TIRANE - "Aleanca Kuq e ZI" e drejtuar nga Kreshnik Spahiu ka përvetësuar protestën paqësore të një grupimi rinor duke e shndërruar në protestë antiqeveritare për vdekjen nga torturat të të dënuarit shqiptar Ilia Kareli në Greqi.

Këtë akuzë e ka ngritur ndaj kreut të AK-së, vetë organizatori i protestës, Indrit Murati, administrator i faqes "Shqipëria ime" në internet. Murati (në foto) në mesazhet drejtuar Spahiut pohon se e ka organizuar "me zemër" këtë protestë paqësore, e cila është shfrytëzuar më pas nga kreu i AK-së, Spahiu për qëllime politike.

Vetëm pak çaste pas transmetimit të protestës, duke dëgjuar mediat që e njoftonin si një organizim të "Aleancës Kuq e Zi", Murati i ka shprehur shqetësimin e tij, kryetarit të AK-së, Kreshnik Spahiut nëpërmjet mesazheve në celular. Ai vetë vuri në dispozicion të "A1Report", mesazhet e shkëmbyera dje me Spahiun. nga ana tjetër, Murati u distancua qartë nga devijimi i protestës dhe dhuna që e pasoi atë, pasi grupimi "Shqipëria ime" nuk ka pasur në plan të përshkojë bllokun e ambasadave apo të përplaset me policinë.

indrit muratiNë një prononcim për “A1Report!”, Murati tha: “Ne bëmë thirrje për një protestë paqësore për vrasjen e Karelit, e cila u politizua nga kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu. I kërkova Spahiut që të mos e politizojë. Ne kishim planifikuar të shkonim tek ambada greke për të kërkuar drejtësi në mënyrë paqësore. Itinerari ynë nuk ishte rruga e ambasadave. Ndaj, nuk e di kush e organizoi devijimin e rrugës. Nuk kemi asgjë me shtetin, pasi i respektojmë institucionet." ndërsa Kreshnik Spahiu na gënjeu, e politizoi protestën.

INTERVISTA E ORGANIZATORIT TE PROTESES, INDRIT MURATI, PER "A1REPORT!"

Mund të prezantoheni?
Unë jam Indrit Murati, administrator i faqes patriotike “Shqipëria ime”.

Në mos gaboj, ju keni qenë ideator i protestës së djeshme, që fatkeqësisht degjeneroi dhe në dhunë. Si ka qënë e vërteta juaj?
Ne kemi bërë thirrje që më datën 1 për protestë paqesore , thjesht për të kërkuar drejtësi për atë që ndodhi në Greqi. Thjesht u mblodhëm një grup njerëzish për protestë paqesore gjithmonë, por dje në orën 12, dëgjuam nga mediat të thuhej se atë e organizonte “Aleanca Kuq e Zi”. I politizua si protestë. Unë shkova personalisht e takova z.Spahiu dhe i thashë se organizator i protestës jam unë. Dua të kërkoj dinjitetin e të gjithë shqiptarëve, dinjitetin e kombit tim; jam për një protestë paqësore, ndaj të lutem mos na e politizo.

Cili ishte reagimi i tij?
Reagimi i tij që ne do vijmë si qytetarëtë thjeshtë; nuk do e politizojmë, nuk kemi thënë se e kemi organizuar ne:, por në të vërtetë në çdo lloj medieje thuhej se ishte AK-ja, organizatori.

Po vajtja e të rinjve pranë ambasadës greke ishte pjesë e ideuar nga ju apo nga z.Spahiu?
Vajtja tek ambasada ishte pjesë e “Shqipërisë ime”; ne do shkonim të bënim një protest paqësore, me thirrje për drejtësi. Unë jam filmuar nga të gjitha mediat duke bërë thirrje për qetësi, të sillemi si qytetarë por më pas nuk e di  se kush bëni thirrje që ne të kalonim nga blloku i ambasadave. Aty unë jam shkëputur, pasi ai nuk ishte itinerari im dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur më pas.

Po me z.Spahiun a keni komunikuar më pas lidhur me ngjarjen?
Po, i kam thënë se ju nuk dolët ashtu siç ramë dakord; në media doli që e ke organizuar ti dhe ke bërë thirrje për të shkuar tek Ministria e Brendshme. Unë s’kam asgjë me shtetin, asgjë me Policinë shqiptare. Përkundrazi, i respektoj. Nëse mua më kapet një status në faqen time, që një fjalim apo filmim ii mi që të kem bërë thirrje për dhunë, unë jam i gatshëm të dorëzohem në polici, të përballem me të, sepse jam paqësor, të tërë ne si grupim jemi paqësorë. Në momentin që ne kemi dalë nga rruga e ambasadës, ne jemi shkëputur nga protesta.

Pra, ju jeni gënjyer nga z.Spahiu?
Ashtu doli, me të gjasat ashtu doli.  

MESAZHET E ORGANIZATORIT TE PROTESTES ME SPAHIUN

Murati: Jam ... Kam faqen SHQIPËRIA IME. Jam unë organizatori i protestës dhe jo ju. Më njoftuan disa redaksi televizive që po çohen njoftime nga strukturat e AK-së si organizatorë. Nuk më duket e ndershme. 

Spahiu: S’po të kuptoj. Më fol më drejtpërdrejt. 

Murati: Po thuhet që protestën e ka organizu AK kur në të vërtetë e kam organizu unë në bashkëpunim me disa tifogrupe. 

Spahiu: Pa merak. Më dëgjo pak me  vëmendje. Nuk të heq askush meritën, përkundrazi do të të ndihmojmë me çdo gjë. Duhet vetëm pak koordinim. Ku je tani? Madje, do të të bëjmë edhe reklamë. Vjen dot të më takosh vetëm dy minuta. Eja përballë Ministrisë së Arsimit! Hajde dhe mos u bëj merak se gjithë organizimi dhe protagonizmi do u lihet ju! 

Murati: Dua thjesht të mos lihem i padukshëm se e kam bërë me zemër, madje ju kam mbështet edhe në fushatë.

Spahiu: Eja, eja se ke ditën tënde. Pak kohë më vonë... 

Spahiu: Duhet para ministrisë që të kërkojmë dorëheqjen e Saimir Tahirit. Na kanë arrestuar gjithë njerëzit.

Murati: Mos na harroni si organizatorë. Nesër dalim... Jemi “SHQIPERIA IME”. S’e ke përmend askund. 

Spahiu: Në çdo postim e kemi vënë. Kontrolloje. 

Murati: Mua po më thonë që jo. Madje as ti në deklaratë për shtyp. Spahiu: Shihe vetë dhe mos beso. Unë nuk kam dal akoma në konferencë, vëlla. I kontaktuar nga “Shekulli”, Organizatori rrëfen: “AK thjesht mund të ketë qenë prezente si qytetar, duke u prezantuar si qytetar. Çdokush mund të vijë në protestë, por kurrsesi për arsye politike ose, duke marrë meritat e një organizimi qytetar dhe patriotik. 

indrit murati
(Në foto: Mesazhet në celularin e Indrit Muratit)

KRYETARI I AK ASHPERSON PROTESTEN: NESER, TE RREZOJME MINISTRIN TAHIRI

Kreu i AK-së, edhe pas denoncimit për përvetësimin e protestës së të rinjve, ka vazhduar aksionin e tij politik, duke kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ai ka deklaruar sot se "Dhuna ndaj qytetarëve dhe ndaj aktivistëve të Aleancës KuqeZi legjitimon vazhdimin e protestave tashmë jo kundër ambasadave, por ndaj Minsitrit Saimir Tahiri që i trajtoi protestuesit paqësorë në mënyrë të njëjtë si kryegardiani burgjeve greke. Për këto arsye Aleanca KuqeZi bëjmë thirrje aktivistëve të saj ti bashkohen nesër ora 13.00 ora zyrave të Ministrit Brendshëm për të kërkuar dorëheqje të parevokueshme të Saimir Tahirit."

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)