Anëtarët demokratë të Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve kërkojnë sërish nesër mbledhjen e këtij Këshilli që t’i hapet rrugë arrestimit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

PD e ka cilësuar antiligjore shtyrjen pa afat të mbledhjes, duke aluduar se po i jepet kohë të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët. Një shqetësim të tillë e ka shprehur edhe vetë SPAK në mbledhjen e 19 dhjetorit.

Kjo është hera e tretë që opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ndërsa kryetari i Këtij Këshilli ka argumentuar se kërkesa e 5 deputetëve demokratë nuk mund të pranohet pasi ende nuk është ezauruar koha e nevojshme që i duhet palës mbrojtëse, pra Ballukut, të njihet me aktet dhe provat e paraqitura nga SPAK në Kuvend.

Socialistët duket se nuk do të vijojnë procedurën e heqjes së imunitetit të Balluku, deri më 22 janar, kur Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë në seancë publike ankimin e kryeministrit Edi Rama, për një përplasje kompetencash së krijuar nga akti i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra. Kjo e fundit është marrë e pandehur për shkeljet me tenderin e Tunelit të Llogarasë, si edhe po hetohet për shkelje në 10 tenderë të tjerë, përfshirë ato për 7 lotet e Unazës së Madhe.