Mentor Çuku është emëruar Zëvendësdrejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Lajmin e bëri të ditur SPAK në një njoftim për mediat. Çuku merr këtë post pas një procesi përzgjedhjeje ku aplikuan 11 kandidatë që plotësonin kriteret ligjore dhe profesionale për këtë funksion.

Çuku punon si hetues në BKH dhe ka përvojë në hetimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Gjatë karrierës së tij ai është përfshirë në hetime në këto fusha dhe sipas SPAK, njihet për përvojën dhe aftësitë drejtuese.

SPAK shpjegon se sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, zëvendësdrejtori i BKH-së emërohet nga drejtori i Byrosë me pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, pas një procesi të hapur përzgjedhjeje. Mandati në këtë detyrë është 4 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

Çuku është ndër hetuesit e parë të kësaj strukture dhe vëllai i kryekomisarit Artan Cuku, i vrarë në një atentat mafioz në vitin 2017. 

Njoftimi i plotë i SPAK 

"Z. Mentor Cuku emërohet Zëvendësdrejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit

Në përfundim të një procesi konkurrues dhe transparent për përzgjedhjen e Zëvendësdrejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Drejtori i BKH-së ka emëruar z. Mentor Çuku në këtë detyrë.

Ky emërim është realizuar në zbatim të pikës 3 të nenit 36 të Ligjit nr. 95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, i ndryshuar, sipas të cilit Zëvendësdrejtori emërohet nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, pas zhvillimit të një procesi të hapur dhe transparent përzgjedhjeje. Mandati i Zëvendësdrejtorit është 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

Për këtë pozicion aplikuan 11 kandidatë, të cilët plotësonin kriteret ligjore dhe profesionale të përcaktuara për këtë funksion. Të gjithë kandidatët u karakterizuan nga një nivel i lartë i përgatitjes profesionale, përvojës në fushën e hetimit dhe aftësive të spikatura drejtuese, çka e bëri procesin e përzgjedhjes veçanërisht sfidues.

Z. Mentor Çuku është hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe zotëron një përvojë të gjatë dhe të konsoliduar profesionale në hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Gjatë karrierës së tij ai është dalluar për integritet të lartë profesional, aftësi drejtuese dhe përkushtim të vazhdueshëm.

Byroja Kombëtare e Hetimit shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin e saj për të gjithë kandidatët që morën pjesë në këtë proces. Gatishmëria e tyre për të marrë përsipër përgjegjësi drejtuese dëshmon profesionalizëm dhe përkushtim ndaj misionit institucional të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Byroja Kombëtare e Hetimit mbetet e angazhuar në përmbushjen e misionit të saj kushtetues dhe ligjor për hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në shërbim të interesit publik dhe forcimit të shtetit të së drejtës"