Duke marrë parasysh financimin e pasigurt për Institucionin bankar të Spanjës Bankia që e ka blerë shteti për 24 miliard dollarë, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy po përpiqet të gjejë mbështetje për marrjen e një ndihme financiare nga fondi i shpërtimit i krijuar nga 17-vendet e eurozonës. Franca dhe Komisioni Evropian dje kanë sinjalizuar mbështetjen e tyre për Spanjën.
Por zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel, Steffen Seibert tha se varet nga qeveritë kombëtare individuale e jo sistemet bankare, për të kërkuar ndihmë financiare nga fondi i shpëtimit, dhe pastaj respektimi i kushteve për shpenzimet parapara ndihmës financiare të këtij lloji. Zëdhënësi Seiber tha se “këtë duhet ta respektojë edhe Spanja”.
Tregjet e aksioneve në mbarë Azinë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara pësuan rënie të hënën nga shqetësimet se kriza e borxhit Evropian po ndikon në vendimet e investitorëve.
Analisti gjerman i investimeve, Robert HALVER i cili punon për Baader Bank, tha se kriza e eurozonës duket e pafund, por mund të lehtësohet në qoftë se Banka Qendrore Evropiane do të investonte më shumë në Itali dhe Spanjë për t’i dhënë kohë atyre për të nxitur ekonomitë e tyre.
“Historia po përsëritet, ne jemi sërish në gjendje krize ashtu si vitin e kaluar. Politikanët nuk kanë mësuar asgjë. Banka Qendrore Evropiane duhet të ndërhyjë për të blerë kohë për vendet si Italia dhe Spanja në mënyrë që ato të mund të zbatojnë reformat. Askush nuk mund ta duroj këtë situatë pritjeje”.
Por për shumë njerëz në Spanjë, si banorja e papunësuar e Madridit Ada Adon, gjetja e një vendi pune është bërë e vështirë në vendin me nivelin më të lartë të papunësisë në eurozonë.
“Është shumë e vështirë të gjendet punë në Spanjë sepse nuk ka punë, dhe në qoftë se diku ju mund të keni një shans, ata nuk duan të paguajnë atë që është pak a shumë normale. Përveç kësaj, çmimet e të gjithë artikujve, përfshirë ushqimin, janë të larta”.
Ndërkohë, Portugalia, një tjetër vend i Evropës i përfshirë nga borxhet e mëdha, ka ulur parashikimet për rritjen e saj ekonomike në 0,2 për qind për vitin e ardhshëm. Lisbona njoftoi gjithashtu se është duke dhënë ndihmë financiare prej më shumë se 8 miliardë dollarësh për tre huadhënësit më të mëdhenj të vendit për t’i ndihmuar ata në përballimin e humbjeve në rritje nga dhënia e kredive.
Marre nga voa
(sg/shqiptarja.com)