Pak ditë pasi e njoftoi zyrtarisht nismën për të thirrur në votim të drejtpërdrejtë qytetarët, Adriatik Lapaj shkoi personalisht në KQZ për të dorëzuar një kërkesë për marrjen e formularëve. Synimi është të mbledhë 50 mijë firma për të kërkuar referendum për shfuqizimin e 2 ligjeve, atë të Paketës së Maleve dhe investimeve strategjike, dy ligje që sipas tij po grabisin masivisht pronat e shqiptarëve për t’ia dhënë njerëzve afër qeverisë.

“Po justifikohet vjedhja e pronës, do përballet me një proces referendar“, tha Lapaj.

Kjo lëvizje duket të jetë më shumë taktikë politike për të rikthyer në vëmendje çështjen e referendumit, pasi për realizimin e tij, edhe vetë Lapaj e pranon se është një rrugë e gjatë.

“I bie që nëse gjithçka do të shkojë mirë, i bie të bëhet vjeshtën tjetër“, u shpreh ai.

Referendumet janë një e drejtë kushtetuese, e përcaktuar në nenin 150 të Kushtetutës së Shqipërisë, që parashikon se 50 mijë qytetarë, ose 28 deputetë mund të thërrasin qytetarët në votim të drejtpërdrejtë, por rruga drejt tyre duket e gjatë për shkak të vakuumit ligjor.

Kodi Zgjedhor aktual nuk ka asnjë parashikim për mënyrën se si zhvillohen referendumet. Në të, ka vetëm një dispozitë kalimtare që thotë se parashikimet në kodin e vjetër zgjedhor do të qëndrojnë në fuqi derisa të miratohet një ligj për zhvillimin e referendumit.

Sipas atyre parashikimeve, referendumet mund të zhvillohen vetëm në një ditë gjatë vitit dhe nuk mund të mbahen gjatë periudhave 6 muaj para zgjedhjeve dhe deri në 3 muaj pas tyre.

Rrugëzgjidhja më e mirë do të ishte miratimi i një ligji të ri, i shumëkërkuar, po për të cilin ka munguar vullneti politik. Një draft për ligjin për referendumet, i prezantuar tashmë nga qeveria, parashikon shkurtimin e kohës së ndalimit të mbajtjes së referendumit, nga 6 në 3 muaj para zgjedhjeve dhe nga 3 muaj, në 1 pas zgjedhjeve.

Sipas draftit të qeverisë, një ligj mund të shfuqizohet nëse në referendum marrin pjesë 40% e zgjedhësve dhe votat e vlefshme duhet të jenë sa 30% e totalit të zgjedhësve të regjistruar. Ky draft, do të shkojë në parlament pasi të kalojë konsultimin publik.