SPAK kërkoi ditën e sotme autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e riktheu në detyrë, pasi ishte pezulluar nga GJKKO.
Teksa tashmë pritet vendimi i Kuvendit, për juristin Rezart Kthupi, i ftuar në emisionin Repolitix në Report Tv, vendimi i Kuvendit ka më shumë karakter politik sesa ligjor.
Sipas Kthupit, Këshilli i Mandateve do të bëjë një shqyrtim formal të kërkesës dhe provave të paraqitura nga prokuroria. Juristi theksoi se Kuvendi duhet të vlerësojë nëse prokuroria ka vepruar brenda kompetencave të saj dhe nëse kërkesa nuk mbart prapaskena politike.
‘Këshilli i mandateve do të marrë në shqyrtim kërkesën dhe do bëjë një shqyrtim formal të provave. Vendimi që merr Parlamenti është më shumë politik sesa ligjor. Debati është që Parlamenti shqyrton provat si cilësi provash apo ekzistencën. Parlamenti shqyrton ekzistencën e provave. Këshilli i Mandateve duhet të shoh nëse prokurori ka paraqitur prova të mjaftueshme. Parlamenti nuk vendos se personi për të cilin kërkohet autorizim është i fajshëm apo jo. Parlamenti provon që në rastin e një hetimi s’ka prapaskena politike. Po masa ndaj saj mund të rëndohet, nëse dyshimet shtohen. Nëse s’do të kemi heqje të imunitetit do të jetë goditja e parë ndaj sistemit të drejtësisë. Kuvendi është formalisht nëse prokurori në lidhje me kërkesën është në tejkalim të kompetencave’, tha ai.
Avokati Përparim Çaça tha se Parlamenti nuk ka tagër të zëvendësojë gjykatën në vlerësimin e kërkesave të prokurorisë. Sipas Çaçës, SPAK dërgoi kërkesë në Kuvend, pasi sipas tij është i bindur se duhet një masë më e rëndë sigurie.
‘SPAK ka qenë i kujdesshëm me Ballukun fillimisht e mori të pandehur dhe ia hodhi dorashkën që ajo ose të jep[te dorëheqjen ose ta shkarkonte dhe asnjë nga këto nuk ndodhi, dhe SPAK është i sigurt se duhet një masë sigurimi me e rënduar që të mos dëmtohen provat. Kërkoi dy masa ndaluese dhe duke qenë se u krijua ky ngërç, është mirë që të ezaurohet kjo që kemi apo jo konflikt kompetencash është cënuar parimi i ndarjes së pushteteve. Nuk mundet dot Parlamenti të zvendësojë gjykatën, ajo që e vlerëson të ligjshme ose jo kërkesën e prokurorisë është vetëm gjykata. Parlamenti duhet që ta pranojë kërkesën’, tha ai.
Gazetari Kujtim Topuzi theksoi se Balluku është aktualisht nën hetim për të 7 tenderat e Unazës së Madhe. Ai tha se në vendet e BE-së zyrtarët që janë nën hetim japin dorëheqjen.
‘Zyrtarisht sot SPAK tha se zv.kryeministrja është nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe. SPAK i ka dhënë masat me radhë e mori të pandehur, erdhi me një episod tjetër dhe tha vepra është konsumuar më shumë se dy herë dhe më pas mori një vendim tjetër. Shtimi i akuzave mund të ishte një arsye për ta rënduar, ajo është nën hetim për të 7 tenderat. Me shumë mundësi do të kërkoi arrest shtëpie. Po Europa e ka zgjidhur këtë, kush është në hetim jep dorëheqjen dhe kjo duhet që të ndodhte edhe në rastin e Ballukut, duhet që ajo të jepte dorëheqjen’, tha ai.
Këshilltari i PS-së në Bashkinë e Tiranës Alfred Muharremi, tha se drejtësia s’mund të ndërhyjë në punët e qeverisë.
‘Ka akuzë për pabarazi në tendera. PS ka qenë garante e reformës në drejtësi për të qenë e pavarur dhe ne s’mund të krijojmë dot precedentë të rrezikshëm. Drejtësia s’mund të ndërhyjë në punët e qeverisë. Në lidhje me kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit, kjo masë tjetër që do të marr SPAK është se ka dyshime se ka kryer këtë vepër penale. Unë them se në këtë rast duhet të vendoset në peshore rezultati që ka pasur Balluku në krye të ministrisë. Këta të PD më para s’dinin që të bënin një tunel kur ishin në pushtet. Ndërsa sot kemi dhjetëra tunele dhe ura dhe kjo tregon se ministri ka qenë në krye të këtyre punëve’, tha ai.
Avokati Përparim Çaça ka komentuar lëvizjen e ish deputetit të PD Ervin Salianji, ndërsa ky i fundit ishte sot në një takim me demokratët në Elbasan nga ku hodhi akuza ndaj lidershipit demokrat që sipas tij janë kthyer në humbës serialë.
Çaça tha se lëvizja e ndërmarrë nga Ervin Salianji ka arritur të vërë në lëvizje strukturat dhe anëtarësinë demokrate.
‘Kjo është një lëvizje që tashmë do të jetë në të gjithë vendin që do të duhet të ketë një farë komunikimi me anëtarët. Kjo lloj lëvizje që e ka rigjallërruar PD do të ketë protesta do të mblidhet Këshilli Kombëtar sepse deri dje ishte vetëm Berisha që jepte konferenca shtypi. Pra duhet që të bëhet një analizë e thellë e asaj që ka ndodhur sepse deri më tani nuk është bërë. Kjo lëvizje e ka vënë në lëvizje partinë. Po Salianji s'mund të thotë sot që jam kandidati përballë Berishës, sepse nuk kemi zgjedhje tani, por në pranverë do të shohim se çfarë do të ndodh', tha ai.
Komente












