TIRANE-Pak ditë më parë Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi Operacionin Forca e Ligjit, duke hequr vendimin e sekuestros për 48 pasuri nga 148 të dërguara për vlerësim. Por ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh sot nga Shkodra, se nuk është hequr sekuestroja, por janë kthyer për riverifikim, për plotësim në OFL.

"Jo përkundrazi, SPAK e ka marrë këtë rol, që procesi të jetë i plotë, i saktë dhe i drejtë, kjo është shenjë e funksionimit të sistemit, jo dështimit. Janë kthime për riverifikim, plotësim, se OFL nuk mund të dështojë, është e legjitimuar. Nuk janë hequr. Është hequr sekuestroja në kushtet e emergjencës, ndërkohë që sekuestro ka dy shina, nuk ka heqje.

Nëse ka një rast të paargumentuar nga policia, shumë mirë, nuk duhet ti biem atij që nuk duhet rënë për arsye se qëllimi është ti bihet krimit, atij që nuk e justifikon. Mund të ketë njerëz që kaën një dënim, por pasurinë nuk e kanë vendosur në mënyrë kriminale. Nuk do të bëjmë gjueti shtrigash.

Pra janë raste, ku një formulari i mungon dicka, është një proces shumë voluminoz, por ku nuk lejohet asnjë cedim, asnjë fakt që të jetë mangët. SPAK është një filtër para se të shkojë cështja në gjykatë, e bënë këtë skanim dhe nëse kthen mbrapsht shumë mirë. Nëse një punonjës i policisë ka harruar dicka ta plotësojë, nëse nuk ka dashur ta plotësojë duhet ta bëjë.

Pra është gjëja më normale dhe e falenderoj SPAK-un që i kushton vëmendjen e duhur, por gjithcka është në hullinë e duhur. Jam i kënaqur me rezultatet. Operacioni e mori shpejtësinë e plotë dhe do të vijojë që të thellohet në të gjithë gjeografinë e vendit që të arrijë ato rezultate që shpresohen.

Dekurajim i krimit. Mesazhi është; nuk ka shans, asnjë kuptim që të merreni me veprimtarinë kriminale dhe nëse vendosi një pasuri kriminale është cështje kohe kur dikush t'ju trokasë në derë, t'ju shkatërrojë investimin dhe ta sekuestrojë. Ti kthehemi punë, të punojmë fortë, të fitojmë aq sa mundet, relativisht pak, të jetojmë me pak, por me nder. Nuk mund të ndërtojmë jetën mbi projekte të pashpresa, sikur është krimi. Ky është mesazhi" tha ai.