Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari, ishte i ftuar këtë të hënë në “Frontline” me Marsela Karapançon në Report Tv, ku foli edhe për kërkesën që SPAK i ka drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit të Belinda Ballukut dhe arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrakstrukturës dhe Energjisë.

Për Havarin, kjo lëvizje Prokurorisë së Posaçme ishte e pritshme, por kritikon kryeministrin Edi Rama, i cili e quajti të turpshëm kërkesën e organit të akuzës drejtuar Kuvendit 

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit është i bindur se SPAK ka prova të forta që inkriminojnë zëvendëskryeministren e vendit.

“Unë e prisja! Duhet të jesh megaloman të bësh deklarata të tilla. Ata sigurisht që dikush i korrigjon, por jo një kryeministër dhe më aq më shumë një kryeministër që ka dhënë kontribute për këtë drejtësi, por që nuk ia ka marrë mendja që do të ishte vetë në këtë qark të drejtësisë së re. Ajo që mori nga GJK ishte një karamele e helmatisur brenda. La në fuqi vendimin që nuk mund të dalë jashtë shtetit. Duket që SPAK ka prova të forta ligjore kundrejt zv. kryeministres Belinda Balluku. Përderisa kanë arritur në këtë pikë që të kërkojnë arrestimin e saj, do të thotë që provat janë të forta, të pakundërshtueshme”,- tha Havari.

“Luan me inteligjencë që nga njëra anë akt i turpshëm. Çfarë akti i turpshëm? Çfarë po kërkon SPAK? Nuk akuzon kot SPAK. Nëse ka një akt të turpshëm, je ti që flet dhe i përgojon”,- iu drejtua ai në distancë kreut të qeverisë.

Havari vlerësoi punën e prokurorit Altin Dumani si drejtues i SPAK në 3 vitet e fundit.

“Zotit Altin Dumani deri në sekondën e fundit ka bërë goxha deklarata të forta. Ka përcaktuar dhe kundërshtarët e SPAK, ka thënë hapur: na kanë kërcënuar krimi i organizuar, politika, media”,- tha ish-drejtuesi i lartë i policisë së shtetit.