Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se djegia e kazanëve të plehrave do të hyjë në histori dhe do të kujtohet gjithmonë si kilometri i fundit i Berishës.

Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për Report TV, ku tha se Berisha po e mbyll karrierën e tij politike me një fund shumë të keq.

Teksa komentoi protestën e sotme të PD-së, Spahiu tha se ishte më e vogël, më kaotike dhe më e paorganizuar se protestat e tjera.

“Por unë dua të ndalem në një analizë më të ftohtë. Protesta e sotme ishte më e vogël se tre të tjerat, ishte më e paorganizuar dhe kaotike. Protesta e sotme në vend që ta rrëzonte Ramën, e forcoi atë. Berisha vazhdon me metodën e 1992, i bie shtëpisë muze.

Imagjinoni si ndihen qytetarët e Shqipërisë kur shohin maskat në mes të Tiranës. Këta paralizojnë gjithë lëvizjen apo jetën e Tiranës. Sali Berisha do hyjë në histori dhe do kujtohet për revolucionin e djegies së kazanëve të plehrave, në kilometrin e tij të fundit.

Sepse në karrierën politike dhe profesionale është e rëndësishme fundi të jetë me integritet. Gjurmët e fundit janë të rëndësishme. Dhe kilometri i fundit i Berishës është sulm ndaj kazanëve të plehrave dhe shtëpive muze”, tha mes të tjerash Spahiu.

Kujtojmë se gjatë protestës së sotme të PD-së, militantët e Berishës hodhën molotovë në koshat e plehrave, pranë bizneseve, por edhe në vilën e Enver Hoxhës, e cila sot është qendër kulturore.


Lajmi kryesor:

Spahiu: Berisha dhe Ajatollah Khamenei, dy më të vjetërit në planet që kanë 50 vjet në politikë