Ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho ka shprehur qëndrimin e tij kritik për PD dhe gjendjen në të cilën ajo ndodhet aktualisht. Në një reagim të gjatë në rrjete sociale, në replikë të një komenti të bërë nga gazetari Hysni Gurra, Spaho shkruan se në vitin 2021, PD ishte vetëm 30 mijë vota pas PS-së, ndërkohë që sot, ndodhet 300 mijë vota pas. Kjo gjë, thekson ai, është alarmante dhe shqetësuese, ndërsa duket sikur jep edhe një mesazh për Sali Berishën, kur thotë se është koha për të rinjtë.

"Unë flas sepse PD ka nevojë të ndryshojë. Në bitin 2021, ishim 30 mijë vota prapa PS, në vitin 2025 jemi pothuaj 300 mijë vota prapa. Ky është alarm për këdo dhe mua kjo më shqetëson, pavarësisht se nuk jam më në politikën aktive dhe kurrë nuk do të konkurroj më për ndonjë post në PD. Koha jonë ka ikur. Duhet të vijnë të rinj me vizion ndryshe edhe me më shumë energji.”, ka shkruar ai.

Ai thekson se ia treguan derën prej faktit se ngriti zërin dhe madje edhe me drejtuesit e partisë. Ai shënjestron edhe Flamur Nokën, të cilin e akuzon se ka urdhëruar që të mos e votojnë në Korçë.

"Unë kam folur në institucione, kam folur në grup parlamentar dhe në kryesi të PD-së, madje individualisht me drejtues të rëndësishëm të PD. Por kjo nuk i pëlqeu hierarkisë së PD. Për këtë shkak mu tregua dera. Për më shumë të tregon Flamuri. Zotëri, nga viti 2003 deri në vitin 2021, në zgjedhjet në qarkun e Korçës, si individ, nuk kam humbur asnjë garë në maxhoritar apo proporcional, prandaj kur flet për vota ki kujdes dhe referoju fakteve. Në zgjedhjet e vitit 2025, në mënyrë të turpshme Flamur Noka dhe drejtuesi i qarkut, iu kërkuan strukturave të PD që të mos votohesha unë por dikush tjetër.”, shton ai.

Rendit një sërë pyetjesh, duke nxjerrë në pah shumë probleme të PD. Ai hedh akuza se PD miratoi një sistem zgjedhor në interes të PS, insistoi në votën e emigrantëve ndërkohë që nuk e përgatitur për këtë proces, zhvilloi primare por rezultatin nuk e respektoi. Po ashtu ngre shqetësim edhe për financat, teksa thotë se shpenzohen për të huajt, duke iu referuar Chris LaCivitas, konsulentin amerikan me të cilin Berisha u mburr gjatë fushatës të 11 majit, dhe shpenzoi shuma të majme.

“Përse në bazën e PD nuk ka struktura, nuk gjejmë dot komisione, përse financat e PD harxhohen për të huajt, të cilët nuk ia kanë idenë se çfarë ngjet në Shqipëri, në vend që t’ju jepen degëve në rrethe, të cilat janë të mbytura në borxhe dhe nuk kanë asnjë mjet financiar për fushatë”, thotë Spaho.

Për Foltoren poshtë shtëpisë së Berishës thotë se dështoi se “braktisi parimet mbi të cilat u ngrit, për shkak të interesave të ngushta, duke lënë rrugës ata që e ndoqën dhe sakrifikuan për të”.

Reagimi i plotë i Spahos:

Sa mirë Hysni Gurra më kthen përgjigje në emër të Syrit dhe PD.

Le pastaj sa më ngacmon kur thua që ke pasur respekt për mua, por që sot e paske humbur.

Takemi juaj keni një defekt të madh. Ju mendoni që unë shkruaj sepse nuk u zgjodha deputet.

Për më tepër, ju shkruani në FB që Edmond Spaho, të cilin e kemi bërë deputet, ministër, nënkryetar partie, nënkryetar Kuvendi, etj., nuk duhet të flasë kur konstaton probleme, por duhet ta mbyllë gojën dhe të jetë mirënjohës.

Jo Hysni, unë nuk jam Zeqineja e partisë dhe këtë e kam treguar ndër vite. Më mirë se çdokush e di zoti Berisha.
Kjo që ju mendoni është e turpshme dhe sëmundja më e madhe që ka përfshirë PD sot e vite më parë.

Po të kesh pasur poste në PD, nuk duhet të flasësh, sepse ndryshe konsiderohesh armik. Pse nuk fole më parë? Unë të dhashë poste, ti duhet të mbyllësh gojën?

Hysni, mua asnjë nuk më ka falur ndonjë gjë në jetë, sepse nuk kam asnjë lidhje familjare apo shoqërore me askënd në superstrukturën e PD, PS apo PPSH, që kur kam lindur e deri më sot.

Për dijeninë tënde, disa ditë pa u krijuar PD, një grup të rinjsh, midis të cilëve edhe unë, kemi tërhequr me kavo me një makinë për ta rrëzuar — por pa sukses — monumentin e Leninit në krah të Hotel Dajtit.

Hysni, unë flas sepse PD ka nevojë të ndryshojë.

Në vitin 2021 ishim 30 mijë vota prapa PS, në vitin 2025 jemi pothuaj 300 mijë vota prapa. Ky është alarm për këdo dhe mua kjo më shqetëson, pavarësisht se nuk jam më në politikën aktive dhe kurrë nuk do të konkurroj më për ndonjë post në PD.

Koha jonë ka ikur. Duhet të vijnë të rinj me vizion ndryshe dhe me më shumë energji.

Hysni, unë kam folur në institucione, kam folur në grup parlamentar dhe në kryesi të PD, madje edhe individualisht me drejtues të rëndësishëm të PD.

Por kjo nuk i pëlqeu hierarkisë së PD. Për këtë shkak mu tregua dera. Për më shumë të tregon Flamuri.

Zotëri, nga viti 2003 deri në vitin 2021, në zgjedhjet në Qarkun e Korçës, si individ, nuk kam humbur asnjë garë, në mazhoritar apo proporcional, prandaj kur flet për vota, ki kujdes dhe referoju fakteve.

Hysni, në zgjedhjet e vitit 2025, në mënyrë të turpshme, Flamur Noka dhe drejtuesi i Qarkut ju kërkuan strukturave të PD që të mos votohesha unë, por dikush tjetër.
Flamuri shkoi deri atje sa këtë kërkesë ia bëri edhe një ish-deputeteje të PD. Megjithëse nuk ishte dashamirësja ime, ajo iu përgjigj: “Më mirë votoj Niko Peleshin sesa këtë që më kërkon ti, sepse këta të dy janë bashkë.” Besoj që nuk ka shumë vend për dyshim, pasi vetëm 5 deputetë kemi qenë në qarkun e Korçës.

Pavarësisht kësaj, dua të të pyes, Hysni, meqenëse ti po del flamurtari i denoncimit të grupeve armiqësore:

Kush mban përgjegjësi që PD miratoi një sistem zgjedhor në interes të PS për zgjedhjet e vitit 2025? Sistemi i miratuar hapi luftën e brendshme midis kandidatëve të PD, në vend që të nxiste unitetin midis tyre. PD, si parti në opozitë, kishte nevojë për unitet dhe jo për përçarje para zgjedhjeve. PS, si parti në pushtet, ka shumë mekanizma shtetërore për të ruajtur unitetin, interesat e individëve në fushatën zgjedhore dhe këtë e bëri mjaft mirë pa u përçarë.

Pse u insistua që të votojnë emigrantët në zgjedhjet e vitit 2025 kur PD ishte tërësisht e papërgatitur për këto votime? PS kishte disa vite, që nga koha kur Pandeli Majko ishte Ministër i Emigracionit, që përgatitej për votimin e emigrantëve. Rezultati i zgjedhjeve konfirmoi gafën tonë.

Pse PD zgjodhi votimin me postë për emigrantët, votim tërësisht të kontrolluar nga patronazhistët nëpërmjet videove telefonike?

Pse PD votoi për primaret dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme dhe krijoi konflikte të panevojshme, kur shumica e anëtarësisë nuk ishte për primare?

Pse PD zhvilloi primare dhe nuk respektoi rezultatin e primareve? Pse nuk hynë në listë të mbyllur ata të cilët fituan në primare, por në vend të tyre hynë të tjerë?

Pse ekipi drejtues në qendër, në vend të nxiste unitetin midis kandidatëve, udhëzoi kush duhej votuar dhe kush jo nga kandidatët e listës së hapur?

Pse kandidatët e listës së mbyllur u lejuan të bënin hapur fushatë për kandidatët e tyre të preferuar, duke shkelur parimin e asnjanësisë?

Hysni, pse në bazën e PD nuk ka struktura, nuk gjejmë dot komisionerë, pse financat e PD harxhohen për të huaj të cilët nuk kanë idenë se çfarë ngjet në Shqipëri, në vend që t’u jepen degëve në rrethe, të cilat janë të mbytura në borxhe dhe nuk kanë asnjë mjet financiar për fushatë?

Këto janë, Hysni, disa çështje të cilat duan analizë, zgjidhje dhe marrje përgjegjësie.

Pyetja se pse flet Edmond Spaho, të cilit i kemi dhënë kaq shumë poste dhe ofiqe, është arsyetimi më idiot dhe frikacak.

Unë i kam shërbyer PD për 35 vjet, madje shumicën e kohës në opozitë, dhe nuk kam pasur asnjë karrige.

Ata që shtrojnë këto pyetje janë frikacakë, që nuk dinë dhe nuk duan të zgjidhin problemet që kemi dhe nuk kanë asnjë alternativë për zgjidhjet e mundshme. E vetja zgjidhje për ta është pyetja: Pse flet Edmond Spaho?

Të njëjtat pyetje më kanë bërë njerëzit e Lulzim Bashës në shtator 2021 e më vonë, kur mbështeta më shumë se kushdo Foltoren.
Foltorja dështoi sepse braktisi parimet mbi të cilat u ngrit, për shkak të interesave të ngushta, duke lënë rrugës ata që e ndoqën dhe sakrifikuan për të.

Hysni, mos u merr me mua. Unë kam dhënë disa herë dorëheqje në aktivitetin tim politik dhe profesional. Sot shkruaj sepse më dhimbs et forca ime politike, për të cilën, në mënyrë modeste kam kontribuar në themelim, i kam shërbyer për 35 vjet dhe nuk ia kam dredhur në asnjë moment, ndryshe nga shumë të tjerë që e molën. Nëse ti di ndonjë rast që unë kam përfituar apo jam korruptuar, dil e fol hapur dhe të përballemi.

Ju duhet të më falënderoni që flas sot, kur nuk kam asnjë interes; thjesht jam shumë më i lirë dhe jam krejt i pavarur sesa kur isha aktiv në politikë. Të tjerat janë llafe pazari.

Faleminderit! Këtu e mbyll polemikën me ty, pavarësisht çfarë të të thonë të shkruash më tej.