Greqia ‘ngjyroset’ sërish blu, Mitsotakis merr mbi 40% dhe siguron shumicën: Çojmë para reformat! 'Tkurret’ partia e Tsipras, s'merr as 20% të votave

GREQI- Harta e Greqisë është ‘ngjyrosur’ sërish blu me fitoren e thellë të partisë Demokracia e Re në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën sërish këtë të dielë. Kyriakos Mitsotakis është konfirmuar kryeministër i Greqisë edhe për një mandat tjetër katër vjeçar.

Në përfundim të numërimit të votave partia konservatore Demokracia e Re ka arritur të marrë rreth 40.56 % të votave, një rezultat i ngjashëm me votimet e 21 majit. Mitsotakis ka siguruar 158 vende nga 300 në parlament dhe shumicën absolute për të qeverisur i vetëm, ndërsa tha se tashmë është hapur rruga për të çuar para reformat e rëndësishme.

Pas konfirmimit në pushtet Mitsotakis ju drejtua zgjedhësve me mesazh falënderues. Ai tha se populli grek i ka dhënë një mbështetje të fuqishme partisë së tij dhe tashmë do të nisë një epokë stabiliteti. Mitsotakis siguroi qytetarët që do t’i qëndrojë besnik detyrës së tij dhe punës së palodhur, duke mos toleruar asnjë sjellje arrogante e duke qenë kryeministër i gjithë grekëve.

“Rezultatet e dy garave zgjedhore nënkuptojnë fundin e toksicitetit dhe fillimin e epokës së stabilitetit Unë do t'i qëndroj besnik detyrës time kombëtare, të punës së palodhur, nuk do të toleroj sjellje arrogante “ tha Mitsotakis duke theksuar se ka një borxh më të rëndë për t'i shërbyer vetë Atdheut", tha ai. 

Ndërkohë, mbështetësit e Partisë Demokracia e re kanë nisur festimet në sheshet e qyteteve kryesore. Reagimi ka ardhur edhe nga kreu i Syriza ish-kryeministri Alexis Tsipras, që pësoi disfatë në këto zgjedhje duke marrë vetëm 17. 8 % të votave. Edhe një herë Rodopi është i vetmi qark i fituar nga Syriza. Pavarësisht humbjes Tspiras nuk ka dhënë dorëheqjen, por ka dhënë se e majta duhet të reformohet dhe se do jetë anëtarësia ajo që do përcaktojë nëse ai do të vazhdojë të jetë drejtues. 

“Rezultati ishte negativ për ne, një humbje e madhe edhe për shoqërinë dhe demokracinë pasi hynë në parlament tre parti të ekstremit të djathtë dhe e majta pësoi humbje. Duhet e majta të riorganizohet. Me vendime të shpejta dhe efikase. Të rinovojmë anëtarët, me njerëz të rinj” tha Tsipras.

Sipas rezultateve, Parlamenti i ardhshëm grek pritet të jetë tetëpartiak duke pasur një shpërndarje të votave ku demokracia e re ka marrë 158 mandate, Zyriza 47 mandate, Pasok 32 mandate dhe vendet e tjera janë shpërndarë për 5 partitë e tjera. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:38
Siguroi fitore të thellë, Mitsotakis betohet nesër si Kryeministër i Greqisë


Pas fitores së thellë në zgjedhje, Kyriakos Mitsotakis do të shkojë ditën e nesërme në orën 11:00 në Pallatin Presidencial ku do të marrë mandatin për formimin e qeverisë nga Presidentja e Republikës Katerina Sakellaropoulou.

Dy orë më vonë, në orën 13:00, Kyriakos Mitsotakis do të betohet para Presidentit të Republikës në Pallatin Presidencial.

Ora 21:48
Humbja përballë Mitsotakis, Tsipras nuk jep dorëheqjen: Ia lë anëtarëve të SYRIZA-s të vendosin se kush do e drejtojë partinë

“Ishte beteja më e vështirë por edhe më e bukur zgjedhore që kemi bërë ndonjëherë”, tha Alexis Tsipras për rezultatin zgjedhor, ku nuk arriti të marrë as 20% të votave.

“Ne kemi pësuar një humbje të rëndë zgjedhore . Megjithatë, besoj se rezultati është kryesisht negativ për shoqërinë dhe demokracinë”, tha fillimisht Alexis Tsipras.

Në daljen për mediat, ai tha se SYRIZA merr përsipër përgjegjësitë që i ka ngarkuar vota popullore, ndërsa theksoi se do të vendosë veten në gjykimin e anëtarëve të partisë.

“SYRIZA merr përsipër përgjegjësitë që i ka ngarkuar vota popullore. Ne do të paraqesim proceset për të marrë vendimet përfundimtare. Anëtarët tanë do të ftohen të na gjykojnë të gjithëve. Unë do të jem i pari që do të vendos veten në gjykimin e anëtarëve të partisë”, vuri në dukje Alexis Tsipras.

Tsipras tha se “anëtarët e partisë do të thirren të na gjykojnë të gjithëve dhe të hartojnë strategjinë”.  Ai u shpreh se proceset e brendshme po fillojnë. Në fazën e parë duhet të mblidhet zyra ekzekutive, më pas sekretariati politik dhe në fund komiteti qendror. Kryesia e partisë zgjidhet nga bazë, pra nga 150,000 anëtarë që ka partia.

Rezultati është padyshim negativ për ne, rreziku i kolapsit është shmangur por kemi pësuar një disfatë zgjedhore. Rezultati është negativ edhe për Republikën. Nominimi i tre partive në kombinim me të djathtën e z. Mitsotakis është negativ. Kjo dërgon një flamur të kuq për çdo qytetar demokrat. Kjo është arsyeja pse ND është përgjegjëse për të çuar debatin politik në çështjet kombëtare dhe pse e fryu të djathtën ekstreme”, shtoi ai.

“Nga SYRIZA kërkohet vigjilencë demokratike, por edhe vendime të shpejta për ndryshimet e nevojshme. Për të rinovuar potencialin tonë ekzekutiv nga lart poshtë, për t'i dhënë fund qëndrimeve që na kanë kushtuar shtrenjtë. Le të mbajmë në lartësinë e rolit që na caktuan qytetarët, forcës kryesore mes të djathtës dhe të djathtës ekstreme. Horizonti kohor për kthimin tonë janë zgjedhjet evropiane pas rreth një viti”.

“Me zgjedhjet u mbyll një cikël i madh historik krijues. Duhet ta vlerësojmë me krenari dhe të vazhdojmë me shkurtimet e nevojshme për të hapur një cikël të ri shpresëdhënës”, përfundoi Tsipras.

Ora 21:38
Fitoi thellë në zgjedhje, Kyriakos Mitsotakis: Unë jam kryeministër i të gjithë grekëve, puna e vështirë fillon nesër

 

“Faleminderit nga zemra”, u tha Kyriakos Mitsotakis simpatizantëve Demokracisë së Re të mbledhur të pak para orës 22 të së dielës para zyrave të partisë. Rezultatet paraprake e nxjerrin fitues me 40.55% të votave, ndërsa kështu siguron edhe shumicën absolute. 

“Për herë të dytë radhazi e gjithë Greqia është sërish blu. Një falenderim i veçantë për zyrtarët e partisë. E di sa jeni lodhur, por sot rezultati justifikoi përpjekjet tona. Populli na besoi një mazhorancë komode dhe na dha një mandat të fortë për të ecur përpara dhe për të ecur në rrugën e progresit dhe kohezionit social”, tha ai.

“Për mua, sot është një ditë veçanërisht prekëse”, vazhdoi Mitsotakis , i cili u ndërpre nga turma me shprehjen “ti je dhe do të jesh kryeministër”.

"Për herë të parë, pas një qeverisjeje 4-vjeçare, ND-ja arriti të rrisë përqindjet e saj. Ajo që kemi arritur është të mbyllim përfundimisht ciklin e ndarjes dhe toksicitetit që u hap 10 vjet më parë. Dua ta dini se përgjegjësia që ndiej mbi supet e mia është shumë e rëndë. Sot ne festojmë dhe nesër përveshin mëngët për punë të palodhur," shtoi z. Mitsotakis

"ND është sot partia më e fuqishme e qendrës së djathtë në Evropë. Kini kujdes, kemi saktësisht të njëjtin numër deputetësh sa kishim në vitin 2019, vetëm diferenca me kundërshtarin kryesor është 24 pikë, ndërsa atëherë ishte 8”, shtoi Kyriakos Mitsotakis.

Ora 21:32
Mitsotakis thellë në zgjedhje, nis festa në Greqi

Kyriakos Mitsotakis ka siguruar shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku sipas rezultateve paraprake ka arritur të marrë 40.55% të votave. Në këto zgjedhje, Mitsotakis është në rrugën e sigurt drejt sigurimit të shumicës absolute dhe nuk do të ketë nevojë për koalicion qeverisës.

Pas rezultateve paraprake në Greqi ka nisur festa. Qytetarët kanë dalë nëpër rrugë duke festuar për fitoren e Mitsotakis, ndërsa ndoqën edhe fjalimin që mbajti kryeministri.

Ora 21:27
Rezultatet paraprake e nxjerrin fitues, Mitsotakis: Siguruam shumicën absolute, kjo është punë e palodhur! Gati të çojmë para reformat

Mesazhin për punë të palodhur dhe përshpejtim të reformave pa arrogancë apo qëndrime arrogante e ka dërguar presidenti i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, në deklaratat e tij të para me daljen e rezultateve paraprake të zgjedhjeve, ku Demokracia e Re ka fituar bindshëm.

Mitsotakis theksoi se populli grek i dha një mandat të fortë Demokracisë së Re, duke theksuar se rezultatet e dy garave zgjedhore nënkuptojnë fundin e toksicitetit dhe fillimin e epokës së stabilitetit.

Më pas zoti Mitsotakis tha se besimi i treguar nga qytetarët për Demokracinë e Re do të thotë se ka një borxh më të rëndë për t'i shërbyer vetë Atdheut.

“Unë do t'i qëndroj besnik detyrës time kombëtare të punës së palodhur, nuk do të toleroj sjellje arrogante”, tha ai.

Duke folur për ushtrimin e qeverisjes, Mitsotakis tha se ND ka siguruar një shumicë të fortë me të cilën do të mund të vazhdojë menjëherë me reformat e nevojshme.

“Kur hodha hapat e para 20 vite më parë, nuk e kisha imagjinuar kurrë që sot do të isha përballë jush duke pasur nderin dhe përgjegjësinë të zgjidhem kryeministër i pavarur për herë të dytë. Mundohem të mësoj nga gabimet e mia dhe nuk do të kisha mundur ta bëja pa partnerët e mi. Faleminderit familjes sime që më ka mbajtur gjithmonë në tokë. Sot do ta shijojmë për pak fitoren tonë, por që nesër në mëngjes do të përveshim përsëri mëngët për të ndërtuar së bashku një Greqi të fortë me më shumë prosperitet dhe drejtësi”, tha ai.

Ora 21:14
Zgjedhjet në Greqi/ Rezultatet paraprake, Mitsotakis 40.5 % të votave, ‘tkurret’ partia e Tsipras

1684699077_mitsotakis.JPG

Kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare në Greqi. Nga numërimi votave deri tani partia e kryeministrit aktual Mitsotakis, Demokracia e Re kryeson rezultatet e zgjedhjeve, duke marrë rreth 40.5 % të votave, një rezultat i ngjashëm me votimet e 21 majit.

Ndërsa Partia Syriza e ish-kryeministrit, Aleksis Tsipras, është tkurrur edhe më shumë dhe rezulton se ka marrë 17.83 % të votave.

Që para zgjedhjeve, sondazhet nxirrnin fituese partinë konservatore të kryeministrit, Kyriakos Mitsotakis. Partia kryesore opozitare, ajo e majtë, Syriza e ish-kreut të qeverisë, Aleksis Tsipras ndodhej në sondazhe shumë më pas se partia Nea Demokratia. Zgjedhjet e reja u mbajtën pasi partitë pas votimeve të 21 majit nuk arritën të krijonin një koalicion qeverisës. Në zgjedhjet e 21 Majit, partia e Mitsotakis, Demokracia e re doli kryesuese dhe arriti të marrë 40,8 të votave, por humbi shumicën absolute dhe nuk mund të formonte qeverinë e vetme.

Sipas rezultateve, Parlamenti i ardhshëm  do të jetë tetëpartiak

Rezultatet sipas Ministrisë së Brendshme

ND: 40.55%

SYRIZA: 17.83%

PASOK/KINAL: 11.88%

KKE: 7.66%

Spartanët: 4.69%

Helenike Zgjidhja: 4.46%

FITORJA: 3.71%

Lundrimi i lirë: 3.17%

Në nivel mandatesh përqindjet “përkthehen” si më poshtë:

Demokracia e Re 158

SYRIZA 47

PASOK 32

KKE 20

spartanë 13

Zgjidhja helene 12

Partia e Fitores 10

Lundrimi i Lirisë: 8

Ora 19:09
Zgjedhjet parlamentare në Greqi, publikohen rezultatet e exit poll, sërish fituese partia Demokracia e Re e Mitsotakis

Janë publikuar exit pollet e para të zgjedhjeve parlamentare në Greqi. Sipas projeksioneve, partia e kryeministrit aktual Mitsotakis, Demokracia e Re kryeson rezultatet e zgjedhjeve. Partia konservatore e kryeministrit, Mitsotakis ka marrë 44% të votave, në ndryshim nga zgjedhjet që u mbajtën rreth 5 javë më parë, ku mori 40,8 të votave, por humbi shumicën aboslute.

Kurse partia Syriza e ish-kryeministrit, Aleksis Tsipras sipas llogaritjeve të para nuk ka arritur 20% të votave. Rezultatet përfundimtare nuk janë publikuar ende.

Që para zgjedhjeve, sondazhet nxirrnin partinë konservatore të kryeministrit, Kyriakos Mitsotakis fituese. Partia kryesore opozitare, ajo e majtë, Syriza e ish-kreut të qeverisë, Aleksis Tsipras ndodhej në sondazhe shumë më pas se partia Nea Demokratia.

Zgjedhjet e reja u bënë të nevojshme, sepse partitë pas pesë javësh zgjedhje nuk arritën të krijonin një koalicion qeverisës. Në zgjedhjet e 21 Majit, partia e Mitsotakis, Nea Demokratia doli kryesuese dhe arriti të marrë 40,8 të votave, por humbi shumicën aboslute. Të dielën aplikohet në Greqi një e drejtë e re zgjedhore, sipas së cilës partisë më të fortë në zgjedhje i jepen edhe 50 vende plus. Prandaj Mitsotakis e paraqet veten si fitimtar të sigurt dhe shpreson të arrijë shumicën absolute.

Në bazë të exit poll-it, mandatet janë shpërndarë si më poshtë:
Demokracia e Re 158
SYRIZA 45
PASOK/KINAL 29
KKE 21
Spartanë 13
Zgjidhja Helenike 9
Niki 9
Pleussi Eleftherias 8
MeRA25 8

Ora 15:13
Zgjedhjet e parakohshme në Greqi, qytetarët shkojnë në qendrat e votimit të shoqëruar nga kafshët shtëpiake

Ndërkohë që në Greqi që prej orës 07:00 ka nisur procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen brenda më pak se 2 muajsh, qytetarët janë paraqitur në qendrat e votimit me kafshët e tyre shtëpiake. 

Siç shihet edhe në fotot e publikuara nga mediat greke, qytetarët kanë zgjedhur që të shkojnë të shprehin vullnetin e tyre nën shoqërinë e qenve të tyre. 

Votimi në Greqi është i detyrueshëm, por ka përjashtime për ata mbi 70 vjeç, për ata që ndodhen jashtë vendit gjatë ditës së zgjedhjeve dhe për ata që nuk mund të votojnë për arsye shëndetësore.
 

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë