Sot në orën në orën 19:00 Partia Demokratike ka thirrur protestën e radhës në kryeqytet. Për të ashtuquajturën “kryengritje paqësore”, Sali Berisha ka deklaruar për të disatën herë se “gjendet në kilometrin e fundit.”

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë duke i këshilluar të shmangin zonat ku zhvillohen protestat, të jenë të vetëdijshëm për ambientin përreth, të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar, të kenë një plan emergjence ose rrugë alternative largimi, si dhe të mbajnë profil të ulët gjatë lëvizjeve në publik.

Policia ka njoftuar se nga ora 23:45 e së enjtes deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.

Gjithashtu nga ora 15:00 e datës 08.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita tha gjatë një konference për shtyp se protesta duhet të qëndrojë brenda këtij perimetri.

“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që protesta të organizohet dhe të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Leja është kërkuar për bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe aty duhet të jetë e përqendruar. Në rast të veprimeve joligjore nga ana e protestuesve do të veprohet në bazë të procedurave standarde dhe në bazë të ligjit dhe Kodit Penal”, deklaroi ai.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

protestën e fundit të PD, strategjia e Hitës funksionoi në shpërndarjen e menjëhershme të grupit të zjarrit që shoqëron Sali Berishën dhe shmangien e akteve të dhunshme me molotovë që kishin dominuar shumë prej protestave të mëparshme. 

Taktika e ndjekur nuk lejoi përshkallëzimin e protestës dhe kalimin e saj deri te Kuvendi duke prishur skenarin e përhershëm të militantëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:25
Protesta e PD, ambasada amerikane paralajmëron qytetarët: Grumbullimet shpesh nisin në mënyrë paqësore, por situata mund të ndryshojë

Foto: Njoftimi i ambasadës amerikane

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë në lidhje me protestën e PD që do të mbahet pasditen e kësaj të premteje.

Ambasada thekson se protesta mund të zgjerohet edhe në zona të tjera përreth, ndërsa paralajmërohen masa të shtuara policore, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit në orët para dhe gjatë tubimit.

Në njoftim bëhet e ditur se personeli i ambasadës është udhëzuar të shmangë zonën e protestës. Po ashtu, qytetarëve amerikanë u kërkohet të mos marrin pjesë në aktivitet dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në kryeqytet.

Ambasada këshillon qytetarët të shmangin zonat ku zhvillohen protestat, të jenë të vetëdijshëm për ambientin përreth, të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar, të kenë një plan emergjence ose rrugë alternative largimi, si dhe të mbajnë profil të ulët gjatë lëvizjeve në publik.

“Edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt”, thuhet në njoftimin e ambasadës.