TIRANË - Gjykata e Posaçme ka dënuar me 10 muaj burg Aleksandër Lahon (Rrumi i Shijakut), i njohur edhe si Pëllumb Muharremi, për akuzën e korrupsionit. SPAK kishte kërkuar 3 vite heqje lirie, por gjykata e dënoi fillimisht me 1 vit e 3 muaj burg, duke iu ulur një e treta e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Sipas hetimeve, Laho i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.

Emri i Aleksandër Lahos është përmendur edhe më parë në kronikën kriminale. Ai mbeti i plagosur në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019, ndërsa hetimet zbuluan një video ku ai komunikonte me një zyrtar të Avokaturës së Shtetit për rastin korruptiv. Kërçuku është dënuar me 2 vite burg për të njëjtën çështje.

“Rrumi” vijon në ende të jetë në kërkim ndërsa avokati i tij ka pretenduar se ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak se pas atentatit në Shqipëri në vitin 2019 nuk mori ndërhyrjen e duhur mjekesore dhe nga plumbat ka mbetur i dëmtuar, duke i gjymtuar edhe një këmbë.

Në atentatin e 1 nëntorit të 5 viteve më parë mbeti i plagosur edhe prokurori Arjan Ndoja ndërsa humbi jetën shoferi Andi Maloku. SPAK pas zbardhjes së komunikimeve në Sky Ecc ka arritur të zbulojë edhe grupin që posositi dhe kreu atentatin, mes tyre dhe Plaurent Dervishajn.