Juristi Kreshnik Spahiu ka komentuar reagimet e shumta të Ambasadave të shteteve të BE-së, pasi PS sot në Kuvend rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Në një lidhje për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Spahiu tha se e gjithë kjo ‘furtunë’ ka ndodhur për shkak se Qeveria ka qenë e papërgatitur për të zgjedhur mes Europës dhe SHBA-së.
Spahiu tha se me pretekstin e çështjes ‘Balluku’, BE po hakmerret ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, pas pjesëmarrjes së këtij të fundit në Bordin e Paqes dhe afrimin me Trump.
Spahiu shtoi se BE nuk mund të bëjë anëtar të Unionit një shtet që mund ta përdorin shtetet e tjera jashtë Bashkimit Europian për interesat e tyre (në rastin konkret sipas tij, SHBA).
“Kjo është një betejë në vazhdim që do të thotë se sot nuk u mbyll hetimi, por u diskutua masa e sigurimit. Sot nuk u vendos fajësia apo pafajësia e Ballukut. Dhe masat dhe kërkesat po ndryshojnë. Mazhoranca do dalë shumë shpejt e zbuluar. Mazhoranca ka hyrë në një labirinth shumë të fortë me ndërkombëtarët.
E gjithë kjo furtunë ka ndodhur sepse qeveria ka qenë e papërgatitur për të zgjedhur mes Europës dhe Donald Trump. BE nuk e ka mirëpritur dashurinë për Bordin e Paqes dhe përqafimet e Shqipërisë me SHBA-në, për një vendimmarrje për të cilën BE e bojkotoi.
Kjo ishte një hakmarrje e pastër me pretekst Belinda Ballukun. BE s’mund të tolerojë që të futet një Shqipëri që mund ta përdorin të tjerët jashtë BE”, tha mes të tjerash Spahiu.
Komente







