Pas zbardhjes së vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra në Madhesh të Matit dhe dërgimit të dosjes për gjykim nga SPAK, motra e tij ka ndarë një postim prekës në rrjetet sociale.

Në një shkrim të gjatë të postuar në TikTok, krah një fotoje ku ndodhet pranë varrit të vëllait të vetëm, ajo shpreh dhimbjen që i mbart zemra dhe mospranimin se nuk do të shihen më.

“Reni motrës

Kanë kaluar 1 vit e 3 muaj pa ty, por zemra ime ende nuk arrin ta besojë që ti nuk je më këtu. Ende të pres. Ende më duket sikur do të shoh, sikur do të dëgjoj zërin tënd, sikur do të vijë ai moment kur do të mund të përqafoj përsëri.

Më mungon… më mungon më shumë nga sa mund ta shpjegojnë fjalët”, shkruan ajo.

Më tej, numëron kujtimet me vëllanë dhe dëshirën që e djeg për t’i përjetuar sërish apo shpresën se netëve mund ta takojë të paktën në ëndrra.

“Me lot në sy kujtoj çdo moment me ty. Çdo të qeshur, çdo bisedë, çdo gjë të vogël që dikur më dukej normale dhe sot do të jepja gjithçka vetëm ta përjetoja edhe një herë.

Ka net kur fle dhe pres të të shoh në ëndërr. Dhe kur zgjohem e kuptoj që nuk të pashë, mërzitem shumë. Sepse në ëndërr është i vetmi vend ku zemra ime shpreson të takojë përsëri”, vijon postimi.

Trishtim për përqafimet dhe fjalët e pathëna, por edhe për grindjet që tani nuk kanë më rëndësi.

“Sikur të mund të të përqafoja vetëm edhe një herë…

Do të shtrëngoja fort dhe nuk do të lija. Do të thosha sa shumë të dua. Do të thosha sa shumë më ke munguar. Do të kërkoja falje një mijë herë për çdo herë që të kam ngritur zërin, për çdo fjalë që ndoshta të ka lënduar, për çdo gjë që nuk ta plotësova kur ti e deshe.
Më fal, vëllai im.

Sot do të doja të mos kisha kursyer asnjë përqafim, asnjë të dua, asnjë minutë me ty.

Por dua të dish diçka,unë të kam dashur gjithmonë. Edhe kur jam mërzitur, edhe kur të kam bërtitur, edhe kur nuk kemi qenë dakord. Dashuria ime për ty ka qenë aty dhe do të jetë gjithmonë”, thuhet në shkrim.

Ajo vijon se do të dëshironte t’i tregonte gjithçka ka ndodhur gjatë mungesës së tij apo ta telefononte, por duke e ditur se nga ana tjetër nuk do të ketë përgjigje.

“Ti nuk ishe thjesht vëllai im.

Ti ishe vëllai im i vetëm.
Drita e syve të mi.
Një pjesë e zemrës sime.
Dhe tani që nuk je këtu, e kuptoj sa shumë nga zemra ime ke marrë me vete.
Do të doja të tregoja gjithçka që ka ndodhur që kur ike. Do të doja të tregoja sa herë më ka marrë malli, sa herë kam qarë fshehurazi, sa herë kam dashur të telefonoj e pastaj më është kujtuar se nuk mundem.”

Mbi gjithçka tjetër mbizotëron dashuria dhe dëshira për ta shprehur edhe një herë.

“Por mbi të gjitha do të doja të thoja edhe një herë
Të dua, vëllai im.
Më fal për gjithçka.
Më mungon çdo ditë.
Dhe nuk do të harroj kurrë.
Nëse dashuria do të mund të sillte përsëri, ti do të ishe këtu në krahët e mi.

Deri atëherë, do të mbaj në zemër, në kujtime, në çdo lot dhe në çdo buzëqeshje që më sjell ndër mend ty.

Pusho i qetë, vëllai im i shtrenjtë.
Motra jote do të dojë përgjithmonë”, përfundon postimi.

Renis Dobra u vra korrikun e kaluar nga 3 vëllezërit Kristë, Fation, Aleksandër Bushgjokaj dhe Petrit Çakri, për motive që dyshohet se kanë lidhje me çështje të trafikut të drogës. Ata e rrëmbyen, e ekzekutuan me litar dhe e hodhën bashkë me makinën e tij në liqenin e Shkopetit.