Sot në të gjithë vendin do të mbizotërojë një mot me shi. Në Dibër, Tiranë por edhe qarqet e tjera reshjet pritet të jenë intensive deri në lokalisht shumë intensive. Në qarqet e tjera priten reshje mesatare deri në lokalisht intensive. Në disa qarqe reshjet do të shoqërohen me shtrëngata. Reshjet priten të jenë të dendura veçanërisht gjatë orëve të para ditës së sotme.

Në Durrës tragetet janë ankoruar, sektori punon normalisht, ndërkohë është ndërprerë puna në sektorin e ngarkim shkarkimit për shkak të shiut të rrëmbyer. Deti është deri në 5 ballë. Ndërkohë për shkak të shirave ka përmbytje rrugësh në lagjen nr 1, te stacioni i hekurudhor, te kryqëzimi i rrugëve, te kompleksi i shkollave të mesme dhe në zonën e Shkozetit.



[gallery]25841[/gallery]

Ndërsa do të vazhdojë rritja e prurjeve në pjesët e larta malore të basenit duke përfshirë edhe hidrocentralet mbi lumin Drin. Sot nivelet në pjesën e ultësirës së Nën Shkodrës do të vazhdojnë të rriten për shkak të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Drin në drejtim të Lumit Buna. Parashikimet e IGJEUM për ditët në vazhdim tregojnë rritje të prurjeve dhe niveleve përgjatë datave 20, 21 dhe 22 mars 2018.

Pritet zgjerim i hartës së përmbytjeve në pjesën e Nën Shkodrës dhe përmbytjes të zonave periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të Liqenit. Për arsye të shtimit të rrezikut nga përmbytja, është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Në pjesën tjetër të territorit përgjatë ditëve në vazhdim parashikohet rritje e ndjeshme e prurjeve duke rritur rrezikun nga përmbytjet në gjithë pjesët fushore të lumenjve.
 

d.b/shqiptarja.com