Shqipëria, Italia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Rumania angazhohen për avancimin pa vonesa të ndërtimit të projektit infrastrukturor Korridori VIII si një ndërlidhje e rëndësishme strategjike, politike, ekonomike dhe të sigurisë.
Angazhimi i pesë vendeve është konfirmuar përmes një deklarate të përbashkët, këtë të mërkurë në Tiranë, në takimin e ministrave të jashtëm, organizuar nga qeveria shqiptare.
“Rikonfirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për ta shndërruar Korridorin VIII në një arterie strategjike të ndërlidhjes evropianë, zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit, duke e mbajtur atë si prioritet në agjendën politike si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë evropian”, thuhet në deklaratën e përbashkët të 5 ministrave.
Mikpritësja e ministerialit, ministrja e jashtme Elisa Spiropali, tha se Shqipëria është nyje kyçe e projektit.
“Ne thjesht po përfundojmë një detyrë që historia e ka përcaktuar tashmë për ne: ta bëjmë këtë pjesë të Evropës realisht të ndërlidhur. Në të gjithë vendin, korridori është në qendër të strategjisë sonë kombëtare të transportit. Shqipëria po bëhet një nga nyjet e më të besueshme të këtij projekti....Për rajonin tonë, ky nuk është vetëm një projekt transporti. Është një deklaratë politike. Ai tregon se Adriatiku dhe Deti i Zi nuk janë skajet e Evropës, por portat e saj hyrëse”, tha Spiropali.
Për kryediplomatin italian, Antonio Tajani, Korridori VIII është një projekt kyç për Romën zyrtare për ndërlidhjen e një rajoni që është evropian tha ai dhe thjesht pret ribashkimin me Evropën.
“Ne do të bëjmë gjithçka që ju të jeni pjesë e Bashkimit Evropian së shpejti. Por përpara duhet të bëjmë ribashkimin. Nuk është zgjerim por ribashkim. Ju jeni vende evropiane dhe kështu është më mirë të flasim për ribashkim.... Do të këmbëngulim në Bruksel për të arritur rezultate shumë të mira për korridorin VIII, jam i gatshëm të bëjmë gjithçka për ta përshpejtuar”, tha ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani.
Angazhimin për të vijuar investimet dhe përfundimin në një kohë sa më të shpejtë e morën edhe Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Rumania.
“Të harmonizojmë hapat në të gjitha anët. Ndërlidhja nuk është vetëm beton. Rajoni duhet të prodhojë rezultate të prekshme për të gjithë, sidomos për të rinjtë”, tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timco Muconski.
“Korridori 8 rrit konkurrueshmërinë e ekonominë e rajonit, ul varësinë nga korridoret e tjera, është një katalizator zhvillimit dhe do ta bëjë më tërheqës rajonin”, tha zv/ministri i Jashtëm i Bullgarisë Nikolay Pavlov.
“Rumania është shumë e përkushtuar të mbështesë këtë infrastrukturë të rëndësishme për Evropën Juglindore. Aspekti strategjik në të ardhmen na bën bashkë dhe është detyra jonë të bashkëpunojmë”, tha ambasadori i Rumanisë Octavian Serban.
Korridori VIII është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për integrimin rajonal. Me zanafillë si projekt rajonal i viteve ’90 dhe i përfshirë më pas në rrjetin prioritar evropian TEN-T, korridori synon të lidhë portin e Durrësit dhe Vlorës me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me Bullgarinë, duke krijuar një aks strategjik mes Detit Adriatik dhe Detit të Zi.

Ministrja Delina Ibrahimaj
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se Korridori VIII është shumë më tepër sesa një projekt transporti; ai është një instrument kyç për integrimin evropian, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e stabilitetit rajonal.
Në fjalën e saj përpara ministrave, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, partnerëve financiarë dhe përfaqësuesve të biznesit, ministrja Ibrahimaj theksoi, se ndërlidhja fizike dhe ekonomike është kusht për rritjen e konkurrueshmërisë, garanci për sigurinë dhe themel për prosperitet të përbashkët.
“Korridori VIII është shumë më tepër sesa një projekt transporti, dhe më lejoni që ta them me bindje se është një instrument kyç për integrimin evropian, për zhvillimin ekonomik dhe për forcimin e stabilitetit rajonal. Kjo pasi në kontekstin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe të rikonfigurimit të prioriteteve strategjike të Europës, ndërlidhja fizike dhe ekonomike është kusht për rritjen e konkurrueshmërisë, si garanci për sigurinë, dhe patjetër si themel për prosperitet të përbashkët”, tha Ibrahimaj.
Ajo theksoi se ripozicionimi i Korridorit VIII në arkitekturën TEN-T është një çështje thelbësore që kërkon kalimin nga angazhimet politike në prioritete të zbatueshme evropiane, me projekte të planifikuara mirë, të financuara qëndrueshëm dhe të implementuara me efikasitet.
“Ripozicionimi i Korridorit VIII në arkitekturën TEN-T, më lejoni ta them, është një nga çështjet më thelbësore, që përfshin kalimin nga angazhimet politike në prioritete të zbatueshme evropiane, në projekte të planifikuara mirë, të financuara në mënyrë të qëndrueshme dhe të implementuara me efikasitet”, u shpreh ministrja.
Ministrja Ibrahimaj nënvizoi potencialin strategjik të Shqipërisë si nyje lindje-perëndim dhe portë e Adriatikut, duke u fokusuar në zhvillimin e porteve, infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Sipas saj, zhvillimi i logjistikës dhe infrastrukturës transportuese portuale dhe hekurudhore mund të pozicionojë vendin si pikë hyrëse për tregjet e Europës Juglindore drejt Europës Perëndimore, duke ulur kostot logjistike për bizneset dhe duke përmirësuar aksesin në tregjet evropiane.
“Pozicioni ynë gjeografik na vendos në një pikë kyçe të ndërlidhjes midis Adriatikut, Ballkanit dhe Detit të Zi. Përmes zhvillimit të porteve, infrastrukturës rrugore e hekurudhore, Shqipëria pa frikë mund të shndërrohet në një pikë kyçe të rëndësishme tranziti dhe shpërndarjeje për rajonin dhe më gjerë”, theksoi ajo.
Projekti është plotësisht i harmonizuar me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Shqipëria 2030, me Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe me angazhimet e Procesit të Berlinit. Ministrja veçoi projektin si thelbësor për lehtësimin e tregtisë, i cili po hyn në fazën e tij të dytë, i financuar nga Banka Botërore, me mbështetje nga Bashkimi Europian.
“Lehtësimi i tregtisë do të forcojë integrimin në zinxhirët rajonalë të vlerës dhe do të krijojë hapësira të reja për zhvillim industrial përgjatë korridorit. Investimet në infrastrukturë do të gjenerojnë vende pune, do të nxisin sektorin e ndërtimit, turizmit dhe të shërbimeve, si dhe do të rrisin atraktivitetin e vendit dhe rajonit për investime të huaja dhe vendas”, tha ajo.
Ministrja Ibrahimaj theksoi gjithashtu dimensionin gjeopolitik dhe të sigurisë të Korridorit VIII, duke e cilësuar atë si një aks horizontal që forcon ndërlidhjen në hapësirën rajonale, kontribuon në zhvillimin e Evropës Juglindore dhe në mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
“Por më lejoni të them se në të njëjtën kohë, nuk mund të anashkalojmë dimensionin gjeopolitik dhe të sigurisë së këtij korridori, pasi ai përfaqëson një aks horizontal që forcon ndërlidhjen në hapësirën e këtyre vendeve. Gjithashtu, Korridori VIII kontribuon në zhvillimin sidomos të Evropës Juglindore dhe në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, pasi në një mjedis global të pasigurtë, investimi në infrastrukturë është edhe investim në stabilitet”, u shpreh ministrja.
Në Tiranë po mbahet Ministeriali e Korridorit VIII, me fokus avancimin e bashkëpunimit strategjik në fushën e ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit rajonal.
Gjatë fjalës së tij Timčho Mucunski, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, tha se Korridori i VIII është një pikë strategjike që mund të përshpejtojë integrimin e Ballkanit në tregun e përbashkët evropian.
“Është kënaqësi që ndodhemi në Tiranë. Korridori VIII është një lidhje mes Adriatikut, Jonit dhe Detit të Zi dhe është një korridor që mund të përshpejtojë integrimin e Ballkanit në tregun e përbashkët evropian. Ne e njohim rëndësinë që ka për NATO-n dhe në kontekstin e BE-së. Na duhet të ecim përpara edhe më shpejt, dhe sot kjo lidhet më tepër me qëndrueshmërinë për të lëvizur me siguri mallrat dhe njerëzit, si dhe për të ngritur kapacitetet tona”, tha ai.
Ai shtoi se Korridori VIII mund të shndërrohet jo vetëm në një aks të rëndësishëm transporti, por edhe në një bosht energjetik, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve energjetike dhe në ndërtimin e infrastrukturës që mbështet tranzicionin energjetik të qëndrueshëm.
“Këto rezultate duhet t’i ndiejnë vetë vendet dhe vetë qytetarët: distanca më të shkurtra, më të shpejta, dhe zbatimi i standardeve evropiane. Korridori VIII mund të shndërrohet jo vetëm në një aks ndërlidhjeje transporti, por edhe energjetike dhe të rezistencës. Mund të forcojmë lidhjet energjetike dhe të ndërtojmë infrastrukturë që e bën tranzicionin energjetik më të qëndrueshëm”, u shpreh ministri.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani në ministerialin e Korridorit VIII që u mbajt në Tiranë, përcolli mesazhin se Italia do të mbështesë vendin tonë në rrugën drejt BE-së. Tajani tha se Shqipëria është vend europian, ndërsa shtoi se Korridori VIII është pjesë e strategjisë për bashkimin e Ballkanit me BE-në.
“Jam dakord me ju se dhe për italianë korridori VIII nuk është vetëm zgjedhje teknike, është zgjedhje politike se kjo pjesë e strategjisë tonë për bashkimin e Ballkanit, është përparësi strategjike për qeverinë italiane, do të bëjmë maksimumin t’ju ndihmojmë që të bëheni pjesë e BE dhe jam i qartë për Ballkanin Perëndimor. Më 30 mars do të kemi një grup të miqve të Ballkanit për të afirmuar mbështetjen për bashkimin e rajonit.
Deklarata e përbashkët që do miratojmë, do të përçojë mesazh të fuqishëm, korridori 8 është përparësi e përbashkët strategjike për ekonomitë tona. Jemi të angazhuar për të hedhur hapa konkrete për realizimin e tij. Është kryesor për tregtinë, për Italinë tregtia është pak a shumë 40% e PBB sonë. Objektivi ynë është të rrisim eksportet, për këtë do punojmë fort Potenciali për aktivitet ekonomik mes Adriatikut dhe Ballkanit, është i jashtëzakonshëm.
Sot më shumë se kurrë, përfundimi i Korridorit VII është objektiv kyç sigurie, është instrument për të forcuar shtyllën europiane të NATO-s, nëse duam të jemi më të rëndësishëm, nëse duam të flasim me amerikanët në të njëjtin nivel na duhet të forcojmë shtyllën europiane të NATO-s”, tha Tajani.
Spiropali mbajti fjalën e saj në nisje të sesionit qendror teksa tha se Korridori VIII është ndërlidhja e munguar mes lindjes dhe perëndimin e Ballkanit Perëndimor.
"Korridori VIII është ndërlidhja e munguar lindje–perëndim e Ballkanit Jugor. Ai lidh Adriatikun me Detin e Zi, tregjet me tregjet dhe rajonin tonë me zemrën e Europës. Dy mijë vjet më parë, Via Egnatia arriti pikërisht këtë: lidhi portet, qytetet dhe njerëzit në të njëjtën hapësirë gjeografike. Sot, nuk po shpikim diçka të re. Ne thjesht po përfundojmë një detyrë që historia e ka përcaktuar tashmë për ne: ta bëjmë këtë pjesë të Europës realisht të ndërlidhur. Ndërlidhje do të thotë mundësi. Do të thotë qëndrueshmëri. Dhe në Europën e sotme, nënkupton edhe siguri", tha Spiropali.
Ministrja e Jashtme deklaroi se "në të gjithë vendin, korridori është në qendër të strategjisë sonë kombëtare të transportit" dhe se "Shqipëria po bëhet një nga nyjet e më të besueshme të këtij projekti".
"Ne kemi një portofol projektesh prioritare me vlerë mbi dy miliardë euro dhe shumica e tyre janë tashmë të gatshme për zbatim. Në sektorin hekurudhor, linja Durrës–Rrogozhinë po avancon me financim evropian. Punimet inxhinierike për segmentin pasues drejt Pogradecit kanë nisur. Ndërkohë, linja e re hekurudhore që lidh Tiranën me Durrësin dhe aeroportin ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit. Në sektorin rrugor, segmentet kryesore nga porti drejt kufirit lindor janë në ndërtim ose në faza të avancuara përgatitore. Në sektorin e energjisë, interkonjeksioni 400-kilovolt me Maqedoninë e Veriut, që ndjek gjurmën e korridorit, është pranë përfundimit. Pra, porta perëndimore e Korridorit VIII nuk është më një ide. Ajo është një paketë projektesh konkrete në terren, me financim, kontrata dhe afate të përcaktuara", tha ajo.
Spiropali u ndal edhe në rëndësinë e Korridorit VIII si aset strategjik për ndërveprueshmërinë dhe sigurinë europiane.
"Rrugët, hekurudhat, portet dhe lidhjet energjetike janë asete strategjike. Korridori VIII është i vetmi aks i vërtetë lindje–perëndim në Europën Juglindore. Ai lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes vendeve tona, të gjitha anëtare të NATO-s. Kjo i jep këtij korridori një dimension të dytë, shumë praktik. Ai nuk është vetëm një projekt ekonomik dhe integrues.
Ai është edhe një korridor ndërveprueshmërie. Ai mundëson që forcat aleate, pajisjet dhe furnizimet të lëvizin më shpejt dhe në mënyrë më të parashikueshme në rajon, duke forcuar arkitekturën e sigurisë së krahut jugor të Aleancës. Vetëm pak ditë më parë, në Takimin Ministror të Mbrojtjes të NATO-s, u riafirmua rëndësia strategjike e mobilitetit ushtarak në krahun juglindor, duke mundësuar avancimin e përdorimit të dyfishtë të Korridorit VIII përmes financimit të përbashkët të Aleancës. Në këtë kuptim, Korridori VIII kontribuon jo vetëm në tregti dhe rritje ekonomike, por edhe në mbrojtjen kolektive, qëndrueshmërinë dhe stabilitetin në hapësirën më të gjerë të Detit të Zi dhe Mesdheut", deklaroi Spiropali.
Komente










