TIRANË- Gati 16 vite pas krimit shtetëror të 21 janarit, ish-kryeministri Sali Berisha do të përballet për herë të parë me SPAK. Burime për Report Tv bëjnë me dije se SPAK e ka thirrur Berishën që të paraqitet ditën e premte në orën 10:00 para prokurorit të çështjes, Alfred Shehu. Ish-kryeministri pritet të merret në pyetje si person që ka dijeni për vrasjet e 4 protestuesve në bulevard me plumbat që u derdhën nga Kryeministria.

Mësohet se SPAK ia ka dërguar fletëthirrjen Berishës në adresa, në banesën në rrugën “Mustafa Matohiti”, në Kuvend si edhe në selinë e Partisë Demokratike. Kjo është thirrja e dytë që Prokuroria e Posaçme firmos në drejtim të ish Kryeministrit pasi e para, e firmosur më datë 3 nëntor, ishte kthyer mbrapa pa u hapur.  Kjo ka detyruar SPAK që të nisë një tjetër fletë thirrje, që mban datën 7 nëntor, këtë herë jo më vetëm në banesën e ish Kryeministrit, por edhe në adresat e tij në Kuvendin e Shqipërisë dhe Partinë Demokratike.

“Për nevoja të hetimit, me urdhërin e datës 03.11.2025 "Për thirrjen e shtetasit", është urdhëruar thirrja e shtetasit Sali Berisha, i biri i Ramë dhe Shiqere, i datëlindjes 15.10.1944, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, lindur në Tiranë dhe banues në Rruga "Mustafa Matohiti Ndërtesa nr. 36, Hyrja nr. 1. Njësia Bashkiake nr. 2 Tiranë, me numër personal E40701031R, për tu paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me qëllim pyetjen e tij me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, në lidhje me procedimin penal nr.138 të vitit 2024, konkretisht për rrethanat e hetimit që kanë të bëjnë me ngjarjen e datës 21 Janar 2011”, thuhet në fletë thirrjen dorëzuar Berishës më datë 3 nëntor.

SPAK e ka thirrur Berishën gati dy javë pasi mori në pyetje ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. Më 30 tetor ai u pyet për 1 orë nga SPAK, por në dalje të Prokurorisë së Posaçme, Basha u tregua i rezervuar dhe nuk dha asnjë detaj për mediat se çfarë kishte deklaruar duke thënë se ishte për një çështje në hetim dhe do ruajë sekretin hetimor.

Me interes pritet të shihet nëse Lulzim Basha është vendosur 100% në dispozicion të drejtësisë për të treguar përballë hetuesve, gjithçka ai di, gati 15 vite nga vrasjet në bulevard. Kur është pyetur publikisht për rolin e Berishës, Basha ka zgjedhur të mos komentojë. Ndërsa vetë Berisha pak ditë më parë u shfaq para SPAK duke mbrojtur krimin shtetëror të 21 janarit. 

Dosja 21 janari 

SPAK ka në duar sfidën e të vënit drejtësi për krimin e gjykuar një herë nga sistemi i vjetër, si “vrasje nga pakujdesia”. Ishte insistimi i palëkundur i familjarëve të Aleks Nikës, e vetmja vrasje pa autor, që çoi dosjen e 21 janarit në dyert e SPAK. Më 12 mars të vitit 2024, Gjykata e Lartë foli në frymën e një vendimi historik të një prej gjykata më të rëndësishme ndërkombëtare, asaj në Strasburg për të Drejtat e Njeriut, dhe urdhëroi SPAK të hetojë 21 janarin si krim shtetëror, për të zbardhur rolin dhe përgjegjësitë e drejtuesve të lartë shtetërorë, Berishës, Bashës, e Ndrea Prendit për vrasjet e 4 protestuesve, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, sot dëshmorë.

Prokuroria e Tiranës çoi të pandehur vetëm ish-komandantin e gardës Nrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të cilët në 2013-ën u dënuan nga gjykata për vrasje nga pakujdesia, Prendi me 1 vit burg, Llupo me 3 vite, tashmë prej kohësh, të dy njerëz të lirë.

Prokuroria e Posaçme regjistroi më 15 korrik procedimin penal për 3 vepra penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.

 

Fletthirrja ndaj Sali Berishes

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:59
Berisha thirret në SPAK për 21 janarin, avokati Gjokutaj: E rremë, sqaroj që nuk ka asnjë njoftim

Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, ka reaguar menjëherë pas lajmit se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dërguar kërkesë kryetarit të demokratëve që ditën e premte, në orën 10:00, të paraqitet pranë ambienteve të Strukturës së Posaçme.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gjokutaj pretendon se në adresë të Berishës nuk është depozituar asnjë njoftim, ndryshe nga sa pretendohet.

“Ky njoftim i rremë dhe i pakomunikuar bëhet nga institucione dhe prokurorë që paguhen për zbulimin e së vërtetes dhe jo për të shpifur! Dalja në media e një njoftimi të pakomunikuar tregon dhe provon edhe një here agendën politike në shërbim të Qeverise nga ana e SPAK”, shkruan Gjokutaj ndër të tjera.

Ora 17:00
SPAK e thirri për 21 janarin, Berisha e mohon dhe sulmon prokurorin: Nuk kam marrë fletëthirrje, më parë ua çon gazetarëve

 

Kreu i PD, Sali Berisha u pyet nga gazetarët për fletëthirrjen e SPAK për 21 janarin. Fletëthirrjen e parë Berisha as nuk e hapi, ndërsa kur e pyetën gazetarët u hoq sikur nuk ka dijeni.

"Nuk kam marrë fletëthirrje", thotë ai duke sulmuar prokurorin e çështjes, se më parë ia dërgon atë gazetarëve.

“Nuk kam marrë asnjë fletëthirrje, për faktin e thjeshtë se Alfred Greca, para se të ma dërgojë mua ua çon gazetarëve. Unë nuk kam asnjë problem, unë jam njeriu që kam kërkuar më shumë se kushdo tjetër hetimin, kam kërkuar prokuror ndërkombëtar dhe nga viti 2013 deri sot është vetëm Rama që ka penguar hetimin. Të hetohet e plotë”, tha Berisha.