundësinë për të vijuar normalisht punën në IAL, pasi mandatet e tyre u kishin skaduar. Këtë na e konfirmuan edhe studentët e shumtë që nuk merrnin shërbimet e duhura për shkak të skadimit të mandateve të udhëheqësve.

Duke marrë parasysh që deri më 7 gusht vijon procesi mësimor dhe ai i provimeve, si dhe është liruar transporti publik, rektorët më kërkuan të caktoj datën 30 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve.

Në tashmë kemi nisur një punë kolosale në kuadër të “Paktit për Universitetin” në funksion të përmirësimit të cilësisë së arsimit të lartë dhe jetës studentore, por e gjithë kjo punë nuk do të japë rezultatet e duhura nëse IAL-të nuk reflektojnë të njëjtin vullnet për shërbime të mira ndaj studentëve, dhe nëse në krye të IAL-ve nuk kemi njerëz me integritet të lartë akademik.

E kemi tejkaluar tashmë fazën kur PD lejonte hapjen e universiteteve “kioska” që jepnin diploma fallco dhe prodhonin doktorantë për 6 muaj. Këto janë mbyllur nga qeverisja e PS-së dhe janë vendosur standarde në përfitim të gradave shkencore.

Por, ka ende shumë punë për t’u bërë. Prandaj, meqë jemi edhe një javë para zgjedhjeve në universitete, u bëj thirrje të gjithë zgjedhësve - pedagogëve dhe studentëve - që të votojnë kandidatët më të mirë, në mënyrë që IAL-të të drejtohen nga drejtues me integritet, të zellshëm dhe të kenë vizion të udhëheqin me institucione që ende nuk janë reformuar plotësisht" tha ajo.

Ora 11:02
FOTOLAJM/ 'I love Allah', Halit Velteri protagonist i parlamentit për shkak të maskës

Deputeti i opozitës parlamentare Halit Valteri ka tërhequr sot vëmendjen në seancën e kuvendit, e cila mbi të tjera pritet të miratojë marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore.

Deputeti në fjalë ka tërhequr vëmendjen me maskën që ai mbante, e cila kishte ngjyrë të zezë, ndërkohë që në të shkruhej: 'I Love Allah', ose ndryshe 'Unë e dua Zotin'. Është vetë deputeti i cili ka shpërndarë foton në rrjetet sociale.

Ora 10:42
Kërcënon Gjuzi: Silluni mirë se jemi gati për sherr, mund të hedhim ndonjë granatë në Kuvend (VIDEO)

Deputeti Kujtim Gjuzi i revoltuar që shumica socialiste në Kuvend nuk po e merr në konsideratë qëndrimin e tij për ndryshimet Kushtetuese kërcënoi me rebelim nga foltorja e Kuvendit. "Nëse doni sherr, mos kujtoni se nuk jemi gati. Se ndryshe duhet me gjuajtur me bojë, apo të hedhim ndonjë granatë brenda. Nëse një deputeti ja jep mendja futet me cfarë të dojë këtu. Ju nuk mund të anashkaloni tetë parti politike" tha ai. Ndërkohë që kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i tha "Sa i përket kohës, cdo deputeti i takon 1.5 minuta. Ulur dëgjo mos më ndërprit mua. Këtu jemi në Kuvend jo në mbledhje partie, jashtë bëni cfarë të doni".

Ora 10:21
Valteri: Hapni lokalet e natës! Ruçi: Reali u shpall kampion dhe tifozët s'dolën nga shtëpia (VIDEO)

Deputeti Halit Valteri i kërkoi kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi që të ndikonte në PS që të kishte një paketë financiare për të gjithë ata që preken nga mbyllja e lokaleve të natës.

"Akti Normativ që ndalon lokalet me apo pa muzikë dhe sjellja arrogante e kësaj qeverie ndaj atyre që protestojnë për bukën e gojës më bën që t'ju kërkoj juve, që të ndërhyni që të rishikohet ky akt normativ dhe të bëhet një plan financiar për këtë kategori, pasi janë 60 mijë persona që punojnë në kohë sezonale.

Disa biznese që kanë lidhje me deputetë të zonës, shefa të policisë i mbajnë pishinat e clubet hapur të pamundurit nuk mund të hapin as qepenin se u shkojnë 20 furgonë policie. E kam personalisht me ju zoti Ruci, bëjini thirrje PS-së".

Por kryetari i Kuvendit i kujtoi se mbyllja është e ndikuar nga rrethanat e krijuara nga COVID-i, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. "Është me detyrim përcaktim si rezultat i rritjes së fluksit të pandemisë.

Kur në botë nuk organizohet ceremonia e ndarjes së çmimeve Nobel, apo shpallet Reali kampion dhe tifozët rrinë në shtëpi, askush nuk e dëshiron këtë, të gjithë këta do të ishin në stadium dhe do të ishin të ardhura për atë ekip.

Prandaj ju lutem lini emocionet dhe politikën për këtë cështje. Ata kanë plotësisht të drejtë, por kemi të bëjmë me një fuqi madhore, që nuk varet në dorë të qeverisë".

Ora 10:21
Deputeti sherr me Ruçin: Nuk kam ku parkoj makinën te Kuvendi, më ka gjobitur policia (VIDEO)

Deputeti Adriatik Alimadhi debatoi me kryetarin e Kuvendit Ruçi. Alimadhi kërkoi fjalën dhe ngriti shqetësimin se nuk ka ku parkon makinën te Kuvendi dhe se policia e ka gjobitur. Por Ruci i kërkoi që të ulet se nuk është cështje që duhet të diskutohet aty.

Debati
Adriatik Alimadhi: Kemi marrë gjoba nga policia për mjetet tona te Kuvendi, të gjendet një mënyrë të rregullohet
Gramoz Ruçi: Të merremi në seanca për parkimet e makinave....Ulu. Nuk është për procedurë ku do të parkosh makinën ti
Adriatik Alimadhi: Nuk ulem
Gramoz Ruçi: E ke marrë fjalën për procedurë dhe po abuzon
Adriatik Alimadhi: Ju jeni perëndia Zoti.

Ne.k./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 24/07/2020 12:17

    Reforma zgjedhore pa lista te hapura eshte nje farse , se marreveshja e 5 Qershorit ishte plotesim i tekave te opozites qe kerkon pushtet me zor ,se sa Reforme sipas udhezimeve te OSBE -ODHIR it . Mazitanca duhet te veej n zbatim deshiren e shqiptareve per te votuar me lista te hapura . Luli Basha dhe Meta e din qe have mbasin prandaj jane kurnder leka stave te hapura qe shkaterrojne tarafet e kryetareve te partive

    Përgjigju
  • Zani: 23/07/2020 19:35

    Gjuzo hidhi dinamit,,nuk merr vesh kjo rrace hajduti...

    Përgjigju
  • Jani: 23/07/2020 19:34

    KE TE DREJTE O ADRIATIK ALIMADHI,,KU ESHTE PARE PARLAMENT PA PARKING,,,PO KU DI GJE AI NGA TEPELENA,,,FAJIN E KA QEVERIA DHE BASHKIA QE NUK BEJNE ASNJE PARKING ME KATE,,SEPSE CDO TRUALL DUAN TA BEJNE PALLAT....

    Përgjigju
  • Vaso: 23/07/2020 14:39

    Kur flet kryeministri yne me kujton nje histori. Nje fshatar ngarkoi kuajt dhe mushkat per te cuar mallin ne shtepi. Por kishte dhe tre gomere. Dhe gomeret i vuri ne krye te karvanit. Nga qe po erresohej fshatari u binte vitheve kuajve me kamzhik:ecni, ecni (per ne BE psh)! Dhe nje moment kali i shkrete i kthehet dhe i thote po boll na godite o injorant, boll. Kur ve gomeret para me ca ritmi mendon se leviz karvani? E pra, edhe ky Kryeministri yne me shoke me kujton se sa ngjajne me gomeret.

    Përgjigju
    • gjuzi: 23/07/2020 19:57

      Vaso sa te jep pd,ja ne muaj per propaganden; gjithesesi mos u merzit i ka jeta keto gjera

    • Une: 23/07/2020 16:52

      O vaso behu ti me i mire edhe me i afte se kryeministri edhe na shpeto me inteligjencen tende

  • Haha: 23/07/2020 13:48

    I madhi Kujtom Gjuzi e ardhmja e Kombit

    Përgjigju
  • Mala: 23/07/2020 13:33

    Po cka nuk keni ne ate parlament ore!!!Keta jane te mbeturit jshte liste, Andaj, mos u habitni se mund te ndodh cka ka ndodhur askund tjeter ne boten parlamentare.Nuk ka mbetur per me mire Shqiperia!

    Përgjigju
  • meri: 23/07/2020 12:30

    Zoti deputet,ne Parlamet,je per te ber politike....e jo...per te shprehur dashurin ndai Zotit e Allahut.Si mund te shpresos qe,Shqiperia do t'i bashkohet Europes,kur vendi ka ren ne dore te Injorateve...

    Përgjigju
    • A. N.: 24/07/2020 00:11

      Ai kishte me shume hallin qe ti hapeshin klubet e nates.

  • romi: 23/07/2020 11:17

    o mullah haliti

    Përgjigju
  • futja kot: 23/07/2020 10:44

    Boo , keta jane ku therret qametiiii. Listat e PD-se pra hahah

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja