Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka nisur sot një vizitë dyditore në Romë, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të Senatit, Dhomës së Deputetëve dhe Gjykatës së Kasacionit italian, me fokus forcimin e bashkëpunimit në drejtësi dhe mbështetjen e Italisë për integrimin europian të Shqipërisë.
Gogu u takua me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes në Senat, Maurizio Gasparri, presidentin e shtuar të Gjykatës së Kasacionit, Stefano Mogini, si dhe kryetarin e Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Deputetëve, Ciro Maschio.
Gjatë takimeve u diskutua përvoja italiane në përdorimin e pasurive të konfiskuara nga krimi në dobi të komuniteteve, bashkëpunimi mes Gjykatës së Lartë shqiptare dhe Gjykatës së Kasacionit italian, si dhe ndikimi i reformave në Itali në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore dhe aksesin e qytetarëve në drejtësi.
“Shqipëria ka ndërtuar institucione të reja drejtësie. Tani provohet aftësia e tyre për të bashkëpunuar dhe për të dhënë rezultate sipas standardeve europiane. Italia është partner i rëndësishëm në këtë rrugë”, deklaroi Gogu.
Vizita e ministrit do të vijojë nesër me takimin me homologun italian, Carlo Nordio, dhe presidentin e Shkollës së Magjistraturës, Mauro Paladini.










Komente
Komento