TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nuk e ka ende asnjë provë në duar që të ushtrojë një mbrojtje efektive në GJKKO. Ky është qëndrimi i mbrojtjes së Veliajt, që vjen si kundërpërgjigje mbi një deklaratë të SPAK të një dite më parë ku thuhej se kryebashkiakut i janë vënë në dispozicion aktet përmes një USB-je, e cila në fakt nuk mund të përdoret në qeli pasi nuk lejohet kompjuteri. Mbrojtja e Veliajt thekson se procesi në GJKKO, ku ende po zhvillohen seancat paraprake, nuk mund të vijojë pa u njohur Veliaj me të gjitha aktet në mënyrë reale dhe jo formalisht.

“Procesi nuk mund të vijojë pa u garantuar më parë që i pandehuri dhe mbrojtja janë njohur në mënyrë reale dhe jo formale, me materialet mbi të cilat do të zhvillohet gjykimi, një standard i pandryshueshëm në çdo sistem të së drejtës dhe pjesë përbërëse e parimit të “due process”, thekson mbrojtja.

SPAK-ut i përgjigjen edhe mbi pretendimin e tyre se seancat paraprake në GJKKO janë shtyrë për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve apo dhe kërkesave të padrejta të tyre. Ekipi ligjor i kryebashkiakut thotë se kërkesat e tyre për tu njohur me aktet në asnjë rast nuk kanë qëllim që të zvarrisin procesin ligjor, por të garantojnë një proces të drejtë, pasi Veliaj ende nuk ka në dorë asnjë provë.

"Çdo shtyrje është vendosur nga gjykata pas vlerësimit se kërkesat ishin të arsyetuara dhe të domosdoshme për ushtrimin e mbrojtjes. Pavarësisht mungesës së kohës së mjaftueshme dhe mungesës së aksesit të plotë në materiale – përfshirë faktin që z. Veliaj nuk ka ende në dispozicion asnjë provë të dosjes – mbrojtja ka punuar intensivisht për të qenë plotësisht bashkëpunuese me gjykatën dhe për të mos u bërë shkak vonesash", thekson mbrojtja. 

Duke theksuar edhe njëherë se nuk po e zvarrisin procesin, mbrojtja e kryebashkiakut thekson se dosja prej 60 mijë faqesh nuk mund mund të lexohet në një kohë kaq të shkurtër pasi për të bërë analizën juridike do duheshin 20-40 avokatë me kohë të plotë.

"Dosja përmban rreth 60.000 faqe, të cilat përfshijnë dokumente teknike, analiza financiare, transkriptime audio dhe materiale të tjera të dendura. Është fakt i njohur në literaturën shkencore se: një i rritur lexon rreth 50 faqe/orë në tekste të thjeshta; në materiale komplekse, ritmi bie në 10–20 faqe/orë. Vetëm për leximin e thjeshtë (jo për analizën juridike) të 60.000 faqeve, brenda 30 ditëve, duke punuar 8 orë në ditë, do të duheshin 20–40 avokatë me kohë të plotë, pa kryer asnjë detyrë tjetër", thuhet në deklaratë. 

Mbrojtja e Veliajt në deklaratë thotë se veprimet hetimore shtesë që SPAK pranon se ka kryer nga korriku deri në shtator “ngrenë dyshime legjitime mbi përputhshmërinë e materialeve të prokurorisë me dosjen e depozituar në gjykatë”. 

"Jo vetëm kaq, por më datë 10.10.2025, i njëjti avokat i zgjedhur ka bërë kërkesë pranë organit  procedues për vënien në dispozicion të një kopjeje të akteve, ku pasqyrohen veprimet hetimore shtesë të kryera për periudhën 24.7.2025 deri në muajin Shtator 2025. Në këtë kërkesë, vetë avokati i zgjedhur shprehet se; “më datë 23.07.2025 janë njoftuar për përfundimin e  hetimeve dhe u është vendosur  në dispozicion një  USB me kopje të akteve të  këtij procedimi penal", thonte SPAK një ditë më parë.

Spak dhe GJKKO, e njëjta gjykatë që i ka refuzuar t’i japë fizikisht dosjen kryebashkiakut të paraburgosur, të premten, pranoi një kërkesë të ngjashme të kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta. Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi ta detyrojë SPAK-un që t’i çojë në burg në formë të printuar fashikujt e kërkuar nga Meta, gjithashtu i pandehur në masë arresti në burg. Një kërkesë e tillë është refuzuar për Veliajn nga gjyqtarja Etleva Deda, edhe pse për të pasur dosjen, kryebashkiaku ka bërë disa kërkesa.

Deklarata e plote

Mbrojtësit ligjorë të z. Erion Veliaj vlerësojnë të nevojshëm sqarimin e disa elementeve proceduralë, që janë thelbësore për publikun dhe për garantimin e një procesi gjyqësor të drejtë. Kjo deklaratë synon të qartësojë rrethanat konkrete që lidhen me njohjen e akteve dhe ushtrimin efektiv të së drejtës kushtetuese për përgatitjen e mbrojtjes.

1. Mbrojtja e z. Veliaj ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme se e drejta për t’u njohur plotësisht me aktet është kusht themelor për ushtrimin e një mbrojtjeje efektive. Procesi nuk mund të vijojë pa u garantuar më parë që i pandehuri dhe mbrojtja janë njohur në mënyrë reale dhe jo formale, me materialet mbi të cilat do të zhvillohet gjykimi, një standard i pandryshueshëm në çdo sistem të së drejtës dhe pjesë përbërëse e parimit të “due process” (neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë). Kjo kërkesë buron drejtpërdrejtë nga neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili garanton çdo qytetari nën akuzë kohën dhe lehtësitë e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes vetë, të drejtën për t’u mbrojtur vetë ose me avokat të zgjedhur prej tij, si dhe të drejtën për të komunikuar lirshëm dhe privatisht me mbrojtësin.

2. Të gjitha kërkesat për kohë shtesë janë paraqitur vetëm për të garantuar të drejtën themelore të njohjes së plotë dhe efektive me materialet e çështjes. Çdo shtyrje është vendosur nga gjykata pas vlerësimit se kërkesat ishin të arsyetuara dhe të domosdoshme për ushtrimin e mbrojtjes. Në asnjë rast mbrojtja nuk ka synuar vonesë, por ka kërkuar vetëm respektimin e standardeve ligjore të një procesi korrekt, të cilat deri më tani nuk janë garantuar plotësisht nga gjykata.

3. Dosja përmban rreth 60.000 faqe, të cilat përfshijnë dokumente teknike, analiza financiare, transkriptime audio dhe materiale të tjera të dendura. Është fakt i njohur në literaturën shkencore se: një i rritur lexon rreth 50 faqe/orë në tekste të thjeshta; në materiale komplekse, ritmi bie në 10–20 faqe/orë. Vetëm për leximin e thjeshtë (jo për analizën juridike) të 60.000 faqeve, brenda 30 ditëve, duke punuar 8 orë në ditë, do të duheshin 20–40 avokatë me kohë të plotë, pa kryer asnjë detyrë tjetër. Një detyrë e tillë është objektivisht e pamundur në çdo sistem drejtësie dhe bie ndesh me standardin kushtetues dhe europian të proporcionalitetit dhe të “reasonable time” në përgatitjen e mbrojtjes.

4. Pavarësisht mungesës së kohës së mjaftueshme dhe mungesës së aksesit të plotë në materiale – përfshirë faktin që z. Veliaj nuk ka ende në dispozicion asnjë provë të dosjes – mbrojtja ka punuar intensivisht për të qenë plotësisht bashkëpunuese me gjykatën dhe për të mos u bërë shkak vonesash. Qindra orë pune janë dedikuar për shqyrtimin e pjesëve të vëna në dispozicion, por kjo nuk mund të konsiderohet e mjaftueshme për të garantuar standardet e kërkuara nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut për një përgatitje reale dhe efektive të mbrojtjes.

5. Prokuroria ka pranuar në deklaratën për shtyp kryerjen e veprimeve hetimore jashtë afatit formal të hetimit, rrethanë që ngre dyshime legjitime mbi përputhshmërinë e materialeve të prokurorisë me dosjen e depozituar në gjykatë. Për sigurimin e korrektësisë së procesit, është thelbësore që mbrojtja dhe z. Veliaj të kenë akses të plotë në dosjen gjyqësore, pasi mbi atë dosje do të zhvillohet shqyrtimi gjyqësor. Ky është një standard minimal i çdo procesi të drejtë dhe nuk përbën as pengesë, as kontestim, por një kërkesë bazike për transparencë dhe qartësi procedurale.

6. Marrëdhënia avokat–klient është një raport profesional i rregulluar me ligj dhe me kode etike, dhe nuk ka asnjë lidhje me detyrimin procedural të organeve të hetimit dhe ndjekjes penale për të garantuar akses të plotë të të pandehurit në provat që përdoren ndaj tij në gjykatë. Në këtë fazë gjyqësore fokusi mbetet i vetëm: krijimi i kushteve që mundësojnë përgatitjen reale dhe efektive të mbrojtjes.

Mbrojtja nxit Prokurorinë të zbatojë plotësisht standardet e pjekurisë institucionale, duke u përqendruar në detyrimet që burojnë nga Kushtetuta në sallën e gjyqit dhe jo jashtë saj në deklarata publike që nuk zëvendësojnë transparencën dhe qartësinë e procesit gjyqësor.

Ne presim nga gjykata garantimin e këtij detyrimi themelor, pasi çdo devijim nga ky standard do ta reduktonte procesin në një ushtrim formal, duke cenuar qëllimin thelbësor të tij: realizimin e drejtësisë dhe jo prodhimin e një rezultati statistik.

Lajmi në përditësim....