Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se shqiptarët duhet të jenë të përgatitur për platforma apo projekte ndërkombëtare, pasi sipas tij, jemi një shtet i vogël dhe i pafuqishëm për t’i parandaluar këto zhvillime.
Komentet Spahiu i bëri në një lidhje për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku diskutoi mbi idenë për krijimin e Shtetit Bektashi në Shqipëri.
Spahiu tha se ku tha se liderët politikë në Shqipëri janë shumë sipërfaqësor
“Në shqiptarët duhet të jemi të përgatitur për shumë platforma apo projekte ndërkombëtare. Sepse jemi aq të vegjël, sa jemi të pafuqishëm për të parandaluar disa projekte. Shqiptarët kanë qenë të papërgatitur për një proces të ndryshimit të kufijve në Ballkan. S’kemi ne as Akademi Shkencash, as diplomaci mbarëkombëtare, që të kemi analiza për t’i studiuar këto, edhe variantet më të këqija, edhe variantet më të mira”, tha mes të tjerash Spahiu.
Duke përmendur qëndrimet kontradiktore të kryedemokratit Sali Berisha për Shtetin Bektashi dhe investimin në Zvërnec, Spahiu shtoi se liderët politikë në Shqipëri janë shumë sipërfaqësorë në qëndrimet e tyre politike.
“Janë shumë sipërfaqësorë në qëndrimet e tyre politike. Këto i bën kur e mendon Sali Berisha. Njëherë thotë jam pro Zvërnecit, pastaj thotë jam kundër. Njëherë thotë jam pro shtetit Bektashi, njëherë thotë jam kundër”, vijoi Spahiu.
Në përfundim Spahiu shtoi se shqiptarët duhet të shohin anët pozitive dhe negative të krijimit të një shteti Bektashi në Shqipëri. Sipas tij, ata që e kanë hedhur këtë ide, e kanë hartën e Ballkanit se çfarë do të ndodhë pas 100 vitesh.
Për Spahiun, politika dhe populli shqiptar është i papërgatitur për qëllimin e këtij projekti.
“Shqiptarët duhet të ndalen dhe të mendojnë ky është një projekt në favor të shtetit shqiptar apo jo. Pa e kuptuar këtë, ti i bie të flasësh për një këngë kur s’kupton asnjë notë muzikore. Për këtë arsye edhe unë nuk marr kurajon të them që e di qëllimin e kësaj ideje. Ata që e hedhin këtë ide, e kanë hartën e Ballkanit se çfarë do të ndodhë pas 100 vitesh. Sot jemi të papërgatitur të gjithë për qëllimin e këtij projekti”, theksoi Spahiu.
Lajmi kryesor:
Spahiu: Çudi, por 100% e partive në Shqipëri ishin dakord me idenë e të dërguarit të Trump për Shtetin Bektashi









