Në ditën e shenjtë të Pashkës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zgjodhi famullinë e Shëngjinit për të uruar besimtarët e krishterë për këtë festë të rëndësishme. I shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, deputetë të Partisë Socialiste dhe autoritete të tjera vendore, Presidenti u prit nga famullitari Angjelin Krygja. 

"Mesazhi i ringjalljes dhe dritës është i fortë e na bën të kujtojmë që duke qenë bashkë duke qenë solidar do të punojmë më shumë për të përmirësuar jetën tonë, për të pasur më shumë begati në familjet tona, dhe për të pasur një shoqëri më të fortë dhe të begatë", tha Begaj.

Nga podacasti “Flasim”, kryeministri Edi Rama, uroi jo vetëm besimtarët katolikë, por të gjithë shqiptarët që sipas tij dëshmojnë një bashkëjetesë unike fetare.

 “Bekimi i Shqipërisë është që, qofshin Krishtlindje e qoftë Bajram, qofshin Pashkë e qoftë Sulltan Novruzi, ka një atmosferë të përgjithshme dëshire për të përjetuar së bashku festën e një komuniteti tjetër besimi”, tha Rama.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, uroi nga katedralja Shën Pali në Tiranë, ku nuk la pas edhe politikën.

"Ringjallja e Krishtit shënon momentin më frymëzues, më të rëndësishëm për mbarë njerëzimin, mbasi parimet e porosive të tij, apo porositë e tij u shndërruan në, të themi, parimet morale të njeriut të qytetëruar, të qytetërimit perëndimor. Le të urojmë që Pashkën tjetër ta kremtojmë më mirë dhe pa këtë të keqe të madhe që i ka rënë hise Shqipërisë këto vite", tha ai.

"Të mos harrojmë mesazhet që përcjell pashka, triumfi i së mirës ndaj së keqes, dritës mbi errësirën, shpërblimi i të gjithë vuajtjeve dhe sakrificave. Si komb i Nënë Terezës të vlerësojmë harmoninë fetare që reflektohet në këto festa", tha Blushi.

Edhe selitë diplomatike në vendin tonë, ajo e Bashkimit Evropian dhe ambasada amerikane, uruan një Pashkë të paqtë për komunitetin katolik në Shqipëri.

“Urojmë që kjo periudhë e veçantë të sjellë shpresë të re, unitet dhe forcë për të gjithë”, shkroi në një postim delegacioni i BE.

Ndërsa ambasada amerikane në një postim në rrjetet sociale, u shpreh se “vlerëson mënyrat e shumta se si komunitetet e kremtojnë këtë festë dhe festojnë frymën e shpresës, lidhjes dhe ripërtëritjes”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:46
Presidenti Begaj uron besimtarët nga Shëngjini në ditën e Pashkës: Harmonia fetare në Shqipëri, gurë-themeli i shoqërisë sonë

 

Në ditën e shenjtë të Pashkës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zgjodhi famullinë e Shëngjinit për të uruar besimtarët e krishterë për këtë festë të rëndësishme.

I shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, deputetë të Partisë Socialiste dhe autoritete të tjera vendore, Presidenti u prit nga famullitari Angjelin Krygja.

Gjatë vizitës, kreu i shtetit iu bashkua ritualit fetar në kishë, duke përcjellë mesazhe shprese, besimi dhe solidariteti për të gjithë besimtarët në këtë ditë të shenjtë.

“Një mesazh i dhënë nga unë nuk është në lartësinë e atij të dhënë nga Papa Leoni, por unë do të mundohem të bëj mesazhin tim për të gjithë besimtarët e pranishëm këtu, për të gjithë shqiptarët që festojnë këtë ditë të shenjtë të sjellë paqe, shpresë dhe bekim, për çdonjërin dhe familjet e tyre. Kjo ditë e shenjtë është një ditë që na bën të kemi një reflektim të thellë shpirtëror dhe një kujtesë të fortë që e mira mbizotëron mbi të keqen. Dashuria dhe sakrifica do të mbizotërojnë jetët tona. Një mesazh i fortë që duke qenë bashkë dhe solidar, do të përmirësojmë jetët tona. Kjo harmoni fetare në Shqipëri është gurthemeli i shoqërisë tonë, ku besimi dhe respekti për njëri-tjetrin është forca jonë”, tha mes të tjerash Begaj.

 

Ora 12:46
Ministri i Drejtësisë uron Pashkën nga burgu: E shkuara nuk është fundi, ka gjithmonë një fillim të ri

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu zgjodhi ta përcjellë urimin për Pashkën nga një institucion i vuajtjes së dënimit, duke dhënë një mesazh shprese për të paraburgosurit.

Gjatë pjesëmarrjes në meshën e Pashkës në një nga IEVP-të e vendit bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Adriatik Kupi dhe zyrtarë të tjerë, ai u ndal te kuptimi i Ringjalljes si një moment që sjell një fillim të ri dhe hap një perspektivë tjetër për të ardhmen.

“Në një vend si ky, ku çdo ditë lidhet me përgjegjësi dhe reflektim, mesazhi i Pashkës është se njeriu nuk është i mbyllur përfundimisht në të shkuarën e tij,” u shpreh ministri.

Sipas tij, drejtësia duhet të mbetet e lidhur jo vetëm me përgjegjësinë, por edhe me mundësinë e ndryshimit dhe riintegrimit në shoqëri.

Ora 10:23
Delegacioni i BE në Shqipëri uron besimtarët për Pashkën Katolike: Shpresë, unitet dhe forcë për të gjithë!

1775377460_tsdu6fyo.jpg

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka uruar gjithë besimtarët për Pashkën Katolike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka uruar që kjo periudhë e veçantë të sjellë shpresë të re, unitet dhe forcë për të gjithë.

“Delegacioni i BE-së uron një Pashkë të gëzuar dhe të paqtë për komunitetin katolik në Shqipëri. Urojmë që kjo periudhë e veçantë të sjellë shpresë të re, unitet dhe forcë për të gjithë”, shkruhet në njoftimin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Ora 10:15
Ambasada e SHBA në Tiranë uron Pashkët: Vlerësojmë mënyrat e shumta se si komunitetet e kremtojnë këtë festë

Foto: Ambasada amerikane

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka uruar qytetarët për festën e Pashkës, duke theksuar vlerësimin për mënyrat e ndryshme se si komunitetet kremtojnë këtë festë.

“Ju urojmë Pashkë të gëzuara të gjithë atyre që festojnë. Ne i vlerësojmë mënyrat e shumta se si komunitetet e kremtojnë këtë festë dhe festojnë frymën e shpresës, lidhjes dhe ripërtëritjes”,shkruhet në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Tiranë.

Ora 08:05
Pashkët katolike, Begaj: Kjo festë na kujton se Zoti nuk na braktis kurrë! Dashuria e Tij është më e fortë se vdekja

Presidenti Bajram Begaj ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e Pashkëve Katolike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale kreu i shtetit thekson se kjo festë është një dëshmi e fuqisë së jetës dhe një burim i pashtershëm shprese për njerëzimin.

"Gëzuar Pashkën! Pashka është besimi se e mira fiton mbi të keqen, mundimi mbi padrejtësinë, dashuria mbi forcën dhe drita mbi errësirën.

Pashka është besimi se jeta është forca e pashtershme që na udhëheq. Pashka është shpresë dhe gëzim. Kjo festë na kujton se Zoti nuk na braktis kurrë dhe se dashuria e Tij është më e fortë edhe se vdekja.

Uroj që kjo ditë e shenjtë të sjellë gëzim, paqe dhe bekime në familjet tuaja", shkruan Begaj në rrjetet sociale.