Apeli i GJKKO ka urdhëruar SPAK-un që të nisë hetimet për kryebashkiaken socialiste të Lushnjes, Eriselda Sefa. Zyrtarisht prej 30 shtatorit, drejtuesja e bashkisë është e kallëzuar nga një qytetar nga Lushnja për falsifikim dokumentash dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
SPAK ishte shprehur për pushimin e çështjes, duke marrë edhe aprovimin e Shkallës së Parë, por qytetari me inicialet A.H ka insistuar në Apel përmes ankimit që Sefa duhet të hetohet. Sipas kallëzuesit, Sefa ka kryer shkelje në procedurën e ndjekur për dhënien me qira të një pasurie publike në qendër të qytetit, ku pretendon se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nga ajo dhe Këshilli Bashkiak Lushnje.
Kallëzuesi pretendon se ka pasur falsifikime në shkresa si dhe mbi procesverbale të dëgjesave publike ashtu edhe në projektin për miratimin e dhënies me qera të një ambienti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”.
Rasti i dytë që denoncohet është mbi veprimet e Sefës, kur SPAK i kërkoi praktikën e ndjekur për këtë çështje. Kryebashkiakja dyshohet se ka kryer “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” pasi nuk ia ka dërguar të plotë organit të procedurës materialin dhe kallëzuesi pretendon se kjo është bërë qëllimisht.
Materialet, thotë ankuesi, janë tepër të rëndësishme dhe hedhin dritë mbi faktin penal.
Njoftimi i gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, më datë 30.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 195 akti, datë 02.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e shtetasit A.H., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shfuqizimin e vendimit të mosfillimit të procedimit penal datë 24.04.2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me kallëzimin penal nr. 81, datë 14.04.2025” dhe vendosi:
- Ndryshimin e vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar ankimin e ankuesit A.H. dhe duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të regjistrojë procedimin penal dhe të kryeje hetime.
- Një kopje e vendimit t’iu komunikohet palëve.
U vendos në Tiranë, me datë 30.09.2025 ora 12:45.
Komente









