Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se Kosova sot është në një krizë të thellë politike dhe institucionale, e cila sipas tij i shkon përshtat Serbisë.
Komentet Spahiu i bëri përmes një lidhje live për Report Tv, ku e quajti të turpshme krizën në Kosovë, teksa shtoi se kryeministri Albin Kurti ka përgjegjësi për tejkalimin e saj.
Më tej Spahiu deklaroi se strategjia e Kurtit është që ta çojë sërish Kosovën në zgjedhje, por ta zvarrisë krizën deri në muajin dhjetor, muaj në të cilin kthehen emigrantët (për të votuar.)
Spahiu iu referua shkrimtarit Gjergj Fishta duke thënë ‘qysh është Kosova sot, është ashtu siç e do hasmi’.
“Do e perifrazoja me një thënie të Fishtës ‘qysh është Kosova sot, është ashtu siç e do hasmi’. Që do të thotë, edhe sikur ta kishte gatuar Beogradi me dorën e vet, nuk do të kishte një krizë kaq të turpshme në Kosovë. Fatkeqësisht sot Kosova prej 2 vitesh është pa një qeveri legjitike, të votuar nëpër institucione dhe stabile. Është pa një President institucional të zgjedhur, por me një President të deleguar. Me një Kuvend që ka kaluar nga kriza në krizë. Padyshim që pritet që të shkohet në zgjedhjet e ardhshme. Kurti duhet të marrë përgjegjësinë, sepse është Kurti sot që qeveris dhe është kryeministër. Ai po e zvarrit drejt dhjetorit. Strategjia e Kurtit është që ta çojë vendin në zgjedhje, por kur të vijnë emigrantët. Ai pret edhe vendimin e Hagës nëse do të dënohen kundërshtarët e tij politikë”, tha mes të tjerash Spahiu.
Lajmi kryesor:
Spahiu: Protestuesit 78 ditë nuk gjetën dot liderin e tyre, e jo më të zgjedhin kryeministrin e ri të Shqipërisë







