Partizani dhe Vllaznia luajnë sot në orën 17:00 në 'Arenën e Demave' për raundin e 30-të në Superligë. Të dyja skuadrat vijnë nga dy barazime radhazi dhe kërkojnë tri pikët. Vllaznia me 53 pikë bashkëkryeson renditjen me AF Elbasanin, ndërsa Partizani me 44 pikë ndodhet në vendin e 4-t, brenda objektivit 'Final 4', zonë që të dërgon në mini-turneun që në fund të sezonit të rregullt të lejon të garosh për titullin kampion.

Në lidhje me këtë duel, për mediet foli edhe trajneri i Partizanit. Oltijon Kërnaja tha se është koha që 'Demat' të fitojnë kundër Vllaznisë këtë sezon, ndërsa në tre takimet e para nuk e kanë bërë diçka të tillë.

"-Jeni gati për përballjen ndaj Vllaznisë?

Besoj se po. Kemi patur kohën e mjaftueshme për ta përgatitur ndeshjen. Dihet rëndësia e ndeshjes, sidomos tani që të gjitha ndeshjet janë finale. Kemi shtatë finale për të luajtur, djemtë janë gati.

-Sa ndikon fakti që Partizani nuk ka fituar këtë sezon ndaj Vllaznisë?

Nuk besoj se ndikon, statistikat janë për në letër. Ne do japim maksimumin në fushë. Me Vllazninë këtë sezon kemi luajtur 3 ndeshje dy prej të cilave nën drejtimin tim. Një ndeshje këtu në shtëpi është interpretuar shumë mirë pavarësisht rezultatit 1-1. Të gjithë mendonin se ne duhet ta fitonim atë ndeshje duke parë volumin, rastet e krijuara pa fund. Siç e thashë edhe më parë është një ndeshje e fortë mes ekipeve që kanë histori në futbollin shqiptar. Të japim maksimumim dhe të hyjmë vetëm për fitore.

-Si paraqitet gjendja e skuadrës?

Besoj grupi është i gatshëm, jemi të plotë për të luajtur ndeshjen e radhës. Vërtet ne kemi patur gjatë gjithë sezonit dëmtime të vazhdueshme dhe nuk kemi patur gjithmonë grupin e plotë, por falë madhështisë së klubit mund të kemi numrin më të madh të lojtarëve në dispozicion. 

-Presioni i vendit të katërt?

Të them të drejtën presion nuk shohim. Eshtë përgjegjësi më shumë për fanellën, për emrin e ekipit, sepse Partizani gjithmonë lufton për trofe dhe të renditet sa më lart në tabelë. Kur e kemi thënë në fillim nuk e ka besuar askush. Tashmë jemi ne që e kemi arritur dhe do bëjmë maksimumin për ta mbajtur. Nuk është presion, por është një përgjegjësi që djemtë po e zbatojnë shumë mirë deri tani", tha Kërnaja.

Në kampin shkodran klima është disi e tensionuar, pas përplasjes në stërvitje të mbrojtësit Melos Bajrami dhe sulmuesit Charles Bismark.


Lajmi kryesor:

Superliga/ Penallti e dyshimtë dhe polemika në shtesë, Flamurtari e KF Tirana barazojnë 1-1! Sot në program tre ndeshje, grushte në Shkodër