Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja, që sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para apo me 61 vota në raundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.
Që nga mbrëmja e 27 prillit, deputetët e shumicës parlamentare tentuan të zgjidhnin një president të ri, por partitë opozitare bojkotuan punimet e seancës, pasi bisedimet me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dështuan dhe nuk u arrit një marrëveshje për presidentin.
Kryeministri Albin Kurti fajësoi opozitën për këtë situatë, duke theksuar se pakica parlamentare nuk do përgjegjësi, por kërkon vetëm bllokimin e punës së qeverisë.
"Sot janë mbushur 4 muaj nga zgjedhjet e fundit në Kosovë, pra jo katër vjet dhe ja ku jemi në një seancë e cila bojkotohet nga opozita. Vetëm katër muaj pas zgjedhjeve duan sërish zgjedhje, ata janë të vetëdijshëm që zgjedhjet nuk janë zgjidhje, ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet, por duan që këtë mos ta kemi as ne. Por këtë nuk e vendosin ata, po populli i Kosovës. Pas një qeverisjeje 5-vjeçare është rritur mbështetja për ne, është e vështirë të gjendet diku tjetër një qeveri që ka kaluar në kriza të shumta, prej pandemisë COVID-19, pastaj te kriza e inflacionit dhe energjisë, pastaj edhe te sulmet e vazhdueshme të Serbisë dhe ka dalë fitimtare në të gjitha rrafshet dhe në fund ka marrë edhe mbështetje më të madhe popullore. Edhe kështu do të jetë. Por demokracia dhe institucionet nuk do vejnë vullnet të qytetarëve, nuk do vetëm mbështetje dhe politikanë për parti të caktuara, dhe këtu është sjellja antishtetërore e partive të caktuara", tha Kurti.
Ndërkohë pak para nisjes së seancës, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku deklaroi se nuk do të merrte pjesë në një show partiak që sipas tij nuk i shërben interesave të Republikës.
“LDK e konsideron se ky show njëpartiak nuk i shërben republikës, dhe si të tillë ne nuk marrim pjesë në këtë show. Konsiderojmë se është kosto shumë e madhe për republikën që të luhet për një datë zgjedhjesh.Tani i kuptojmë këto përpjekje që dëshirojnë të krijojnë rast në Gjykatë Kushtetuese, konsiderojmë që është kosto shumë e madhe të luhet kaq shtrenjtë me fatin e Republikës për me dal në zgjedhje. Shteti nuk është hajgare”, tha Abdixhiku para mediave.
Sipas tij, vendi po shkon drejt zgjedhjeve. PDK nga ana tjetër paralajmëron reagim të menjëhershëm nëse procesi do të vijonte, proces të cilin kryetari Bedri Hamza e cilësoi si anti-kushtetues.
“Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, deklaroi Bedri Hamza
Më herët gjatë ditës, para zhvillimeve të fundit në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i bënë thirrje kandidates Feride Rushiti, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, që të tërhiqet nga gara për presidente.
Në të njëjtën kohë, Lidhja Demokratike e Kosovës kishin hedhur si emër Vjosa Osmanin. Sipas kësaj force politike, ishin siguruar 15 firma mbështetëse, por për zyrtarizimin e kandidaturës nevojiteshin të paktën 30 deputetë. Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti nuk u shpreh kundër një rikandidimi të Osmanit, por theksoi se një propozim i tillë nuk i ishte paraqitur ende zyrtarisht.
Edhe seanca e një dite më parë dështoi për mungesë kuorumi, pasi në sallë ishin vetëm 64 deputetë nga 80 të nevojshëm, për shkak të bojkotit të opozitës. Pavarësisht kësaj, u zhvillua votimi për kandidatët e propozuar nga Vetëvendosje, ku Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hatixhe Hoxha asnjë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është mbrojtur rendi kushtetues dhe është shmangur, sipas saj, një shkelje e rëndë e Kushtetutës.
Sipas PDK-së, përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese kanë dështuar, ndërsa institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues janë ruajtur. Kjo parti e konsideron se përgjegjësia kryesore për krizën politike bie mbi pushtetin aktual, të cilin e akuzon për krijimin e krizave të njëpasnjëshme politike, keqqeverisje dhe probleme ekonomike.
PDK-ja vlerëson se, në përputhje me Kushtetutën, vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor. Në këtë drejtim, ajo i ka bërë thirrje ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke siguruar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik.
Po ashtu, kjo parti u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të përgatiten për zgjedhje dhe përmes votës së tyre të refuzojnë, siç thuhet, përçarjen dhe bllokadat institucionale.
Në reagimin e saj, PDK-ja thekson se vendi ka nevojë për një drejtim të ri, stabilitet politik dhe institucione funksionale, duke kërkuar një qeverisje që respekton Kushtetutën. Sipas saj, pas zhvillimeve të fundit, vendimmarrja kalon tek qytetarët përmes procesit zgjedhor.
Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Parlamenti nuk arriti të zgjidhjte Presidentin e ri të Republikës, për shkak se mungonte kuorumi i deputetëve në sallë (duhet të ishin prezentë 80 deputetë).
Pasi nuk u arrit që të zgjidhej ngërçi me Presidentin, Parlamenti i Kosovës u shpërnda dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
“Kjo rrugë e nisur mbarë nuk e meritonte që të ndërpritej. Siç po e shihni mungon vullneti i deputetëve të Kuvendit. Krejt kjo ka qenë që të dëmtohet legjitimiteti i institucioneve të Kosovës. Të gjithë ata që kanë hedhur akuza për puç, duhet të kërkonin falje publike”, tha mes të tjerash kryeparlamentarja Albulena Haxhiu gjatë fjalës së saj.
Foto: Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se partitë opozitare në Kosovë janë në rënie të lirë dhe me çdo proces zgjedhor vetëm sa po bien më tepër.
Opozita është e vjetër. Kjo opozitë mundet me sjellë ndonjë fytyrë të re, por zanatin e karakterin e ka të vjetër. Prandaj janë në rënie të lirë. Po bien vazhdimisht nëpër cikle elektorale. Sa më shumë po mbahen zgjedhje aq më poshtë po shkojnë. Asnjë mësim s’po nxjerrin. Do të ishin qesharakë sikur të mos ishin të gjorë", tha Kurti.
Ai shtoi se opozita po thotë “ose populli le të na heqë nga Kuvendi ose duhet të na dojë me zor”.
“Veç këto dy mundësi janë. Ata janë thellësisht të pakënaqur me numri ne deputetëve që kanë. Praktikisht LDK-ja po thotë që i kemi 15 deputetë por nuk më duhen asgjë. PDK-ja po thotë që i kam 22 deputetë por nuk po më duhen asgjë, sepse ju e dini 22 + 15 bëjnë 37 e në 57 e ne 66. Këtë s’po munden ta kapërdijnë mendërisht dhe çka po u thonë qytetarëve, po shkojmë në zgjedhje”, tha Kurti.

Një send i dyshuar si tymuese është gjetur pranë Kuvendit të Kosovës, ku dhe po mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit - teksa afati po shkon drejt fundit.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka vendosur rrethuar zonën ku është gjetur sendi i dyshuar.
Teksa Kosova do të përballet me zgjedhje të tjera parlamentare të parakohshme pasi opozita nuk u paraqit për zgjedhjen e presidentit të vendit edhe në seancën e fundit pas disa tentative, kryeministri Albin Kurti tha se opozita ka si mision të saj vetëm bllokimin e qeverisë.
"Sot janë mbushur 4 muaj nga zgjedhjet e fundit në Kosovë, pra jo katër vjet dhe ja ku jemi në një seancë e cila bojkotohet nga opozita. Vetëm katër muaj pas zgjedhjeve duan sërish zgjedhje, ata janë të vetëdijshëm që zgjedhjet nuk janë zgjidhje, ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet, por duan që këtë mos ta kemi as ne. Por këtë nuk e vendosin ata, po populli i Kosovës. Pas një qeverisjeje 5-vjeçare është rritur mbështetja për ne, është e vështirë të gjendet diku tjetër një qeveri që ka kaluar në kriza të shumta, prej pandemisë COVID-19, pastaj te kriza e inflacionit dhe energjisë, pastaj edhe te sulmet e vazhdueshme të Serbisë dhe ka dalë fitimtare në të gjitha rrafshet dhe në fund ka marrë edhe mbështetje më të madhe popullore. Edhe kështu do të jetë. Por demokracia dhe institucionet nuk do vejnë vullnet të qytetarëve, nuk do vetëm mbështetje dhe politikanë për parti të caktuara, dhe këtu është sjellja antishtetërore e partive të caktuara",- tha Kurti.
Foto: Hekuran Murati
Ministri i Financave, Hekuran Murati në fjalën e tij në Kuvend ka vazhduar akuzat ndaj deputetëve opozitarë, duke thënë se nuk po përfaqësojnë qytetarët, duke sabotuar Kosovën.
Ai kërkoi nga partitë opozitare të vijnë nga deputetët e partive opozitare që të marrin pjesë në seancë.
“Po e dërgojnë vendin në zgjedhje të evitueshme dhe të panevojshme. Deputeti është i deleguar, përfaqësues i popullit”, tha ndër të tjera Murati.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, rinisi seancën për zgjedhjen e presidentit.
Ajo tha se legjislatura e dhjetë është në minutat e saj të fundit, teksa theksoi mungesën e deputetëve të opozitës në sallë.
"Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë, t’i lënë anash barrikadimet. Kjo është arsyeja pse në vazhdimësi kam bërë thirrje që deputetët e opozitës të vijnë këtu”, tha Haxhiu.
Foto: Jehona Lushaku
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se kreu i LVV-së, Albin Kurti po kërkon nga partia e saj një kandidat të dytë, në mënyrë që presidente të zgjidhet Feride Rushiti.
“I kemi 15 nënshkrime për kandidatin që LDK merr vendim ta kandidojë. Kryetari Abdixhiku ka thënë se mund të jetë Vjosa Osmani dhe ne nuk kemi asnjë dilemë. Ajo që kemi dilemë është që ftesa ishte që të ketë një kandidat të dytë që t’i mundësohet kandidates të LVV-së që të zgjidhet presidente e Kosovës”, tha Lushaku-Sadriu.
Më herët Kurti tha se e pranon edhe ish-presidenten Vjosa Osmani si kandidate të Rushitit për presidente. Ai tha se pret 15 nënshkrimet e LDK-së dhe emrin zyrtar të kandidatit për president nga ta.
“Pyetja më e rëndësishme është a i jep 66 vota LVV-ja për kandidatin e LDK-së”, pyeti Lushaku-Sadriu.
Ndërkaq, në një postim në Facebook, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se Kurti po kërkon që t’i bëhet kuorumi për zgjedhjen e presidentit.

Foto: Albin Kurti
Kryeministri Kurti në reagim ndaj deklaratës së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku se atij po i pengon Vjosa Osmani, tha se “nuk i pengon asnjë kandidat që e sjellë LDK-ja”.
“Vetëm le të na i sjellin 15 nënshkrime. Ne ja plotësojmë nënshkrimet sa i mungojnë”, tha Kurti.
Megjithatë, ai nuk premtoi e as garantoi asnjë votë nga grupi i tij parlamentar për kandidatin e LDK-së.
“Në kuti, votimi është i fshehtë”, tha Kurti.
Për çdo kandidaturë për president të Kosovës, duhen të paktën nënshkrimet e 30 deputetëve. Ndërsa një deputet mund të përkrah vetëm një kandidat.
Votimi për presidentin në Kuvendin e Kosovës dështoi edhe në seancën e orës 19:00, pasi sërish deputetët e opozitës nuk u paraqitën në sallë. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe ndodhen në zyrat e tyre në godinën e Kuvendit, por nuk zbresin në sallë për të marrë pjesë ne votim.
Me shpresë për të shpëtuar Kosovën nga një palë zgjedhje të tjera parlamentare të parakohshme, Haxhiu njoftoi se seanca e radhës do të mbahet sonte në orën 23:00.
"Për këtë seancë nuk janë deputetët e grupit parlamentar të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe, më lejoni edhe njëherë si kryetare e Kuvendit të Kosovës që t’i bëj thirrje deputetëve që të vijnë në seancë. Ata, siç e dini tashmë, ndodhen në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i lutem atyre që të zbresin në sallë ku po vazhdon seanca për zgjedhjen e Presidentit.
Ne i kemi edhe disa orë para se të bëhet pra 12 (mesnata). Me këtë rast po shoh të rëndësishme ta mundësojmë edhe një seancë tjetër në orën 23:00",- tha Haxhiu.

PDK ka mbledhur kryetarët e degëve dhe ka dhënë alarm për mobilizim në gjithë vendin, në kulmin e përplasjes për zgjedhjen e presidentit. Kryetari i saj, Bedri Hamza, paralajmëron reagim të menjëhershëm nëse procesi vijon. “Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, deklaroi ai.
PDK thotë se do të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që bie ndesh me Kushtetutën, duke u angazhuar në të gjitha format demokratike. Partia shton se do të jetë në vijën e parë për të ndalur, sipas saj, përmbysjen e rendit kushtetues. “Do të përdorim të gjitha mjetet demokratike për të mbrojtur Kushtetutën dhe Republikën”, thuhet në qëndrim.
Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës vazhdon edhe sot, në ditën kur skadon edhe afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Avokati Ardian Bajraktari përmes një lidhje të drejtpërdrejtë në ‘Studio Live’ tha se mosarritja e një marrëveshje mes subjekteve politike është shqetësues për Kosovën. Sipas tij ky ngërç në vend ka ardhur për shkak të një papjekurie politike.
“Fakti që jemi në këtë orët e fundit ka një itenstifikim të përpjekjeve kryesisht në atë që e ka karakterizuar këtë periudhë - mungesa e vullnetit për arritjen e një kompromisi. Megjithatë nga ana tjetër ka pasur tentativa për të hedhur fajin nga njëra te tjetra. LVV duket se nuk ka bërë një marrëveshje dhe vendi po shkon drejt zgjedhjeve. Fakti që kemi një qasje polarizuese mes subjekteve politike nuk garanton që do të kemi një themelim të institucioneve as pas zgjedhjeve dhe kjo është shqetësuese sepse tregon papjekuri politike”, tha Ardian Bajraktari.
Ndër të tjera ai shtoi se edhe këto tentativa që po bëhen gjatë orëve të fundit më shumë i cilëson si një fushatë.
“Në zgjedhjen e presidentit duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë, me kusht që njëri prej këtyre kandidatëve të marrë votat. Kam përshtypjen se tentativat që po bëhen janë më shumë fushatë sesa tentativa serioze për të gjetur një konsensus. Me shumë gjasa në garë do të jetë edhe Vjosa Osmani. Shpresoj që skena politike të kthjellohet dhe të kuptojë që marrëveshjet janë të domosdoshme për të ecur para, pasi Kosova ka humbur shumë këto vitet e fundit”, nënvizoi ai.

Pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili fajësoi opozitën për bojkot dhe mosnjohje të rezultatit zgjedhor, ka reaguar ashpër nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku. Ajo e akuzon Kurtin si “shkelës serial të Kushtetutës” që nuk e ka problem përmbysjen e rendit kushtetues.
“Nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti. Falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet. Albin, nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti. Falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin. Po 51% nuk janë 100%. Kush është shtetar, institucionalist dhe respekton Kushtetutën, nuk dëshmohet vetëm nga e kaluara e largët, por mbi të gjitha nga veprimet e sotme. Si opozitë, pa asnjë kusht, kemi votuar zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe dje, madje edhe me procedurë të përshpejtuar. Ti, Albin, nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet. Si shkelës serik i Kushtetutës, nuk e ke problem ta përmbysësh edhe rendin Kushtetues. Por këtë nuk do ta lejojmë. Ky vend dhe kjo Republikë janë ndërtuar me mund e me gjak. Dhe nuk do të lejojmë që të shkatërrohen" tha Çitaku
Kryeministri Albin Kurti nuk shprehet kategorikisht kundër kandidaturës së Vjosa Osmanit për t'u rizgjedhur presidente e Kosovës, por thotë se deri më tani një propozim i tillë nuk i është paraqitur zyrtarisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pavarësisht asaj çfarë thotë në publik kreu i saj, Lumir Abdixhiku.
"Unë e kam takuar Lumir Abdixhikun disa herë, ai asnjëherë nuk më ka dhënë propozim. Dje, pas seancës e thanë emrin e Vjosës, jo para seancës. Letra me 15 nënshkrimet duhet t’i ofrohet VV zyrtarisht, ose tek Arbërie Nagavci ose tek unë si kryetar i partisë. Mbrëmë dolën me një listë me nënshkrime, por nuk thuhej që ata emra janë për këtë kandidat. Nëse i kanë 15 nënshkrime për një kandidat duhet të vijnë tek unë, por duhet ta ketë datën e sotme ajo letër, jo datën e pardjeshme! Duhet ta ketë qëllimin e qartë dhe ta sjellin tek unë",- tha Kurti.
Kryeministri Albin Kurti i lutet 2 partive opozitare më të mëdha në Kosovë që të shkojnë në Kuvend dhe të votojnë për zgjedhjen e presidentit të vendit.
"E lus kryetarin e PDK dhe kryetarin e LDK, hajdeni në Kuvendin e Republikës, aty është vendi ynë. Dikur kanë qenë shumicë, nuk janë tani, por nuk mund të thuash se po mbron shtetin duke bllokuar, përveçse duke bojkotuar seanca",- tha Kurti.
Kryeministri Albin Kurti akuzon opozitën në Kosovë për sjellje anti-shtetërore për shkak të indeferencës që po tregon për zgjedhjen e presidentit. Sipas kreut të qeverisë, partitë opozitare në Kosovë kanë si qëllim vetëm bllokimin e ekzekutivit.
"Konsideroj se është bërë mjaftueshëm e qartë se opozita në Kosovë nuk ka qëllim tjetër përveç bllokimit. Tani e sa kohë sjelljet e kësaj opozite janë jo shtetërore; ajo është e interesuar vetëm për një gjë: bllokimin e qeverisjes sonë, e cila në këtë mandat ka rezultate historike. Në këto rrethana, e gjithë kjo bllokadë opozitare nëpërmjet bojkotit të seancave plenare veç mosnjohje e rezultatit zgjedhor dhe e vullnetit popullor e shprehur qartë më 28 dhjetor të vitit që lamë pas. Dëshmi për bllokadën është edhe një fakt tjetër, për ta kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët.
Në bindjen e thellë që Kosovës nuk i duhen bllokadat e atyre 10 muajve të vitit të shkuar, me besimin e plotë se nuk ka nevojë për zgjedhjet e reja, dhe rezultati ka qenë i qartë si asnjëherë më parë, ndërkohë që vendi do t’i humbiste edhe së paku 10 milionë euro vetëm për organizimin e zgjedhjeve, përfshirë edhe dhjetëra milionë të tjerë që nuk do t’i marrim për shkak të mos bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare.
U përpoqëm për një kandidat konsensual, i ftova disa herë në takim kryetaren e LDK-së dhe PDK-së. Jam unë ai që ka ofruar propozime dhe me emra konkretë patjetër për funksione për ta. Ne propozojmë, ata refuzojnë",- tha Kurti.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, i bëri thirrje kandidates së propozuar për postin e presidentit, Feride Rushitit, të tërhiqet nga gara, duke e cilësuar atë si pjesë të një “loje politike antikushtetuese” që është e dëmshme për shtetin dhe për vetë atë.
Çitaku tha se PDK-ja e vlerëson angazhimin e Rushitit në shoqërinë civile, por shtoi se “në këtë moment, nderi më i madh për vendin që mund të bëjë ajo do të ishte të largohej nga kjo garë”.
Ajo paralajmëroi se PDK-ja do të angazhohet për të parandaluar veprimet që i cilësoi të rrezikshme nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duke lënë të kuptohet se mund të organizohen protesta nëse shkohet tutje me votimin për president pa prezencën e opozitës në sallë.
“Kur një kryeministër zgjedh me vetëdije të plotë të shkelë Kushtetutën për pushtet të përkohshëm, ai bëhet rrezik për themelin e shtetit. Këtë nuk do ta lejojmë dhe këtë së bashku me qytetarët e Kosovës do ta parandalojmë”, tha ajo.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është alarmuar lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar respektim strikt të Kushtetutës dhe ruajtje të stabilitetit institucional.
Në një reagim publik, OVL e UÇK-së thekson se çdo veprim i institucioneve duhet të jetë në përputhje të plotë me ligjin, duke paralajmëruar se lëvizjet që cenojnë kompetencat apo prishin frymën e bashkëpunimit mund të dëmtojnë seriozisht demokracinë.
“Proceset që dalin jashtë kornizës kushtetuese rrezikojnë stabilitetin dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në reagimin e tyre
Organizata u bën thirrje deputetëve të shumicës që të tregojnë maturi dhe përgjegjësi në vendimmarrje, duke garantuar procese të rregullta dhe gjithëpërfshirëse në Kuvend.
Veteranët theksojnë se do të mbeten të angazhuar në mbrojtje të rendit kushtetues, shtetit ligjor dhe institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tyre. janë ndërtuar mbi sakrificën e luftës çlirimtare.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, deklaroi se situata e krijuar në Kuvend rreth seancës për zgjedhjen e presidentit është e paprecedentë dhe e rrezikshme. Ai e cilësoi zhvillimin si shkelje kushtetuese, duke paralajmëruar se kushdo që merr pjesë në këtë seancë mund të përballet me pasoja të rënda.
“Është situatë ndryshe nga të gjitha zhvillimet që kam pa në Kosovë pas pavarësisë. Ata që ushtrojnë funksionet shtetërore dje kanë bë shkelje kushtetuese. Është një drejtim i rrezikshëm dhe u bëjë thirrje të ndalen, të mos vazhdojnë në këtë drejtim. Ruajtja e pushtetit, mbajtja, ardhja në pushtet është e mundshme duke respektuar Kushtetutën, demokracinë. Nëse shkojmë në këtë rrugë të rëndësishme po na pamundësojnë funksionet në bazë të Kushtetutës dhe nuk mendojnë rrugë tjetër pos t’i kthehemi popullit. I thërras vetëdijes së të gjithëve të mos bëhen pjesë e shkeljes kushtetuese, këtij turpi.Nëse bëhen pjesë e dhunimit të Kushtetutës, kësaj sjellje të rrezikshme, pasojat do të jenë të përjetshme për të gjithë ata që bëhen pjesë”, tha ai.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se opozita nuk ka asnjë motiv për të munguar në seancën e jashtëzakonshme për presidentin. Duke iu kërkuar sërish të marrin pjesë, ajo e shtyu seancën për në orën 14:00.
“E ftoj opozitën sërish që të vijë në seancën për zgjedhjen e presidentit dhe për t’u dhënë mundësinë që të jenë të pranishëm në këtë seancë, do ta vazhdojmë këtë seancë në orën 14:00”, tha Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit tha se duhet të jenë të pranishëm 2/3 e deputetëve, përveç atyre që kanë kërkuar leje, ku për këtë pjesë lexoi vetëm një kërkesë. Ajo tha se 120 deputetët “duhet të ndiejnë obligimin kushtetues.”
Në Kosovë pritet të nisë seanca e dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri, pasi tentativa e parë e së hënës nu kia arriti qëllimit. Por, zhvillimi I seancës së të hënës, ka ndezur debatet tek deputetët në Prishtinë pasi ajo nisi pa praninë e një kuorumi sipas përcaktimeve kushtetuese që udhëzojnë që seanca për zgjedhjen e Presidentit në Kosovë nis me praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë.
Krahas kësaj, një video e filmuar nga mediat në sallën e parlamentit të hënën në Prishtinë, tregon një nga deputetët e LVV, Naim Bardiqi, i cili komunikon në një pltformë mesazhesh më dikë për legjitimitetin e seancës.
“Po e zgjedhim karate. Pastaj të shohim se çfarë thotë kushtetuesja”, shihet të shkruajë deputeti Bardiqi në këtë video.
Bardiqi lë të kuptohet nëpërmjet metaforës së shkruar në mesazh, se seanca po zhvillohet me kokëfortësi dhe me vetëdijen se çështja mund të përfundojë më pas në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Jashtë sallës së Kuvendit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur se do të bëjnë përpjekje maksimale për të zgjedhur presidentin.
Ai ka thënë se tani pritet të shihet nëse do të vijë opozita, ndërsa nuk është përgjigjur nëse do ta përkrahin propozimin e LDK për Vjosa Osmanin.
“Ne i bëjmë përpjekjet maksimale, tani ta shohim a do të vijnë deputetët e opozitës që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin, të marrin pjesë në votim”, është shprehur shkurt Kurti.
LDK ka refuzuar të jetë pjesë e kësaj seance. Megjithatë, sipas REL, Lumir Abdixhiku është parë të hyjë në godinën e Kuvendit.
Lëvizja Demokratike e Kosovës ka mbledhur 15 firma të deputetëve për të treguar mbështetjen e tyre për Vjosa Osmanin si presidente e re e Kosovës.
LDK ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve në Kuvendi i Kosovës gjatë seancës për zgjedhjen e Presidentit, duke akuzuar Lëvizja Vetëvendosje për shkelje të rëndë kushtetuese. Në një dalje për media, kreu i LDK Lumir Abdixhiku ka deklaruar se nisja e votimit pa kuorum përbën përmbysje të rendit kushtetues dhe cenim të drejtpërdrejtë të shtetit.
“Sonte, në seancën e thirrur për Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje inicoi përmbysjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Sipas LDK-së, procedimi i votimit pa numrin e nevojshëm të deputetëve është sabotim i Kushtetutës.
“Nisja e procesit të votimit pa kuorum kushtetues përbën sabotim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe vetë shtetit” tha ai.

Komente









