SPAK ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë vendimin e dënimit të ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me 3 vite e 4 muaj burg vetëm për shpërdorim detyre. Duke e argumentuar këtë vendim si të gabuar pasi u rrëzuan akuzat e tjera, SPAK kërkon që Tahiri të dënohet edhe për trafik drogë dhe grup të strukturuar kriminal. Për të gjitha akuzat e ngritura, SPAK kërkoi 12 vite burg për Tahirin. 

"Argumentet dhe provat e pranuara nga gjykata, cilësimi si shpërdorim detyre është i gabuar. Por duhet cilësuat vepra e kryer si trafikim në kuadër të grupit të strukturuar", thotë SPAK

Pas një seance maratonë GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim.  Tahiri u dënua vetëm për "Shpërdorim detyre" duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal". Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se rezulton se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.

Sipas Gjykatës, Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit. Saimir Tahiri po vuan dënimin në burgun e Fierit.

Kujtojmë se Saimir Tahiri e nisi ‘betejën’ e tij me drejtësinë në vitin 2017, kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm, si ministri më jetëgjatë në atë dikaster. Organet e drejtësisë e vunë në shënjestër pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.