Kryeministri Edi Rama, Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç dhe zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov janë takuar në Beograd mbrëmjen e sotme, ku do të zhvillohet ditën e nesërme takimi i radhës mes të tre vendeve që kanë firmosur për iniciativën e 'Open Ballkan'. Si mikpritësi i kësaj radhe, Vuçiç nuk ka kursyer detaje nga vizita e kreut të qeverisë Shqiptare dhe zv.kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, të cilëve i shtroi edhe një darkë mikpritje. Kësaj darke iu bashkua edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, që po përfundon vizitën zyrtare në Serbi, e ndonëse kjo nuk konfirmon se vendi po i bashkohet nismës 'Open Balkan', mund të shihet si një hap drejt përfshirjes.

Vuçiç publikoi foto nga darka në Instagram, teksa shkroi se miqësi e tyre është miqësi për të ardhmen e të gjithë rajonit.

Ndërkohë, para darkës, liderët kanë bërë një xhiro në kryeqytet, ku Vuçiç i ka njohur me kullën e Beogradit.

“Me Edi Ramën dhe Zdravko Krivokpiqin, sonte po vizitoj Kullën e Beogradit. Më pas do të ketë një darkë pune ku do të diskutojmë për projektet e infrastrukturës. Mirë se vini në Beograd të dashur miq!", shkruan Vuçiç teksa ka postuar një video.

Ditën e nesërme liderët do të takohen sërish, ku do të diskutohet mbi nismën e 'Open Ballkan'.

Për shkak të dorëheqjes së Zoran Zaev, në vend të tij i pranishëm në Beograd është zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov. Pak ditë më parë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev, partia e të cilit pësoi një humbje turpëruese, u dorëhoq. Ai mori përgjegjësinë për këtë humbje, por tha se LSDM do të vazhdojë të qeverisë vendin, duke nënkuptuar se angazhimi e premtimet e bëra edhe në kuadër të “Ballkanit të Hapur” do të mbeten.

Në kuadër të projektit ambicioz për të gjithë rajonin, që Ballkani më në fund të lërë prapa krahëve shekujt ndasi, 'Open Balkan', Kryeministri  Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, më 29 korrikun e kaluar, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Nisma për bashkëpunim rajonal u përkrahën edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE dhe Gjermania e cila doli në një deklaratë ku kërkoi me urgjencë që të nënshkruhet marrëveshja për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor. Megjithatë kësaj nisme s’po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, mendon se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin.

ZBARDHET AXHENDA

PROGRAMI

08.55 Mbërritja dhe foto e përbashkët e zyrtarëve

09.00-10.00 Takimi i zyrtarëve me biznesmenë

10.00-10.30 Takimi i zyrtarëve me përfaqësues të Këshillit Atlantik

10.30-11.30 Takimi i Presidentit Aleksandar Vuçiç me Kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministrin Nikolla Dimitrov

11.30-12.30 Konferencë e përbashkët për shtyp e tre zyrtarëve

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:08
Vuçiç publikon foto nga darka me Ramën, kryeministrin e Malit të Zi dhe zv.kryeministrin e Maqedonisë së Veriut: Miqësi për të ardhmen e gjithë rajonit

Foto e publikuar nga Vuçiç

Presidenti Serb, Aleksandër Vuçiç ka publikuar foto nga darka në Beograd që ka shtruar për kryeministrin Edi Rama, kryeministrine Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç dhe zv.jkryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov. Teksa i konsideron miq liderët e të tre vendeve, Vuçiç thotë se kjo është një miqësi për të ardhmen e të gjithë rajonit.

"Mbrëmje e mrekullueshme me miq nga rajoni Edi Rama, Zdravko Krivokapiç dhe Nikolla Dimitrov. Unë dhe Ana Brnabić u dhuruam mysafirëve tanë verëra të shkëlqyera serbe dhe guxuam t'i krahasonim me verëra shumë të mira franceze. Miqësia jonë është miqësi për të ardhmen e gjithë rajonit", shkruan Vuçiç.

Ora 18:15
Takimi i ‘Open Balkan’ në Serbi, Rama mbërrin në Beograd (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur këtë mbrëmje në Beograd, ku do të zhvillohet takimi i radhës mes tre vendeve që kanë firmosur për iniciativën 'Open Balkan'. Kësaj nisme s’po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mendon se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin.
 

Ora 14:58
Mali i Zi hapa drejt përfshirjes në Open Balkan, Krivokapiç merr sot pjesë në darkën e Beogradit

1635948044_Screenshot1.jpg

Teksa pritet që nesër në Beograd të mbahet takimi i radhës i 'Open Balkan', mësohet se Mali i Zi po hedh hapa drejt përfshirjes në këtë nismë.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, u pyet sot nëse ka diskutuar me homologun malazez lidhur me iniciativën “Open Balkan”, ajo tha se të dy kanë diskutuar.

“Krivokapiç më ka dëgjuar me zemër të hapur dhe ka pranuar ftesën për darkë në të cilën do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, që do të vijnë sot në Beograd. Çfarë do të ndodhë më pas është vendim sovran i Malit të Zi”, tha Brnabiç.