TIRANË-Gjykata e Posaçme, caktoi me kërkesë të SPAK, masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për avokatin Bardh Koçi, në akuzë për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Masë “detyrim paraqitje”, me të njëjtën penale u caktua për një grua, e cila në vitin 2021 po gjykohej në Gjykatën e Tiranës për falsifikim të dokumenteve shëndetësore.

Për atë gjykim, avokati Bardh Koçi, i cili në atë kohë ka qenë i punësuar si auditues në Këshillin e Lartë të Shtetit, i ka kërkuar zonjës në fjalë 40 mijë euro dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1 mijë euro, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimmarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.

'Shtetasi Bardh Koçi. me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte  i punësuar  me detyrë  Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetasja P.M. shumën prej 4000 (katër mijë) eurosh dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj. Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, përmes vendimit nr.10, datë 27.02.2025, ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim Bardh Koçi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personit nën hetim P.M., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal', thuhet në njoftim.

Gjithashtu në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal me qëllim kërkimin e provave janë ushtruar kontrolle në banesat e katër shtetasve, mes tyre edhe në atë të një eksperti kriminalistik dhe një oficeri të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.