Kuvendi i Kosovës dështoi dhe njëherë tjetër për zgjedhjen e presidentit të ri. Sot do të zhvillohet seanca e fundit në orën 10:00 për votimin e kreut të ri të shtetit, në rast se palët nuk dakordësohen për pasardhësin e Vjosa Osmanit, Kuvendi do të shpërndahet dhe brenda 45 ditësh Kosova do të zhvillojë zgjedhje të reja parlamentare.
Opozita dje vendosi të bojkotojë seancën e jashtëzakonshme ndërsa në sallë ishin të pranishëm vetëm 64 deputetë nga 80 që duhen për zhvillimin e seancës. Në votimin e fundit, kandidaturat e Lëvizjes Vetëvendosje, Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë. Një votë u shpall e pavlefshme.
Pas seancës së djeshme, Lëvizja Demokratike e Kosovës me në krye Lumir Abdixhikun, ka propozuar Vjosa Osmanin si presidente duke mbledhur dhe 15 firma nga grupi parlamentar. Osmani ka shërbyer si presidente e Kosovës që prej prillit 2021. Ajo e dorëzoi mandatin e saj 5-vjeçar më 4 prill 2026 ndërsa synon dhe për një mandat të dytë.
Ndërkohë, dy kandidatët fillestarë të Vetëvendosjes për postin e presidentit, Glauk Konjufca dhe Fatime Mulhaxha-Kollçaku, u tërhoqën zyrtarisht nga gara pas 2 raundeve të dështuara.
Opozita e cilësoi seancën si një “spektakël politik”, ndërsa kryeministri Albin Kurti ua faturon atyre fajin e dështimit duke thënë se opzita nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë konkrete për zgjedhjen e presidentit të ri.
Lajmi në përditësim...
Lëvizja Demokratike e Kosovës ka mbledhur 15 firma të deputetëve për të treguar mbështetjen e tyre për Vjosa Osmanin si presidente e re e Kosovës.
LDK ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve në Kuvendi i Kosovës gjatë seancës për zgjedhjen e Presidentit, duke akuzuar Lëvizja Vetëvendosje për shkelje të rëndë kushtetuese. Në një dalje për media, kreu i LDK Lumir Abdixhiku ka deklaruar se nisja e votimit pa kuorum përbën përmbysje të rendit kushtetues dhe cenim të drejtpërdrejtë të shtetit.
“Sonte, në seancën e thirrur për Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje inicoi përmbysjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Sipas LDK-së, procedimi i votimit pa numrin e nevojshëm të deputetëve është sabotim i Kushtetutës.
“Nisja e procesit të votimit pa kuorum kushtetues përbën sabotim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe vetë shtetit” tha ai.

Komente











