Në fronte të ndryshme zhvillohet protesta e sotme kundër ‘Territoriales’ që diskutohet në Kuvend.
Në rrugën “George W. Bush” ndodheshin protestuesit që prej më shumë se 3 muajsh kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.
Disa metra më tutje, te Xhamia e Namazgjasë, ndodhen protestuesit e Partisë Demokratike. Kreu i tyre, Sali Berisha, kishte paralajmëruar një protestë kombëtare, por që s’ia doli të grumbullonte më shumë se 100 vetë. Ata u udhëhoqën nga Sali Lushaj, ndërsa herë pas here u shfaqën edhe Klevis Balliu e Bardh Spahia.
Në të dyja krahët e protestës ka pasur tensione të vazhdueshme dhe policia ka përdorur spray me piper për të neutralizuar reagimet e protestuesve, ndërsa disa prej tyre janë lënduar. Një rast ishte edhe një protestues që në përplasje e sipër me policinë, u tërhoq prej tyre dhe më pas u godit.
Dy grupet ndahen nga një kordon sigurie i policisë që nuk ka lejuar përzierjen e tyre. Pjesë e protestës janë bërë edhe qytetarë të bashkive që reforma e re territoriale do të shkrijë, si Fushë-Arrëzi, Memaliaj, Divjaka, Belshi etj.
Krah tyre janë gjendur edhe kryetarët e bashkive si Hilë Curri i Fushë-Arrëzit, Albert Malaj i Memaliajt, por edhe Fisnik Qosja i Kavajës. Thirrja e tyre i bashkohet asaj që banorët bëjnë prej dy muajsh: të mos votohet reforma territoriale.
Lajm në përditësim...

Ndërsa demokratët janë thirrur t’i bashkohen protestës së PD kundër reformës territoriale, një pjesë e mirë prej tyre ndodhen në kafenenë e selisë blu.
Policia ka shoqëruar një protestues të PD, grupit që ndodhet te Xhamia e Namazgjasë. Nga pamjet shihen një grup efektivësh që kanë kapur protestuesin, i cili përpiqet të bëjë rezistencë.
Nuk dihet ende cila është arsyeja e shoqërimit.
Nga protesta e PD pranë Xhamisë së Namazgjasë, Saimir Korreshi tha se kordoni i sigurisë i vendosur nga policia është “perimetër kafshërie.” Ai i akuzon për sulme ndaj protestuesve, ndërsa ironizoi edhe kryepolicin Skënder Hita.
“Kanë vënë një perimetër kafshërie pëër t’i pritur njerëzit dhe për të hedhur spray me piper. I keni parë ambulancat që kanë marrë protestues të djegur. Gjithë kohën na janë hequr sikur janë dëmtuar, po sot ç’patën? Kush i fryu të godisnin protestuesit? Të mbani mend këta gangot që shajnë protestuesit, të mbrojtur nga shoku Skënder, kryepilici. Këta janë Policia e Shtetit”, tha Korreshi.
Besart Xhaferri, drejtuesi i Forumit Rinor të PD, tha nga protesta e lokalizuar te Xhamia e Namazgjasë se qytetarët e vetë ai janë dhunuar nga policia. Ai pranoi se protesta kombëtare që thirri Sali Berisha përpara parlamentit, është “e spostuar në drejtime të ndryshme.” Në fakt, bëhet fjalë për një grup qytetarësh para parlamentit dhe rreth 100 të tjerë te Xhamia që janë militantë të Berishës.
Thirrja e Xhaferrit ishte për deputetët në Kuvend që të mos votojnë reformën territoriale e cila nuk i përfaqëson qytetarët.
“Qytetarët sot kanë thirrur një protestë që duhet të ishte jashtë parlamentit, është spostuar në drejtime të ndryshme. Është shkaktuar një dhunë e egër nga forcat e policisë, e paprovokuar. Të vetmit të dëmtuar janë qytetarët shqiptarë, me spray, me gaz lotsjellës, dhunë fizike, shkopa gome e shqelma. Si qytetarët, u dhunova edhe unë, jo për t’u viktimizuar se e kemi marrë parasysh dhunën që policia e narko-shtetit dhe Gys Agasit që këta i njohin me emër Berti, u bëjnë edhe eskortimin. Sot kemi një shef të ri komisariati. Para disa muajsh jam përballur me ish-shefin e komisariatit 1. Ai shef komisariati dhunoi vetë në mes të rrugës. Këta me uniformë mundohen të tregojnë forcën e tyre. Qytetarët shqiptarë nuk do të intimidohen. Mos ta votojnë këtë reformë sepse ata deputetë janë aty për të përfaqësuar qytetarët, votuesit dhe jo interesat e PS”, tha Xhaferri.
Një Incident është shënuar në protestën e qytetarëve përpara parlamentit. Mes protestuesve e policëve ka pasur përplasje dhe efektivët kanë hedhur spray me piper.
Disa protestues shihen duke tërhequr diçka nga duart e policëve, kurse këta të fundit marrin me forcë një protestuesit dhe e fusin mes tyre. Më pas, një polic shihet duke i qëlluar vazhdimisht protestuesit.
Ndërkohë, e shtrirë në tokë shihet edhe një grua, e lënduar nga spray me piper.
Këto janë momentet e përplasjes që ndodhën më herët në protestën e PD, pranë Xhamisë së Namazgjasë. Sipas thirrjeve, Klevis Balliu nuk është lejuar nga efektivët që të kalojë. Më pas ai shtyhet me policët, të cilët reagojnë mbrapsht.
Edhe protestuesit shtyjnë gjithashtu, ndërsa më pas efektivët kanë hedhur spray-n me piper. Në këtë moment, të gjithë rendin për t’u larguar.
Kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, që ndodhet mes protestuesve para Kuvendit që janë kundër reformës territoriale, u bëri thirrje deputetëve të mos e votojnë.
“Qytetarët e këtyre 15 bashkive kanë gati 2 muaj që protestojnë në qytetet e tyre. U bëj thirrje sot jo vetëm deputetëve të Gjirokastrës, por të gjithë deputetëve të parlamentit: të mos e votojnë këtë reformë shpopulluese, këtë reformë e cila është në kundërshtim me Kushtetutën. Është një reformë në kundërshtim me kartën e BE. Kjo nuk sjell asnjë zhvillim, veçse shpopullim. Harta e propozuar nga PD ripopullon Shqipërinë”, tha Malaj.
Sipas projektit të socialistëve, Memaliaj do t’i bashkohet Tepelenës. Më herët, Malaj pati edhe një përplasje me efektivët e policisë.
Një tjetër situatë është krijuar në protestë, këtë herë në anën e Xhamisë së Namazgjasë ku ndodhen protestuesit e PD, të cilët janë të paktë në numër. Protestuesit janë shtyrë me efektivët dhe këta të fundit kanë hedhur spray me piper.
Disa protestues nuk janë ndier mirë. Pranë policëve janë Klevis Balliu e Besart Xhaferri që po përpiqen të komunikojnë me ta.
Janë nxehur sërish gjakrat në protestën e flamingove. Një protestues ka shkulur pllakat dhe po kap copa të tyre duke i përplasur sërish në asfalt për t’i thyer. Herë pas here i ngre edhe lart, gati duke kërcënuar policët, por një tjetër i shkon pranë për ta qetësuar.
Kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, merr pjesë gjithashtu në protestën kundër reformës territoriale, e cila po debatohet në Kuvend.
Vetë Kavaja nuk preket si bashki, por asaj do t’i bashkohet Rrogozhina.
Flamingot që ndodhen pranë qendrës tregtare te parlamenti po përplasen fizikisht me efektivët e policisë. Nga protestuesit janë hedhur edhe shishe uji. Efektivët janë kundërpërgjigjur me spray me piper.
Një i moshuar është lënduar nga goditjet me sende të forta.
Deputeti demokrat i Kukësit, Asllan Dogjani, u përzie në protestën e flamingove duke marrë një megafon në dorë çka si pasojë krijoi tension. Një protestues bëri gjeste në dukje duke i bërë shenjë të largohej, por deputeti vijoi njësoj.
Protestuesit i kanë vënë flakën disa koshave të mbeturinave pranë qendrës tregtare krah parlamentit, por janë fikur nga efektivët.
Hilë Curri, kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, është mes protestuesve që kundërshtojnë reformën territoriale. Ai thotë se nga 15 bashkitë që do të shkrihen, preken 300 mijë protestues. Fushë-Arrëzi është bashki që do të bashkohet me Pukën.
“Një nga ato 15 kryetarët që preket nga reforma klienteliste e grupit që ka bërë hartën territoriale që s’ka lidhje me hartën e ekspertëve të BE. 300 mijë banorë preken nga ajo reformë. Si shpëtoi Konispoli, Delvina? Kjo është një reformë që Arbjan Maznikun do ta ndjekë historia! Çuni më i keq që ka njohur Tirana, do të marrë në qafë 300 mijë shqiptarë. Harta nuk i përshtatet komunitetit europian, nuk i afron shërbimet, shkatërron bashkitë që kanë histori, identitet, krahinë. Këta s’kanë shanse të na ndalojnë në rrugën e drejtë e të shenjtë që kemi. Jemi këtu derisa ata të parlamentit të mos votojnë. Ne do të rezistojmë!”, tha Curri.
Krah tij, ndodhej edhe kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, si dhe deputeti demokrat i Lushnjes, Saimir Korreshi.
Tensionohet edhe më tepër situata përpara parlamentit, aty ku ndodhen flamingot. Policia ka përdorur spray me piper ndaj tyre. Një protestues është lënduar pasi spray i ka rënë në sy. Pranë tij shihen disa të tjerë duke u përpjekur ta ndihmojnë duke i hedhur ujë e solucion.
“Mos u sillni si fashistë”, dëgjohen thirrjet drejt policisë.
Policia po shtyn protestuesit që tentojnë të kalojnë kordonin e sigurisë te Xhamia e Namazgjasë. Efektivët po përdorin edhe spray me piper. Vihet re se kordoni i policisë është vendosur në mënyrë të tillë që të ndajë protestuesit e PD nga ata të flamingove.
Ndërkohë te parlamenti, protestuesit kanë hedhur vezë e flakadanë ndaj policisë. Flamingot bëjnë edhe thirrjen “dorëheqje.”
Klevis Balliu i ka kërkuar efektivëve të largohen dhe të lirojnë rrugën që protestuesit të vijojnë lirisht, pa u penguar punën. Por, disa protestues e etiketojnë “serb” dhe i kërkojnë Balliut të lirojë rrugën. Një tjetër thërret “arrestoni kriminelin.”
Klevis Balliu: Hapni rrugën! Nuk e kanë me ju! Mos e bëni personale me njerëzit! Sa drejtorë policie duhet të futen në burg? Shkoni fliteni me shefin! Perimetrin që duhet të bllokoni, bllokojeni! Dilni jashtë, nga ana tjetër, ku keni perimetrin! Protestuesve duhet t’u garantoni sigurinë, siç ua garantoni atyre, siç na e garantoni neve!
-O serb, ke mësuar shqip?
Klevis Balliu: Ku e kemi vendin, sipas ligjit, do të protestojmë!
-Lironi rrugën!
Klevis Balliu: Kush ta lirojë rrugën?
-Arrestoni kriminelin!
Bardh Spahia dhe një tjetër zyrtar po përpiqen të çajnë kordonin e efektivëve pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku ndodhen protestuesit e PD. Në Kuvend vijon seanca, por disa deputetë e kanë braktisur për të shkuar pranë protestuesve.
Veç Spahisë, janë edhe Klevis Balliu, Besart Xhaferri e Saimir Korreshi.
Një përplasje ka ndodhur mes qytetarëve dhe protestuesve të grumbulluar te Xhamia e Namazgjasë.
Këta të fundit kanë bllokuar kryqëzimin te “Rruga e Elbasanit” që shkon drejt Xhamisë së Namazgjasë. Një drejtuese mjeti kërkon të kalojë, por protestuesit e dëbojnë.
Tensione regjistrohen në protestë, pranë Xhamisë së Namazgjasë. I pranishëm mes protestuesve të PD është edhe Sali Lushaj, i cili po përplaset me policinë.
Protestuesit e flamingove kanë lëshuar një pulë në rrugën para parlamentit, e cila është strukur pas efektivëve.
“Keni frikë nga veza! Keni frikë nga pula! Deputetë frikacakë!”, thërrasin ata.
Protestuesit e mbledhur në selinë e Partisë Demokratike janë nisur drejt parlamentit. Ndryshe nga ç’tha Sali Berisha se do të jetë një nga protestat më të fuqishme, numri i pjesëmarrësve është i ulët.
Slogani i tyre është “Rama n’burg, Belinda n’burg”, një version i ndryshuar i thirrjes që flamingot bëjnë prej muajsh, “Rama n’burg, Berisha n’burg.”
Efektivë të shumtë dhe automjete policie kanë bllokuar hyrjen e parlamentit. Pranë ndodhet edhe një autobot, në gatishmëri për neutralizimin e protestuesve.
Kuvendi do të nisë pas pak dhe policia ka marrë masat në terren për shkak të protestës së paralajmëruar. Përveç flamingove, edhe PD ka lajmëruar se do të kundërshtojë brenda e jashtë Kuvendit votimin e reformës së re territoriale që e redukton numrin e bashkive nga 61 në 46.
Efektivët e policisë janë pozicionuar te Xhamia e Namazgjasë deri te Ministria e Brendshme, por rruga nuk është bllokuar momentalisht.
-
E shkreta pule cfare faji ka ajo qe e kan sjelle ne proteste,zoti e ndeshkofte ate qe e solli,kuptohet ka frike e shkreta,prandaj eshte struk tek policet se ndihet me e mbrojtur
Përgjigju











Komente
Komento