Po zhvillohet sot Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve të Shqipërisë, ku do të zgjidhen tre anëtarë të rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe një anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.
Në fjalën e tij, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ngriti shqetësimin për situatën e vështirë në të cilën ndodhet prej vitesh sistemi i prokurorisë, për shkak të mungesës së prokurorëve dhe mbingarkesës me dosje.
“Prokuroria është duke kaluar një periudhë tejet të vështirë prej disa vitesh, për shkak të vakancave në organikë dhe mbingarkesës së punës të krijuar si rrjedhojë e tyre. Ka qenë kontributi dhe sakrifica e gjithsecilit prej jush që ndihmoi në evitimin e kolapsit që rrezikonte sistemin e prokurorisë dhe përshtatjen graduale me organizimin e ri”, vijoi Çela.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga kryeprokurori lidhet me pagat e magjistratëve. Çela kërkoi një zgjidhje përfundimtare për trajtimin financiar të tyre, përmes dialogut mes institucioneve dhe në përputhje me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese.
“Ka nevojë që të gjejë një zgjidhje përfundimtare çështja e trajtimit financiar të magjistratëve. Për këtë nevojitet një dialog real dhe konstruktiv mes të gjitha palëve, që synon zgjidhjen e problemit dhe jo shtyrjen e tij përmes vendimmarrjeve që nuk respektojnë standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese”, tha Cela.
Në mbledhjen e sotme, për tre vendet në Këshillin e Lartë të Prokurorisë konkurrojnë gjashtë kandidatë: Antoneta Sevdari dhe Kostaq Beluri nga Prokuroria e Përgjithshme; Afërdita Ndoi dhe Irma Balli nga prokuroritë e apelit; si dhe Edina Kurti dhe Eloida Goxhi nga prokuroritë e shkallës së parë.
Përveç tre anëtarëve të KLP-së, prokurorët do të zgjedhin edhe një përfaqësues në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.
Lajmi n wpwrditwsim....








Komente
Komento