Sektori i hetimit të krimeve zgjedhore në SPAK do të jetë në terren ditën e zgjedhjeve. Report Tv mëson se gjatë 25 prillit, në ditën e zgjedhjeve parlamentare do të jetë në gatishmëri në të12 qarqet e vendit nëse do të shfaqen probleme që klasifikohen si krime zgjedhore.

SPAK është përgjegjës për hetimin e krimeve zgjedhore në të 12 qarqet e vendit për korrupsion aktiv dhe pasiv në procesin zgjedhor.

Hetuesit e SPAK në bashkëpunim me prokurorit e rretheve do të bëjnë vlerësimin nëse  gjatë zgjedhjeve do të kryhen vepra penale që përfshinë si krime zgjedhore dhe janë në kompetencën e tyre.

Policia e Shtetit do të jetë gjithashtu në gatishmëri duke marrë në ruajtje objektet ku janë vendosur komisionet zonale zgjedhore, materialet e votimit dhe qendrat e numërimit të votave gjatë 25 prillit.

Report Tv mëson se do të jenë afër 8 mijë punonjës policie që do të angazhohen për siguri e rend përgjatë ditës së zgjedhjeve dhe deri në certifikimin e rezultatit sipas ecurisë së procesit të numërimit. Trupës policore nuk i lejohet të afrohet në një distancë prej 150 m largësi nga ambientet zgjedhore me përjashtim kur ndërhyrja e saj kërkohet nga administrata e zgjedhjeve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:35
5 ditë nga zgjedhjet, SPAK deri tani ka regjistruar procedime për korrupsion zgjedhor dhe po bën hetimet

Ndërsa na ndajnë dhe 5 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, deri më tani në SPAK janë bërë 19 kallëzime për korrupsion zgjedhor.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta bën me dije se kallëzimet janë bërë nga presidenca, PD, PS, LSI dhe policia.