Përfaqësuesit e SHBA-së, Ukrainës dhe vendeve europiane kanë diskutuar në Abu Dhabi rishikimin e marrëveshjeve të sigurisë në Europë, për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit me Rusinë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cilësoi “shumë produktive” negociatat mes Moskës dhe Kievit, ndërsa konfirmoi se synimi është që edhe europianët të përfshihen drejtpërdrejt në tryezën e bisedimeve.

SHBA-ja, Ukraina dhe përfaqësuesit europianë kanë rënë dakord të shqyrtojnë rishikimin e marrëveshjeve të sigurisë në Europë, me synimin për të ulur rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit me Rusinë dhe për të garantuar stabilitetin e kontinentit pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

Dakordësia u arrit gjatë takimeve përgatitore në Abu Dhabi, ku sot kanë nisur negociatat e reja për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

Sipas deklaratave të publikuara nga i dërguari amerikan Steve Witkoff dhe Këshilli Europian, palët e konsiderojnë të domosdoshëm trajtimin e shqetësimeve të sigurisë pas luftës dhe krijimin e një kuadri të përbashkët që garanton sigurinë afatgjatë të Ukrainës.

“Objektivi i përbashkët është të zhvillohet një kuadër praktik sigurie, ku masat të përforcojnë njëra-tjetrën, të forcohet siguria afatgjatë e Ukrainës dhe të ndërtohet besimi i nevojshëm për të arritur një zgjidhje përmes negociatave”, thuhet në deklaratë.

Diskutimet përfshinë gjithashtu mundësinë e përshtatjes së institucioneve dhe marrëveshjeve ekzistuese europiane të sigurisë pas përfundimit të luftës.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka cilësuar “shumë produktive” negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës, por ka theksuar se mbetet ende shumë punë për t'u bërë.

Duke folur për gazetarët pas takimit të ministrave të Jashtëm të G7 në Paris, Rubio deklaroi se përfaqësuesit europianë të pranishëm në Emiratet e Bashkuara Arabe do të zhvillojnë bisedime me ekipet amerikane.

“Ata kanë punuar ngushtë me Jared Kushner dhe Steve Witkoff, të cilët kanë qenë të pranishëm në çdo fazë të procesit”, tha Rubio.

Ai shtoi se synimi i SHBA-së është që formati aktual trepalësh mes Uashingtonit, Moskës dhe Kievit të zgjerohet në një moment të mëvonshëm, duke përfshirë edhe vendet europiane.

“Qëllimi ynë është që në një moment ky format trepalësh të zgjerohet”, deklaroi Rubio, duke konfirmuar se europianët “do të përfaqësohen drejtpërdrejt në tryezën e negociatave”.

Rishikimi i arkitekturës së sigurisë europiane mbetet një çështje delikate, ndërsa Rusia ka kërkuar vazhdimisht kufizimin e pranisë dhe aktiviteteve të NATO-s në Europë dhe kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në Aleancë.

Nga ana tjetër, Kievi dhe aleatët e tij më të afërt kanë mbështetur perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Moska kundërshton armëpushimin e menjëhershëm

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Moska nuk do t'i pranojë kërkesat europiane për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë.

“Gjithçka që dëgjojmë aktualisht nga Brukseli dhe kryeqytetet e tjera të Bashkimit Europian është kërkesa për një armëpushim të menjëhershëm. Është e njëjta logjikë e vjetër: ata duan patjetër të fitojnë kohë për klientët e tyre, regjimin e Kievit, dhe ta përdorin këtë kohë për të rikuperuar disi humbjet ushtarake që kanë pësuar. Ne nuk do ta pranojmë këtë, e kemi thënë shumë herë”, deklaroi Lavrov, i cituar nga Interfax.

Çfarë po diskutohet në Abu Dhabi?

Negociatat e reja po zhvillohen me ndërmjetësimin e administratës Trump, e cila po përpiqet t'i japë fund luftës gati pesëvjeçare në Ukrainë.

SHBA-ja përfaqësohet nga Jared Kushner dhe Steve Witkoff, ndërsa delegacioni rus përfshin zyrtarë të lartë ushtarakë dhe diplomatikë, mes tyre zëvendësministrin e Jashtëm Sergei Ryabkov.

Delegacioni ukrainas drejtohet nga Rustem Umerov, ndërsa pjesë e tij janë edhe Kyrylo Budanov, Davyd Arakhamia dhe Serhii Kyslytsia.

Sipas zyrtarëve amerikanë, dita e parë e negociatave është përqendruar te garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe riformësimi i mundshëm i arkitekturës së sigurisë në Europë.

Dita e dytë pritet t'i kushtohet çështjeve territoriale, përcaktimit të kufijve dhe vijave ndarëse, si dhe temave të tjera që lidhen me negociatat.

Për fatin e territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia, zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se të dyja palët kanë treguar “fleksibilitet” gjatë diskutimeve private.

Sipas tyre, synimi i këtij raundi është ruajtja e ritmit të përparimit të arritur gjatë javëve të fundit dhe jo arritja e menjëhershme e një marrëveshjeje përfundimtare armëpushimi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:52
Përplasje për buxhetin e BE-së/ Katër vende kundërshtojnë kërkesën e kancelarit Merz për ndihmë të re financiare ndaj Ukrainës

Një përplasje e re ka shpërthyer brenda Bashkimit Evropian lidhur me buxhetin afatgjatë të unionit dhe mbështetjen financiare për Ukrainën. Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Bullgaria kanë kundërshtuar kërkesën e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, i cili kërkon që miratimi i buxhetit të ardhshëm shumëvjeçar të BE-së të kushtëzohet me sigurimin e një pakete të re financiare për Kievin.

Kryeministri sllovak, Robert Fico, e ka cilësuar këtë kërkesë si një rast tipik shantazhi, duke paralajmëruar se vendi i tij mund të përdorë të drejtën e vetos.

“Ne kemi të drejtë të barabartë në këtë çështje. Ashtu siç zoti Merz flet për përdorimin e vetos, edhe unë mund të them të njëjtën gjë. Ne kemi të njëjtën të drejtë vetoje si kancelari federal gjerman”, deklaroi Fico të martën, gjatë takimit me homologun e tij çek, Andrej Babiš, në Bratislavë.

Nga ana e tij, kryeministri çek ironizoi qëndrimin e Merzit, duke deklaruar se kancelari gjerman ndoshta nuk e ka parasysh faktin se projektbuxheti i propozuar i BE-së parashikon tashmë 100 miliardë euro për Ukrainën. Megjithatë, këto fonde nuk do të jenë të disponueshme deri në vitin 2028, ndërkohë që Kievi përballet me një mungesë financiare prej rreth 70 miliardë eurosh për vitin e ardhshëm.

“E sotmja nuk do të jetë një ditë e zakonshme pune. Sot duhet t'i përgjigjemi shantazhit”, u shpreh Fico, duke kundërshtuar hapur qëndrimin e kancelarit gjerman.

Merz e ka përforcuar qëndrimin e tij përmes një letre drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, ku thekson se sigurimi i ndihmës së re për Ukrainën është një kusht thelbësor për miratimin e buxhetit të ardhshëm të BE-së. Në këtë mënyrë, dy çështje të ndjeshme politike dhe financiare janë lidhur drejtpërdrejt me njëra-tjetrën, ndërkohë që miratimi i të dyjave kërkon unanimitet mes vendeve anëtare.

Brukseli ka premtuar të mbulojë rreth dy të tretat e nevojave financiare të Ukrainës, përkatësisht rreth 45 miliardë euro nga deficiti prej 70 miliardësh. Për këtë qëllim ende nuk është përcaktuar një mekanizëm konkret financiar, ndërsa si alternativë kryesore po shqyrtohet krijimi i një skeme të re të borxhit të përbashkët evropian.

Kjo ndihmë do t'i shtohej kredisë ekzistuese prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, nga e cila Sllovakia, Çekia dhe Hungaria kanë siguruar përjashtime.

“Në mbështetje të Ukrainës qëndron siguria e përbashkët dhe e pandashme e Evropës. Për rrjedhojë, edhe barra financiare e kësaj mbështetjeje duhet të ndahet mes të gjithëve”, shkruan Merz në letrën e tij.

Ndërkohë, kancelari gjerman ka pritur të martën në Berlin kryeministrin hungarez, Péter Magyar, vetëm një ditë pasi letra e tij u bë publike.

Pas takimit, Magyar bëri të qartë se nuk e mbështet lidhjen e buxhetit të BE-së me ndihmën për Ukrainën, duke argumentuar se këto janë dy çështje të ndryshme, të cilat duhet të trajtohen veçmas.

Ai u shpreh se nuk e konsideron të nevojshme përdorimin e termit “shantazh”, siç kishte bërë më herët homologu sllovak, Robert Fico, por paralajmëroi se kjo qasje mund të përcjellë një mesazh jo të mirë.

Magyar theksoi gjithashtu se Hungaria nuk mund të angazhohet për marrjen e borxhit të ri në nivel evropian, pasi vendi po përpiqet të kontrollojë deficitin e lartë publik.

Megjithatë, ai shprehu bindjen se palët do të arrijnë një marrëveshje për buxhetin e ardhshëm të unionit, përmes negociatave në Berlin, Dublin dhe Bruksel.

Edhe kryeministri bullgar, Rumen Radev, ka kërkuar që vendi i tij të përjashtohet nga linjat e ardhshme të kreditimit për Ukrainën, duke iu referuar niveleve të larta të deficitit buxhetor. Gjatë një deklarate në Varna, ai theksoi se Bullgaria do të vijojë ta mbështesë Ukrainën përmes formave të tjera, përfshirë furnizimet me energji.

“Bullgaria nuk po pengon në asnjë mënyrë vendimet e marra në nivel të Këshillit, të cilat synojnë që të gjitha vendet të kontribuojnë në mbështetjen e Ukrainës sipas mundësive të tyre”, deklaroi Radev.

Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Bullgaria janë pjesë e grupimit të njohur si “Miqtë e Kohezionit”, i përbërë nga 17 vende, të cilat kërkojnë ruajtjen e fondeve për kohezionin dhe bujqësinë në buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të BE-së.

Ky qëndrim i vendos ato në kundërshti me vendet që njihen si “kursimtarët”, të cilat kërkojnë uljen e shpenzimeve të përgjithshme të unionit. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe disa prej kontribuuesve më të mëdhenj në ndihmën financiare për Ukrainën, si Gjermania.

Këto vende kundërshtojnë faktin që Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Bullgaria kërkojnë të përjashtohen nga detyrimet e reja financiare për Ukrainën, ndërkohë që vijojnë të kërkojnë ruajtjen e fondeve të kohezionit.

Duke folur në krah të kryeministrit hungarez në Berlin, kancelari Merz përsëriti se mbështetja për Ukrainën duhet të shpërndahet në mënyrë më të drejtë mes vendeve anëtare.

“Shtetet evropiane nuk mund të vazhdojnë në këtë mënyrë. Politika e mbështetjes ndaj Ukrainës duhet të përfshihet plotësisht në buxhetin e Bashkimit Evropian”, deklaroi Merz.

Ai pranoi se të paktën katër vende kanë një qëndrim të ndryshëm, por theksoi se dialogu dhe negociatat mbeten të domosdoshme për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.

Ora 17:13
Sanksionet kundër Rusisë, BE do të ngrejë një zyrë të posaçme për të parandaluar shmangien e tyre! Brukseli: Do të mbajmë të lartë presionin ndaj Moskës

Bashkimi Europian do të ngrejë një zyrë të posaçme për të koordinuar zbatimin e sanksioneve ekonomike dhe për të parandaluar shmangien e tyre, me synimin për të rritur efektivitetin e masave kundër Rusisë. Një zëdhënës i Komisionit Europian bëri të ditur se presidentja Ursula von der Leyen ka vendosur krijimin e Zyrës së BE-së për Sanksionet, e cila do të funksionojë brenda Komisionit Europian dhe do të ndihmojë vendet anëtare me udhëzime, shkëmbim të dhënash dhe analiza ekonomike e teknike.

Komisioni përshëndeti gjithashtu raportin e Gjykatës Europiane të Audituesve, sipas të cilit sanksionet tregtare dhe masat kundër shmangies së tyre kanë ulur ndjeshëm tregtinë mes BE-së dhe Rusisë, veçanërisht për mallrat që i nevojiten ushtrisë ruse.

Komisionerja europiane për Shërbimet Financiare, Maria Luís Albuquerque, deklaroi se duhet të vazhdohet në këtë drejtim. “Sanksione më të forta, zbatim i qëndrueshëm dhe kontrolle më të rrepta do të mbajnë të lartë presionin dhe do të ndihmojnë në krijimin e kushteve për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Mesazhi ynë është i qartë: Europa mbetet e bashkuar, e vendosur dhe e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën”, tha ajo.

Ora 16:50
Negociatat për paqen në Abu Dhabi, Zelensky: Bisedime konstruktive, diskutuam për garancitë e sigurisë! Lirimi i të burgosurve është prioritet

1791798626_volodymyrzelensky.webp

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka cilësuar “konstruktive dhe të thelluara” negociatat trepalëshe të zhvilluara sot në Abu Dhabi mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së.

Në një postim në rrjetin X, pas raportimit që mori nga negociatorët ukrainas, Zelensky deklaroi se palët kanë diskutuar në detaje për përmbajtjen e garancive të sigurisë për Ukrainën dhe mënyrën se si të sigurohet që ato të funksionojnë në afat të gjatë. “U diskutua për nevojën dhe parametrat e mundshëm të masave humanitare. Lirimi i të burgosurve është prioritet”, shkroi presidenti ukrainas.

Ai shtoi se ka dhënë udhëzime për vazhdimin e dialogut gjatë negociatave të planifikuara për nesër dhe në ditët në vijim.

Ora 16:38
Negociatat për paqen në Abu Dhabi, Rusia dhe Ukraina arrijnë marrëveshje për shkëmbimin e një numri të madh të burgosurish!

Rusia dhe Ukraina raportohet se kanë arritur një marrëveshje për shkëmbimin e një numri të madh të burgosurish në të ardhmen e afërt, gjatë ditës së parë të negociatave trepalëshe me SHBA-në në Abu Dhabi, më 10 nëntor. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta ukrainase “Ukrainska Pravda”, e cila citon një burim pranë delegacionit ukrainas.

“Pas ditës së parë të negociatave trepalëshe, puna e delegacionit tonë solli një rezultat të rëndësishëm: arritëm një marrëveshje për shkëmbimin e një numri të madh të burgosurish në të ardhmen e afërt”, deklaroi burimi. Sipas tij, gjatë raundit të parë të bisedimeve mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë, palët diskutuan gjithashtu për garancitë e sigurisë, kërkesat e Moskës dhe prekën edhe çështjen e së ardhmes pas përfundimit të luftës.

Ora 15:54
'Negociatat Rusi-Ukrainë në Abu Dhabi shumë produktive', Rubio: Ka ende shumë punë për të bërë!

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka cilësuar “shumë produktive” negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës që nisën sot në Abu Dhabi me ndërmjetësimin e SHBA-së, por theksoi se ka ende “shumë punë për të bërë”.

Duke folur për gazetarët pas takimit të ministrave të Jashtëm të G7 në Paris, Rubio deklaroi se përfaqësuesit europianë të pranishëm në Emiratet e Bashkuara Arabe do të zhvillojnë bisedime me ekipet amerikane.

“Ata kanë punuar ngushtë me Jared Kushner dhe Steve Witkoff, të cilët kanë qenë të pranishëm në çdo fazë të procesit”, tha ai. Rubio shtoi se synimi i SHBA-së është që formati aktual trepalësh, ku marrin pjesë Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja, të zgjerohet në një moment të mëvonshëm për të përfshirë edhe europianët.

“Ata do të përfaqësohen drejtpërdrejt në tryezën e negociatave”, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit.

Ora 14:47
'Nuk pranojmë armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë', Lavrov refuzon kërkesat e BE-së: Brukseli kërkon t’i japë kohë Kievit të rikuperojë humbjet ushtarake

Rusia nuk do t’i pranojë kërkesat e vendeve europiane për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cituar nga agjencia Interfax, duke akuzuar Brukselin se po përpiqet të fitojë kohë për Kievin.

“Gjithçka që dëgjojmë aktualisht nga Brukseli dhe kryeqytetet e tjera të Bashkimit Europian është kërkesa për një armëpushim të menjëhershëm. Është e njëjta logjikë e vjetër: ata duan patjetër të fitojnë kohë për klientët e tyre, regjimin e Kievit, dhe ta përdorin këtë kohë për të rikuperuar disi humbjet ushtarake që kanë pësuar. Ne nuk do ta pranojmë këtë, e kemi thënë shumë herë”, deklaroi Lavrov.

Ora 14:32
Negociatat për paqen në Abu Dhabi, Kushner: Dallimet mes Rusisë dhe Ukrainës janë ngushtuar, ka propozime për kapërcimin e tyre

1794317621_kushner.JPG

I dërguari amerikan Jared Kushner deklaroi në nisje të negociatave trepalëshe në Abu Dhabi se SHBA-ja ka zhvilluar kontakte pothuajse të përditshme me Moskën dhe Kievin, duke identifikuar çështjet ku palët kanë ende mospajtime.

“Kemi pasur biseda pothuajse të përditshme me të dyja palët. Mendoj se kemi arritur vërtet të identifikojmë dhe të ngushtojmë hendekun që duhet kapërcyer. Kemi disa ide të mira se si mund të kapërcehet ky hendek. Shpresojmë që sot dhe nesër të zhvillojmë një dialog të hapur, të sinqertë e gjithëpërfshirës, për të bërë përparim të mëtejshëm”, u shpreh Kushner.

Ai shtoi se presidenti Donald Trump është i angazhuar për arritjen e paqes dhe i ka kërkuar ekipit amerikan të bëjë përpjekje shtesë për t'i dhënë fund luftës.

Në tryezën e negociatave janë gjithashtu garancitë e sigurisë pas përfundimit të luftës. Ukraina kërkon mbrojtje ndaj një agresioni të mundshëm të ardhshëm rus, ndërsa Moska kërkon kufizimin e pranisë së NATO-s në Evropën Lindore.

Ora 12:16
Negociatat për paqen në Abu Dhabi, Rubio: Rruga është ende e gjatë, por dialogu është pozitiv! SHBA nuk i ka kundërshtuar kurrë bisedimet mes Europës dhe Rusisë

1793371888_marcorubio.webp

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka vlerësuar pozitivisht rifillimin e negociatave trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi, por ka theksuar se rruga drejt paqes është ende e gjatë. “Ka ende një rrugë të gjatë përpara. Megjithatë, është mirë që po dialogojnë, është pozitive që bisedimet trepalëshe kanë rifilluar. Është gjithmonë më mirë të ketë dialog sesa të mos ketë fare”, deklaroi Rubio. Ai shtoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë kundërshtuar asnjëherë bisedimet e drejtpërdrejta mes Europës dhe Rusisë. “Ishin rusët ata që nuk i donin”, tha sekretari amerikan i Shtetit.

Ora 12:14
Danimarka 630 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, njoftimi para takimit të Zelenskyt me liderët nordikë në Kopenhagë

Danimarka do t’i japë Ukrainës 4,2 miliardë korona daneze (630 milionë dollarë) ndihmë ushtarake. Njoftimi u bë sot nga ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të takohet me liderët e vendeve nordike në Kopenhagë. Rasmussen e bëri të ditur vendimin për gazetarët pas një takimi me Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit danez. Ai njoftoi gjithashtu se Danimarka do të japë edhe 150 milionë korona të tjera për sektorin energjetik të Ukrainës.

Ora 12:10
Negociatat e paqes në Abu Dhabi, SHBA dhe Europa deklaratë të përbashkët: Marrëveshja të respektojë integritetin territorial të Ukrainës! NATO thelbësore për mbrojtjen

SHBA-ja dhe vendet europiane kërkojnë që çdo marrëveshje e ardhshme për paqen në Ukrainë të respektojë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kievit në vendimmarrje, si dhe të ofrojë garanci të besueshme sigurie për vendin.

Ky qëndrim u shpreh në një deklaratë të përbashkët pas takimit të sotëm në Abu Dhabi mes përfaqësuesve të Bashkimit Europian, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Ukrainës, SHBA-së dhe NATO-s.

“Pjesëmarrësit theksuan se çdo marrëveshje e ardhshme duhet të respektojë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës në vendimmarrje, si dhe të ofrojë garanci të besueshme sigurie për vendin”, thuhet në deklaratë. Në dokument theksohet gjithashtu se “një NATO e fortë do të mbetet thelbësore për mbrojtjen kolektive euroatlantike”.

Ora 11:55
'Europianët vetëm pengojnë procesin', Moska përjashton BE-në nga negociatat për paqen në Abu Dhabi: Nuk janë pjesë e bisedimeve trepalëshe

Europianët nuk janë pjesë e procesit të negociatave trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së. Këtë e konfirmoi zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandr Grushko. 

“Ata nuk janë pjesë e procesit. Kuptohet që si amerikanët, ashtu edhe ukrainasit do të konsultohen me ta”, u tha Grushko gazetarëve të martën.

Ai kritikoi gjithashtu rolin e vendeve europiane në përpjekjet për paqe.

“Deri tani, europianët kanë vepruar si pengesë për procesin dhe nuk shoh asnjë faktor që mund ta ndryshojë këtë qëndrim të tyre”, përfundoi zëvendësministri rus.

Ora 11:44
Para negociatave me Rusinë, SHBA takohet me Ukrainën dhe europianët! Witkoff: Çdo marrëveshje duhet të respektojë kufijtë dhe sovranitetin e Kievit

Çdo marrëveshje e ardhshme për paqen në Ukrainë duhet të respektojë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e vendit në vendimmarrje, si dhe të ofrojë garanci të besueshme sigurie. Kështu deklaroi i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në një postim në rrjetin X, pas takimit mes përfaqësuesve të SHBA-së, Ukrainës dhe partnerëve europianë në Abu Dhabi, në prag të negociatave trepalëshe me Rusinë.

“Pjesëmarrësit theksuan se çdo marrëveshje e ardhshme duhet të respektojë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë në vendimmarrje, si dhe të ofrojë garanci të besueshme sigurie për Ukrainën”, shkroi Witkoff.

“Përpara bisedimeve të ardhshme trepalëshe me Rusinë, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe partnerëve europianë u takuan për të vijuar koordinimin e ngushtë të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të krijuar kushtet për një paqe të qëndrueshme, përfshirë mbështetjen për garanci të forta sigurie në kuadër të çdo marrëveshjeje. Diskutimet u zhvilluan në një frymë bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe partnerëve europianë, duke pasqyruar objektivat e tyre të përbashkëta, konsultimet e vazhdueshme dhe angazhimin për sigurinë euroatlantike”, vijoi ai.

“Qëllimi i përbashkët është të hartohet një kuadër praktik dhe i bashkërenduar sigurie, që forcon sigurinë afatgjatë të Ukrainës dhe krijon besimin e nevojshëm për të arritur një zgjidhje përmes negociatave”, përfundoi Witkoff.