Një test tejet i vështirë miqësor që e ka kërkuar me ngulm po vetë. Kështu e përkufizoi trajneri i kombëtares Edy Reja ndeshjen që kombëtarja shqiptare do të luajë të shtunën në orën 19:45 kundër Spanjës në Katalonjë.
“Futbollin spanjoll e njoh dhe e vlerësoj shumë. Dua që kundër Spanjës të mos përsërisim atë që bëmë me Anglinë. E di që e zotërojnë shumë mirë topin, por në fund kjo nuk më intereson. Në fund dua rezultatin,”-u shpreh Edy Reja, trajner i kombëtares.
Në konferencën për shtyp Reja foli edhe për Italinë duke thënë se eliminimi nga Maqedonia e Veriut ishte një zhgënjim shumë i madh, ndërsa shtoi se për ndeshjen me Spanjën nuk e ka vendosur ende formacionin. Sakaq kapiteni Hysaj u shpreh se ai dhe kombëtarja e presin me padurim përballjen me Spanjën.
“Është ndeshje shumë e bukur që na jep motivim të madh. Spanja është shumë e mirë në mbajtjen e topit, por ne duhet të rrimë pas duke pritur dhe të shfrytëzojmë momentin e duhur,”-tha Elseid Hysaj, kapiten i kombëtares.
Tre dit pas ndeshjes me Spanjën, konkretisht me 29 mars, Shqipëria do të luajë një tjetër miqësore, por këtë herë kundër Gjeorgjisë në Air Albania.