Mëngjesi i sotëm nisi me pritje të gjata për qytetarët që përdorin transportin publik për të shkuar në punë apo në shkollë. Për dy orë e gjysmë, nga ora 05:30 deri në 08:00, autobusët nuk qarkulluan në asnjë qytet të vendit, duke lënë grumbull qytetarësh në stacione.

Në Tiranë, shumë u detyruan t’i drejtohen taksive, që në shumë raste, siç tregon dhe një vëzhgim i Report TV, ishin pozicionuar pranë stacioneve të autobusëve, në gatishmëri për të marrë pasagjerë.

Një pjesë tjetër e qytetarëve zgjodhën automjetet private. Trafiku në Tiranë, edhe në ditë normale i rënduar në orët e mëngjesit, këtë të enjte u bë dhe më kaotik Unaza e Madhe dhe disa prej hyrje-daljeve të Tiranës u përballen me radhë të gjata automjetesh.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për pezullimin, pasi transporti publik është i domosdoshëm për lëvizjet e tyre të përditshme.

Edhe pas orës 08:00, autobusët nuk mbërritën në kohë. Në stacionet në qendër të kryeqytetit, tashmë të mbipopulluara, u shfaqën dhe me 50 minuta vonesë.

Shkak i protestës ishte kundërshtimi i propozimit për rritjen e TVSH-së nga 20 në 21 për qind. Sipas operatorëve, kjo do të rriste kostot e shërbimit dhe mund të sillte shtrenjtimin e biletave.

“Rritja e TVSH-së automatikisht shkon në rritjen e çmimit të biletës dhe kjo barrë fiskale do të rëndojë mbi qytetarët. Transporti publik nuk është mjet lluksi, por është një mjet i domosdoshëm dhe jetik për qytetarët për të shkuar në punë, nxënësit për të shkuar në shkollë dhe përdorimi nga të gjithë qytetarët për të mbaruar punët e tyre. Transporti publik duhet të përfshihet në shportën e paketës fiskale. Pra kemi kërkuar që të shkojë në 6% ashtu siç janë dhe produktet ushqimore”, tha Kostandin Foni, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas

Shoqatat paralajmërojnë se do të vendosin për hapat e mëtejshëm në varësi të vendimit të Kuvendit.

 “Ky është pezullimi i parë total i transportit. Në këtë moment është për të mos ndryshuar çmimin e biletës. Do dalim në një vendim të dytë për ecurinë e transportit publik”, tha Dashnor Mema.

Vetëm në Tiranë, rreth 250 mijë qytetarë përdorin çdo ditë transportin publik.

1795679117_hartatiranametrafik.jpeg

Trafiku në Unazën e Madhe
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:04
Transporti urban u pezullua për dy orë e gjysmë, qytetarët e Tiranës dynden në stacione! Autobusët të tejmbushur (VIDEO)

 

Pas nisjes së shërbimit të transportit publik dy orë e gjysmë me vonesë, autobusët në kryeqyet u tejmbushën me qytetarët që prisnin në stacione.

Edhe nga pamjet që Report Tv sjell shihet se ata janë dyndur që të hyjnë në autobus, për të mbërritur në punë apo në destinacionet e tyre.

Ora 08:38
Tiranë, mungesa e urbanëve prej protestës, trafik i rënduar në disa prej rrugëve kryesore! Radhë e gjatë automjetesh (VIDEO)

 

Pezullimi i qarkullimit të urbaneve ka sjellë trafik të rënduar në Tiranë.

Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv, qindra makina presin në radhë për të dalë nga trafiku i rënduar dhe për të vijuar me destinacionet e tyre.

Pjesa më problematikë është në zonën e Doganës, në Zog të Zi dhe Unazën e Madhe.

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 25 Nëntor, 22:44

    Mendoni se buxheti 2027 do rrisë të ardhurat e qytetarëve?