Më 28 shtator, magjistratët janë ftuar në Kryeministri për të diskutuar për ligjin e ri për piramidën e pagave shtetërore që paralajmëroi shefi i qeverisë Edi Rama. Ftesa u është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, gjykatave, prokurorive të vendit dhe shoqatave të magjistratëve, ndërsa sipas kryeministrit Rama në tryezë do të jenë edhe përfaqësues të Këshillit të Europës.
Ndonëse shoqatat e magjistratëve kanë paralajmëruar se do ta refuzojnë ftesën për dialog dhe do ta vijojnë betejën për pagat në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Rama i fton të diskutojnë për një mekanizëm të ri, që synon të përcaktojë rregulla të qarta për llogaritjen dhe rishikimin e pagave. Në letër, Kryeministria thekson se zgjidhja duhet të marrë parasysh edhe mundësitë e buxhetit të shtetit.
“Diskutimi do të përqendrohet në identifikimin e parimeve, kritereve dhe instrumenteve që duhet të udhëheqin metodën e pagave, duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë buxhetore, koherencën ndërinstitucionale, proporcionalitetin ndërmjet funksioneve dhe përgjegjësive”, thuhet në letër.
Sipas Kryeministrisë, tryeza synon që institucionet të bien dakord për një mënyrë të përbashkët të përcaktimit të pagave, e cila të mbështetet në kritere objektive dhe të kontribuojë në forcimin e pavarësisë së drejtësisë.
“Nëpërmjet këtij procesi konsultimi synohet të arrihet një qasje e përbashkët institucionale për një mekanizëm pagash që kontribuon në konsolidimin e pavarësisë, integritetin dhe profesionalizimin të sistemit të drejtësisë, duke siguruar rregulla të qarta dhe objektive për përcaktimin dhe rishikimin periodik të tyre”, vijon letra.
Ftesa vjen pasi Kuvendi miratoi me 84 vota pro formulën e re të pagave të magjistratëve që përcakton se paga referuese e magjistratëve do të jetë sa 38% e pagës së Presidenti të Republikës nga 36% që ishte, me një rritje prej rreth 8500 lekësh. Ligji u dekretua menjëherë nga presidenti Begaj, por rritja 8500 lekë e pagës referencë është 9-fish më e vogël se ajo që vetë magjistratët thonë se ka vendosur Gjykata Kushtetuese.
Ftesa u është dërguar:
Këshillit të Lartë Gjyqësor
Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Gjykatës së Lartë
Prokurorisë së Përgjithshme
Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm
Gjykatës Administrative të Apelit
Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm
Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë
Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm
Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm
Forumit të Grave Gjyqtare Shqiptare
Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë
Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë
Shoqatës së Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë









Komente
Komento