Partia Demokratike ka thirrur sot militantët në protestën e radhës në bulevardin para Kryeministrisë. Ora 19:00 pritet të shënojë zyrtarisht nisjen e protestës, ndërsa Policia e Tiranës ka marrë masat për garantimin e sigurisë përgjatë 3 orëve për të cilat PD ka njoftuar se do ta zhvillojë tubimin. Blutë e Tiranës janë kujdesur të bëjnë një thirrje të veçantë drejtuar organizatorëve të protestës, të cilëve u kanë kërkuar që të distancohen nga aktet që cenojnë rendin dhe sigurinë.
Në protestë nuk pritet ndonjë risi, veçse rikthimi i fjalimeve. Një vendim ky i marrë si duket nga kreu i PD, pas dështimit të protestave me tur xhirosh nëpër kryeqytet. Pas disa tubimeve me shëtitje, të cilat nuk prodhuan asgjë veçse kaos dhe bllokimin e rrugëve, Partia Denokratike ka vendosur të rikthejë podiumin e fjalimeve përballë kryeministrisë.
Berisha fillimisht do të shkojë në selinë blu dhe nga atje do t’iu bashkohet militantëve në shesh, ku do të mbajë edhe fjalim.
Prej orës 15:00 rrugët rreth Kryeministrisë do të jenë të bllokuara për shkak të protestës. Akset në të cilat ndalohet qarkullimi i mjeteve janë:
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”,
-Kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”,
-Rruga “Ukraina e Lirë”,
-Rruga “Papa Gjon Pali II”,
-Rruga “Ismail Qemali”.
Nga ora 23:45 së enjtes është bllokuar lëvizja dhe penguar parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali.”
Komente











