Spanja po përballet me zjarrin më shkatërrues të këtij viti, ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen në provincën Guadalajara, rreth 100 kilometra në veri të Madridit. Më shumë se 600 zjarrfikës, ushtarë dhe 29 mjete ajrore janë angazhuar prej gjashtë ditësh në përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarrin, i cili ka djegur deri tani rreth 30 mijë hektarë tokë.

Rreth 1.200 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet kanë evakuuar 34 fshatra. Banorëve në 14 zona të tjera u është kërkuar të mos dalin nga shtëpitë për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut që paraqesin flakët.

Flakët shpërthyen të enjten e kaluar dhe vazhdojnë të ushqehen nga erërat e forta, bimësia e tharë dhe terreni i vështirë në një zonë me popullsi të rrallë.

Edhe temperaturat po e bëjnë situatën edhe më të vështirë. Në shumë zona termometri ka arritur deri në 40 gradë Celsius, duke e vështirësuar punën e ekipeve në terren dhe të mjeteve ajrore që po hedhin ujë mbi vatrat aktive.

Ky është zjarri më i madh i regjistruar në Spanjë këtë vit, ndërsa vendi po kalon valën e tretë të të nxehtit të kësaj vere. Vetëm pak javë më parë, një tjetër zjarr në provincën Almeria u mori jetën 13 personave, duke u kthyer në një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar vendi në vitet e fundit.

Por Spanja nuk është e vetmja që po lufton me flakët.

Francë, një zjarr i madh në jug të vendit ka djegur më shumë se 2.500 hektarë tokë, ka detyruar 400 banorë të evakuohen dhe ka lënë pa energji elektrike rreth 2.300 familje.

Tragjedia u rëndua edhe më shumë të martën, kur dy zjarrfikës humbën jetën gjatë ndërhyrjes për shuarjen e një zjarri pranë aeroportit ndërkombëtar të Bordosë. Sipas autoriteteve, flakët nisën në një zonë me shkurre pranë parkimit të aeroportit dhe më pas u përhapën në një ndërtesë. Për shkak të operacionit, disa rrugë hyrëse drejt aeroportit u mbyllën dhe pati vonesa në fluturime.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, shprehu "trishtimin e tij të thellë" për humbjen e dy zjarrfikësve dhe u dërgoi ngushëllime familjeve të tyre dhe kolegëve. Edhe presidenti Emmanuel Macron reagoi, duke shprehur mbështetjen e shtetit për familjet e viktimave dhe për të gjithë zjarrfikësit që vijojnë betejën me flakët.

Në një tjetër vatër zjarri në rajonin Var, qindra banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë, ndërsa shumë zona mbetën pa energji elektrike. Sipas shefit rajonal të zjarrfikësve, Eric Grohin, zjarri është kufizuar brenda perimetrit të tij, por në terren vazhdojnë të ketë shumë vatra aktive.

Sipas shërbimit meteorologjik Meteo-France, thatësira dhe temperaturat e larta kanë krijuar kushte ekstreme për përhapjen e zjarreve. Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) raportoi se deri në mesin e korrikut janë djegur më shumë se 42 mijë hektarë tokë në Francë, duke kaluar rekordin e vendosur në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Sipërfaqja e djegur është rreth katër herë më e madhe se territori i Parisit dhe ka tejkaluar tashmë totalin e gjithë vitit 2025.

Zjarre të mëdha vijojnë të raportohen edhe në Itali, Portugali dhe Greqi, ndërsa Europa po përjeton një verë me valë të njëpasnjëshme të të nxehtit.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po i bëjnë valët e të nxehtit më të gjata, më intensive dhe më të shpeshta. Si pasojë, vegjetacioni thahet më herët çdo vit, duke krijuar kushte ideale për zjarre gjithnjë e më të mëdha dhe më shkatërruese në të gjithë kontinentin.