Nënkryetari i Parlamentit, Edmond Spaho, njëkohësisht nënkryetar i Partisë Demokratike thotë se zgjedhjet e parakohëshme janë një opsion i dëshiruar për këtë forcë politike. I ftuar në studio në A1 Report, Spaho u pyet për deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha të bëra dje në Kuvend, ku theksoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
 
Përgjigjja e nënkryetarit të Parlamentit ishte: "Sigurisht kjo është një nga objektivat tona. Cdo parti e madhe opozitare kërkon zgjedhje të parakohshme. Në do punojmë t’ia shkurtojmë ditët qeverisë, qoftë dhe me protesta”.
 
I pyetur nëse kryetari aktual i PD-së Lulzim Basha do të rikandidojë për Bashkinë e Tiranës, nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho tha se ende nuk është diskutuar brenda kësaj force politike. Sipas tij është vetë Basha që do të vendosë në peshë angazhimet e tij për të garuar në zgjedhjet lokale apo për të qëndruar si kryetar i PD.

Sa i përket dy komisioneve hetimore, atij për serverin e tatimeve dhe administratës, ai thotë se nga ato do të dalin disa të vërteta.

“Komisionet janë pjese e marreveshjes pozite-opozite. Ne themi se janë manipuluar të dhënat e serverit të tatimeve. Ne kërkojmë të verifikohen emërimet në administratë, ndaj do punojmë që të vërtetojmë pretendimet tona”, deklaroi Spaho. Nënkryetari i Parlamentit, njëkohësisht nënkryetar i Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha se qeveria nuk po mban premtimet e dhena, e sipas tij po rriten taksat dhe cmimi i energjise. 

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)